Konferenca për shtyp e Zëvendëskryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama

Më lejoni t‘ju bëj të ditur se kryesia e LSI në mbledhjen e sotme vendosi të marrë disa masa të rëndësishme të karakterit organizativ për të nisur një proces tërësor të riorganizimit dhe ristrukturimit të të gjitha strukturave të partisë në të gjitha nivelet, me qëllim që të përshtatemi më mirë dhe të jemi tërësisht në funksion të ri si forcë politike në opozitë, duke ofruar një alternativë opozitare, qytetare, moderne dhe me fizionomi evropiane përballë atij modeli arkaik dhe të kontestuar shpeshherë, pasi ne e konsiderojmë rolin tonë si opozitë si një mision të rëndësishëm dhe përcaktues për vetë fatet dhe ekzistencën e demokracisë në vend, pasi pesha, roli, përgjegjësia, angazhimi, shkalla e përqendrimit dhe e përmbushjes së detyrimit për t’i shërbyer interesit qytetar të opozitës është në thelb vetë cilësia e demokracisë në një vend. Kështu që ne do të nisim menjëherë pasi të jetë çelur legjislatura e re e Kuvendit fazën e riorganizimit tërësor strukturave të partisë në të gjithë vendin për të përkthyer apo për të konkretizuar në nivelet e përfaqësimit angazhimin, kontributet dhe të gjithë përgjegjësinë që shfaqën një pjesë e madhe e njerëzve tanë gjatë zgjedhjeve, e konkretizuar kjo me rezultatin spektakolar që arriti LSI.

Në këtë kontekst padyshim merr një rol të rëndësishëm dhe domethënës roli i grupit parlamentar, përgjegjësia, angazhimi dhe kontributi i grupit parlamentar, i cili natyrisht është jo vetëm më shumë në numër nga grupi i mëparshëm, por edhe cilësisht në nivelin e përfaqësimit, me kualitetet dhe individualitete politike më përvojë për të bërë të mundur përmbushjen e të gjitha angazhimeve dhe përballimin e sfidave që ka opozita politike përballë realitetin politik dhe qeverisës në vend. Kryesia gjithashtu miratoi të rekomandojë për grupin parlamentar, i cili do të mblidhet përpara se të çelen punimet e Kuvendit, dy nënkryetarë të grupit, pasi në një mbledhje të mëparshme kryesia ka vendosur që kryetari i grupit do të jetë Petrit Vasili, nënkryetarë të grupit do të jenë Klajda Gjosha dhe Përparim Spahiu, ndërsa sekretarja e grupit parlamentar do të jetë deputetja Nora Malaj. Gjithashtu grupi parlamentar do të ketë edhe zëdhënsin e vetë, për të qenë kështu jo thjesht dhe formalisht në kontakt me opinionin, publikun dhe median, por për të pasur të gjithë rakordimin dhe harmonimin e nevojshëm të qëndrimeve, do të ketë zëdhënëse të grupit deputeten Floida Kërpaçi.

Meqenëse koicindon që pas dy ditësh në datën 6, kemi ditën e themelimit të LSI, kryesia vendosi të vazhdojmë traditën shumë të mirë të krijuar prej disa vitesh tashmë, me veprimtari në shërbim të komunitetit në të gjitha bashkitë, në të gjitha strukturat e LSI-së dhe në mënyrë të veçantë duke evidentuar në këtë kontekst një angazhim më të drejtpërdrejtë të vetë LRI-së. Kryesia vendosi gjithashtu të mblidhen menjëherë forumet drejtuese të LRI-së dhe LGI, të cilat do duhen të ri-programojnë dhe ridemensionojnë dhe ato angazhimin e tyre në funksion të riorganizimit tërësor të strukturave të partisë dhe për të bërë të mundur nëpërmjet dy organizimeve padyshim shumë të rëndësishme dhe me peshë të madhe politike siç janë LGI dhe LRI ne mund të jetësojmë dhe të ri-vitalizojmë të gjithë strukturën e LSI në të gjithë hapësirën e vendit, dhe më tej dhe atje ku kemi organizime jashtë vendit. Pasi e kemi detyrë, është përgjegjësi e jona ti përgjigjemi interesit publik dhe interesit qytetar me angazhim dhe seriozitet maksimal. Ne do të bëjmë që përmes angazhimit tonë jo vetëm të jemi zëri i shqetësimit dhe i interesit qytetar por që qytetarët të na vlerësojnë, të na besojnë dhe të na duan për shkak të asaj çka ne çdo të bëjmë për ta.

