Klevi Pojana: Rinia nuk ka më asnjë shpresë te kjo qeveri, do ta rrëzojë Ramën

Intervista e Nënkryetarit të LRI-së, njëkohësisht anëtar i Kryesisë së LSI-së, Klevi Pojana për emisionin “Ditë e Re” në Ora News

Ku konsistonte protesta e bërë ditën e djeshme?

Protesta e djeshme është vazhdë e disa protestave që ne kemi ndërmarrë kohët e fundit. Jo vetëm të të rinjve por të gjithë spektrit të shoqërisë shqiptare. Ditën e djeshme ne u mblodhëm të rinjtë e LRI-së, FRPD-së, por edhe të rinj të tjerë të qytetit të Tiranës të cilët zgjodhën të na bashkoheshin para ministrisë së brendshme për të protestuar. Situata politike në vend besoj e njohur për të gjithë është një situatë shumë e nderë për njerëzit dhe për qytetarët të cilët realisht shikojnë që politika gjithmonë e më tepër ka humbur misionin e saj për ti shërbyer atyre dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes.

Pse nuk ka reagim qytetar?

Faktikisht unë mendoj që ka reagim qytetar, dy protesta masive që janë zhvilluar kanë qenë të iniciuara nga qytetarët dhe të mbështetura nga opozita. Ka pasur reagim qytetar dhe ka qenë një shesh i tejmbushur. Tjetër gjë pastaj që ne presim që protesta të ketë gjithmonë atë pikëpamjen e dhunshme ose të prodhojë diçka ose të ketë një efekt të menjëhershëm, Faktikisht nëse shikon dhe hulumton protestat, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë vendet e botës, të rralla janë rastet kur nga protesta menjëherë ka ardhur zgjidhje për një problem politik. Protestat janë ato të cilat e stepin e zhbëjnë forcën dhe arrogancën e një qeverie që është në pushtet e cila e ka humbur misionin e saj për ti shërbyer njerëzve. Prandaj unë nuk mendoj që këto protesta e kanë humbur qëllimin e tyre, nuk kanë qenë të dështuara siç disa e propagandojnë. Për mendimin tim kanë qenë protesta të cilat kanë ngritur dhe kanë sjellë te qytetarët te të rinjtë dhe gjithë shoqërinë shqiptare një frymë tjetër.

Cilat kanë qenë pikat kryesore të protestës së djeshme?

Protesta e djeshme ka qenë e fokusuar te kërkesa e tërheqjes për ministrin e brendshëm i cili ka një skandal që i ka plasur. Një bombë që i ka plasur në dorë e qeverisë ku dy nga të besuarit e Kryeministrit Rama për të drejtuar ministrinë e brendshme kanë qenë të dy me implikime dhe me lidhje të drejtpërdrejta me krimin e organizuar dhe me trafikun e drogës. Ministri i parë Tahiri sapo fitoi një betejë me drejtësinë e reformuar tani alla Rama.

Po bëhet sikur, kur ka qenë në pushtet PD-LSI nuk ka pasur drogë fare. Tani duhet të jemi pak koshient...

Keqinterpretohet dhe mua më vjen keq që shpesh herë ky është si të thuash diskursi i qytetarëve të thjeshtë. Përsa i përket dënueshmërisë unë jam një nga ata të rinj që kam studiuar drejtësi dhe politikën e kam nisur në një moshë ku fatmirësisht nuk mund ta nisja për të pasur ato qëllimet e errëta ose ato të cila politika i ka sjell politikanëve në këto vite në Shqipëri. Ajo që dua të them është që sigurisht cilido që ka shkelur ligjin duhet të përballet me forcën dhe sanksionet që ligji ka për ato shkelje që ai ka bërë. Edhe më parë edhe tani sepse unë nuk mendoj që gabimet që janë bërë më parë duhen kaluar thjesht me një falje ose me një kërkesë ndjese por kjo është një tjetër çështje. Unë sot  po diskutoj për çështjen e Fatmir Xhafaj, Saimir Tahirit dhe kanabizmit të Shqipërisë. Absolutisht që askush nuk ka thënë asnjëherë dhe as nuk besoj që do ketë dikë që ta thotë që në Shqipëri nuk ka pasur drogë apo pasi të ikin këta nuk do ketë drogë. Kjo është diçka absurde ta mendosh sepse dhe në vendet më të zhvilluara të BE dhe të botës fenomene të tilla janë të njohura. Çështja është që në drejtimin e këtyre eksponentëve droga nuk ishte më element i kriminalitetit në vend po ishte ajo e cila e ktheu gjithë Shqipërinë në një vend të kanabizuar, ku më lehtë mbillej kanabisi sesa mbilleshin produkte bujqësore.

