Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në konferencën me temë “Rruga e Shqipërisë drejt BE-së, sfidat dhe perspektivat”

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të Projektit të Binjakëzimit, me financim nga Bashkimi Evropian, “Fuqizimi i mëtejshëm i Kuvendit të Shqipërisë në kontekstin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

Tema e këtij aktiviteti ishte jetë “Rruga e Shqipërisë drejt BE-së, sfidat dhe perspektivat” dhe në të ishin të pranishëm përfaqësues së Parlamentit grek dhe Senatit të Republikës së Italisë, të Kuvendit të Shqipërisë, të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, përfaqësues nga ministritë dhe institucionet e pavarura shtetërore, përfaqësues së trupit diplomatik, të organizatave ndërkombëtare, OJQ dhe media.

Duke marrë fjalën Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta shprehu kënaqësinë për nisjen e këtij projektit të binjakëzimi mes Kuvendit të Shqipërisë në bashkëpunim me Parlamentet e Italisë dhe Greqisë, dy vende tejet të rëndësishme për Shqipërinë dhe avokate të palodhura e të fuqishme të vendit tonë për integrimin evropian.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interes kryesor kombëtar dhe objektiv strategjik i Shqipërisë që në fillim të viteve 1990. Nuk ka asnjë dyshim se vizioni ynë drejt BE, mbështetet në një konsensus të gjerë të klasës politike dhe të gjithë shoqërisë shqiptare sepse integrimi i plotë i Shqipërisë në familjen evropiane, konsiderohet si alternativa e siguritë drejt një demokracie të qëndrueshme, një shoqërie moderne dhe një ekonomie të zhvilluar për qytetarët tanë. Nëse e kthejmë pas vështrimin ndër vite, është e qartë se Shqipëria ka arritur përparime të rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit evropian. Hapi më i fundit substancial u hodh në qershor 2014, kur Këshilli Evropian miratoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, – deklaroi z. Meta.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit theksoi se gjatë këtij procesi të gjatë e plot sfida, e me synim hapjen e bisedimeve për anëtarësim, Kuvendi ka patur dhe ka ende një rol thelbësor.

“Natyrisht që edhe më shumë mund të ishte bërë nëse do të kishim evituar apo moderuar më mirë disa konflikte të panevojshme politike. Puna jonë ka qenë e fokusuar në avancimin e reformave të nevojshme me qëllim adresimin e 5 prioriteteve kyçe të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Një prej angazhimeve më madhore dhe më komplekse ka qenë në kuadër reformimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë. Në 22 Korrik 2016 Kuvendi ynë miratoi me unanimitet amendimet kushtetuese, në kuadër të reformës në drejtësi. Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, kemi punuar për reformimin e kompetencave kryesore të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë duke synuar një sistem drejtësie në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet më të larta ndërkombëtare”, – shtoi z. Meta, teksa u ndal në përparim,et e rëndësishme që ka bërë Kuvendi i Shqipërisë gjatë 4 viteve të fundit në drejtim të përmirësimit të funksionimit të tij në linjë me praktikat më të mira të parlamenteve Evropiane.

“Por jemi të ndërgjegjshëm se një demokraci në zhvillim si kjo e Shqipërisë, ka të domosdoshëm një Parlament edhe më të fortë, edhe mbikëqyrës edhe më profesional. Ndaj shprehim mirënjohjen me Bashkimi Evropian që mbështet këtë projekt binjakëzimi, që do të forcojë më tej kapacitetet e Kuvendit të Shqipërisë në fazat e mëtejshme të integrimit evropian, ku kërkohet më tepër profesionalizëm. Dua të falënderoj Bashkimin Evropian, për financimin e këtij projekti si dhe për asistencën dhe ndihmën e vazhdueshme që i akordon Kuvendit të Shqipërisë dhe institucioneve të tjera përmes projekteve në kuadër të IPA-s, me qëllim forcimin e kapaciteteve të tyre për të përballuar më me sukses sfidat e integrimit”, u shpreh ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta në fjalën e tij.

 

 

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta

Të nderuar kolegë dhe kolege deputet të Kuvendit të Shqipërisë,

Të nderuar kolegë deputet të Parlamenteve të Italisë dhe Greqisë që na nderoni sot me këtë pjesëmarrje,

E nderuar znj. Ministre,

Shkëlqesia ambasador,

Të nderuar përfaqësues të BE në Tiranë,

Doja t’ju shprehja edhe një herë tjetër kënaqësinë time për nisjen e këtij projekti të rëndësishëm binjakëzimi mes Kuvendit të Shqipërisë në bashkëpunim me Parlamentet e Italisë dhe Greqisë, dy vende jashtëzakonisht të rëndësishme për ne dhe mbi të gjitha, jo vetëm fqinje, por avokate të palodhura dhe të fuqishme të Shqipërisë për integrimin evropian.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interes kryesor kombëtar dhe objektiv strategjik i Shqipërisë që në fillim të viteve 1990.

