Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi në Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim

 

Përshëndetje të nderuar delegatë. Ashtu siç e tha dhe Endriti, në këtë Konventë pune e cila në fakt tashmë ne na duket shumë e vogël. Na duket edhe e parëndësishme sepse kemi marrë disa detyra të reja. Kemi marrë një drejtim të ri. Kemi marrë një pozicionim komplet ndryshe nga ai të cilin ne jemi mësuar të qëndrojmë në këto vite ku LSI për hir të së vërtetës ka qenë një forcë politike që ka krijuar stabilitetin dhe mbi të gjitha i ka dhënë zgjidhje politikës. Jo se sot nuk i japim zgjidhje, përkundrazi. Sot LSI me të gjithë partitë e opozitës, nuk është vetëm për zgjidhje, por është si ai doktori që do të shërojë të sëmurin e përhershëm për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë sëmundjen kronike për të cilën Shqipëria ka 30 vjet në tranzicion që e kalon. Prandaj edhe si doktoreshë. Edhe si fallxhore e parashikoj të ardhmen e Shqipërisë të ndritur, të begatë, pa Edi Ramën kryeministër, pa qeverinë e kapur nga krimi dhe oligarkët.

Në mëngjes Endriti më thoshte: Monika janë disa delegatë të cilët vazhdojnë të jenë në punë shteti ose janë kërcënuar dhe nuk duan të vijnë,  a mund t’i zëvendësojmë me të tjerë? I thashë: Jo Endrit, karriget e tyre që janë bosh sot nesër do të zëvendësohen nga të rinj dhe të reja që duan një Shqipëri të lirë. Karriget e tyre do të zëvendësohen nga ata njerëz, të cilët kanë derdhur djersën për votat e LSI-së dhe mandatet e tyre do të tunden në duart e atyre njerëzve të cilët duan Shqipërinë më shumë se xhepi i tyre, biznesi i tyre apo edhe shoqëria e tyre. kaq kisha dhe Endrit ta them sepse je shumë më i r, por LSI-në nuk e bëjnë njerëzit. LSI-në e bën shpirti. LSI-në e bën ndjenja dhe mbi të gjitha LSI-në e bën dashuria që kemi ne për njëri-tjetrin.

Të nderuar delegatë! Për herë të parë vijmë në këtë konventë si shqiptarë të thjeshtë. Një pjesë e jona pa mandatin e deputetit. Ndaj dhe ndjejmë përgjegjësi shumë më të madhe se sa të ishim ulur në sallën e Parlamentit, sepse po pretendojmë të ulemi në një sallë më të madhe dhe më fisnike, në shtëpinë e shqiptarëve, në Parlamentin e shqiptarëve.

Unë e di shumë mirë që të pushtosh zemrën e një shqiptari është shumë më e vështirë se sa të pushtosh sallën e Parlamentit apo godinën e një Kryeministri. Për këtë më besoni, sepse kam takuar dhe shtrënguar me qindra duar. Kam parë në sy me qindra shqiptarë dhe një gjë iu a them me bindje, shqiptarët tashmë nuk i gënjen dot as Rama dhe as klonet e tij lokale nëpër Shqipëri. Nuk i gënjejmë dot as unë dhe as bashkëudhëtari ynë i opozitës. Nuk i gënjen dot shqiptarët askush, sepse janë të mbingopur nga gënjeshtrat, nga premtimet e parealizuara dhe kanë të drejtën e Zotit që të na paragjykojnë të gjithëve. E di alergjinë që me të drejtë kanë krijuar për politikën dhe kjo vjen si rezultat i mosbesimit që kanë akumuluar  njerëzit e thjeshtë prej saj. Paragjykimet dhe mosbesimi, por di të them edhe një gjë tjetër, që përveçse politikës, hallet dhe problemet e shqiptarëve nuk mund të zgjidhen me gjë tjetër.

