Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e varrimit të deputetit, Gjovalin Kadeli

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të deputetit të LSI-së, Gjovalin Kadeli, i ndarë nga jeta pak ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni mortore të zhvilluar në Lezhë dhe të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, z. Ilir Meta shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të Kadelit, duke theksuar se nuk e kishte menduar kurrë më parë një çast si ky dhe një arsye të rëndë si kjo për të ardhur në Lezhë.

“Ka shumë vite që për të ardhur dhe ndaluar në Lezhë, si qytet, si mik, i ftuar, apo si politikan, një arsye e madhe ishte babai dhe biri juaj, miku dhe kolegu ynë i paharruar, Gjovalin Kadeli. Nuk e kishim menduar kurrë se në një ditë si kjo, Gjovalini do të na mblidhte sërish të gjithëve, por nuk do të na dilte të na priste buzagaz si gjithmonë. Duke qenë miku ynë i pazëvendësueshëm, Gjovalini sot na kujton boshllëkun e madh njerëzor që ka lënë për të gjithë”, – tha Kryetari i Kuvendit.

Meta shtoi se nuk e kishte menduar kurrë që ai mik dhe koleg, me atë gjallëri e vitalitet të jashtëzakonshëm, me atë dëshirë dhe dashuri për jetën, do të nisej kaq papritur për t’u ndarë nga gjithë njerëzit që e donin siç i deshte, që e respektonin siç dinte ai t’i respektonte, që u besonte siç edhe ata e besuan për vite të tëra.

“Lajmi se Gjovalini ishte sëmurë, në fillim na tronditi. Por ishim të bindur se ai do ta fitonte atë betejë. Do të fitonte mbi sëmundjen e rëndë, si një betejë të madhe që e bënte në emër të fëmijëve të tij të dashur, të nënës së tij të shtrenjtë, por edhe kujtimit të bashkëshortes së tij. Si një betejë që e bënte në emër të të afërmve, miqve dhe shokëve të panumërt dhe gjithë qytetarëve që i besuan për disa herë rresht votën e do t’i besonin me siguri edhe mandatin tjetër përfaqësues në Kuvend”, – vijoi z. Meta, ndërsa u shpreh ndër të tjera se Gjovalin Kadeli u bë që hershëm dhe menjëherë një ndër njerëzit e shquar, të përkushtuar e të dobishëm të qytetit të tij, e më pas një qytetar i merituar i Tiranës politike, si deputet, si anëtar i Komisionit të Ekonomisë, me kontribut të veçantë në Parlament dhe mbi të gjitha me një lidhje të jashtëzakonshme me qytetarët e tij dhe komunitetin që përfaqësonte.

 

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta

 Të nderuar miq!

Jam shumë i trishtuar të ndaj të njëjtën dhimbje të madhe dhe të pangushëllueshme me ju sot.

Nuk e kisha menduar kurrë më parë një çast si ky dhe një arsye të rëndë si kjo për të ardhur në Lezhë.

Ka shumë vite që për të ardhur dhe ndaluar në Lezhë, si qytet, si mik, i ftuar, apo si politikan, një arsye e madhe ishte babai dhe biri juaj, miku dhe kolegu ynë i paharruar, Gjovalin Kadeli.

Nuk e kishim menduar kurrë se në një ditë si kjo, Gjovalini do të na mblidhte sërish të gjithëve, por nuk do të na dilte të na priste buzagaz si gjithmonë.

Duke qenë miku ynë i pazëvendësueshëm, Gjovalini sot na kujton boshllëkun e madh njerëzor që ka lënë për të gjithë.

Duke qenë gjithmonë i qeshur dhe plot jetë, Gjovalini e bën më të rëndë zinë e sotme në këtë ditë morti.

Duke rendur gjithmonë të ngushëllojë dhembjen e të tjerëve, Gjovalini na bën të ndjejmë edhe më të rëndë dhimbjen për atë vetë.

Nuk e kisha menduar kurrë që ai mik dhe koleg, me atë gjallëri dhe vitalitet të jashtëzakonshëm, me atë dëshirë dhe dashuri për jetën, do të nisej kaq papritur për t’u ndarë nga gjithë njerëzit që e donin siç i deshte, që e respektonin siç dinte ai t’i respektonte, që u besonte siç edhe ata e besuan për vite të tëra.

Lajmi se Gjovalini ishte sëmurë, në fillim na tronditi. Por ishim të bindur se ai do ta fitonte atë betejë. Do të fitonte mbi sëmundjen e rëndë, si një betejë të madhe që e bënte në emër të fëmijëve të tij të dashur, të nënës së tij të shtrenjtë, por edhe kujtimit të bashkëshortes së tij.

Si një betejë që e bënte në emër të të afërmve, miqve dhe shokëve të panumërt dhe gjithë qytetarëve që i besuan për disa herë rresht votën e do t’i besonin me siguri edhe mandatin tjetër përfaqësues në Kuvend.

Gjovalini ishte një njeri i rrallë. Nuk duhej të prisnim këtë ditë ikjeje për të thënë një gjë të tillë, sepse ai e meritoi këtë përgjatë gjithë jetës së tij, që nga detyrat e para që kreu në Lezhë e deri në aktivitetin e tij politik, në të cilin u përfshi menjëherë pas pluralizmit dhe që në fillimet e demokracisë.

Një njeri i iniciativës, i sipërmarrjes dhe i politikës, Gjovalin Kadeli u bë që hershëm dhe menjëherë një ndër njerëzit e shquar, të përkushtuar e të dobishëm të qytetit të tij, e më pas një qytetar i merituar i Tiranës politike, si deputet, si anëtar i Komisionit të Ekonomisë, me kontribut të veçantë në Parlament dhe mbi të gjitha me një lidhje të jashtëzakonshme me qytetarët e tij dhe komunitetin që përfaqësonte.

Fatkeqësisht, sëmundja e rëndë e ndërpreu rrugëtimin e tij në karrierën politike dhe për këtë arsye ai do të na mungojë të gjithëve.

Gjovalin Kadeli do t’u mungojë miqve, por do t’u mungojë edhe kundërshtarëve, që gjithashtu e vlerësonin dhe e respektonin e çmonin dhe e vlerësonin për karakterin e tij të rrallë dhe të fortë burrëror.

Gjovalini do t’u mungojë katër fëmijëve të tij, Ildës dhe Adelës, Iridjanit dhe Adit. Do t’i mungoj nënës Lizë dhe gjithë të afërmve, miqve dhe bashkëqytetarëve të tij.

Edhe në dhimbjet më të thella ka gjithmonë një ngushëllim. Si mik dhe koleg i Gjovalinit, jam i bindur se fëmijët e tij, Adela dhe Ilda, Iridjani dhe Adi do ta mbajnë gjithmonë hapur derën e madhe të Kadelit.

Ata do ta mbajnë të hapur atë derë për shokët, miqtë dhe kolegët dhe që bashkë me ta do ta ruajnë gjithmonë babanë e tyre në kujtesë të qeshur, miqësor dhe të përkushtuar, do ta kujtojnë si vëlla për të vetmuarit, si përkrahje për të pamundurit dhe si një shpresë për të dëshpëruarit.

Secilit prej nesh do i mungojë kjo pikë takimi dhe miqësie në Lezhë.

I përjetshëm kujtimi yt,

I dashur vëlla, i paharruar Gjovalin!

(Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al