Kryetari i LSI-së, Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e projektit për arsimin “Edukim cilësor, familje e shëndetshme”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e projektit për arsimin të LSI-së “Edukim cilësor, familje e shëndetshme”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, kryetari i Komisionit për Arsimin, Inovacionin dhe Shkencën në LSI, Dr. Jorgaq Kaçani, Prof. Shezai Rrokaj, etj.

Në fjalën e mbajtur para të rinjve të shumtë në këtë takim z. Meta tha se debati mbi arsimin po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm pasi ndjejmë ende mangësi serioze të akumuluara përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit dhe për shkak të një fiktiviteti skandaloz në të kaluarën. Kryetari i LSI-së theksoi se janë bërë disa përpjekje të cilat, duhet të kishin qenë më solide dhe më të suksesshme.

“Ligji për arsimin e lartë, që besoj se ishte një ligj me qëllime pozitive dhe i dha një goditje serioze atij arsimi fiktiv, të lartë, që cenonte cilësinë e dijeve, por edhe njëkohësisht të besimit të të rinjve te vlera e diplomës së tyre. Ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk kemi arritur atë sukses që është pritur dhe është kërkuar dhe kjo ka ndodhur, mendoj, për arsye se ne edhe kur i bëjmë ligjet e mira, ende vazhdojmë të çalojmë në zbatimin e tyre. Që tek aktet nënligjore, që te bashkëpunimi deri në zbatim me të gjithë grupet e interesit e kështu me radhë”, – deklaroi z. Meta, duke sjellë në vëmendje faktin  se LSI-ja e ka ngritur këtë shqetësim edhe në debatet gjatë diskutimit të ligjit të arsimit të lartë, edhe përpara se të miratohej në Kuvend, edhe kur është miratuar në Kuvend.

Kryetari i LSI-së tha se çështja e suksesit të një ligji nuk ka të bëjë thjesht me statistikat se sa studentë mbeten të kënaqur apo të pakënaqur dhe se është e rëndësishme që asnjë i ri dhe asnjë e re të mos ndjehet i lënduar në mënyrë të padrejtë nga një reformë.

“Është e rëndësishme që të reflektohen të gjitha ato opinione dhe shqetësime, të cilat janë shprehur nga universitetet, nga studentët, nga grupet e interesit. Do të mbështesja idenë që kemi nevojë për një sistem sa më të integruar, sa më të unifikuar të arsimit, që nga sistemi parashkollor e deri në atë universitar. Padyshim që modeli finlandez është një model mjaft i vlerësuar dhe është më rezultativi. Sigurisht që nuk është e lehtë që një model finlandez ta implementosh në një terren tjetër, por ne jemi të ndërgjegjshëm dhe e dimë që Finlanda, vetëm në sajë të kapërcimit cilësor që bëri përmes sistemit të arsimit, ka arritur të jetë një nga vendet më të zhvilluara të Evropës, në një kohë mjaft të shkurtër pavarësisht nga resurset e kufizuara natyrore që ka”, – vijoi z. Meta.

Duke u ndalur modeli finlandez Kryetari i LSI-sa tha se një prioritet i rëndësishëm është pikërisht arsimi parashkollor, që nuk ka pasur vëmendjen e duhur deri tani.

Vëmendja, angazhimi dhe investimi i shoqërisë dhe i shtetit në mënyrë të veçantë, për të rritur kapacitetet, për të zhvilluar inteligjencën e fëmijëve, që nga çerdhja e deri kur fillon sistemin shkollor. Kjo mendoj që është shumë e rëndësishme dhe është një investim, që shumë shpejt do të jepte rezultatet e tij për një rritje shumë më cilësore të gjithë sistemit tonë arsimor më pas”, – u shpreh ndër të tjera z. Ilir Meta.

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, duke folur për programin e LSI-së për arsimin, theksoi se ai është hartuar mbi bazën e modelit finlandez i cili rezulton edhe më i suksesshmi në vendet e Evropës dhe që garanton një arsimim tepër cilësor për fëmijët.

“Modeli i Finlandës është një model i integruar që fillon nga parashkollori e deri në përfundim të të gjitha studimeve, përfshirë edhe kërkimin shkencor. Është një sistem që përkushtohet te fëmija, një sistem që e bën mësimin praktik dhe që e bën fëmijën të ecë në jetë dhe të ketë rezultate. Është një sistem që do të thotë shkolla me godina të mira, sepse investimi është publik dhe sepse shteti në radhë të parë duhet të investojë te fëmijët. Është një sistem që do të na ndihmojë ne të mos kemi ato rezultate ngelëse dhe të mos kemi mbi 16 mijë studentë që sot duhet të ishin në shkollë dhe janë jashtë bankave të shkollës për shkak se braktisën mësimin. Do të thotë të kemi tekste të kontrolluara të certifikuara, do të thotë të kemi kutikula të integruara. Do të thotë që të ecim me standardin e kohës”, – tha deputetja e LSI-së.

Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi në fjalën e saj theksoi se LRI ka ndërmarrë një fushatë në të gjithë vendin për shqetësimet që kanë lindur nga zbatimin e Ligjit për Arsimin e Lartë e sidomos për Maturën Shtetërore ku të gjitha shqetësimet janë reflektuar në programin e LSI për arsimin.