Unë e di shumë mirë që tryezat e shqiptarëve nuk mbushen me ushqim dhe as nuk i shkollojnë dot fëmijët e tyre me parullën “Rama ik”, apo “Luli, Mona hajde”. E di shumë mirë dhe janë e ndërgjegjshme që fjalët e mia mund t’ju ngrenë ju që jeni këtu në sallë dhe çdo anëtar të LSI-së, por nuk është aq e lehtë të entuziazmosh ata 300 mijë shqiptarë që ushqehen me 2 dollarë në ditë, apo 600 mijë shqiptarë të tjerë që ushqehen me 5 dollarë në ditë. E di shumë mirë që nuk mund të entuziazmosh një nënë,e  cila nuk ka mundësi dhe para për të shkolluar vajzën. Nuk mund të entuziasmosh një baba, i cili një natë më parë ka nisur djalin e tij në emigracion. Ne mund të fitojmë buzëqeshjen e njerëzve dhe zemrat e shqiptarëve vetëm nëse do të nënshkruajmë një kontratë me ta. Dhe kontrata jonë duhet të jetë e vërtet. Jo që të presim thonjtë, por ti presim dorën oligarkëve dhe krimit të organizuar të këtij regjimi kriminal që ka futur dorën në xhepin e shqiptarëve. Dhe kjo prapë nuk mjafton. Ne duhet të ngrejmë një sistem që do të pres çdo dorë që do të tentojë ta bëjë këtë gjë. Kjo vërtet bëhet me vullnet politik apo dhe me fjalime politike, por tashmë nuk ka më kohë. Tashmë duhet me ligje, me nene, e shkruajtura e zezë mbi të bardhë, sepse shqiptarët janë lodhur nga premtimet dhe mashtrimet e politikës. Fjala shpresë është një fjalë shumë e bukur. Në fakt tingëllon e bukur, kur e thotë një politikan, por ajo nuk ka kuptim dhe nuk ngroh askënd, nëse nuk kthehet në një shans real dhe mirëqenie reale për arsimim të vërtet për fëmijët tanë, për shëndetësi të barabartë, për drejtësi të barabartë, për taksa të ulëta, për ekonomi të vërtet për atë që kanë nevojë shqiptarët, për mirëqenie për familjet e tyre. Dhe kjo mirë apo keq nuk mund ta bëjë vetëm fjalët, por duhen politika për të ndërhyrë me çdo lloj mjeti. Ne duhet të rikthejmë besimin te politika. Dhe vetëm me besim mund të bëjmë që shqiptarët ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Ndaj edhe puna jonë sapo ka filluar. Shqipëria është në krizë të shumëfishtë institucionale, konstitucionale dhe ekonomike, kryesisht prej paaftësisë, pangopshmërisë dhe kleptomanisë së një njeriu që kërkon të marrë dhe të kontrollojë të gjitha, drejtësinë, ekonominë, median, paratë e krimit dhe të drogës, të cilat tashmë kërkon edhe ti pastrojë duke e kthyer Shqipërinë në lavatriçe të tyre. Dhe janë aq shumë saqë dhe betoni i shtëpisë së tij pa dritare nuk i mbulon dot. Sot krimi i organizuar dhe ai grusht oligarkësh që ndajnë paratë e shqiptarëve me kryeministrin, nuk po rrezikojnë thjesht ekonominë e shqiptarëve, por po rrezikojnë mbi të gjitha, dhe në këto 30 vite tranzicion, dëshirën, forcën dhe kurajën e shqiptarëve që kanë pasur për të ndërtuar një demokraci të vërtet në Shqipëri. Mund të ketë pasur në historinë e tranzicionit shqiptar që demokracia të jetë rrezikuar, por kurrë nuk ka ndodhur që demokracia shqiptare dhe vetë Shqipëria të rrezikohen seriozisht nga një bashkëpunim kaq i ngushtë, kaq i mirëmenduar midis krimit të organizuar, politikës dhe oligarkëve. Në këtë situatë nuk kemi qenë kurrë më parë, dhe e pranoj që ndjeshmërinë tona si LSI, por ashtu edhe si opozitë, edhe si media, edhe si shoqëri civile, duhet të kishin qenë më të larta për të mos e lejuar këtë situatë. Unë sot jam e bindur, që në bazë të një plani mafioz, të mirëmenduar mirë dhe në emër të së ashtuquajturës Reformë në Drejtësi, me qëllim dhe me paramendim kemi mbetur pa gjykata, pa Gjykatë të Lartë, dhe pa gjykatë Kushtetuese. Që ligji për Katasdrat dhe për tjetërsimin e pronave mos të ketë ku të paditet, por banda dhe krimi i organizuar bashkë me oligarkët të grabisin pronat e shqiptarëve dhe shtëpitë e tyre. Që ligji për dividentin që favorizon oligarkët dhe klientët e kryeministrit dhe kompanive të tyre të kthehen në lavatriçe të pastrimit të parave të krimit dhe të drogës, që teatri të shkatërrohet dhe të vidhet prona publike dhe gjithashtu e shumë e shumë projektligje që kanë kaluar.

