Monika Kryemadhi, shansi për një opozitë të fortë, ballore e pa ekuivoke

Petrit Vasili, njeriu që drejtoi LSI-në në kushte dhe rrethana tërësisht të vështira për një parti politike, e cila u vendos në target kryesor të sulmeve të gjithanshme dhe të gjithëllojshme para dhe gjatë zgjedhjeve, dha dje dorëheqjen nga detyra e kryetarit. Përmes një gjesti fisnik, Vasili tregoi një një përgjegjshmëri të lartë politike, duke theksuar domosdoshmërinë e riorganizimit të partisë me përgjegjësinë e re që i ka dhënë populli shqiptar: atë të bërjes së opozitës. Duke vënë në dukje rëndësinë e një lufte ballore opozitare me qeverinë e re, Vasili nënvizoi dy frontet e betejës: atë parlamentare të cilën do e marrë vetë nën drejtim përmes detyrës së kreut të grupit parlamentar dhe atë të kryesimit partiak, për të cilën propozoi Monika Kryemadhin, e cila aktualisht mban postin e zv.kryetares së LSI-së.

Nuk ishin të pakta diskutimet pas propozimit të djeshëm të Vasilit për kryesuesin e ri të partisë, ku shumëkush e cilësoi këtë si një risi pozitive e disa të tjerë e panë me sy kritik. Përkundrejt këtyre mendimeve fillestare,  të cilat padyshim janë në të drejtën e tyre të jenë skeptik apo vlerësues, vlen të rënditen me pak fjalë dhe me shumë fakte,  disa argumente të cilat vënë në dukje se pse përzgjedhja e Kryemadhit në postin e kryetares së LSI-së do jetë një lëvizje e goditur.

Pak histori

Monika Kryemadhi është padyshim një ndër politikanet me karrierë të spikarur në politikën shqiptare. Angazhimi i saj politik ka filluar që në vitin 1991, ku Kryemadhi ishte një nga themeluesit e FRESSH, forumit rinor socialist. Në atë kohë, njerëzit që shkonin drejt PS-së cilësoheshin si “guximtarë pa mend”, pasi PD-ja ishte “trendy” i kohës, forca politike që kishte mbështejen e të gjithë rinisë dhe që kishte me vete shpresat e shumicës së qytetarëve për një “Shqipëri si gjithë Evropa”. Por Kryemadhi, sic edhe Ilir Meta, vendosi të ndiqte rrugën e bindjeve të saj, duke zgjedhur rrugën e vështirë dhe me kthesa dhe jo kthinën e shkurttër e të lehtë. Në janar të vitit 1992, Kryemadhi u zgjodh anëtare e Kryesisë dhe në maj të po atij viti, ajo u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e FRESSH-it ne Kongresin e I dhe II. Ajo mbajti funksionin Presidente e FRESSH deri në prill të vitit 2002. Nga viti 1995 deri 2000 ajo u zgjodh nënkryetare e Socialist International Youth, “IUSY”. Kryemadhi ishte anëtare e Partisë Socialiste nga dhjetori 1991 deri në shtator të vitit 2004. Gjatë kësaj kohe ajo ishte gjithashtu anëtare e Kuvendit të Shqipërisë nga viti 2001 deri 2005, si edhe u zgjodh dy herë në Këshillin Bashkiak të Tiranës për të cilin ajo mbajti edhe postin e Sekretares së Delegacionit të Qeverisë Lokale në Këshillin e Evropës. Në shtator të vitit 2004, Kryemadhi ishte një nga themeluesit e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).

Nga 2004 deri në 2017

Që nga dita e lindjes së LSI-së e deri në zgjedhjet e 25 qershorit, gjithkush brenda kësaj force politike e ka njohur energjinë, vitalitetin, staturën organizative dhe jo pak herë agresivitetin në politikbërje të Monika Kryemadhit. Në kushtet kur Meta gjendej në luftën e egër me dy partitë kryesore, të cilat në 2008 u munduan edhe ta eleminonin LSI-në, Kryemadhi ishte “asi nën mëngë” i kësaj force politike. Puna pas kuintave në LSI, e cila shpehesherë ka rol deciziv për një forcë politike, ka pasur gjithnjë si “regjisore” të saj Monika  Kryemadhin. E megjithatë “Mona”, sic e thërrasin të gjithë në LSI e LRI, gjithnjë ka dashur të qëndrojë larg pushteteve e posteve ekzekutive, duke u angazhuar tërësisht dhe plotësisht në strukturën organizative të partisë. Në asnjë rast në këto 8 vitet e fundit, ku LSI është bërë pjesë e qeverisjes, Kryemadhi nuk ka pasur rol në ekzekutiv apo post tjetër të lartë në rang administrativ. Mos angazhimi në qeveri apo me poste të tjera në gjithë këto vite është një plus i madh për Kryemadhin, në kushtet kur duhet të drejtojë formacionin politik, i cili ka vendosur në qendër të aktivitetit të tij, pas verdiktit të qytetarëve më 25 qershor, opozitën e fortë dhe ballore. Forca qeverisëse do i ketë të pakta argumentat në dyluftimin e saj me kryetaren e pritshme të LSI-së, pasi atë as nuk mund ta akuzojnë si përfituese të pushtetit e as si bashkëndarëse të kolltukut në Këshillin e Ministrave. Krymadhi në këto kushte, ka  dorë të lirë për një opozitë ballore, pa ekuivoke dhe me target të mirëvendosur.