Flas që pas hekurave nuk duhet të gjendet gjithmonë një kokë turku, por politikanët kanë treguar për vite në Shqipëri që kanë qenë të inkriminuar. Jo të gjithë por  një pjesë e mirë. Populli është lodhur dhe si gjithmonë ato feedbacket e këqija i merr populli. Ky ishte mesazhi mendoj që shumë veta duhet të dalin para drejtësisë….

Unë jam 100% dakord me atë që the ti, nëse e shikon në prizmin që sapo the dhe në prizmin që dhe unë e shoh dhe të gjithë qytetarët dhe të rinjtë duhet ta shohin është që ata politikanë të cilët prej vitesh e vitesh kanë qenë në krye dhe kanë sjellë një frymë të keqe dhe e kanë kthyer politikën në problemin kryesor të gjithë shqiptarëve, pa diskutim që ata nuk duhet të jenë më pjesë e politikës. Por këtu hasemi me probleme të tjera me besueshmërinë, p.sh unë do të isha shumë i lumtur nëse sot në të gjitha partitë politike shqiptare të kishte të rinj të cilët spikateshin, të cilët promovoheshin dhe ishin pjesë e vendimmarrjes  realisht. Pra nëse të rinjtë nga partitë e tjera politike do të ishin pjesë e parlamentit, e këshillave bashkiak në të gjitha qytetet e vendit. Kjo është diçka që ka ndodhur shumë pak në politikën shqiptare. Sepse ato vende janë blinduar nga njerëz që kanë qenë aty që në fillimet e tranzicionit të demokracisë në këtë vend. Për të mos thënë që  ka shumë nga ata politikanë që janë në ato karrige që para viteve 90 pra në një sistem tjetër.

Mendon se është koha për ti lënë vendin të rinjve?

Unë mendoj që nëse duam një politikë të re ajo mund të vijë vetëm me politikanë të rinj. E kemi hasur rëndom në çdo fushatë zgjedhore, dalin politikanë të cilët mund të kenë prej vitesh që janë në ato pozicione dhe çdo fushatë zgjedhore artikulojnë një filozofi të re, një politikë ndryshe. Realisht unë nuk besoj që një politikan i cili ka 20-30 vite që është pjesë, deputet, ligjvënës, ka qenë pjesë e shumë e shumë qeverive dhe tani ai vjen me një politikë të re duke thënë që ne do ndryshojmë politikën do sjellim diçka të re. Unë nuk mendoj që ai mund ta bëjë. Mund ta bëjnë të rinjtë të cilët vijnë me një mendësi të re, të cilët janë të shkolluar, të cilët janë profesionistë, kanë dëshirën e mirë për të jetuar këtu, për të mos pasur atë ambicien për tu larguar nga Shqipëria, për të jetuar diku tjetër ku gjërat janë më mirë por për të jetuar  këtu  dhe për të rregulluar ato gjëra që ne në Shqipëri duhet ti rregullojmë për të pasur një jetesë më të mirë.

Si tu duk pjesëmarrja dje? Bindëse?

Padiskutim, pjesëmarrja e djeshme ishte shumë e kënaqshme. Sepse duhet të flasim për kushtet në Shqipëri. Që të dalësh në protestë duhet të kesh një guxim të jashtëzakonshëm.

Jo vetëm guxim por dhe interes…..

Kemi pasur raste dhe protesta shumë të mira siç kanë qenë protesta për armët kimike, detin etj të cilat janë organizuar dhe kanë pasur shumë qytetarë të cilët me sensbilitet shqiptar kanë dalë. Por guxim do të thotë që në këtë vend ku ti të marrësh përsipër të protestosh ti të mos kesh 4 veta të tjerët të cilët spiunojnë për ty dhe do të kesh një presion shumë të madh nga drejtori ku ti do shkosh në punë për tu paraqitur. Të mos kesh hallin që shiko unë kam mamin babin ose vëllain, motrën në një punë dhe atij do ti bëjnë presion tani.