Ne sot shohim një Kryeministër që në emër të PPP të famshme, qeras oligarkët me 2.2 miliardë euro. Them qerasë sepse këto PPP e famshme nuk janë kështu siç po  i bën ky njeriu. Sepse PPP janë që privati të fillojë të punojë me paratë e tij dhe pastaj ti marrë vit mbas viti paratë nga shteti. Por ky zotëria ka deformuar dhe PPP, ka deformuar dhe formulën e tillë. Pra çka bërë? Ai jep të gjitha paratë menjëherë oligarkëve. Pra shteti qeras privatin dhe privati me paratë e shtetit mbush xhepat e tij. Dhe më pas privati dhe oligarkët qerasin “kryeministrin tonë të dashur”. Dhe me një dorë marrin paratë e gjithë shqiptarëve të cilat do të vazhdojnë ti paguajnë dhe foshnjat që nuk kanë lindur akoma sot.  Sot Edi Rama është një telekomandë me dy funksione. Në njërën anë është marrëse, ku ky njeri merr dhe telekomandon krimin e organizuar dhe oligarkët. Dhe nga ana tjetër është dhënës kur ky njeri telekomandohet nga krimi i organizuar dhe oligarkët. Por në fakt beteja jonë nuk është me Edi Ramën. Beteja jonë është që të fitojnë shqiptarët dhe fëmijët e shqiptarëve. Beteja jonë është shembja e këtij sistemi të kalbur dhe këputja e këtyre fijeve. Shkatërrimi i kësaj telekomande që brezat e ardhshëm jo vetëm në Shqipëri por kudo të kenë mundësinë që të studiojnë dhe të kuptojë n sesa i rrezikshëm është bashkëpunimi midis politikës, krimit të organizuar dhe oligarkisë për ekonominë e vendit, për të ardhmen e një vendi dhe një kombi dhe mbi të gjitha për demokracinë e një vendi. Ndaj sa më parë të shembet ky regjim aq më shumë shanse do të kenë shqiptarët për punësim, për rritje rrogash dhe për një integrim evropian sa më të shpejtë. Të gjithë e pamë që falë këtij Kryeministri dhe këtij regjimi ne humbëm sërish shansin për hapjen  e negociatave. Dhe jo vetëm kaq por rrezikojmë dhe rikthimin e vizave për shqiptarët. Madje sjellja e këtij Kryeministri dhe kësaj qeverisje mori në qafë dhe vëllezërit tanë kosovarë. Asaj fatkeqësisht Kosovës iu dha sinjale të qarta se liberalizimi i vizave po i vonohet për shkak kriminelëve të “bekuar” dhe të inspiruar nga Tirana. Po, krimi i organizuar dhe oligarkia po rrezikojnë demokracinë dhe të ardhmen e shqiptarëve tanë. Madje dhe shumë më shumë se kaq. E keni vënë re tashmë që Ramës i mjafton vetëm krimi i organizuar dhe oligarkia me median e blerë. Nuk i hyn më në punë as Partia Socialiste, as kapaciteti i saj, as njerëzit e saj të ditur dhe të mençur. Ishte trishtim i madh për mua si një ish-anëtare e PS që në nëntor të vitit 1991 dhe jo vetëm për mua por dhe shumë socialistë të tjerë që të shikoja Kryeministrin e vendit tim në një samit