Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me strukturat e LSI-së në njësinë 8 në Tiranë

Mirëmbëma. Në fakt fjalët e tepërta janë të ekzagjeruara. Mendoj që duhet të jemi në aksion. Aksioni i vetëm është protesta e qëndrueshme, protestë e qëndrueshme, protestë e fortë, pjesëmarrje e madhe, përfshirje e të gjithë qytetarëve dhe jo pa qëllim ne kemi marrë iniciativën për daljen në të gjitha njësitë e Tiranës, në mënyrë të tillë që strukturat e LSI të jenë ato që ja u krijojnë infrastrukturën dhe mundësinë qytetarëve të Tiranës për të ardhur në protestat që po organizohen. Dhe sidomos protesta e 25 Majit që do të jetë vazhdimësi e të gjithë protestave të tjera që kanë ndodhur, që çdo protestë vjen duke u shtuar pjesëmarrja e bën akoma më të bukur sepse nuk janë vetëm partitë politike që marrin pjesë. Partitë politike janë organizatore, por janë qytetarët ata që janë pjesa më e madhe që marrin pjesë në të gjithë këto protesta masive.

Protestat kanë qenë protestat më të mëdha që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri, ato janë protestat më të mëdha në Shqipërinë më të rrudhur. Me qindra mijë shqiptarë janë larguar. Mbi 500 mijë shqiptarë janë larguar në këto tre vite dhe protesta më të mëdha Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë. Janë vetëm ato të vitit 90-të, kur përmbysën dhe rrëzuan rregjimin komunist dhe shqiptarët vendosën që të kalojnë në demokraci. Po i njëjti rrezik të para 30 viteve është rikthyer dhe sot shqiptarët janë po përsëri në numër shumë të madh për të protestuar dhe për të përmbysur këtë regjim diktatorial që ka instaluar Edi Rama, por nuk është më regjim diktatorial komunist, por është regjim diktatorial i krimit të organizuar, i cili jo vetëm që ka marrë peng jetën e shqiptarëve, por ka marrë peng edhe të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.

Prandaj 25 Maji është dita që ne do të vazhdojmë protestën tonë. Protestë madhështore, protestë të qëndrueshme. Një nga protestat që do të jetë edhe më e madhe se protestat e tjera. Dua të them që komunikimi ynë me njerëzit nuk është thjesht komunikim proteste dhe për të dalë e për të thënë që shqiptarët përkrahin opozitën. Jo! Komunikimi ynë është përfundimtar me shqiptarët për të thënë që të gjithë partitë politike, sepse sot me qytetarët janë të gjitha partitë politike. Është vetëm Rilindja e Edi Ramës ajo që ka kapur qeverinë, Parlamentin, Prokurorinë, gjykatat, të gjitha institucionet. Është vetëm një grup i vogël njerëzish, sepse pjesa më e madhe e socialistëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë janë në protestë.

Diku janë në protestat e opozitës, diku janë në protestat e falimentimeve, qepenave të dyqaneve që ulen, sepse taksat nuk duan ta dinë je socialist, je demokrat, apo je lsi-st. Njerëzit i paguajnë taksat dhe taksat të cilat u kanë rënduar mbi shpatullat e tyre dhe e kanë falimentuar biznesin. Janë me qindra mijëra shqiptarë që kanë ikur për shkak të mungesës së punës në Shqipëri. Taksat e larta, mungesa e punës, ekonomia e trazuar, mungesa e sigurisë, diskriminimi, mungesa e barazisë në shërbime, në drejtësi, në arsim, në shëndetësi e kudo janë të gjitha fenomene që po shtohen çdo ditë e më shumë. Dhe në fakt këto fenomene kanë një kumbar, i cili është Edi Rama. Është ai që ka prodhuar këtë situatë ekonomike skandaloze, është ai që ka prodhuar këtë situatë në arsimin shqiptar, është ai që ka prodhuar këtë situatë në shëndetësinë që u premtoi shqiptarëve me të madhe që do bënte shëndetësinë falas, por në fakt kemi shëndetësinë më të shtrenjtë në rajon.

