Klevi Pojana: Arsimi i cunguar.Droga fenomen shqetësues/Ministria e Arsimit ka përgjegjësinë për sigurinë në shkolla.

Intervista e Nënkryetarit të LRI-së, Klevi Pojana për Fax News.

Dje është zhvilluar një protestë para ministrisë së Arsimit, cili ka qenë qëllimi i kësaj proteste?
Ditën e djeshme me iniciativën e gjimnazistëve të LRI-së, u organizua një protestë para Ministrisë së Arsimit. Qëllimi i protestës ishte shqetësimi që të rinjtë dhe gjimnazistët kryesisht, kanë me fenomenin e drogës nëpër shkolla. Vetëm pak ditë më parë kemi qenë dëshmitarë të një ngjarje-je të rëndë ku një i ri nën moshën 18 vjeç u kap pranë në një shkolle me një substance narkotike. Por ky nuk është i vetmi rast, të rinjtë sot, gjimnazistë por edhe studentët, janë dëshmitarë sesi në fakultetet e tyre, gjimnazet e tyre konsumohet dhe shitet drogë lirisht. Është një fenomen i cili është publikuar, është bërë shqetësim nga shumë individ por si duket akoma nuk ka rënë këmbana e alarmit për qeveritarët dhe për drejtuesit e Ministrisë së Arsimit dhe organe të tjera ligjzbatuese për ta ndaluar këtë fenomen dhe për ti dhënë një zgjidhje përfundimtare.

Çfarë faktesh dhe statistikash keni ju për përdorimin e drograve në shkolla?

Unë besoj që faktet më të mira i ka evidentuar media vetë. Shpeshherë jemi bërë dëshmitarë të rasteve kur gjimnazistë janë përballuar me agresione të bashkëmoshatarëve të tyre të cilët kanë që të nxitur nga përdorimi i substancave narkotike. Sot nëse bëhet një reportazh pranë çdo gjimnazi të Tiranës, vetë gjimnazistët do ju tregojnë se në cilin cep të shkollës ose ambientit të jashtëm të shkollës konsumohet ose shitet lëndë narkotike sepse është një fakt i mirënjohur. Thuajse e dinë të gjithë përveç policisë dhe ministrisë së arsimit e cila nuk bën asgjë dhe qëndron indiferente përballë këtij shqetësimi. Më shqetësuese se kaq është bërë fakti që tanimë nuk është një fenomen i cili qëndron jashtë derës së shkollës por ka kaluar brenda. Duke qenë se ne jemi në kontakt me të rinj gjatë gjithë kohës, shumë herë gjimnazistët na tregojnë sesi në ambiente të brendshme të shkollës në tualete apo korridore, por shpesh herë dhe nëpër klasa konsumohen lëndë narkotike. Sepse cigarja të thuash ka kaluar, është old-fashion nuk është më trendy i kohës, ka kaluar në lëndë narkotike. Ky është një shqetësim shumë i madh për të rinjtë vetë por akoma më i madh për familjarët. Sepse ndoshta të rinjtë, një pjesë e tyre nuk e kuptojnë dot dëmin e madh që shkakton përdorimi i këtyre substancave dhe si të thuash bien pre e atyre keqbërësve që përfitojnë ekonomikisht duke shitur lëndë narkotike. Ky është një shqetësim që familjarët e kanë sepse kanë pasiguri për fëmijët e tyre, duke mos ditur se çfarë bën fëmija i tyre kur shkon në shkollë. Ata e nisin për dije, për mësimdhënie, ndërkohë e kundërta ndodh. Nuk fokusohen te dija, te libri te mësimi por fokusohen te këto elementë të cilat nëse do të bëhen rutinë do kalojnë në një situatë akoma më të madhe të përdorimit të substancave të tjera më të dëmshme për shëndetin e tyre.

Fakti që keni protestuar para ministrisë së arsimit është si një formë për të treguar që përgjegjësinë ia lini ministrisë së arsimit sikurse e thatë pak më parë. Çfarë kërkoni konkretisht nga ministria e arsimit?