të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, siç ishte Samiti i Berlinit. Dhe të shihja që në krah të Kryeministrit të v endit tim nuk kishte njerëz me reputacion, serioz dhe me eksperiencë qoftë edhe të PS. Shqipëria jonë vërtet është e varfër por njerëzit nuk i kanë munguar  asnjëherë asaj. Aq më shumë PS. Partia Socialistë meriton shumë më shumë se butaforitë primitive, egocentrizmin e një Kryeministri dhe Kryetari partie në ikje. I cili nuk prodhon gjë tjetër  veçse trishtim dhe dëshpërim për shqiptarët. Më lejoni të ftoj të gjithë ata socialistë të tradhtuar, nga idealet e tyre dhe programi i social demokracisë, të cilin Rilindja e ktheu në grabitje të biznese dhe shkatërrimin e shtresës së mesme, ku solidaritetin dhe barazinë njerëzore e ktheu në një gjenocid të heshtur për rininë shqiptare, t’i ftojmë dhe të hapim dyert për të gjithë ata socialistë të cilët janë të drobitur nga shfrytëzimi i pamëshirshëm i sektit të Rilindjes. Dhe ne do të luftojmë së bashku, të gjithë për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve. Ne duhet të shihemi më mirë dhe më gjatë në pasqyrë. Sepse dhe ne kemi gabimet tona. Sepse edhe në Shqipërinë e shekullit 21 ne e dimë shumë mirë që shqiptarët nuk presin që ne thjesht të ndërrojmë karrigen me Ramën dhe anasjelltas. Por shqiptarët presin prej nesh që të ngremë një sistem të fortë dhe të sigurt, që i mbron ata dhe i garanton. Dhe ne duhet t’ua garantojmë shqiptarëve që nuk mund të ulen dot kurrë në karrigen e pushtetit asnjë lloj Rame apo i ngjashëm me të, i shkurtër apo i gjatë, grua apo burrë qoftë. Ne nuk duhet të lejojmë që të ndodhë më aksidente të tilla historike. Ne besojmë në demokraci, e duam këtë vend dhe ndaj do të luftojmë me të gjitha mënyrat dhe mjetet, politike dhe jo politike, që shteti të qëndrojë aty ku duhet të jetë në demokraci. Dhe në një vend demokratik shteti është nën këmbët e qytetarëve, dhe jo mbi kokat e qytetarëve si xhelat. Burgosen dhe mbahen në burg njerëz që kanë vonuar për të paguar energjinë elektrike, dhe nuk burgosen ata që kanalizuan vendin. I pritet energjia elektrike një 90 vjeçareje fillikat e vetme në shtëpi, kurse zëdhënësit të kryeministrit, merret fondi i ekselencës dhe i jepet për të studiuar mastar jashtë shtetit. Vidhen 40 milionë euro për 2 kilometra rrugë të shtruar dhe nuk burgoset asnjë, jo më të hetohet. Por përkundrazi mbahen në burg ata që protestojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre që kërkon t’ua shembë qeveria e Edi Ramës në mënyrë të paligjshme. Ja pra pse ne duhet të luftojmë, që shteti të qëndrojë aty ku i takon, nën këmbët e qytetarit dhe jo si xhelat mbi kokat e qytetarëve.

