Deklarata për mediat e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Mirëmbrëma të gjithë qytetarëve dhe atyre që po na ndjekin drejtpërsëdrejti.
Më lejoni që në emër të asaj pjese që morën pjesë në protestë, por edhe të gjithë atyre qytetarëve të tjerë që e kanë ndjekur nga televizioni të pranoni falënderimet e mia. Njëherësh falënderoj të gjithë ata qytetarë dhe qytetare, djem dhe vajza, studentë dhe gjimnazistë, që thyen frikën dhe u bënë sot pjesë e kësaj proteste model, edhe pse në ditë të vështirë me shi, edhe pse nën presion të jashtëzakonshëm të gazit helmues dhe të dhunës së policisë, përballuan një nga protestat më të mëdha që ka pasur Shqipëria në të gjithë vitet e tranzicionit.
Dua të falënderoj të gjitha ata qytetarë që ishin sot atje, të cilët i dhanë akoma dhe më shumë shpresë shqiptarëve, atyre shqiptarëve që gjenden sot më të dobët, më të vobektë, më të varfër. Atyre shqiptarëve të cilët u qan zemra për të parë fëmijët e tyre dhe janë larguar nga Shqipëria për të ndërtuar një jetë më të mirë. Për të gjitha ata prindër që nuk ishin sot atje, të cilët luftojnë dhe mundohen çdo ditë për fëmijët e tyre studentë, për të përballuar studimet e tyre. Për të gjitha ata prindër të pamundur për të qenë sot në protestë.
Për fëmijët e tyre që u janë falimentuar bizneset. Për fëmijët e tyre të cilët gjobiten çdo ditë e më shumë nga taksat e Edi Ramës. Për fëmijët e tyre të cilët çdo ditë e më shumë e kanë të pamundur për të zhvilluar të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Falënderoj të gjithë shoferët e autobusëve dhe furgonave të cilët janë kërcënuar dhe janë gjobitur nga policia e Edi Ramës.
Dhe ju bëj thirrje të ruajnë faturat e gjobave se do ti marrin paratë e tyre një më një dhe nuk ka burrë nëne që t’ua marrë paratë atyre djemve të cilët me mish e me shpirt, me gjak rrisin dhe ushqejnë fëmijët e tyre. Falënderoj gazetarët e terrenit të cilët nuk na janë ndarë në asnjë moment në këtë protestë të vështirë.
Falënderoj të gjithë policët të cilët u treguan dashamirës ndaj nesh por i bëj thirrje të cilët dhanë urdhrin famëkeq për të helmuar shqiptarët, ti bëjnë hesapet mirë sepse llogaritë i kanë të hapura me mijëra shqiptarë që ishin sot atje në shesh.
Falënderoj mbi të gjitha, të gjithë shqiptarët që duan të ndryshojnë. Të gjithë ata shqiptarë që çdo ditë nxisin dhe i japin kurajë fëmijëve të tyre për tu përballur diktaturën e krimit, që Edi Rama ka instaluar sot në Shqipëri. Sot shqiptarët treguan dhe njëherë që Kjo qeveri ka dështuar me politikën e saj, ka dështuar me marrëdhënien e tij me publikun, me familjen e tij politike, ka dështuar me ekonominë shqiptare, me drejtësinë shqiptare, me të ardhmen e shqiptarëve. Një njeri i dështuar nuk mund të vazhdojë më qeverisjen.
Ky njeri i dështuar që ka frikë të përballet me popullin e tij, i cili në asnjë moment nuk gjendet përballë Tij, por gjithmonë largohet, sepse është në fakt i larguar.
Ju faleminderit të gjithëve nga zemra, ju jemi mirënjohës dhe jemi krenarë që kemi bërë një veprim aq dinjitoz dhe të domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë duke djegur mandatet ne do t’i kthejmë fytyrën politikës për të risjellë një politikë të re, politikanë të rinj, të cilët mendojnë për qytetarët, për të zgjidhur hallet dhe problemet e shqiptarëve.
Sepse Shqipëria është i vetmi vend ku është shtëpia e shqiptarëve të cilët mund të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre. Faleminderit.