Është ai që për ti plotësuar qefet apo dëshirat miqve të tij në media, mbylli një televizion tjetër dhe sot qeveria shqiptare nëpërmjet parave të shqiptarëve do të paguajë edhe 140 milion euro të tjera që do t’ja paguajnë Agon Channel. Besoj keni dëgjuar për një televizion, të cilin Edi Rama e mbylli se nuk i pëlqente fytyra e pronarit, apo se nuk i pëlqenin lajmet e pronarit, apo se nuk i pëlqente pronari, apo e mbylli për shkak se disa televizione të tjera që janë mësuar të rriten me pushtetin, kërkonin që të mbyllnin konkurrencën. T’ju bëj një pyetje, kush do të mbaj përgjegjësi për këto 140 milionë euro? Jo, jo nuk është ashtu sepse nuk është që të iki nga pushteti Edi Rama dhe qeveritë që vijnë të paguajnë gjobat që Edi Rama ka lënë poshtë e përpjetë, sepse siç i vodhi 600 milionë euro me ÇEZ-in, që u morën paratë e shqiptarëve, u paguan dhe i ndau me vëllain e tij, Damian Gjiknurin dhe të tjerëve, ashtu do të marrë tani 140 milionë euro të tjera që do ti marrë nga xhepi i shqiptarëve.

Z. Petrit Vasili para disa kohësh ka hedhur një kërkesë ku i kërkon qeverisë shqiptare të jetë shumë e kujdesshme, janë mbi 2 miliardë euro që qeveria shqiptare po i humb nëpër gjyqe ndërkombëtare, me 2 miliardë euro, Shqipëria do ishte ndërtuar edhe 2 herë të tjera, këto 140 milionë euro janë milionët e para që ai po i humbet, me 140 milionë euro ishin bërë 2 spitale sa QSUT-ja që kemi këtu, ishin paguar për 8 vjet mjekimet dhe ilaçet falas për pensionistët shqiptar, ishin paguar pafundësisht kimioterapitë, që ju e dini shumë mirë se si dergjen dyerve të spitaleve për të paguar 1500 euro një gjilpërë, e kështu me radhë se po merremi vetëm më shëndetësinë sepse shëndetësia është ajo që ky ka folur se do jetë falas, por në fakt ka shëndetësinë më të shtrenjtë, nuk po hymë se sa shkolla të tjera do ishin bërë, nuk po hymë se sa rrugë të tjera do ishin bërë. Sot lexova një artikull ku vetëm rruga Milot-Balldren kishte një çmim shumë më të lartë se sa kostoja reale.

Nuk mund të blesh një shishe ujë që kushton 500 lekë të vjetra, nuk mund të bësh sikur e blen 50 mijë lekë të vjetra se do të thotë që t’i grabit paratë e shqiptarëve dhe këto para nuk janë para që po i sekuestron nga paratë e drogës, por po i sekuestron nga paratë e oligarkëve, këto janë para gjaku që po i merr shqiptarëve. Nëse nuk paguan energjinë elektrike futesh në burg se nëse gjen në një biznes të vogël një kupon të paprerë për një kafe që kushton 500 lek të vjetra ti gjobitesh 10 milionë lekë dhe 10 milion lekë ai biznes ai nuk i bën dot gjithë vitin, pra janë para, të cilat iu grabiten shqiptarëve, iu merren shqiptarëve në mënyrën më të dhimbshme deri në pikën e fundit të gjakut për të paguar arrogancën, kokëfortësinë dhe injorancën e Edi Ramës dhe të administratës së tij.