Ne dogjëm mandatet duke mos qenë fasadë, që jo vetëm shqiptarët, por edhe ata ndërkombëtarë të ndershëm që nuk janë të mikluar nga paratë e drogës dhe të krimit të organizuar, të shohin tashëm mbretin lakuriq, ashtu siç është në të vërtetë, me një dorë në kutinë e votimit dhe me një dorë në xhepin e shqiptarëve. Kam dëgjuar të artikulohet këto kohë nga ata që edhe e njohin përciptazi Shqipërinë, por të cilët nuk dalin dot nga koraca e burokracisë, të cilët thonë se kanë hallin e precedentit të Rajonit apo të stabilitetit. Unë sot po them se nëse në një vend të Rajonit avionët e drogës do të bëhen si autobusë në qiell dhe me paratë e tyre do të blihen zgjedhjet, gjë që u vërtetua edhe nga Prokuroria Shqiptare dhe nga mediat e ndërkombëtarëve, ku drejtorët e inkriminuar të Policisë së Shtetit janë në arrati dhe asnjëri nuk është arrestuar. Për mua do të ishte më mirë që për stabilitetin e këtij vendi, të digjen mandatet e opozitës se sa të kapet shteti nga krimi i organizuar.

Nëse Prokurorja e Përgjithshme e një vendi të rajonit, do të zgjidhej në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin, për mua do të ishte më mirë që të digjen mandatet e opozitës, se sa të shkelet ligji dhe Kushtetuta. Nëse Kryeministri në një vend në rajon, në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së kryeqytetit shkelin ligjin për të shkatërruar një pasuri të trashëgimisë, me synimin e vetëm zaptimin e pronës publike ku dhe një shumicë deputetësh shkelin sërish ligjin me urdhër politik dhe kriminal,  për mua do të ishte më mirë që të digjen mandatet e një opozite, se sa të bëhej një deformim dhe përdhunim i shtetit të një vendi.

 

Nëse kryeministri i një vendi kalon në Kuvend një ligj të posaçëm për tjetërsimin e titujve të pronësisë dhe nuk ke gjykatë ku të ankohesh dhe as arbitër, është më mirë që të digjen mandatet e opozitës, se sa të vidhen dhe të grabitet prona e shqiptarëve dhe shtëpitë e shqiptarëve.

 

Unë jam e bindur që të gjitha këto fenomene që thash më lart, nuk e dëmtojnë aspak rajonin tonë dhe shumë më shumë precedenti i djegies së mandatit, nuk e dëmtojnë kur ne e themi. Fenomenet që ka ngritur Edi Rama dhe qeveria e tij, detyruan djegien e mandateve, sepse mendojmë që djegia e mandateve të një opozite, është shumë më e rëndësishme, se sa kapja e shtetit, se sa prishja e demokracisë, se sa shkatërrimi i një shtetit, se sa shkatërrimi i të ardhmes së fëmijëve të shqiptarëve.

 

Në fund të fundit çfarë përfiton kjo opozitë që dogji mandatet? Kërkon të mbrojë demokracinë e brishtë të një vendi të vogël dhe mbi të gjithë kërkon që shqiptarët më në fund të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë jam e bindur se stabilokracia pa demokraci, nuk funksionon. Prandaj nuk kemi sot nevojë për stabilokratët, por kemi nevojë për të rinj dhe të reja,për ata politikanë që duan të luftojnë për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve. Dhe meqë jemi te frika e të bërit të precedentit rajonal po ju drejtohem më shumë të huajve sesa shqiptarëve në këtë konventë. Dëmin e parë të këtij regjimi kriminalo-oligarkë që ka instaluar Edi Rama në Shqipëri desh e pësuar vëllezërit tanë në Kosovë. Pikërisht prej këtij regjimi që në themel të tij ka pazare dhe jo transparencën. Pikërisht se formati i pazareve të oligarkisë dhe krimit e ka të shndërruar në skemë dhe format politik dhe diplomatik. Pikërisht se trëndafilin e Partisë Socialiste e ka zëvendësuar me oturakun e qarqeve antishqiptare. Pikërisht sepse dhe në politikë dhe në diplomaci flasin me gjuhën e PPP-ve, guxuan deri aty sa të hedhin në treg për turpin  e tyre dhe ndarjen e Kosovës. Aq sa u desh një Samit i madh evropian për ti thënë një JO të madhe pazarxhinjve të trojeve shqiptare. Sa më shpejt të shembet ky regjim, aq më shpejt Shqipëria do të kthehet në shtëpinë e shqiptarëve.

