Konferenca për shtyp e z. Ilir Meta pas zgjedhjes President i Republikës së Shqipërisë

Pas zgjedhjes së djeshme nga Kuvendi i Republikës i Shqipërisë si Presidenti i ardhshëm i vendit duke filluar nga 24 korriku për 5 vitet e ardhshme, dëshiroj edhe një herë të falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, që morën pjesë në këtë votim, për këtë besim që investuan tek unë.

Dua të falënderoj gjithashtu opozitën për bashkëpunimin që kemi patur gjatë gjithë kësaj periudhe në krye të Kuvendit të Shqipërisë dhe ta mirëkuptoj për mungesën e pjesëmarrjes, gjë që nuk do të ndikojë aspak tek unë në të ardhmen, por përkundrazi do të më motivojë akoma më shumë për të forcuar bashkëpunimin me opozitën në vend, në interes të dialogut politik dhe të përmirësimit të funksionimit të institucioneve.

Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Presidentin Nishani për telefonatën e tij dhe për mesazhin e tij të menjëhershëm dhe ta siguroj për konsideratën time më të lartë.

Por, meqenëse do t’i falënderoj të gjithë që kanë dërguar mesazhe, dua t’ju kërkoj ndjesë që nuk kam patur mundësi që t’ju kthej përgjigje, por do të përpiqem në ditët që vijnë të kthej përgjigje të gjithëve. Jam këtu për t’u dhënë përgjigje disa pyetjeve që më bëtë dje, për të cilat isha i papërgatitur.

Pas edhe konsultimeve me këshilltarët juridik, edhe pse detyrimet e mia si President i ardhshëm fillojnë pas betimit si President në Kuvendin e Shqipërisë, në 24 korrik dhe deri atëherë mund të vijoj me të gjitha cilësitë e angazhimet e mia politike dhe institucionale, mund t’iu bëj të ditur se do të vijoj të jem Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë deri në ditën e betimit si President i vendit.

Pra, do të japë dorëheqjen përpara këtij betimi për arsye të vetë lidhjes midis këtyre dy institucioneve edhe në planin kushtetues, edhe në planin institucional. Por, edhe për faktin se të enjten e ardhshme do të jetë seanca e fundit plenare.

Kështu që për të gjitha këto arsye do të vijoj të jem në këtë detyrë deri përpara betimit si President.

Së dyti, edhe pse mund të vazhdojë të jem kryetar i LSI-së, deri në 23 korrik, kam vendosur që sot në mbrëmje, pas përfundimit të listave të kandidatëve për deputet nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të heq dorë nga ky funksion dhe nga të gjitha funksionet drejtuese në Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Po kështu në listën e partive që do të dorëzohen dhe që do të publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për qytetarët shqiptar, në krah të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk do të jetë emri i Ilir Metës, por do të jetë emri i Petrit Vasilit si Zëvendëskryetar deri tani i LSI-së, i cili sipas statutit të Lëvizjes Socialiste për Integrim merr drejtimin e kësaj force politike për të cilën natyrisht do të shprehet edhe Komitet Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim në ditët që vijnë dhe do të shprehet në votim edhe Konventa Kombëtare e LSI-së brenda javës së ardhshme.

Mendoj që nga ana etike dhe morale, duke patur në konsideratë situatën aktuale, nuk është detyra dhe obligimi im që të bëj premtime për katër vitet e ardhshme në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim duke qenë se me 24 korrik unë do të betohem si President i ardhshëm i vendit për 5 vitet që do të vijojnë.

Kështu që do të jetë detyra dhe përgjegjësia e z. Petrit Vasili dhe të forumeve të tjera të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të shpalosur programin, premtimet dhe angazhimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Po kështu nga dita e sotme, unë çlirohem nga çdo lloj raporti partiak me Partinë Socialiste dhe drejtuesit e saj lidhur me raportet midis koalicionit pasi të gjitha këto kompetenca do t’i kalojnë z. Vasili dhe forumeve drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Natyrisht që këto veprime janë në respekt të postit të Presidentit të Republikës, të cilin unë do të kem nderin të përfaqësoj nga 24 korriku në të ardhmen, por sigurisht që bëhen edhe për të rritur angazhimin tim brenda të gjitha mundësive që unë kam në bashkëpunim me Presidentin Nishani, dhe me opozitën do të dëshiroja, me Kryeministrin, me drejtues të tjerë, për të kontribuar që vendi sa më shpejt të ketë një proces tërësisht normal dhe gjithëpërfshirës zgjedhor.

Besoj se është koha që të gjithë të investohemi në këtë drejtim. Për mua nuk është shumë e rëndësishme nëse LSI-ja do të marrë disa mandate më shumë apo më pak për shkak të angazhimit tim, dhe kjo nuk ka të bëj me faktin që unë po e lë në baltë Lëvizjen Socialiste për Integrim, absolutisht.