Në fakt kur flasim dhe i diskutojmë këto gjëra njerëzit thonë: “Shumë mirë, por u lodhëm duke dëgjuar denoncime të tilla”. Jemi lodhur dhe ne duke i dëgjuar dhe kanë filluar të na duken si përralla që u tregojmë fëmijëve kur janë të vegjël, të cilat janë ndonjëherë dhe të pabesueshme. Kaq dëm u ka bërë popullit ky njeri saqë shqiptarët po lodhen dhe po kërkojnë që të largohen akoma dhe më shumë nga Shqipëria dhe sidomos janë studentët, gjimnazistët, por jo vetëm ata, janë dhe fëmijët e shkollave fillore dhe të shkollave 9 vjeçare dhe kjo është plaga më e madhe që ne kemi sot.

Dëgjojmë sesi qurravitet dhe shkruan letra për opozitën apo për kryetarin e opozitës, gjë që tregon që ka frikë, gjë që tregon që është gati të bëjë çdo lloj kompromisi për karrigen e tij, por e ka marrë përgjigjen dhe do vazhdoj të marrë përgjigjen çdo ditë. Nuk ka kompromis me shqiptarët për karrigen e Edi Ramës. Ka dialog kombëtar të shqiptarëve me njëri tjetrin, me partitë politike për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë tranzicionit, për t’i dhënë një herë e përgjithmonë kapjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe për t’i larguar një herë e përgjithmonë duart e krimit, fytyrën e krimit, zërin e krimit nga politika shqiptare dhe nga zgjedhjet e shqiptarëve.

Sot ne jemi më të qartë se kushdo tjetër që nuk ka zgjedhje në Shqipëri që t’i bëjë Edi Rama siç ka dashur t’i bëjë Enver Hoxha. Enver Hoxha i bënte me sigurimin e shtetit, Edi Rama i bën me krimin e organizuar. Nëse ky zotëria na qenka kaq i dashur nga populli, nëse ky na paska gjithë popullin me vete, por përse paska frikë ky nga komisionerët e opozitës në komisionet e zgjedhjeve? Ky thoshte që populli do tjua tregojë me votë opozitës. Pse nuk na lejon dhe ne që të jemi dëshmitarë të votimit të tij legjitim dhe evropian që na servir ne ai? Po normal, sepse kishte bërë plan që të mbushte kutitë. Kishte bërë që të thoshte që bënë pjesë 99.99 për qind e shqiptarëve edhe pse 70 për qind të tyre i ka larguar nga Shqipëria. Sepse një KQZ që është ilegjitime siç janë 4 kukullat qesharake të Edi Ramës në Parlament, që recitonin deklaratat e Edi Ramës sot në KQZ do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe personale për shkeljen e kodit zgjedhor dhe po jua them këtë me bindje të plotë sepse në Shqipëri portokallja është shumë e vogël. Ndoshta në vendet e tjera siç janë vendet e tjera të mëdha edhe portokallja është më e madhe, por këtu është shumë e vogël dhe rrotullohen gjërat shumë shpejt.

Duhet të ketë një gjë parasysh jo vetëm Edi Rama, por edhe mekanizmat që ai kërkon të përdorë. Përgjegjësia do të jetë personale, edhe për atë anëtarët e KQZ-së që marrin vendime të paligjshme, edhe për ata që cënojnë dhe shkelin Kodin Zgjedhor dhe ne nuk kërcënojmë as me vizat dhe as me burg. Ne do të kërcënojmë me forcën e shqiptarëve dhe forca e shqiptarëve është ligji, është Kushtetuta që ky njeri nuk e konsideron, është institucioni që ky njeri nuk e konsideron. Dhe meqenëse tentoi të kërcënonte shqiptarët me burg na doli te vizat. Kaq injorant është, por në qoftë se shqiptarët kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme do të thotë se s’duan të ikin nga Shqipëria. Do të thotë se s’duan viza, duan të rrinë në Shqipëri. Se po ta donin këtë gjë, do kishin ikur siç kanë ikur të tjerët.