Por jo vetëm kaq. Edhe Kosovës dhe vëllezërve tanë do tu largohen retë e zeza që u rrinë mbi kokë prej autokratëve dhe atyre që i konsiderojnë shqiptarët si tregun e gjësë së gjallë. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Shqipërinë. Ne sot Shqipëria na ka caktuar një detyre, shkurt dhe shqip. Të mbrojmë demokracinë. Ne nuk kthehemi më prapa. Tashmë nuk është më sekret, me sondazhe dhe pa sondazhe. Ne jemi shumicë. Sepse në njërën anë është një njeri me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh dhe disa kërpudha që janë kthyer në fasada  të tij. Dhe në anën  tjetër janë shumica e shqiptarëve që duan integrimin e SHQIPËRISË. Në këtë vend fatmirësisht, ata që nuk pranuan të bëhen fasadë  e Edi Ramës, janë sot shumica. Dhe sot shumica është opozita e bashkuar dhe jo vetëm por me të gjithë ata shqiptarë të cilët duhet të bashkohen dhe të rrëzojnë këtë regjim kriminal. Protestat tona dhe mosbindja civile do të vazhdojnë derisa sulltani i krimit të bindet me hir a me pahir se në Shqipëri do apo nuk do ai, do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme për shqiptarët. Koha e tij dhe e etërve të tij ka mbaruar në Shqipëri.

 

Në fakt një miku ynë, Dritëro Agolli, ka shkruar një poezi. Ka shkruar nj poezi “Vagabondët”, që në fakt flet sesi dy vagabondë rrahën nj grua në rrugën Konferenca e Pezës. Pasi e shpjegon ai e mbyll poezinë me dy vargje: “Unë u rraha me ta e u grisa në gjoks e krahë, si mund të rrija në paqe? Poeti duhet të dijë të rrahë dhe jo vetëm të thurë vargje”. E pra ne do të dimë si të sillemi me këta vagabondë, me këta vagabondë të demokracisë , të cilët rrahin dhe shtypin shqiptarët dhe tjetërsojnë jetën e shqiptarëve në një jetë të krimit të organizuar. Jeta e shqiptarëve është çdo minutë për të qenë jetë, frymë dhe garanci për fëmijët e shqiptarëve, dhe jo për t’i dhënë jetë krimit dhe bandave të Edi Ramës dhe bandës së tij. Prandaj vagabondëve të demokracisë do ta përcjellin në të gjitha mënyrat, ashtu siç dinë të mbrojnë nënat fëmijët e tyre, ashtu siç dinë burrat të mbrojnë strehëzat e tyre. ndaj nuk do të ndalemi në asnjë moment. Por krahas shporrjes së vagabondëve dhe shkatërrimit të telekomandës, e cila aktivizon lidhjet okulte të Edi Ramës.

 

Ne duhet të mendojmë edhe për themelet e një demokracie të re, një demokracie të re dhe të qëndrueshme. Themelet për një Shqipëri ndryshe, ku siç thashë edhe pak më sipër, shteti të mos rrijë si sëpatë mbi kokat e qytetarëve, por të jetë një shërbëtor në këmbët e tyre. Por sigurisht që ne që jemi pjesë e këtij procesi, duhet që partia jonë të hapet. Duhet që partia jonë të krijojë hapësira të reja për të rinj dhe të reja, për botën akademike, për botën e biznesit, në mënyrë të tillë që LSI-ja çdo ditë e më shumë jo vetëm të rritet, por të formatohet dhe të krijojë profilin e saj që u shërben të rinjve dhe të rejave. E them këtë sepse LSI-ja e sotme dhe e nesërme do të ketë ambicie më të mëdha, jo për të kërkuar dhe për të ndarë pushtet, por për të ngritur zërin më shuam për të ndihmuar më të dobëtit, më të varfrit, më të papërfaqësuarit dhe më të nëpërkëmburit. Dhe vetëm një LSI e hapur dhe demokratike, pa idhuj dhe pa kulte, mund të imponohet më fort, më seriozisht ndaj kujtdo që mund të jetë në pushtet apo në opozitë.

