Ylli i Kombëtares së Kosovës, Benjamin Kololli, ka arritur të shënojë përsëri dy gola në ndeshjen miqësore të klubit të tij, Zurichut, kundër klubit gjerman, Uerdingen, që përfundoi me rezultatin 3-1 në favor të zviceranëve.

Kololli ka bërë gjithsej 24 paraqitje për Zurichun gjatë pjesës së parë të këtij sezoni, gjatë së cilave shënoi 9 gola dhe dhuroi 6 asiste.

Ndërsa, gjatë 17 paraqitjeve në ligën zvicerane, Super League, kosovari shënoi 6 gola dhe dha katër asiste.

Këto paraqitje të Kolollit ndihmuan Zurichub të sigurojë vendin e katërt në tabelën e Super Ligës zvicerane gjatë pjesës së parë të sezonit.

Klubi i tij gjendet vetëm 5 pikë larg vendit të dytë, Baselit, ndërsa plot 24 pikë larg Young Boysit kryesues.

Ylli kosovar nuk e ka ulur nivelin e paraqitjeve të tij as në ndeshjet miqësore, të cilat janë duke u zhvilluar gjatë pushimit dimëror, derisa të fillojë pjesa e dytë e sezonit.

Këtë gjë e dëshmojnë katër golat e tij në dy ndeshjet e fundit.