Unë besoj se është shumë e rëndësishme për LSI-në dhe për gjithë forcat pjesëmarrëse në këto zgjedhje, që të jenë pjesë e një procesi model, demokratik, legjitim, gjithëpërfshirës, dhe që ky të jetë një proces që t’i shërbejë të ardhmes së vendit.

Natyrisht do ta mbajë premtimin që ju dhashë dje, që dokumentin e LSI-së do ta dorëzoj vetëm 24 orë përpara betimit si President i Republikës dhe do t’u kërkoj drejtuesve të LSI-së që ta ruajnë atë dokument pavarësisht se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ndikohem asnjëherë nga kjo lidhje kaq e fortë dhe e jashtëzakonshme që unë kam me Lëvizjen Socialiste për Integrim, që nuk është thjeshtë një lidhje politike, por edhe shpirtërore dhe njerëzore.

Në pesë vitet e ardhshme unë do të udhëhiqem nga interesat kombëtare, nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe do të bëj gjithçka për të kontribuar në forcimin e dialogut politik në vend.

 

Pyetje nga gazetarët

 Meta duke ju uruar për zgjedhjen në postin e Presidentit, do të vazhdoni të ndërmerrni hapa për të vazhduar negociatat me PD me opozitën që të kapërcehet kriza politike?

Për mua nuk është e rëndësishme dhe e domosdoshme që opozita të jetë apo jo në 24 korrik në ceremoninë e betimit apo në ceremoni të tjera. Dua të theksoj që në 24 korrik padyshim do të respektojmë ceremoninë e betimit sipas të gjithë rregullave protokollare, por nëse opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, natyrisht që nuk do të ketë asnjë ceremoni tjetër dhe as kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është që opozita të marrë pjesë në zgjedhje dhe opozita gjithashtu të kontribuojë në mënyrë bashkëpunuese në orët dhe në ditët që vijnë. Unë dje përveç shumë urimeve që kam marrë nga personalitete të ndryshëm në Evropë, dhe në Parlamentin Evropian, kam patur rastin të diskutojë lidhur me rëndësinë që ka në ditët e ardhshme të realizohet një marrëveshje e mundshme, për të cilën u investua mjaft Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian dhe Raporteri për Shqipërinë. Dhe unë do të bëj çdo gjë në këtë drejtim.

Por unë nuk jam President i vendit. President është z. Nishani. Do të përpiqem të punoj dhe të bashkëpunoj edhe me të, por pse jo, edhe me çdo faktor tjetër.

Do të përpiqem duke filluar nga sot, ose më saktë nga nesër, kur të mos kem asnjë detyrim si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, të takohem me Kryetarin e Partisë Demokratike, z. Basha, në çdo moment, por njëkohësisht do të përpiqem ditët që vijnë të forcojë bashkëpunimin me Presidentin Nishani. Por edhe nëse do të jetë e nevojshme për t’u takuar, bashkëbiseduar, edhe me ish-presidentët e vendit për shkak të përvojës dhe eksperiencës që ata kanë, apo ish-kryetarët e Kuvendit dhe drejtues të tjerë me përvojë dhe me eksperiencë për të kërkuar kontributin e të gjithëve që të krijojmë një klimë mirëbesimi, normaliteti, paqeje dhe atmosferë demokratike në vend. Sepse po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe ato duhet të jenë një festë e demokracisë dhe jo një burim i pasigurisë për qytetarët dhe për të ardhmen e institucioneve tona.

Edhe me ish-kryeministra do të takoheni?

Thashë ish-presidentët për shkak të eksperiencave të tyre. Besoj edhe unë kam nevojë të përgatitem dhe të mësohem gjatë kësaj kohe për postin e ri të Presidentit, por edhe me ish-kryetarët e Kuvendit, për arsye përsëri të pozicionit dhe të detyrës që vazhdoj të mbaj.

Meta kur thoni se do të takoheni me kryetarin e PD?

Në çdo sekondë, unë kam qenë i hapur në çdo moment. Por, nga dita e nesërme se ende jam kryetar i LSI-së sa të mbyllen listat e kandidatëve se nuk dua t’ia lë z. Vasili pakënaqësitë e listave, se ju e dini se nga që ka shumë dëshirë mund të ketë ndonjë zhgënjim. Kështu që nga nesër unë nuk jam kryetar i LSI-së, nuk jam në asnjë forum të LSI-së, dhe jam i angazhuar të takohem me kryetarin e opozitës z. Basha dhe me çdo përfaqësues të opozitës që ka dëshirë.

Meta mund të quhet deri diku dhe një test?

Unë nuk jam për të bërë teste. Jam për të bërë çdo përpjekje, çdo investim që ne të evitojmë një përkeqësim të situatës politike në vend dhe vërtetë të krijoj atë klimë konstruktive, normaliteti, demokratike që ka nevojë vendi dhe që kanë nevojë zgjedhjet në mënyrë që të kemi një legjitimitet të fuqishëm të institucioneve të ardhshme dhe të rrisim besimin e qytetarëve te demokracia dhe roli i tyre në demokraci.