Kështu që kërcënime të tilla qesharake të një njeriu që është në agoni dhe në lëngim e sipër, e ka të kotë që të vazhdojë. Prandaj ju bëj me dije që jo vetëm që zgjedhje s’ka për të pasur, sepse do ta bëj siç e bëri në Kavajë që tha që s’ka të drejtë ligjore. Po në Kavajë pse i shtyve kur ishe trim kaq i madh dhe mos harroni që ishte edhe me LSI-në në atë kohë, tani është vetëm fare, s’ka as LSI, as PDIU, as parti të tjera, tani ka gjithë shqiptarët kundër. Kështu që, një njeri që çdo 20 orë dërgon letra: ‘aman hajde pajtohemi’, do të thotë që është në një gjendjen më të rëndë psikologjike, se politike po e po. Megjithatë ne betejën nuk e kemi me Edi Ramën, por ne betejën e kemi për t’u dhënë fëmijëve tanë dhe shqiptarëve shpresë për t’u kthyer në Shqipëri, për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe për të luftuar për veten e tyre. Beteja jonë nuk është me Edi Ramën, as me veglat dhe kukullat e Edi Ramës, me ata ka betejë drejtësia shqiptare, që edhe sot është e vonuar dhe e munguar, por një ditë do të vijë, por nuk jemi ne ata që do ta gjykojmë atë.

Ne gjykojmë me votë, me alternativë dhe ne do gjykojmë me politikë. Ne betejën e kemi për të ardhmen e fëmijëve tanë, për një Shqipëri evropiane, për të hapur negociatat sepse kjo është gjëja më e rëndësishme sot për Shqipërinë. Sepse fenomeni Edi Rama është fenomeni që ka mbyllur çdo derë të Shqipërisë për tu integruar në BE. Është ai që ka mbyllur çdo derë shqiptarëve për të integruar fëmijët e tyre dhe për të qenë evropianë të lirë siç ju takon të jenë.

Prandaj beteja jonë nuk do të ndalet në asnjë moment, derisa ne tu japim shqiptarëve një sistem të drejtë, të barabartë, një alternativë deri sa ta të vendosin vetë për fatet e tyre dhe të mos vendosin as Monika, as Luli, as Edi Rama dhe askush tjetër, por të jenë shqiptarët që të vendosin për fatin e tyre, të ardhmen e tyre dhe për atë çka ata duan. Boll 30 vjet tranzicion, boll prodhuam politika të cilat janë në funksion të grupeve të caktuara interesi dhe oligarkëve.

Më mirë vonë se sa kurrë dhe ne prandaj jemi sot me mandate të djegura, për t iu thënë që jemi ne shkaktarët e kësaj situate dhe do të marrim përgjegjësitë tona personale, por përgjegjësia jonë kryesore politike dhe kombëtare është angazhimi ynë për të larguar njëherë e përgjithmonë për të larguar këtë njeri që ka kapur shtetin, ka kapur shqiptarët dhe ka kapur mbi te gjithë peng të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve dhe ne nuk do ta lejojmë por përkundrazi ne do ta kapim dhe do ta flakim tutje këtë fenomen i cili është i padëshirueshëm për shqiptarët. Unë iu falënderoj, Zoti ju rujt ju, Zoti i rujt shqiptarët kudo që janë, familjet, fëmijët sepse pa një familje të shëndoshë nuk mund të kemi një shoqëri të shëndoshë dhe nuk mund të kemi një komb të shëndoshë.

E di që sot shqiptarët po lëngojnë nga varfëria, po lëngojnë nga problemet sociale prandaj ne nuk do të ndalemi si një klasë politike me mëkatet tona, për ti shlyer ato mëkate dhe për të vazhduar për të ecur përpara dhe për t’iu dhënë shqiptarëve shanse për tu përfshirë dhe për tu bërë pjesë e politikës dhe vendimmarrjes dhe për të vendosur shqiptarët për fatet e tyre dhe jo një grup njerëzish. Faleminderit dhe Zoti ju rujt.