Nga ana tjetër Kryemadhi ka preferuar të qëndrojë fort e lidhur me  “dashuritë e pandashme” të saj, sic i quan  ajo, LSI-në dhe sidomos LRI-në.

Pa më të voglin dyshim, një dorë të fortë në kthimin e LRI-së në forumin më të madh rinor politik në vend, sic është faktuar tashmë përmes pjesëmarrjes së të rinjve në këtë lëvizje rinore politike, ka pasur Monika Kryemadhi. Frymëzimi i Metës, energjia e Kryemadhit dhe padyshim i gjithë “grupi strukturor”, ku përfshihen deputetët, anëtarët dhe baza e kësaj force, që pabesinë e ka armike më të madhe dhe rendjen pas rinisë si angazhim kryesor, kanë qenë arsyet primare se pse rinia ka zgjedhur dhe vazhdon të zgjedhë masivisht të trokasë në dyert e LRI-së.

Po ashtu një tjetër avantazh i Kryemadhit është vetë karakteri i saj, i cili dallohet për enegjinë dhe artikulimin e drejtpërdrejtë, detaje të cilat kanë vlerë madhore në opozitë.  “Mona” ka vërtetuar në këto vite të karrierës së saj politike se nuk përton “ta përplasë në fytyrë”, kur mendon se një çështje apo një diskutim po merr trajtë të kundërt nga ai që duhet të ketë realisht. Përgjatë aktivitetit të saj politik, por edhe brenda partisë, Kryemadhi nuk ka nguruar të shprehë mendimin e saj pa frena, edhe në rastet kur kryetari apo grupi parlamentar mendonte se çështja apo ngjarja në diskutim nuk duhej trajtuar me kaq “vrull”.  Monika Kryemadhi së bashku me Luan Ramën, Petrit Vasilin e Kejdi Mehmetajn, ishin ndër të paktët brenda koalicionit qeverisës që ngritën zërin kundër ligjit për arsimin e lartë, kundër koncensioneve, kundër fenomenit të kanabisit si edhe së fundmi kundër zhvillimit të zgjedhjeve pa opozitën. Për nga formimi i saj, karriera politike dhe vetë karakteri,  Kryemadhi mund të cilësohet aktualisht si përzgjedhja më e mirë që mund të bënte LSI-ja për kryetarin e LSI-së, forcës politike që synon opozitën e flaktë.

Një grua si kryetare

Propozimi për Kryemadhin si kryetare partie, i cili do presë votën e Konventës, përbën ndërkaq një tjetër rast specifikë në politikën shqiptare. Ajo do jetë kryetarja e parë grua e një force politike me peshë të konsiderueshme në vend. Në kushtet kur dy partitë e tjera e kanë konsideruar si tabu gruan dhe femrën në përgjithësi në politikë, LSI ka treguar se ka besim te gjinia femërore. Jo më kot lista e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës u kryesua nga tre femra; Klajda Gjosha, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpcci. Madje kujtojmë se ishte Kryemadhi ajo që më së shumti e cilësoi si të padrejtë dhe tërësisht abuziv në atë kohë gjobën e KQZ-së ndaj LSI-së, pasi kishte vendosur tre femra në listë rradhazi, duke mos respektuar sipas institucionit kryesor zgjedhor, kriterin e gjinisë.

“LSI është parti vlerash dhe nuk i ndan ato në bazë të gjinisë, por të kontributeve. Gjoba duhet ankimuar dhe denoncuar si një akt diskriminimi për punën dhe angazhimin që këto gra e vajza kanë dhënë per LSI…”- theksonte në atë kohë Kryemadhi.

Ndërkohë, LSI duket se do të vazhdojë ti besojë gruas dhe angazhimit të saj në politikë, duke i dhënë këtë herë postin më të lartë të partisë, një femre. Në kushtet kur gara për kryetarin e partisë në dy partitë kryesore ka qenë gjithnjë mashkullore, e madje as nuk është menduar ndonjëherë ndryshe, LSI sërish po thyen tabu, duke vendosur vulën e risisë së rradhës në jetën politike të vendit.

(Standard.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al