Gjatë takimit me strukturat drejtuese të LSI-së Tiranë, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi foli për vendimin e djegies së mandateve, për të cilin tha se sot më shumë se kurrë: “jemi të bindur që kemi marrë vendimin e duhur”. Kryemadhi tha se ky vendim e rikthen LSI-në në LSI e vlerave, në LSI-në e principeve dhe e njerëzve që duan të bëjnë ndryshimin. “Sepse djegia e mandateve tregoi edhe njëherë dhe riktheu edhe njëherë LSI-në e 2004-ës, LSI e vlerave, LSI-në e njerëzve që duan të bëjnë ndryshimin, LSI-në e njerëzve që i thonë JO arrogancës, LSI-në e njerëzve që i thonë JO tundimit, që i thonë JO kapjes, që i thonë JO pengmarrjes. Riktheu edhe njëherë LSI-në e lirë, LSI-në që është e pakapur në asnjë cep, riktheu edhe njëherë vlerat, riktheu principet të cilat ne duhet ta bënim Katharsisin tonë”, tha Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së tha se 17 deputetët e LSI që dogjën mandatet dhe të gjithë kandidatët për deputet që i refuzuan këto mandate, janë krenaria e Monika Kryemadhit dhe krenaria e LSI-së së vlerave dhe principeve. “Dhe djegia e mandateve tregoi edhe njëherë që lista e deputetëve nuk ishin zgjedhja e Monika Kryemadhit, por 17 deputetët që dogjën mandatet dhe të gjithë ata që pranuan të mos jenë pjesë e Parlamentit të krimit, janë krenaria e Monika Kryemadhit, janë krenaria e LSI-së”. Ajo u dha përgjigje të gjithë skeptikëve të këtij vendimi ekstrem të opozitës. “Është veprim ekstrem, por për të gjithë ata që thonë që është veprim ekstrem, për të gjithë ata që thonë që duhet oksigjen për Parlamentin, për të gjithë ata që thonë që debati bëhet në Parlament, për të gjithë ju që nuk besoni në principe dhe në demokraci, duhet tju bëjmë vetëm një pyetje. Ligjin për teatrin, që është ligj korruptiv, grabitës, Ligji për pronat që u grabitet prona qytetarëve dhe që u grabitet prona pa asnjë dokument dhe pa asnjë vendim gjykate, ligji i dividentit që vjedh dhe grabit miliona euro nga taksat e shqiptarëve dhe favorizon oligarkët, apo amendamentet e vajzave tona studente për tetë kërkesat e studentëve që u rrëzuan, heqja e të drejtës së fjalës së opozitës në Parlament, e shumë e shumë veprime të tjera të paligjshme, shkelja e Kushtetutës për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme, ku ligji thotë me 84 vota, dhe këta e zgjodhën me 69 vota, ndërtimi i organeve të sistemit të drejtësisë me njerëz të cilët institucionet ndërkombëtare i quajnë njerëz të cilët nuk kanë kredibilitetin dhe integritetin moral për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, më thoni në cilën gjykatë mund të ankohet opozita sot? Ka dy vjet që Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë. Tashmë është edhe pa Parlament. Ka ngelur në këmbë vetëm mëkëmbësi i mbretit që është Edvin Rama që nuk është gjë tjetër veçse mëkëmbësi i krimit. Prandaj shteti ka rënë. Prandaj nuk mund të lejojmë që një kriminel dhe një i çmendur të marri peng Shqipërinë, të marri peng të ardhmen e Shqipërisë”, tha Kryemadhi.