Konferenca rajonale e grave parlamentare, Kryemadhi: Do luftojmë të jemi 50% gra në Parlament

Nën Kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua sot në Tiranë “Konferenca Vjetore Rajonale e Grave Parlamentare.

Deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se dëshiron që në listat zgjedhore të arrijnë të kenë 50% burra dhe 50% gra.

Fjalimi i plotë i deputetes së LSI-së, znj, Monika Kryemadhi në “Konferencën Vjetore Rajonale të Grave Parlamentare”

13100829_1014857935251765_8261731152708258603_n

Të nderuara zonja

Do të doja të flisnim shumë për gratë në politikë, por thelbi kryesor i grave në politikë ose problemi kryesor është barazia gjinore, që ne diskutojmë gjatë gjithë kohës dhe nga një fjalë që dikur ishte fjalë e huaj, tashmë është bërë një fjalë e përditshme në fjalorin tonë.

Është një nga çështjet më të rëndësishme debatuara në botën ku jetojmë. Kushtet e trajtimit të figurës së gruas kanë pësuar ndryshime të dukshme në harkun e viteve, duke iu bindur edhe faktorëve që lidhen me zhvillimin social të një populli me faktorët gjeografikë, historikë dhe kombëtarë.

Më gjithë një seri ndryshimesh në kërkim të barazie gjinore inferioriteti i gruas në planin ekonomik, por sidomos civil, është i ndjeshëm dhe përjashton figurën e saj nga një sërë të drejtash aktivitetesh, politike të cilat e motivojnë atë për arsye të paqena, si inferioriteti fizik apo roli i paracaktuar që gruaja duhet të ketë për të qenë nënë dhe shtëpiake.

Dhe vendi ynë e reflekton këtë lloj problematike dhe megjithëse se sot mund të shihet si një numër në rritje të grave në karrierë, numri i tyre është shumë herë më i ulët sesa i burrave. Në fakt ende konstatohet se figura e gruas që punon e pavarur në planin ekonomik dhe social nuk është e përhapur në mënyre simetrike në të tërë territorin e vendit tonë. Traditat kulturore dhe sociale në vend kanë bërë që burrat të jenë më të privilegjuar në disa fusha, krahasuar me gratë dhe kjo vetëm për faktin se grave nuk u është dhënë mundësia për të konkurruar dhe për të qenë pjesë e këtyre aktivitetesh.

Ajo që ne kemi mësuar gjatë gjithë kësaj kohe në takimet me gratë është se një vend mund të përparojë nëse gruaja është e përparuar. Një vend mund të përparojë nëse gruaja është e arsimuar, nëse gruaja është e edukuar, e punësuar dhe e fortë ekonomikisht.
E drejta e gruas për të qenë e përfaqësuar denjësisht në shoqëri është thelbësore për zhvillimin e kësaj shoqërie dhe të gjithë ne kemi përgjegjësitë tona për ndërtimin dhe vizionin e një familjeje të madhe, të mirë, për secilin nga vendet tona përkatëse.

Nëse duam një shoqëri të drejtë dhe të sigurt, roli i saj është qenësor në procesin e vendimmarrjes, ku këtu do të përfshinim zbatimin dhe hartimin e politikave që ne marrim përsipër.

Kur flasim për barazi gjinore unë mendoj se në Parlamentin shqiptar ne kemi përjetuar momente të shndritshme, por edhe jo shumë të shndritshme. Kemi miratuar ligje të rëndësishme. Kemi marrë vendime me rëndësi të mëdha në drejtimin e rritjes së përfaqësimit të grave në politikë.

Por ka ardhur koha që të bëjmë një pyetje sa larg kemi shkuar ne në rrugëtimin tonë drejt në barazinë gjinore. Të gjithë jemi dakord me ndryshimet e fundit që ne kemi bërë në Kodin Zgjedhor përsa i përket përfshirjes së gruas në pushtetin vendor.

Me iniciativën e grave deputete të Aleancës së Grave Deputete, u arrit të sanksionojmë në kodin zgjedhor që në listën e kandidatëve të këshillave bashkiak një në çdo dy emra të jetë grua.

Gjithashtu në nivel lokal është krijuar Aleanca e Grave, ajo që u bë në parlamentin shqiptar, tashmë është krijuar edhe në këshillat bashkiakë, gjë që është për tu përgëzuar përsëri. Të dyja këto raste janë të rëndësishme, por a do të mjaftonin këto?