Po sepse ky është sistemi që është ndërtuar dhe shumë veta duan të largohen....

E ndërtoj kështu mendimin tim dhe them se këtu ka shpresë dhe duhet të ketë shpresë. Nëse ne sot artikulojmë që kjo pala që drejton është e keqe  por paralelisht me të ndërtojmë edhe një paragjykim që pala që do vijë do jetë sërish e keqe. Atëherë po gabojmë pasi ne nuk duhet të gjykojmë të ardhmen, duhet të merremi me te sotmen. Po ky është paragjykimi që bëjnë njerëzit në rrjetet sociale….. Po demokracia në vetvete çdo të thotë, do të thotë të ndryshosh të jesh gjithë kohën në evoluimin e një qeverisje më të mirë për popullin, dalë nga populli për popullin. Çka do të thotë që nëse kjo qeveri sot nuk është e mirë për popullin dhe realisht nuk është e mirë sepse na ka bërë të gjithëve ta çojmë njëherë në mëndje për tu larguar nga vendi do të thotë që kjo qeveri nuk meriton ti drejtojë më shqiptarët. Diskutimi për qeverinë që do të vijë, si do të jetë ajo, si do të punojë ajo është diskutim që bëhet kur ajo është dhe unë jam me këtë që nëse një qeveri nuk punon mirë ajo duhet rrëzuar tani. Nuk duhet pritur që të dalë një alternativë e jashtëzakonshme me një frymë të rënë nga qielli për të drejtuar vendin.

Kush ju ndalon juve për ta rrëzuar tani?

Nuk është çështja kush na ndalon, çështja është që kjo nuk meriton më të jetë në drejtimin e këtij vendi. Kjo qeveri sot e ka kthyer Shqipërinë në një nga vendet më të varfra në rajon. Do të ishte të mbyllësh sytë, të mbyllësh veshët, gojën për të mos thënë disa të vërteta shumë të hidhura. Varfëria është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare.

Ti e di që kodi yt nuk të lejon ty të kandidojë një i ri sepse i duhen mijëra vota ndërkohë që atij i duhen 4 mijë vota për të nxjerrë një deputet….

Unë e kuptoj dhe faktikisht më vjen dhe mirë dhe keq që pre e kësaj fryme keqqeverisje jemi të gjithë. Sepse të gjithë e vuajmë nga pak të qenit në këtë gjendje. Sigurisht që kodi elektoral, çdo gjë që është bërë dhe çbërë nga politika në këto 28 vite e ka kthyer që shpresa  të bier dhe të dobësohet gjithmonë e më shumë por unë nuk mendoj që duhet të jemi me ndjenjën e negativitetit për të  ardhmen dhe për të mos menduar që në këtë vend ka njerëz ka  të rinj, ka profesionist ka intelektual që mundet të drejtojnë dhe të japin shumë mirë. Unë mendoj që të gjithë bashkë nëse bashkohemi dhe nëse për një çast të caktuar lëmë anash jo pas sepse është e vështirë ti lësh pas këto bindjet politike për të theksuar dhe njëherë që për disa çështje me karakter të rëndësishëm kombëtar duhet të ketë një sens më kombëtar për ti bërë gjërat. Pra nuk duhet që tani të flasim nga llogore të caktuara politike dhe unë të jem kundra ideve, bashkëpunimeve të subjekteve të ndryshme të politikës. Për hir të së vërtetës keq ose mirë unë mendoj se sistemi që duhet reformuar më shumë se çdo sistem tjetër në Shqipëri është sistemi politik. Nëse e shikojmë njëherë në katër vite këtu do dali një kryefjalë e re. Reformë në drejtësi, reformë për këtë reformë për atë, kur realisht kryesorja nga duhet  të nisi reformimi është politika. Sepse  është vetë politika ajo që prodhon më pas të gjithë hallkat e tjera në mënyrë direkte apo indirekte. Prandaj kam bindjen, kam parë shumë të rinj, njerëz të cilët pavarësisht nga këto probleme, pavarësisht nga fakti që këtu ndihen çdo ditë e më  të dhunuar, nga arroganca, keqqeverisja, varfëria nga mungesa e shpresës dhe ndoshta nga mungesa e një alternative të re. Sigurisht duhet punuar dhe për një alternativë më të mirë se qytetarët shqiptarë për vetë faktin që nuk janë 100% të bindur për ndryshim dhe për të sjellë atë politikën ndryshe, politikën e të rinjve, politikën e re, sigurisht që duhet artikuluar më pastër më qartë, një filozofi, ide, platformë e re sesi gjërat mund të bëhen ndryshe dhe më mirë në këtë vend.

