Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në inaugurimin e qendrës së grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore në Cërrik

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, mori pjesë në inaugurimin e qendrës së re të grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore në Cërrik. Një projekt i realizuar në bashkëpunim mes Bashkisë së Cërrikut dhe Programit Italo-Shqiptar IADSA.

Të pranishëm ishin edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, Ambasadori italian në Shqipëri, z. Alberto Cutillo, Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, z. Altin Toska, etj.

Pasi u njoh me qendrën e re, që pritet të japë një impakt të menjëhershëm për fermerët e zonës së Sulovës, Mollasit dhe Klosit, Kryetari i Kuvendit u shpreh se ky investim do të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj zone.

“Bashkia e re e Cërrikut ka një avantazh të jashtëzakonshëm për zhvillimin e disa degëve të rëndësishme e në mënyrë të veçantë të bujqësisë dhe agro-përpunimit, industrisë, të turizmit. Jam i sigurt se ky investim që është realizuar e që shumë shpejt do të bëhet operacional do t’i japë një hov zhvillimit të prodhimit bujqësor në të gjitha zonën tuaj. Do të bëjë të mundur që të rriten të ardhurat e familjeve të Sulovës dhe të gjithë Bashkisë së Cërrikut dhe njëkohësisht do të bëjë të mundur që produktet tuaja të njihen akoma më mirë edhe në tregjet ndërkombëtare”, – tha z. Meta, teksa shtoi se garanci për këtë është partneriteti i bashkisë me sipërmarrësit e suksesshëm që garantojnë në një kohë të shpejtë grumbullimin e këtyre prodhimeve dhe njëkohësisht shitjen e tyre.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit shprehu edhe një falënderim të veçantë për Italinë, për ambasadorin Cutillo dhe të gjithë ekipin që ka ndihmuar për këtë projekt, por edhe për projekte të tjera që ndihmojnë komunitetet anembanë vendit jo vetëm këtu në Cërrik.

“Ne duhet të bëjmë që nga kjo qendër të shpërndahet edhe fara e sigurt, edhe fidanet e sigurta për fermerët me garancinë që kur produkti të realizohet do të blihet në këtë qendër në mënyrë që t’i japim fund eksperimenteve, dështimeve që u ndodhin fermerëve tanë, duke marrë ndonjëherë edhe fara të pasigurta apo duke mbjellë edhe produkte jo të përshtatshme e jo me leverdi që kërkon tregu. Kjo është rruga e përftimit maksimal për atë punë, për atë mundim që fermerët tanë i japin bujqësisë dhe në këtë mënyrë do të jetë një kontribut i jashtëzakonshëm për të rritur mirëqenien, jo vetëm të banorëve të kësaj zone, por edhe për rritur ekonominë e Bashkisë së Cërrikut edhe ekonominë tonë kombëtare”, – tha z. Ilir Meta.

Ambasadori italian, z. Alberto Cutillo u shpreh se ky investim është fryt i bashkëpunimit të madh mes Italisë dhe Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në sektorin e bujqësisë.

“Në mënyrë më të përgjithshme për zhvillimin e resurseve natyrore të këtij vendi të bukur, resurse që mund të krijojnë një rritje ekonomike, si për sa i përket bujqësisë dhe turizmit të qëndrueshëm. Janë potenciale të mëdha dhe Shqipëria është duke i shfrytëzuar dhe Italia ndjehet e nderuar që po merr pjesë në këtë proces. Për të pasur një bujqësi me cilësi dhe sasi të rëndësishme, dimensioni i sipërmarrjes mund të ketë limite. Për t’i tejkaluar këto limite është mirë që fermerët të bëhen bashkë dhe së bashku të ofrojnë shërbime, që i bëjnë produktet e tyre më të njohura në botë”, – theksoi z. Cutillo, i cili falënderoi gjithashtu edhe Kryetarin e Kuvendit për vëmendjen me të cilin ndjek raportet mes Shqipërisë dhe Italisë, zhvillimin e këtyre marrëdhënieve në të gjitha sferat.

Ndërsa, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, i shprehu mirënjohjen e tij qeverisë italiane për kontributin e jashtëzakonshëm në mbështetjen e ndërtimit të kësaj qendre të rëndësishme të grumbullimit të prodhimeve bujqësore të zonës.

“Kjo mirënjohje është edhe simbolika dhe treguesi më i mirë i suksesit të bashkëpunimit që kemi pasur me qeverinë italiane në mbështetje të bujqësisë në ato që ne i konsiderojmë avantazhe konkurruese e krahasuese. Ndërtimi i kësaj qendre është perspektiva reale, që u jepet prodhimeve të zonës për t’u lidhur me tregun. Kjo qendër orienton fermerët për t’u përqendruar tek ato kultura bujqësore, që kërkohen nga tregu, për të profilizuar bujqësinë e zonës, për të shkuar në sinkron me atë dokument që Ministria e Bujqësisë e ka ndërtuar që në fillim të mandatit të saj: rajonalizimin e produkteve, kultivimin e atyre prodhimeve për te cilat kjo zone ka avantazhe konkurruese dhe krahasuese”, – tha z. Panariti.

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al