  • Pyetje nga gazetarët

Rama, pa ditë më parë pamë Kryeministrin që prezantoi kabinetin qeveritar dhe nuk kemi pasur asnjë reagim zyrtar nga ana e LSI-së. A ka një qëndrim LSI për formimin e kësaj qeverie dhe emërimin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit?

Përsa i përket projektit të mazhorancës, le ta themi kështu, për qeverinë dhe për gjithçka tjetër që lidhet me organizimin dhe nivelet e përfaqësimit të saj në drejtimin e Kuvendit në do të gjykojmë, do të vendosim dhe do të shprehemi kur të vijë koha kushtetuese apo kur të gjendemi përballë detyrimit kushtetues për të vendosur dhe për të votuar për ta. E rëndësishme është që ne jemi të vendosur, dhe kjo është ajo çfarë i intereson edhe qytetarëve, që të jemi opozitë e fortë, realiste, konstruktive, pa asnjë kompromis në dëm të interesit të çdo qytetari të vetëm. Gjithnjë zëdhënës dhe mbrojtës të interesit qytetar. Mazhoranca ajo është, ata emra ka, dhe nga kjo pikëpamje nuk kam asnjë koment për të bërë për ta. Për sa i përket përbërjes, programit dhe gjithçka tjetër që lidhet me qeverinë e re, ne shumë shpejt do të jemi përballë seancës në Kuvend, ku do të diskutojmë dhe do të mbajmë qëndrimin tonë politik, kushtetues dhe institucional.

A i keni vendosur piketat ku do të përqendrohet jeta parlamentare e LSI-së në këto 4 vite? PD ka thënë që do të mbështesë fort dekomunistizimin. A do ta përkrahni një nismë të tillë?

Unë dua ta zgjeroj shumë më tepër nga çfarë ka artikuluar pjesa tjetër e opozitës, pra PD. Sfida jonë nuk është vetëm dekomunistizimi por vazhdon të mbetet sfida jonë dekriminalizimi i politikës, vazhdon të mbetet sfida jonë respektimi dhe zbatimi i ligjit përballë cilitdo individi në hierarkinë e pushtetit, mazhorancë apo në opozitë, me qëllim që këtu të krijohet përfundimisht standardi euro-perëndimor i zbatimit të ligjit dhe i ndëshkimit ligjor të cilitdo që rezulton të jetë në shkelje të ligjit. Kështu që nuk është vendi për të bërë demagogji por për të vepruar konkretisht dhe realisht. Ne natyrisht në kuadër të skemës së riorganizimi i japim një hapësirë shumë më të madhe komisioneve të Komitetit Drejtues Kombëtar, të cilat do të jenë trupat që do të ushqejnë dhe do të përgatisin Grupin Parlamentar me alternativa konkrete për çdo projektligj. Ne e kemi bërë gati paketën e një morie projektesh për ndërhyrje dhe për përmirësim të akteve dhe të kodeve ligjore që kemi aktualisht, të disa kodeve, me qëllim që efikasiteti i veprimit të ligjit përballë cilitdo që e shkel atë të jetë real dhe funksional dhe të mos jetë selektiv dhe propagandistik, siç ka ndodhur për fat të keq.

Burimi: (integrimi.al/G.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al