Nëse do të donim thjesht ti linim topin te dera ministrisë së arsimit do të ishte shumë pak. Ministria e Arsimit ka tagrin ligjor dhe përgjegjësinë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të mësimdhënies në çdo institucion publik dhe jo publik shqiptar sepse është ajo institucioni përgjegjës për këtë gjë. Por më shumë se kaq ka të drejtën dhe detyrimin për të siguruar, sigurinë maksimale për ata të rinj të cilët fokusohen te dija dhe te shkolla. Mos të harrojmë që në Shqipëri është e udhës që trafikantë, njerëz të cilët merren me këto procese jo ligjore, të kërkojnë grupe të caktuara dhe kryesisht të rinjtë për të shitur dhe për të bërë tregti me produktet e tyre të jashtëligjshme. Vetë pak kohë më parë ne kemi qenë dëshmitar sesi në gjithë Shqipërinë u mboll dhe u bë një fushatë e jashtëzakonshme ku të rinjtë u përdorën si punëtorë në plantacionet e kanabisit. Tani kaluan në këta të rinj që të jenë përdorues të kësaj substance duke jua shitur atë. Nga ministria e arsimit ne nuk kërkojmë thjesht siguri nëpër shkolla. Ka detyrime shumë herë më të mëdha se kaq. Ne në rradhë të parë në banderolën e madhe që shkruam dje dhe e lamë në mënyrë simbolike në kangjellat e ministrisë së arsimit, kishim shkruar, duam dije dhe jo drogë. Pra ministria e arsimit duhet të fokusohet te dija, te proceset mësimdhënëse që institucionet publike duhet ti ofrojnë të rinjve. Nëse flasim sot për arsimin shqiptar, flasim për një arsim i cili është i cunguar, i cili në ciklin e tij të lartë nuk ofron atë që duhet. Është pak të thuhet se arsimi në Shqipëri kushton më shumë se ne vende si Gjermania dhe vende të tjera të BE. Ndërkohë cilësia është disa herë më e ulët se në këto vende ku ne aspirojmë që të bashkohemi pranë familjes së madhe europiane. Kështu që ministria e arsimit ka detyrimin për tu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve dhe të rinjve. Pak javë më parë ndodhi një ngjarje jashtëzakonisht e tmerrshme në Durrës, ku një i ri humbi jetën sepse ishte larguar nga ora e mësimit nga mësuesja. Ai u përball më pas me një bashkëmoshatar që ishte konfliktuar dhe humbi jetën. Kush e mban përgjegjësinë për këtë rast? Familja e dinte që fëmija ishte në shkollë. A ka një institucion i cili duhet të përgjigjet për këtë gjë apo t’ia lëmë fatit të keq dhe të kalojë kjo histori dhe më pas të përsëritet edhe njëherë deri sa një ditë ti vihet kapaku dhe të thuhet mjaft më. Mjaft më duhet të ishte thënë shumë kohë më para. Në çdo gjimnaz të Tiranës, sot jemi koshient që të rinjtë janë pre e bulizimit dhe dhunës me njëri tjetrin. Kjo jo sepse ata duan dhunën por e shikojnë dhunën si një zgjidhje. Dhe nëse nuk janë institucionet përgjegjëse që ofrojnë një alternativë më të mirë se kaq atëherë sigurisht që këta të rinj do të jenë pjesë e kësaj dhune e cila indoktrinohet nga vetë mosha dhe faktorë të tjerë të jashtëm.

Megjithatë ka pasur një iniciativë nga ana e kryeministrit Rama për sigurinë në shkolla. Është marrë dhe një aksion para pak ditës, policia ka marrë trajnime për një oficer policie i cili do të qëndrojë në shkollat e Tiranës. A mendoni se është i mjaftueshëm?