Nuk ka asnjë dyshim se vizioni ynë drejt BE, mbështetet në një konsensus të gjerë të klasës politike dhe të gjithë shoqërisë shqiptare sepse integrimi i plotë i Shqipërisë në familjen evropiane, konsiderohet si alternativa e sigurt drejt një demokracie të qëndrueshme, një shoqërie moderne dhe një ekonomie të zhvilluar për qytetarët tanë.

Nëse e kthejmë pas vështrimin ndër vite, është e qartë se Shqipëria ka arritur përparime të rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Hapi më i fundit substancial u hodh në qershor 2014, kur Këshilli Evropian miratoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjatë këtij procesi të gjatë e plot sfida, e me synim hapjen e bisedimeve për anëtarësim, Kuvendi ka patur dhe ka ende një rol thelbësor. Natyrisht që edhe më shumë mund të ishte bërë nëse do të kishim evituar apo moderuar më mirë disa konflikte të panevojshme politike.

Puna jonë ka qenë e fokusuar në avancimin e reformave të nevojshme me qëllim adresimin e 5 prioriteteve kyçe të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Një prej angazhimeve më madhore dhe më komplekse ka qenë në kuadër reformimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë.

Më 22 korrik 2016, Kuvendi ynë miratoi me unanimitet amendimet kushtetuese, në kuadër të reformës në drejtësi.

Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, kemi punuar për reformimin e kompetencave kryesore të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë duke synuar një sistem drejtësie në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet më të larta ndërkombëtare.

Kjo reformë ka qenë edhe kryefjala e punë dhe angazhimit të Kuvendit gjatë dy viteve të fundit.

Në nëntor të vitit të kaluar Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE në varësi të progresit të besueshëm dhe konkret në zbatimin e reformës së drejtësisë, në veçanti rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting-ut).

Pavarësisht se avancimi më i shpejtë i kësaj reforme u vonua për arsye të mosmarrëveshjeve dhe të krizës së fundme politike që për fat mirë u kapërcye përpara disa ditësh duke hapur kështu rrugët e punës së Kuvendit në kuadër të kësaj reforme, e më konkretisht konstituimit të Komisioneve Ad-Hoc për procesin e vetting-ut.

 

Zonja dhe Zotërinj,

Gjatë 4 viteve të fundit Kuvendi i Shqipërisë ka bërë përparime të rëndësishme në drejtim të përmirësimit të funksionimit të tij në linjë me praktikat më të mira të parlamenteve evropiane.

Por jemi të ndërgjegjshëm se një demokraci në zhvillim si kjo e Shqipërisë, ka të domosdoshëm një Parlament edhe më të fortë, edhe mbikëqyrës edhe më profesional.

Ndaj shprehim mirënjohjen për Bashkimi Evropian, që mbështet këtë projekt binjakëzimi, që do të forcojë më tej kapacitetet e Kuvendit të Shqipërisë në fazat e mëtejshme të integrimit evropian, ku kërkohet më tepër profesionalizëm.

Dua të falënderoj Bashkimin Evropian, për financimin e këtij projekti si dhe për asistencën dhe ndihmën e vazhdueshme që i akordon Kuvendit të Shqipërisë dhe institucioneve të tjera përmes projekteve në kuadër të IPA-s, me qëllim forcimin e kapaciteteve të tyre për të përballuar më me sukses sfidat e integrimit.

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është të përmirësojë funksionet ligjvënëse, administrative dhe mbikëqyrëse të Kuvendit.

Duke patur mbështetjen e Italisë dhe të Greqia, në këtë proces, por edhe në tërësi në gjithë integrimin evropian të vendit, jam i bindur se do të përfitojmë shumë përsa i takon përmirësimit të procedurave legjislative dhe për një proces më të efektshëm të përafrimit të ligjeve tona me ato të BE-së.

Kuvendi ynë ka nevojë të forcojë më tej kapacitetet e mbikëqyrjes parlamentare mbi punën e qeverisë, por edhe institucioneve të pavarura.

Kuvendi ynë duhet të krijojë më tepër pavarësi financiare e buxhetore nga Qeveria, në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

Dhe patjetër, sikurse kemi theksuar edhe më parë, pavarësisht progresit, më shumë punë duhet bërë në drejtim të forcimit të transparencës dhe kapaciteteve administrative të Kuvendit.

Dua të shpreh bindjen e plotë se implementimi me sukses i këtij projekti binjakëzimi do t’i shërbejë adresimit të të gjitha këtyre çështjeve prioritare, dhe jam i bindur se do të jetë një bashkëpunim i suksesshëm që do t’i tregojë frytet e tij përmes rezultateve të prekshme në cilësinë e jetës sonë parlamentare.

Ju falënderoj dhe ju uroj suksese!

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al