Nëse do të bënim një analizë të listave shumemërore të subjekteve zgjedhore që kanë kandiduar për anëtarë të këshillave bashkiak do të kemi një diferencë shumë të ngushtë midis përqindjeve. Pra, kemi gra 49. 34% dhe 50.60% burra.
Ndërkohë që për Kryetar Bashkie kandidat kishim 16 gra 9.94% dhe 145 kandidat ishin burra 90.06%.

Shifrat e dyta tregojnë qartazi se kemi akoma sfida të tjera përpara për përfaqësimin e drejtë gjinor. Në nivel lokal pothuajse kemi arritur një balancë natyrore gjinore, por tek e dyta ne jemi ende shumë mbrapa.

Më duhet të përgëzoj iniciativën e qeverisë shqiptare në lidhje me ndryshimin në nivel lokal. Por çfarë do të ndodhi në nivel qendror? Në 2013-n përbërja e Parlamentit ishte me 17.86 % pavarësisht se ne sot e kemi 23 %, kjo vjen si rezultat për shkak të tërheqjes së burrave, jo si rezultat i punës që kemi bërë ne për të future gratë në Parlament.
Prandaj ndonjëherë do të dëshiroja që gratë mos të kënaqen me karamelet që na dhurohen nga burrat.

Çfarë mund të bëjmë ne? Më lejoni zonja t’ju theksoj se të gjitha ne duhet të lobojmë fort për të rritur shkallën e demokratizimit të partive tona politike. Duhet të lobojmë për një proces transparent të përzgjedhjes së kandidatëve dhe për fuqizimin e organizatave të grave brenda partive politike.

Rruga deri tek arritja e barazisë deri në përfaqësimin e grave në organet e vendimmarrjes politike nuk është aspak e lehtë. Nuk është e lehtë as në demokracitë më të zhvilluara dhe nuk është aspak e lehtë as sot dhe as nesër në vendet tona të cilat janë me demokraci të brishta.

Për një gjë unë jam shumë e sigurt; ndryshimet demokratike mund të prihen vetëm nga ato parti që janë të gatshme të demokratizojnë struktura e partisë së tyre, duke fuqizuar më shumë rolin e gruas në vendimmarrjen e saj.

Unë do të falënderoja partinë time duke na dhënë mundësinë që 50% strukturave drejtuese të partisë tona janë me gra, gjë që është shumë pozitive dhe shpresoj që ta kenë edhe partitë e tjera në të ardhmen. Partitë politike duhet të krijojnë politika publike me qëllim promovimin e mundësive për arsimimin e grave dhe vajzave.

Duhet të angazhohemi që vajzat e reja të përfundojnë shkollën e mesme, më elementare. Atyre nuk duhet t’u mohohen mundësitë për arsimin për shkak të kushteve apo gjendjes së tyre financiare. Sot në nivel bashkie për herë të parë ne kemi një zë të veçantë në buxhetin gjinor. Ky patjetër që është një hap pozitiv. Por me çfarë duhet të përballet ky pushtet tani? A do të përdoret siç duhet ky buxhet? Kjo do të mbetet për t’u parë.

Për këtë arsye Bashkia e Tiranës, që është një nga bashkitë e para e cila ka realizuar që të vendosë një zë në buxhet për barazinë gjinore, do të jetë një sfidë e madhe për të për të ndarë buxhetin në mënyrë të barabartë dhe transparent për të gjithë punën e saj në të ardhmen. Por nëse ne sot shohim një progres të bërë në sferën e fuqizimit të grave në nivel lokal, e kundërta ndodh në nivel qendror.

Këtu përfshij edhe veten time sepse unë me votën time duke zbatuar një vendim politik partiak, kam votuar se si t’i hiqet për katër vite buxheti për barazinë gjinore në vazhdim të viteve 2014-2018. Buxhet gjinor është hequr zëri i veçantë në buxhetin shqiptar, që dikur ka qenë i emëruar si “Buxheti i shanseve të barabarta”, sot ne kemi një zë të veçantë në buxhetin e shtetit për përfshirjen sociale, por jo për shanset e barabarta.