Në rradhë të parë pavarësisht skepticizmit tim personal dhe asaj çka unë kam perceptuar duke komunikuar me të rinj, do të gjeja rastin ta përshëndesja sepse është një nismë pozitive në kuadrin e sigurisë nëpër shkolla. Por nuk është e mjaftueshme që thjesht një polic shkon nëpër shkolla për të bërë oficerin e sigurisë, të sigurojë jetët dhe mbarëvajtjen e proceseve mësimdhënëse që ka shkolla si institucion. Duhet shumë më shumë se kaq. Nuk është thjesht çështja e një oficeri policie i cili shkon nëpër shkolla sepse për hir të së vërtetës organet ligjzbatuese gjatë gjithë kohës e kanë pasur tagrin për të shkuar pranë shkollave, pranë nxënësve për çdo lloj shqetësimi të tyre. Por kërkohet më shumë se kaq. Kërkohet që vetë institucioni i shkollës të bëjë një reformim të vetvetes për të kaluar te procesi i dijes si një proces parësor dhe më pas për të trajtuar këto fenomene shqetësuese. Nëse flasim sot për të rinjtë shqiptar, nuk mund të flasim thjesht për disa të rinj që e përdorin kanabisin se kanë dëshirë. Jo. Shumë prej tyre e përdorin se nuk e dinë se çfarë efektesh negative ai ka dhe çfarë efektesh negative ka përdorimi i duhanit, i kanabisit dhe substancave të tjera të ndaluara. Pra duhet filluar një proces edukues, më pas te procesi parandalues me masa të tjera. Kjo pavarësisht që është hap pozitiv është i pamjaftueshëm për të siguruar të rinjtë, familjet shqiptare që fëmijët e tyre do të jenë të sigurt nëpër shkolla.

Si mendoni se duhet luftuar droga në shkolla por edhe shqetësime të tjera që ju përmendët pak më parë. A keni disa propozime ju si forcë politike?

Do të isha shumë i pasaktë nëse do të specifikoja vetëm disa nga ato objektiva që ne kemi për të rritur sigurinë nëpër shkolla sepse është një gamë e gjerë masash që duhen ndërmarrë. Nëse flasim për fenomenin e kanabisit dhe drogës kalojmë në një shqetësim më të madh që është i të gjithë vendit sepse nuk prek vetëm të rinjtë por të gjithë shtresat shoqërore, ekonominë e kështu me rradhë duke qenë se u kthye në një trend të madh dhe një zgjidhje për shumë procese të tjera të jashtëligjshme që u kryen me iniciativën dhe me mbështetjen e disa segmenteve të caktuara që ishin pjesë e pushtetit dhe e qeverisë. Për të kaluar te siguria, ne e shikojmë rol parësor edukimin, nëse nuk fokusohemi te proceset e dijes, nëse nuk e shikojmë shkollën si vendin i cili realisht duhet të prodhojë dije atëherë kemi hedhur hapin e parë të gabuar. Duhet të fillojmë më pas me pasqyrimin e të gjithë efekteve negative që kanë përdorimi i substancave narkotike në shëndetin dhe jetën e çdo individi. Për të bërë parandalimin dhe për ti treguar çdo të riu që është rruga e gabuar përdorimi i këtyre substancave. Më pas duhet filluar te sanksionet dhe për të kaluar te ato masa, në rradhë të parë për të rritur sigurinë për ata njerëz të cilët afrohen pranë institucioneve arsimore, duke shitur, tregtuar, a thua se është diçka e ligjshme apo produkt ushqimor për këta të rinj. Pra duhet parë më në detaje çështja e sigurisë nëpër shkolla, duke siguruar perimetrin afër institucioneve arsimore, sepse e shikojnë si gjënë më të lehtë për të tregtuar pranë këtyre institucioneve. Më pas për të kaluar dhe në sanksionet brenda shkollave për të parë se cilët janë atë elementë që kanë këtë problem dhe për ti trajtuar këta të rinj. Sepse nuk është thjesht ideja që ky i ri është përdorues apo ka futur këtë substancë të ndaluar në shkollë. Por ai person është një viktimë e dikujt tjetër, pra duhet trajtuar me kujdes ky element dhe sigurisht duhet më shumë vëmendje e institucioneve arsimore dhe ligjzbatuese në këtë drejtim.

Pak më parë përmendët që duhet një sistem edukimi për të evituar gjithë shqetësimet që përmendët pak më parë. Konkretisht nga çfarë mendoni se vuan sistemi arsimor në Shqipëri?