Meta si ndiheni ju, pasi ata që organizuan protestën e dhunshme të 21 janarit, protestë që pati në fakt një bilanc me katër të vrarë, për largimin tuaj atë kohë, dje ju duartrokitën si President i ardhshëm i vendit? Dhe a keni një koment për mungesën e ambasadorëve në seancën e djeshme?

Lidhur me komentin për mungesën e ambasadorëve, dua t’ju sqaroj se është përgjegjësia ose faji im për mungesën e tyre, pasi mendova se ishte e tepërt prania e tyre dje, duke qenë se ishte një seancë normale dhe kur dihet që ata do të jenë të ftuar, si gjithmonë në këto raste, në seancën e betimit në parlament.

Fjala vjen nuk ishte zgjedhur Presidenti dje, çfarë do të bënin ambasadorët aty? Kështu që unë dua t’i falënderoj të gjithë. Dua të falënderoj ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për urimin e saj. Falënderoj shumë ambasadore dhe ambasadorë, të cilët më kanë dërguar mesazhet e urimit menjëherë pas zgjedhjes.

Dua të falënderoj dhe shumë personalitete të vendeve mike dhe partnere, të cilët më kanë uruar në të gjitha mënyrat e tyre. Dua të falënderoj, në mënyrë të veçantë, të gjithë udhëheqësit shqiptar në rajon, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi edhe kudo dhe mos kini asnjë merak për këtë çështje. Detyra e një Presidenti është vetëm të shoh përpara. Nuk e di kur të hyj në zyrë, do të them, nëse do të kem ndonjë ndjesi tjetër.

Unë edhe si Kryetar i Kuvendit jam përpjekur të shoh përpara sepse edhe kjo detyrë është e tillë. Kështu që të shohim përpara dhe të shohim se çfarë mund të bashkojmë më shumë në këtë vend. Se ky është një vend që ka nevojë për bashkim dhe për bashkëpunim.

Meta ju nuk do të jeni fare prezent në fushatën e LSI-së, në asnjë moment?

Unë nuk do të bëj asnjë premtim në emër të LSI-së, sepse këto premtime do t’i bëjnë drejtuesit e kësaj force politike dhe kjo nuk do të ishte korrekte. Por deri më 23 korrik unë do të jem anëtar i LSI-së. Do të marr pjesë kudo ku kandidatët dhe kandidatet e reja, sidomos ato të LRI-së do të më ftojnë.

Nuk do të marr pjesë në asnjë vend ku nga LSI-së do të ketë kandidatë, të cilët janë biznesmenë. Pastaj shkalla e përfshirjes do të jetë në varësi me situatën. Në rast se opozita do të marr pjesë në zgjedhje, dhe unë uroj dhe do të bëjë çdo përpjekje që kjo gjë të ndodhë, se ky është interesi i vendit, natyrisht që përfshirja ime do të jetë mjaft e limituar, sepse do të më duhet që gjatë kësaj kohe të takoj dhe falënderoj, mijëra njerëz, të cilët më kanë mbështetur, më kanë ndjekur si kryetar i LSI-së.

Pa ata unë nuk do të isha bërë as Kryetar i Parlamentit. Nuk do të isha bërë as dje President i ardhshëm i vendit. Dhe natyrisht që ky është një raport shoqëror dhe njerëzor. Kështu që më duhet edhe mua një tranzicion nga tani deri më 23 korrik.

Meta a ju vjen keq që z. Rama nuk do e mbaj foton tuaj në zyrën e tij?

Absolutisht. Unë mendoj që portreti i Ismail Qemalit na mjafton. Unë do të përpiqem të marr edhe pikturën e Isa Boletinit që kam këtu. Nuk e di a do të arrijmë në një marrëveshje dhe sesi janë rregullat, sepse këto të dyja më kanë mjaftuar dhe më mjaftojnë. Ju e dini që unë e kam mbajtur foton e Presidentit Nishani edhe pse u ndërmor një ligj për të hequr foton e Presidentit. Por ky ka qenë për të dhënë një mesazh respekti dhe bashkëpunimi ndaj Presidentit.

Dhe do t’i lutem Kryetarit të Parlamentit të ardhshëm që në asnjë mënyrë të mbaj foton time këtu. Jam i sigurt që shqiptarët nuk kanë nevojë për foton time. Ata do të më shikojnë kudo. Unë këtu do të jetoj, në të gjithë Shqipërinë. Atje ku jetojnë shqiptarë dhe atje ku janë problemet më të mëdha të tyre.

A keni marrë urimin nga z. Basha?

Nuk kam asnjë koment. E mirëkuptoj mungesën e opozitës dje. Dhe kjo mungesë jo vetëm që nuk më zemëron, absolutisht, përkundrazi më motivon të bëj çdo përpjekje për të rritur bashkëpunimin me opozitën.

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al