Intervista / Anëtari i Kryesisë së LSI-së

Anëtari i Kryesisë së LSI-së, Klevi Pojana, i ftuar në studion e ‘Chanel One’ ka komentuar aktualitetin politik në vend, ku është fokusuar konkretisht te protesta e opozitës së bashkuar. Sipas Pojanës, largimi i Ramës dhe qeverisë së tij të korruptuar është hapi i parë për të filluar dialogun dhe për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira e të ndershme.

“Kjo klasë politike duhet reformuar, por me të njëjtën intensitet force besoj që reformimi i kësaj klase politike fillon me largimin e Edi Ramës dhe kësaj qeverie që qëllim ka të uzurpojë të gjitha pushtetet, të kapë të gjitha hallkat e pushteteve në Shqipëri, me gjykatë, me prokurori, me pushtet legjislativ, duke kapur cdo lloj organi dhe cdo lloj institucioni për ti shërbyer vetëm një qëllimi, interesit të tij personal dhe të oligarkëve që e mbështesin atë. Dhe ai e mbështet ata reciprokisht për ti kthyer favoret, tendera dhe ndere financiare. Jam i bindur që reformimi i klasës politike fillon me largimin e Edi Ramës i cili duhet thënë është Kryeministri që ka treguar arrogancën, autoritetin dhe mënyrën më ademokratike  të të qeverisurit dhe të drejtuarit të këtij vendi.”-, është shprehur ndër të tjera në intervistën e tij, Anëtari i Kryesisë së LSI-së, Klevi Pojana.

 Sa i keni ju me vete të rinjtë në këtë betejë opozitare?

Jam i bindur dhe i sigurt që qytetarët shqiptarë e kanë kuptuar që protestat e opozitës janë protestat që e kanë kaluar fazën e militantizmit apo të njerëzve që thjeshtë janë anëtarë apo suportues të një partie politike. Në atë shesh kanë qenë njerëz të cilët vinin sepse realisht e kanë humbur durimin me këtë qeveri, e kanë humbur durimin përrallat që tregohen nga mëngjesi në darkë në ERTV dhe në televizionet e lidhura me Edi Ramën, e kanë humbur durimin tek fakti që janë mashtruar në çdo detaj të qeverisjes së Edi Ramës. Në atë shesh nuk kanë qenë thjesht njerëz me bindje politike, jam i bindur që në atë shesh kanë qenë njerëz që kurrë nuk kanë qenë anëtarë të LSI-së, të Partisë Demokratike apo të partive të tjera opozitare por janë qytetarë të cilët kërkojnë vetëm diçka, largimin e kësaj qeverie, largimin e Edi Ramës, përgjegjësi për këtë qeveri dhe për Edi Ramën për atë çka i ka bërë qytetarëve shqiptarë dhe çka i ka bërë vendit në këto 6 vite dhe mbi të gjitha të sigurojnë që demokracia do të jetë më e shëndetshme dhe të siguria që qeveria që do të vijë do të jetë një qeveri që do ti përgjigjet sfidave dhe aspiratave të vendit për tu bashkuar me familjen e madhe europiane. Kjo tregon shumë qartë se të rinjtë por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë janë më të bindur se kurrë pro largimit të Edi Ramës, pro largimit të kësaj qeverie, pro opozitës shqiptare, e cila sot i përfaqëson ata shumë denjësisht.

Nuk ka rrezik që kjo të bëhet precedent?

Le të bëhet precedent nëse çdo qeveri që vjen më pas do të ketë të njëjtën gjuhë arrogance, le të bëhet precedent madje le të bëhet dhe më keq seç po bëhet sot nëse qeveria që do të vijë do të jetë po kaq arrogante sa ç’është kjo e sotshmja, le të bëhet precedent nëse kryeministri që do të vijë do të jetë po kaq arrogant, do të jetë po kaq abuziv sa ç’është Edi Rama sot. Mua nuk më tremb kjo, mua më tremb që ne po humbim të tashmen tonë duke hamendësuar se çfarë do të bëhet me të ardhmen dhe sot po humbasim kohë nga koha jonë, po humbasim asetet më të vyera të Shqipërisë, po humbasim mendjen e Shqipërisë kur shumë të rinj po largohen nga vendi dhe shume intelektual po largohen nga vendi sepse aludojnë dhe hidhen teza të tilla me precedent, me rrezik në të ardhmen, me problematika që mund të shfaqen në të ardhmen. Ne sot jemi tashmë të përfshirë në këtë konflikt, jemi tashmë të përfshirë në një problem shumë të madh për shqiptarët dhe Shqipërinë. Do t’i japim zgjidhje këtij problemi sot dhe pa diskutim nëse ky precedent krijon zgjidhje për këtë problem lë të shërbej dhe nesër për probleme të ngjashme me këtë, nëse qeverisjet në të ardhmen do të kenë të njëjtën gjuhë, do të kenë të njëjtën sjellje, do të kenë të njëjtën formë reagimi ndaj qytetarëve të tyre. Mua nuk më tremb kjo gjë.