Ditën e djeshme në protestë një djalë tha diçka që më mbeti në mendje. Tha është më e thjeshtë të gjesh një cigare kanabis në shkollat tona se të gjesh një hartë për orën e gjeografisë ose një laborator në orën e kimisë. Pra kaq e tmerrshme është situata që përballen sot të rinjtë në sistemin arsimor shqiptar. Është shumë më e thjeshtë të gjesh lëndë të jashtëligjshme sesa të gjesh ato mjete didaktike që i duhen të rinjve për të siguruar procesin e tyre mësimdhënës. Nëse flasim për problemet që ka sistemi i arsimit do të ishin të pafundme. Nëse flasim për universitetet, jemi koshient dhe dëshmitar sesi në universitetet shqiptare po kalohet një traumë e madhe, duke pasur ankimin më të dobët, kushtet më të dobëta, tarifat më të shtrenjta dhe se privati. Nëse flasim për gjimnazet do të flasim për një sistem i cili kalon në faza eksperimentimi të herëpashershme. Tani ka kaluar në fazën tre lëndë në 6 orë, por kjo bëhet në mes të vitit. Askush nuk është pyetur nga grupet e interesit. Nuk janë pyetur vetë nxënësit, stafi pedagogjik, prindërit pra nuk janë pyetur ata të cilët realisht do ta përjetojnë këtë ndryshim dhe kjo bëhet si të thuash në mes të vitit, ndryshohen rregullat e lojës në mes të lojës pasi ti ke filluar të luash. Të flasim për maturën shtetërore e cila është një nga makthet më të mëdha të të rinjve dhe të familjeve sepse një i ri sot do edukohet dhe përballet në bazë të rastësisë dhe fatit, jo në bazë të asaj çka ai ka dëshiruar dhe ëndërruar gjatë gjithë jetës së tij dhe deri sa ai ka ardhur në maturë. Nëse flasim për shkollat 9-vjeçare do të flasim për një sistem i cili gjatë gjithë kohës ka pasur probleme. Do doja të kujtoja këtu një nga shqetësimet më të mëdha. Një nga propozimet që unë nuk do doja ta quaja fare politike por që erdhi nga opozita, ishte për libra falas. Dhe ishte një përgjigje jo. Përgjigje e tmerrshme sepse nuk ka rëndësi kush e thotë atë gjë. Nëse ti nuk thua një po, ose nuk je mbështetës për libra falas, për të rinjtë për fëmijët të cilët të mirë edukohen dhe të mos u sigurosh atyre të paktën ti japësh atë indicien e parë pozitive që shteti, qeveria po bën maksimumin, gjënë më elementare duke iu dhuruar juve libra, kjo besoj nuk ka nevojë të gjykohet politikisht sepse kushdo do thoshte që është një gabim i madh. Besoj që gjithë sistemi arsimor duhet të hyj në një proces reformimi për të siguruar një element dijen. Para se të vija në emision po hulumtoja pak dhe një nga shprehjet më të mëdha dhe më të bukura që më ngeli në mendje ishte: Nëse ju mendoni që edukimi është i shtrenjtë atëherë duhet të paguani faturën e jo edukimit. Kështu që besoj se qeveri dhe të gjithë ne duhet të fokusohemi te arsimi dhe dija si një proces i cili mund të sigurojë realisht një të ardhme tjetër për Shqipërinë.

Ka patur kritika të vazhdueshme nga ana juaj përsa i përket ligjit të lartë. A janë reflektuar këto shqetësimet tuaja?

