Këtë herë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me vajza dhe gra në Njësinë 1 në Tiranë, tek lagjja ”Ali Demi”. E shoqëruar nga kryetarja e LRI-së, Kryemadhi bëri të ditur se LSI-ja ka një program shumë të qartë për mbështetjen e rinisë dhe gruas. ”Të rinj dhe të reja, burra e gra presin me padurim fundin e tranzicionit, zgjidhjen e krizave politike të shkaktuara nga synimet personale të pushtetit dhe nisjen e një kapitulli të ri për një Shqipëri europiane. Të një vendi ku njerëzit janë të barabartë në shkollim, mundësi për punësim dhe shëndetësi. LSI po punon për atë Shqipëri dhe është mbështetja e sinqertë për çdo grua dhe vajzë për t’iu garantuar punësim dhe shanse të barabarta. LSI dhe unë kemi një program shumë të qartë për mbështetjen e rinisë dhe gruas”,-shkruan Kryemadhi në facebook.

Postimi i plotë

Sot së bashku me Floidën, patëm një kënaqësi speciale në bashkëbisedimin e pasdites të zhvilluar me një grup vajzash dhe grash në Njësinë 1 në Tiranë, tek lagja “Ali Demi”, në shtëpinë e Elvirës.

Ato shëmbëllejnë vlerat më të mira të shoqërisë dhe familjes sonë. Gratë dhe vajzat janë pjesa më vitale e kombit. Nëna të përkushtuara, që gjithë shqetësimi i tyre mëmësor dhe qytetar është tek papunësia dhe pamundësitë e të rinjve , që me aq sakrifica po i rrisin dhe edukojnë.

Të rinj dhe të reja, burra e gra presin me padurim fundin e tranzicionit, zgjidhjen e krizave politike të shkaktuara nga synimet personale të pushtetit dhe nisjen e një kapitulli të ri për një Shqipëri europiane. Të një vendi ku njerëzit janë të barabartë në shkollim, mundësi për punësim dhe shëndetësi.

LSI po punon për atë Shqipëri dhe është mbështetja e sinqertë për çdo grua dhe vajzë për t’iu garantuar punësim dhe shanse të barabarta. LSI dhe unë kemi një program shumë të qartë për mbështetjen e rinisë dhe gruas.