Çfarë tregon kjo? Pavëmendshmërinë e grave deputete apo është rritur ndjeshmëria e politikëbërjes lokale më shumë se politikbërja qendrore? Megjithatë, kjo ngelet për t’u parë dhe unë do të dëshiroja që në këtë rast të bëja thirrje dhe kolegëve të mia deputete që kur të vijë buxheti i vitit të kaluar, ta kërkojnë me këmbëngulje që ky zë në buxhet të rikthehet. Ndoshta për çështje të indiferencës sonë apo ndoshta çështje të urdhrave të partive politike, ne kemi bërë një gabim shumë të madh.

Po kështu ne flasim për politika dhe strategji. Por a i kemi ne indikatorët e duhur për të matur zbatimin e barazisë gjinore sot? A mund të masim në përqindjen e grave dhe të burrave në të gjitha sferat? Përqindjen e tyre mbi pronësinë mbi tokën, përqindjen e grave dhe të burrave që mbajnë llogari bankare, a kemi ne indikatorë për matjen dhe vlerësimin e fondit të buxhetit gjinor? Si e masim dhe sa kanë përfituar gruaja nga ky fond?

Sa ka realizuar ajo nga nevojat nga ky fond? Pra cilat janë rezultatet e planifikimit në buxhet të një fondi të tillë? Si do të masim ne projektet në të ardhmen për sa i përket këtij buxheti?

Këshillimi ligjor ajo që është e domosdoshme. Jo të gjitha gratë e kanë edukimin e duhur për të qenë pjesë dhe për të ndikuar në jetën e tyre ekonomike, politike dhe sociale. Ne kemi gra shumë të afta brenda domain-it të tyre, por të mos harrojmë që janë gra familjare, nëna , janë shumë të mira, por kanë dëshirë për t’u përmirësuar. Për të përmirësuar veten e tyre dhe familjen e tyre dhe sapo ta kenë këtë mundësi.

Për të fuqizuar ekonomikisht një grua, pa informacion është e pamundur. Prandaj do të duhet t’i afrohet ndihmë ligjore falas, që deri më sot është bërë nga shoqëria civile, por nga shteti shqiptar apo nga qeveria absolutisht asnjë gjë.

Ngritja e zyrave të këshillimit është një prej tyre, gjë që është një nga sfidat e grave deputete shqiptare e cila ka të bëjë në të ardhmen me grupin e Aleancës së Grave që do ta dëshiroja që të ishte një nga pikat kryesore që do të duhet të bëjmë.

Bërja efektive e strukturave ekzistuese që rregullojnë çështjet gjinore është akoma një mënyrë tjetër për të qenë më eficientë.

Në fund me rëndësi mendoj janë iniciativat që duhet të ndërmarrim në nivel të këtij parlamenti për të ndihmuar gratë e papuna, shtëpiake, të divorcuara të cilat gjenden në një situatë të veçantë, gra pa të ardhura financiare dhe të pambrojtura.

Ligji për sigurimet shoqërore në shoqëri nuk merr parasysh pozitën e vështirë me të cilën mund të përballen gratë e divorcuara sot. Jam e bindur se dhe në rajonin ku ne jetojmë sot, është po i njëjti problem. Gratë marrin sot pagesë vetëm për shkak të paaftësisë së tyre. Ne e dimë që brenda familjes nuk ka një ndarje të drejtë të punëve. Gruaja është më shumë subjekt i punës së papaguar. Ndërkohë që gruaja me punët e shtëpisë duhet të bëhet pjesë e përmirësimit të gjendjes së saj dhe nga pagesa dhe kontributet e bashkëshortit ajo do të duhet të përfitojë.

Sot mungojnë në ligj pagesat në rast divorci.

Duke qenë se jemi përpara përgatitjeve për zgjedhjet kombëtare, do të dëshiroja që në listat zgjedhore të arrinim të ishim 50 me 50. Do të ishte një fitore shumë e madhe për gratë, por ndërkohë do të ishte një sfidë shumë e madhe sepse do të dëshiroja që në parlament të mos kemi më gra të cilat të ngrenë dorën dhe të votojnë për të hequr buxhetet që u përkasin grave, por të kemi gra që të luftojnë për të drejtat e grave. Sepse unë personalisht do të thosha më mirë një burrë që lufton për të drejtat e grave se sa një grua që bën sikur lufton për gratë. Faleminderit.

(integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al