Studentët i keni me vete ju nëpër protesta?

Pa diskutim.

Flas, atë grup studentësh që protestoi aq gjatë?

Pa diskutim. Shumica e studentëve të cilët kanë qenë në ballë të protestës së studentëve, pa diskutim janë në protestë jo vetëm për të mbështetur politikisht partitë që ata simpatizojnë, por janë në protestë sepse ata u mashtruan.

Sepse ata nuk ju pranuan ju kur ishin në protestë, ndaj…

Nuk dua të bëj atë spekulimin nuk ju pranuan. Protesta e studentëve është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur Shqipërisë në 30 vitet e fundit dhe është sepse studentet ditën të ngrenë kauzën e tyre përtej çdo lloj bindje politike. Unë jam shumë dakord me këtë. Jam partizan i madh i asaj që studentët dhe gjithë grupet shoqërore duhet të protestojnë. Jo thjeshtë sepse kanë një parti ose një flamur politik mbas tyre. Do isha njeriu më i lumtur në botë që këtu të protestonin të gjithë shtresat e shoqërisë, të gjithë grupet shoqërore sipas problematikave dhe shqetësimeve të tyre. Problemi është i tillë që në këtë vend për 30 vite gjërat janë ngatërruar keq. Janë ngatërruar keq nga këta politikan që sot janë në pushtet dhe patjetër janë kasës politike. Janë ngatërruar keq sepse kanë uzurpuar të gjithë sindikatat. Kanë uzurpuar të gjithë grupet e interesit në këtë vend dhe ndonjëherë shiten dhe me grupe të caktuar të shoqërisë civile etj, etj, duke i shërbyer qëllimeve të tyre. Unë jam i bindur që studentët janë sot në protestë mbi të gjitha për një arsye. Sepse Edi Rama, jo më larg se janari i këtij viti, i largoi duke i mashtruar për kërkesat që ata kishin për arsimin e lartë. Arsimi i lartë vazhdon të lëngoi po njësoj, arsimi i lartë vazhdon të ketë po të njëjtat problematika dhe ju e keni ndjekur dhe e keni transmetuar dhe nëpërmjet televizionit tuaj por edhe mediat se si student në Shkodër por edhe në universitete të ndryshme të Shqipërisë kanë filluar të rivitalizojnë protestën e tyre sepse kanë kuptuar që thjeshtë janë mashtruar dhe janë gënjyer nga kjo qeveri e cila nuk bëri asgjë për ta nga ajo çfarë i premtoi.

Ju besoni se do të zhvillohen zgjedhjet më 30 qershor?

Zgjedhje më 30 qershor nuk ka.

Kjo mazhorancë është shprehur e vendosur, jo më larg se sa sot Kryeministri tha që nuk e negocion 30 qershorin. Ju nga ana tjetër shpreheni të bindur, ju ku e bazoni bindjen tuaj?

Sepse qytetarët shqiptarë në mazhorancë, në shumicë janë në protestë, janë në shesh duke protestuar për të drejtën e tyre dhe mbi të gjitha janë duke protestuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe zgjidhje të lira dhe të ndershme.

Por ka qytetarë që duan të votojnë, si do i pengoni ju?

Zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën në drejtim të vendit, nuk ka dhe nuk mund të ketë sepse ka treguar dhe e ka demonstruar, me fakte, me zë dhe me figurë se ai është një nga manipulatorët më të mëdhenj, ka vjedhur, ka blerë zgjedhjet, ka përdorur grupet kriminale për zgjedhje dhe kurrsesi nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën dhe me këtë kastë që drejton sot vendin. Sepse nuk do të ishin zgjedhje por do të ishte thjeshtë votim, do të ishte votim, siç ka qenë votim para viteve 90 ku një parti e vetme dërgonte veten në votim dhe merrte 99.9 për qind dhe thoshte që qytetarët dolën dhe votuan të lirë. Kjo nuk mund të ndodhi më, demokracia në këtë vend ka lindur para 30 viteve për të mos vdekur më kurrë dhe për të mos i lënë më kurrë vendin diktaturës sepse zgjedhjet që do të organizojë Edi Rama dhe zgjedhjet për të cilat flitet për në 30 qershor janë zgjedhje që i shërbejnë vetëm sistemeve moniste, sisteme të cilat nuk mund të vijnë më kurrë në Shqipëri sepse Shqipëria boll ka vuajtur pesë dekada në diktaturë.

Ishte gjest normal ai që u bë me ambasadorin e OSBE?