 

LSI-ja, siç thotë Petrit Vasili e kemi mbajtur një këmbë në frena dhe një këmbë në gaz, unë mendoj që që sot LSI-ja duhet të mbajë këmbën vetëm në gaz, për shkatërrimin e krimit të organizuar dhe të oligarkisë, të cilët kanë shkatërruar shtetin shqiptar. Vetëm duke mbajtur këmbën në gaz kundër këtij sekti ne do të rivendosim rendin kushtetues, për të rikuperuar sa ë shpejt kohën e humbur në Edokracinë e Edi Ramës dhe për tu ulur sa më shpejt në shtëpinë e vëllezërve tanë në Bashkimin Europian. Ne besojmë,sepse në Parlament duhet të jesh përfaqësues i qytetarëve dhe jo përfaqësues i kriminelëve dhe oligarkëve. Prandaj çdo përfaqësues i LSI-së, do të kalojë përveç filtrave ligjorë edhe një proces të rreptë Vettingu nga vetë LSI-ja dhe strukturat e saj. Ne besojmë që pa parti politike transparente, klasa politike dhe jeta politike shqiptare nuk do të jetë asnjëherë transparente.

 

Prandaj do ti rikthehemi edhe njëherë transparencës tonë të partisë politike, për të treguar edhe njëherë se si funksionon LSI-ja, e cila në bazë të saj ka anëtarin dhe kuotizacionin e saj. Në bazë të LSI-së funksionon angazhimi i anëtarëve dhe angazhimi vullnetar i anëtarëve të LSI-së, prandaj ne do të rikthejmë dhe do të japim një model të ri dhe të qartë për të gjitha partitë politike.

 

Ne besojmë se është domosdoshmëri për të vendosur në vend rendin dhe Kushtetutën.  Prandaj garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për shqiptarët është e domosdoshme, sepse sot më shumë se kurrë një shtet pa gjykata, pa sistem drejtësie është veçse një parajsë e bindur dhe e bukur për krimin e organizuar, dhe një ferr për fëmijët e shqiptarëve që duan të ndërtojnë jetën e tyre. Më lejoni që në emrin tuaj të mos ndalem asnjë ditë, por të takoj çdo shqiptar për ti dhënë dorën e fjalës së dhënë, të asaj fjale që ne si LSI sime ta mbajmë, sepse e kemi mbajtur fjalën. Si Lëvizje Socialiste për Integrim, do të angazhohemi për të gjitha pikat e programit që Erisa i lexoi pak më përpara. Por jo vetëm për tu angazhuar politikisht, por për tu angazhuar në veprim politik, për të realizuar ato. Sepse vetëm më një program të tillë ku në bashkëpunim dhe me partnerë të tjerë të opozitës dhe të fronit  opozitar duhet të çlirojmë ekonominë shqiptare nga oligarkia dhe krimi i organizuar. Duhet të çlirojmë arsimin shqiptar nga mediokrit dhe kapja e arsimit. Duhet të çlirojmë shëndetësinë shqiptare nga mafia e zezë. Duhet të çlirojmë çdo segment të shtetit shqiptar dhe administratës publike nga kapja e krimit të organizuar. Ajo që është shumë e rëndësishme kërkon punë të përditshme, kërkon angazhim të përditshëm, por mbi të gjitha kërkon besim. Kërkon besim dhe solidaritet me njëri-tjetrin. Mos ndaloni asnjë moment dhe asnjë minutë të ditës. Takoni çdo njeri, e  di që është e vështirë sepse ndodhemi përballë presionit politik të qeverisë së Edi Ramës. Por bisha e plagosur në thagmat e fundit të saj bëhet më e tërbuar.