A ka nisur me parlamentin e kaluar një alternativë më e re pra futja e të rinjve në parlament dhe a ishte kjo për shkak të vettingut?

Unë mendoj që pavarësisht se ne kemi këtë pakënaqësinë e madhe te secili qytetar unë mendoj që kjo vjen sepse ne bëjmë një krahasim shumë të thjeshtë të realitetit ku ne jetojmë me realitetin e vendeve të tjera ku aspirojmë që të jemi, në një familje të madhe, Bashkimin Europian. Por nëse krahason sot realitetin shqiptar me atë gjerman, francez etj etj, ti shikon një disnivel shumë të madh dhe prandaj është kjo revoltë edhe e madhe. Por, unë mendoj që në 28 vite janë bërë progrese dhe ka pasur zhvillime të mëdha. Ajo që sapo përmende ti është një nga ato zhvillime dhe nga ato progrese që realisht ka sjellë një frymë të re. Sepse ligji i dekriminalizimit solli që nga ai parlament të mos ishin shumë elementë të cilët realisht nuk duhet të ishin në përfaqësimin e një vendi, në përfaqësimin e një populli. Padiskutim ka ende për të bërë. Padiskutim që ka shumë më shumë për të bërë. Padiskutim që duhet të hyjmë dhe të rregullojmë edhe këtë kod elektoral, i cili për mua ka gabime shumë të mëdha sepse vetë u ndërtua i tillë, që në marrëveshjen famëkeqe të asaj nate të 2008-s. U thyen shumë parime, shumë principe, shumë vlera të demokracisë. Sepse sot të jesh pjesë e një institucioni përfaqësues të duhet të jesh patjetër në preferencën e kryetarit të partisë, për të qenë të vërtetë. Por, ne nuk duhet të humbim besimin dhe nuk duhet të shikojë vetëm atë gjysmën bosh të gotës, por duhet të shikojmë edhe atë gjysmën plot. Unë besoj që nuk e kam humbur sensin e realitetit në atë çka them, pavarësisht që kam atë dëshirën e mirë që gjërat ti shikoj që do ecin përpara dhe do ndryshojnë edhe patjetër që do ndryshojnë.

Mos e ke këtë optimizëm ngaqë ke lindur në ’95?

Nuk e besoj të jetë vetëm kjo. Mund të jetë një nga arsyet por jo vetëm kjo.

Ti si nënkryetar i LRI-së ke një mesazh për ata që të ndjekin në këto momente?

Faktikisht ai mesazhi që unë do doja të shpërndaja është i tillë. Unë e di fare mirë që të gjithë qytetarët shqiptarë kërkojnë më shumë edhe presin më shumë. Edhe nga ne. Edhe nga unë si i ri që jam pjesë e politikës. Edhe nga ta të rinj të tjerë të cilët janë pjesë e politikës. Por unë besoj që pjesa më e mirë dhe pjesa me fondamentale e demokracisë është që demokracia të mos jetë kurrë në errësirë. Sepse demokracia në errësirë vdes. Duhet që secili nga ne ti japi dritë me atë dëshirën dhe bon sensin e mirë për të kontribuar në demokraci. Ndaj do isha shumë i lumtur nëse të rinjtë shqiptarë, qytetarët shqiptarë do t’i bashkoheshin kauzave për të përmirësuar Shqipërinë në çdo nivel të saj pa u nisur nga ngjyra politike. Është e kuqe, është blu, është mavi, nuk ka lidhje fare. Duhet që të bëhemi bashkë.

Pa parti. Këto janë kauza pa parti realisht..

Këto janë kauza që unë mendoj qe nuk kanë kauza pa parti por i bëjnë të gjitha partitë bashkë. Pra i bëjnë të gjithë njerëzit së bashku për të ndryshuar Shqipërinë sepse një vend më të mirë se Shqipëria ne nuk do ta gjejmë edhe nëse do të shkojmë diku tjetër.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al