Nuk di ti vë ndonjë epitet kërcënimi apo dhune. Nuk kam parë diçka të tillë. Në vende të ndryshme të botës, është parë dhe është demonstruar me zë dhe figurë, me veprime konkrete se si kur qytetarët dhe njerëzit e lirë nuk janë dakord me një politikan, me një diplomat, me cilindo mund ti thonë të vërtetën e tyre ashtu siç e mendojnë ata. Për qëndrime të një krahu, për qëndrime në kundërshtim me atë që qytetarët kërkojnë dhe me atë ç’ka qytetarët shikojnë. Nëse dikush zgjedh që ti veshë vetes së tij vellon e turpit, dhe ti thuash dikujt që të të vijë turp, nuk është një kërcënim.

Formën tuaj në rrugë nuk po e përkrah asnjë ndërkombëtar…

Unë mendoj që ata diplomatë që janë sot në Shqipëri, ndonjëherë ngjajnë në reagimet e tyre sikur postimet në rrjetet e tyre sociale i kanë marrë nga zyra e shtypit në Kryeministri. Ato reagime ndërkombëtarët të cilat realisht vlejnë për t’ia treguar qytetarëve shqiptarë, janë reagimet e DASH, që vijnë nga mediat më prestigjioze evropiane që kanë transmetuar, media italiane si RAI, media të ndryshme nga Franca, Gjermania që kanë treguar se si në këtë vend është kultivuar kanabis nga jugu në veri. Kjo nuk është përcjellje lajmi, por është demostrim se si në këtë vend, ky Kryeministër dhe kjo qeveri kanalizoi vendin dhe mbushi me drogë tregjet evropiane. Pikërisht për këtë unë jam i bindur që kancelaritë më të mëdha evropiane, janë kryesit të vendosura pro opozitës, pro qëllimeve, pro parimeve, pro vlerave që opozita po kërkon.

A është mandatuar ai kryeministër për 4 vjet?

Ai kryeministër nuk është mandatuar. Ai ka vjedhur zgjedhjet dhe pamë provat. Në çdo media u transmetuan provat. Të heshtim kur çdo ditë në mediat ndërkombëtare shfaqen pamje se si Shqipëria është kthyer në një vend ku vota trafikohet dhe shitet e blihet nga kriminelë ordinerë, të cilët i shërbejnë një qeverie? Të heshtim kur shikojmë se si çdo ditë e më tepër po jepet me koncesion çdo pasuri që ka ky vend? Të heshtim kur shikojmë se si ky kryeministër dhe kjo qeveri ka dështuar në çdo premtim që ka dhënë? Të heshtim kur shikojmë që një kilometër në katror kushton më lirë ta bëjmë me flori, se sa me asfalt te Astiri? Të heshtim kur shikojmë se 43 milionë do të vidheshin te projekti i Unazës së Re dhe ata banorë do të nxirreshin në rrugë të madhe? Të heshtim për të gjitha këto? Po në qoftë se kjo është një zgjidhje demokratike, nëse kjo i shërben parimeve dhe vlerave evropiane, atëherë na falni se jemi ne në rrugë të gabuar. Besoj që kundërshtimi i këtyre fakteve, pa diskutim i shërben një Shqipërie evropiane, i shërben një Shqipërie që do të jetë nesër në standardet e BE-së.

Si do të vijojë aksioni i opozitës?

Është mëse e qartë që opozita shqiptare është e hapur për të gjetur zgjidhje për këtë krizë të thellë politike. Nuk mund të diskutohet largimi i Edi Ramës, sepse largimi i tij është hapi i parë për të filluar dialogun dhe konsensusin mbi atë që mund të arrihet nga të gjitha aktorët politikë për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si mundet të negociohet me xhelatin i cili ka vrarë zgjedhjet. Me njeriun i cili ka bërë krimin nuk mund të negociohet. Ai duhet të përgjigjet për çfarë ka bërë dhe padiskutim ti hapë rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ku të gjithë aktorët politikë të japin kontributin e tyre që këto zgjedhje mund të jenë sa më pranë standardeve evropiane.

Protesta e radhës kur do të jetë?

Ditën e nesërme është lënë një takim mes partive opozitare ku do të saktësohen hapat e mëtejshme sesi do të vijohet me protestat dhe me përshkallëzimin e kësaj situate  e cila duhet të marrë zgjidhje një orë e më parë për të mos dëmtuar më shumë perspektivën evropiane të vendit dhe padiskutim që sa është në kohë Edi Ramës i bëhet thirrja për të reflektuar ai dhe kjo qeverisje se koha e tyre ka mbaruar dhe nuk mund të jenë më në shërbim të vetes së tyre, të grupeve të interesit dhe të oligarkëve që kanë pas vetes. Por ti hapin rrugë interesave të gjithë qytetarëve shqiptar.