Kur shikoj sesi ulërasin, sesi kërcënohen shqiptarët me kod penal, do të thotë që frika i ka përfshirë në të gjithë trupin e tyre dhe pika e gjakut të helmuar e tyre është në momentet e fundit. Helmin të cilin e kanë futur në trupin e sektit të tyre është një helm i cili do ti tresë. Do ti tresë por për hir të së vërtetës ndoti dhe ambientin e shqiptarëve. Prandaj të gjithë së bashku duhet të punojmë çdo ditë, për ta rrëzuar këtë regjim për të shpëtuar shqiptarët dhe fëmijët e shqiptarëve. Dhe për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarë. Unë sot, jam e bindur që jemi në rrugë të mbarë, sepse mbi të gjitha sot më shumë se kurrë në këtë konventë, jemi vetvetja. Sot më shumë se kurrë në këtë konventë janë ata të rinj dhe të reja të 2004 që sot janë nëna me fëmijë dhe kanë themeluar LSI-në. Sot më shumë se kurrë janë ata të rinj dhe të reja që janë bërë anëtarë të LSI në momentet më të vështira të saj. Sot më shumë se kurrë, janë ata akademikë që shkruan programin dhe statutin e LSI-së në 2004. Sot më shumë se kurrë janë të gjithë ata burra dhe gra që iu kanë shërbyer shqiptarëve me ndershmëri dhe që i kanë qëndruar stoikë përpara çdo tundimi financiar dhe kriminal.

Në fakt kanë filluar të na pëlqejnë më shumë protestat në bllokimin e rrugëve dhe në sulmet ndaj godinave, por kjo konventë ka një rëndësi të veçantë, sepse vjen në një moment shumë delikat jo vetëm për LSI-në, por dhe për situatën politike. Sepse nëpërmjet kësaj konvente, ne jemi shumë të qartë për të thënë edhe njëherë të gjithëve, skeptikëve dhe atyre që na besojnë, që strukturat drejtuese të LSI-së nga Kryesia, nga KDK-ja dhe Konventa Kombëtare janë dakord me djegien e mandateve të opozitës dhe largimin nga ai Parlament ilegjitim.

 

Sot më shumë se kurrë, kjo konventë edhe pse ka më pak njerëz në sallë se herët e tjera, por ka snajpera që shkojnë te kutia e votimit si Vasily Zaitasev, i cili nuk çoi asgjë dëm. Sot ka këtu çdo të ri dhe të re, çdo burrë dhe grua që nuk do të ndalen në asnjë moment.

 

Nuk do të ndalen në asnjë moment përballë krimit dhe grabitjes së Edi Ramës, për t’i prerë të dyja duart, duart që fut në kutitë e votimit dhe duart që fut në xhepin e shqiptarëve. Sot nuk ka më njoftim tjetër për të gjithë ju që të gjithë do takoni njerëzit. Në 11 maj jemi të gjithë në shesh, për t’i dhënë dërrmën përfundimtare këtij regjimi kriminal, por jo vetëm në 11 maj, çdo ditë të vitit, çdo minutë të Zotit mos ndaloni dhe nuk do të ndalojmë. Zgjedhje farse, që Edi Rama kërkon të bëjë për të mashtruar me qëllim për të vazhduar të grabisë shqiptarët, nuk ka për të pasur as në ëndërr dhe as në makthin e tij.

 

Sot si Konventë ne jemi shumë të qartë për të thënë që ne nuk ndalemi. Nuk ndalemi dhe as nuk kemi për t’u ndalur. E them këtë me bindje të plotë, sepse problemin më të madh krimi i organizuar e ka me ne. Sepse jemi ne ata që bëjmë diferencën. Jemi ne ata që bëjmë ndryshimin, jemi ne ata që vendosim. Dhe ne kemi vendosur: jemi me shqiptarët, për shqiptarët dhe do të bëjmë çdo gjë për fëmijët e shqiptarëve. Zoti ju ruajttë ju, Zoti ju ruajttë familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë. Faleminderit!