Ligji i arsimit të lartë është një histori më vete, e cila do të donte shumë kohë për tu diskutuar sepse kaloi nga një ligj i cili parimisht në pamje, në fasadë, në atë që kjo qeveri ka gjënë më të bukur të saj, fasadën, pra dukej diçka pozitive, diçka që do të reformonte realisht arsimin e lartë. Por më pas u pa që ishte thjesht një ligj i cili do ti përkonte interesave të disa grupeve të caktuara në shoqëri të cilat e shikonin arsimin si mjet për të përfituar dhe jo për të edukuar.
Ligji i arsimit të lartë sot ka krijuar një kolaps të jashtëzakonshëm në sistemin publik duke bërë që tarifat të jenë në çmime stratosferike, gati të papërballueshme nga familjet shqiptare, madje duke kaluar në atë absurditetin e publikut që ofron çmimet më të shtrenjta sesa privati për studimet dhe sot ne ende përballemi me reflektimet të munguar të qeverisë dhe ministrisë kur flitet për këtë ligj. Jemi bërë dëshmitar të show-ve mediatike ku kryeministri fton pedagogët, i trajton ata si të ishin disa njerëz të rëndomtë në shoqëri, si disa njerëz të cilët nuk përfaqësonin kultin më të lartë të një shoqërie e cila është dija, shkolla dhe më pas kaloi në akuza duke thënë ju jeni bishti kavallit. Besoj që për ligjin e arsimit të lartë duhet marrë një reformim dhe unë personalisht sa herë jam pjesë e tryezave, sa herë flasim me të rinjtë për këtë çështje, flas për një arsim të depolitizuar i cili nuk duhet të jetë pre e interesave të një partie politike apo të një subjekti politik.
Vetëm pak muaj kaluam zgjedhjet në Shqipëri dhe ishim dëshmitar ku mësuesit elementët më të rëndësishëm në sistemin arsimor, përdoreshin politikisht, presionoheshin për të bërë vota për një subjekt. Pra është shumë e gabuar kjo qasje e qeverisë për të përdorur çdo instrument, pushtetin e qeverisjes, tek arsimi, mësuesit, te vetë nxënësit duke bërë presione. Ne sot kemi të rinj të cilët janë pjesë e gjimnazeve të ndryshme jo vetëm në Tiranë por në gjithë Shqipërinë sepse ndonjëherë kur flitet për arsimin dhe çështje madhore fokusi është te Tirana por harrojmë që të rinjtë edhe procese ndodhin në të gjithë vendin. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm sepse në flasim për Tiranën shikojmë pafundësisht probleme. Do tu përmendja vetëm një rast. Në ditën e 7-Marsit ne zgjodhëm që në mënyrë simbolike përveç urimit që bëmë për mësuesit të dhuronim libra në një nga shkollat 9-vjeçare të Tiranës, në fshatin Vilëz dhe ju them me bindjen më të madhe se ishte i tmerrshëm realiteti ku përballej. Thjesht për të shkuar atje duheshin 6 orë ndërkohë që distanca ishte e jashtëzakonisht e vogël, simbolike në krahasim me orët që të duheshin. 6 orë na shkoi sepse ndaluam përpara lumit dhe nuk ishte urë, ngecëm aty dhe u desh dy-tre orë që të kalonim për të shkuar te ata nxënës të cilët po na prisnin për të marrë disa libra. Që secili nga ata e kishin shkollën në një diferencë shumë të madhe nga shtëpia. Dhe kur ajo gjë ndodh në një nga fshatrat e Tiranës, që distancën me kryeqytetin e ka shumë pak, çfarë mund të ndodhi në vende të tjera, në fshatra apo qytete të tjera të Shqipërisë. Vetëm ta mendosh është për të vënë duart në kokë. Unë jam i bindur që qeveria dhe gjithë institucionet e tjera duhet të marrin menjëherë frenat në dorë dhe të thonë që për arsimin ne do të punojmë jo politikisht. Do të punojmë pa atë backgroundin që nesër ka zgjedhje dhe unë duhet ta përdor këtë si një element për të përfituar politikisht por duhet ta shikojmë si një proces i cili do të sigurojë të ardhmen e vendit tonë dhe të ardhmen e atyre të cilët do të jenë nesër Shqipëria. Sot të rinjtë shqiptarë përveç se përballen me problemet socialo-ekonomike që ka vendi sepse sigurisht janë pjesë e shoqërisë e familjes, hasen me një shqetësim që unë do të mendoja që është shqetësimi më madhor, largimi nga vendi. Të gjithë të rinjtë sot nëse i pyet në masë absolute do thonë që këtu nuk bëhet, Shqipëria ka shumë probleme, ne duhet të largohemi. A është kjo zgjidhja? Çfarë do të prodhonte kjo për Shqipërinë? Po të shikosh statistikat jemi vendi i cili po plakemi më shpejt sepse pjesa dërrmuese të rinjve po largohet për të ndërtuar jetën në vendet e BE.

Do doja të flisnim pak për takimet që kanë pasur personat që janë pjesë e LGBT me nxënësit e shkollave, si i gjykoni këto takime?

Në gjykimin tim personal është diçka e nxituar dhe duhet trajtuar me kujdes të veçantë. Ka njerëz të cilët kanë qasje të ndryshme përsa i përket këtyre problemeve siç kanë dhe qasje të ndryshme kur flitet për përfshirjen ose jo të fesë nëpër shkolla duke qenë se ne kemi një sistem laik dhe e gjithë kjo gjë duhet trajtuar dhe para se këto gjëra të bëhen fakt i kryer duhet të ketë kaluar një fazë konsultimi me të gjithë grupet shoqërore. Personalisht e gjykoj që është një hap i gabuar dhe i nxituar i cili nuk duhej ndërmarrë në këtë mënyrë dhe në këtë masë kaq emergjente se asgjë nuk na e bën kaq të ngutshme për të përfshirë të tilla diskutime shumë elitare për të rinjtë ndërkohë që ata kanë shqetësime shumë më të mëdha. Nëse të rinjtë duhet të vijnë dhe të gjykojnë këto gjëra, le të vijnë dhe ti gjykojnë por ti gjykojnë pa ndikim dhe mbi të gjitha pasi të jetë ndërmarrë një fushatë konsultimi me ta, me prindërit, me mësues dhe me grupet e tjera në shoqëri. Sepse në fund të ditës ne jemi demokraci dhe duhet të fitojë ajo që është dominante në perceptimin shoqëror dhe në perceptimin e masës më të gjerë të shoqërisë, kështu që e shikoj si një hap të gabuar dhe të nxituar i cili bëhet sigurisht për qëllime të tjera se të gjitha këto janë fasada për të tërhequr vëmendjen nga gjëra dhe probleme shumë më të mëdha. Nëse shikon sot median shqiptare në masën 80-90% nuk transmetojnë atë çka është problemi më madhor sot. Që janë përmbytjet, një qytet lundron në ujë. Nuk trajtojnë problemet më të mëdha që shqetësojnë qytetarët dhe merren me gjëra aq fasadë saqë thua se këtu po bëhet fjalë vetëm për gjëra kaq të bukura dhe jo për probleme ose shqetësime të cilat realisht dhembin shumë në kurriz të familjeve dhe qytetarëve shqiptarë.

Si keni menduar që të vijoni më tej me aksionin tuaj?

Ne e thamë dhe dje përballë ministrisë së arsimit që për ne të protestosh për të tilla kauza, nuk do të jetë kurrë një çështje ditësh apo orësh. Nëse e patë dje, ishte ftohtë, ishte shi dhe me qindra gjimnazistë dhe të rinj iu përgjigjën thirrjes sonë për të qenë përpara Ministrisë së Arsimit. Ne do të vazhdojmë me të tilla aksione deri sa veshët e shurdhër të ministrisë dhe të qeverisë të reagojnë dhe të thonë që ne do të ulemi. I bëmë një thirrje dje ministres së arsimit të zbriste dhe të fliste me ne. Ne nuk jemi armiq, nuk jemi njerëz të cilët kishim shkuar aty sepse kishim një inat personal me personin në fjalë. Ne shkuam aty si të rinj, pjesë shoqërore e cila ka detyrimin për t’iu përgjigjur ai institucion dhe nuk na u përgjigj. Qëndroi në zyrë e mbyllur. Por të mos mendojë as ministria dhe as ndonjë element tjetër se kjo është thjesht një element rutinë i cili do kalojë dhe më pas nuk do të rikthehet më, se ne do të ndalemi apo do të trembemi me kaq. Sepse shpeshherë kemi parë edhe raste të tjera kur të rinjtë janë shoqëruar nëpër komisariate, janë përballur me presione, vetëm e vetëm që të ulet ky presion që të rinjtë bëjnë për të marrë në fund të ditës atë çka i takon. Siguri dhe dije në shkolla. Kështu që do të jetë një aksion që do të vazhdojë dhe do të ketë përshkallëzime të tjera derisa ne të marrim atë që ne realisht duam. Që shkollat tona, institucionet tona arsimore të prodhojnë dije dhe siguri për të rinjtë dhe familjet e të gjithë shqiptarëve të cilët janë të interesuar që fëmijët e tyre, e ardhmja e Shqipërisë, të jetë e sigurt dhe të mirë edukohet në institucionet tona arsimore

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al