“LSI është partia e parë në vendin tonë që e ka vendosur arsimin primar. Ne si Lëvizje Socialiste për Integrim por edhe si Lëvizje Rinore për Integrim, kemi ndërmarrë një fushatë për maturën shtetërore ku kemi lëvizur në çdo qytet. Kemi trokitur tek çdo i ri, kemi mbajtur shënim çdo shqetësim të çdo të riu dhe çdo problematikë që ata kanë pasur dhe personalisht jam shumë e lumtur sot që kemi arritur në një projekt ku prania e arsimit cilësor, një projekt i cili zhvillon të rinjtë, një projekt i cili zhvillon fëmijët, një projekt i cili i bën familjet shqiptare dhe familjet tona më të shëndetshme”, – tha kryetarja e LRI-së.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsimin, Inovacionin dhe Shkencën në LSI, Dr. Jorgaq Kaçani tha në fjalën e tij se një arsim cilësor na siguron një të ardhme të garantuar për të rinjtë shqiptarë.

“Një arsim cilësisht i edukuar siguron një Shqipëri dhe një ekonomi plotësisht të garantuar. Pikërisht mbi këtë bazë na sigurohet një familje të qëndrueshme, një e ardhme e sigurt dhe na sigurohet një rini e cila të jetë totalisht e përkushtuar për këtë vend, të jetë e përkushtuar për veten e saj, për familjen dhe për zhvillimin e këtij vendi dhe të mos shikojë për të gjetur fatin jashtë vendit, por pikërisht në Shqipëri”, – u shpreh Jorgaq Kaçani.

 

Fjala e plotë e z. Ilir Meta

 

Sot shpalosim disa prej ideve kryesore tonat për zhvillimin dhe modernizimit të sistemit arsimor në vend. Jam shumë i kënaqur që para disa ditësh isha te shkolla “Kongresi i Lushnjes” ku unë kam filluar klasën e parë dhe pashë një shkollë të paktën në infrastrukturë të niveleve evropiane. Besoj se nuk është e vetmja ashtu sikur jam i bindur që kjo situatë dhe ky nivel nuk është kudo.

Megjithatë debati mbi arsimin po bëhet një debat gjithnjë dhe më i rëndësishëm, për arsye se ne e ndjejmë që kemi ende mangësi të rëndësishme dhe serioze, të akumuluara përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit dhe për shkak të një fiktiviteti skandaloz në të kaluarën dhe janë bërë disa përpjekje të cilat, sigurisht, mund të kishin qenë dhe duhet të kishin qenë më solide dhe më të suksesshme.

Dhe po e nis menjëherë këtu me ligjin për arsimin e lartë, i cili besoj përsëri që ishte një ligj me qëllime pozitive dhe i dha një goditje serioze atij arsimi fiktiv, të lartë, që cenonte cilësinë e dijeve, por edhe njëkohësisht të besimit të të rinjve te vlera e diplomës së tyre. Njëkohësisht ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk kemi arritur atë sukses që është pritur dhe është kërkuar dhe kjo ka ndodhur, mendoj, për arsye se ne edhe kur i bëjmë ligjet e mira, ende vazhdojmë të çalojmë në zbatimin e tyre. Pra që tek aktet nënligjore, që te bashkëpunimi deri në zbatim me të gjithë grupet e interesit e kështu me radhë.

Dhe për koherencë, LSI e ka ngritur këtë shqetësim edhe në debatet gjatë diskutimit të ligjit të arsimit të lartë, edhe përpara se të miratohej në Kuvend, edhe kur është miratuar në Kuvend. Për ne, absolutisht çështja e suksesit të një ligji nuk ka të bëjë thjesht me statistikat se sa studentë mbeten të kënaqur apo të pakënaqur, por për ne është e rëndësishme që, dhe suksesi i një ligji dhe i një reforme, është që asnjë i ri dhe asnjë e re të mos ndjehet i lënduar në mënyrë të padrejtë nga një reformë.

Ndaj, është e rëndësishme që të reflektohen të gjitha ato opinione dhe shqetësime, të cilat janë shprehur edhe nga universitetet, edhe nga studentët, edhe nga grupet e interesit dhe unë besoj që kjo është shumë e rëndësishme.

Do të mbështesja idenë që kemi nevojë për një sistem sa më të integruar, sa më të unifikuar të arsimit, që nga sistemi parashkollor e deri në atë universitar. Padyshim që modeli finlandez është një model mjaft i vlerësuar dhe është më rezultativi. Sigurisht që nuk është e lehtë që një model finlandez ta implementosh në një terren tjetër, por ne jemi të ndërgjegjshëm dhe e dimë që Finlanda, vetëm në sajë të kapërcimit cilësor që bëri përmes sistemit të arsimit, ka arritur të jetë një nga vendet më të zhvilluara të Evropës, në një kohë mjaft të shkurtër pavarësisht nga resurset e kufizuara natyrore që ka.

Dhe në këtë drejtim, besoj që një prioritet i rëndësishëm, që ne nuk ia kemi kushtuar deri tani dhe për arsye, sepse vëmendja kryesore ka qenë te arsimi nëntëvjeçar, apo i mesmi dhe akoma më tepër debatet e viteve të fundit për arsimin e lartë, është pikërisht arsimi parashkollor. Vëmendja, angazhimi dhe investimi i shoqërisë dhe i shtetit në mënyrë të veçantë, për të rritur kapacitetet, për të zhvilluar inteligjencën e fëmijëve, që nga çerdhja e deri kur fillon sistemin shkollor.

Kjo mendoj që është shumë e rëndësishme dhe është një investim, që shumë shpejt do të jepte rezultatet e tij për një rritje shumë më cilësore të gjithë sistemit tonë arsimor më pas. Natyrisht që dua të nënvizoj rëndësinë e përqendrimit drejt një sistemi arsimor që ndihmon fëmijët, ndihmon të rinjtë që të mësojnë dhe jo thjesht të memorizojnë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse memorizmi është një sëmundje, që e vuajmë që nga shkolla e të kaluarës, e modelit lindor. Pra, rritja e kapaciteteve, e aftësive përvetësuese praktike të nxënësit, të studentit, mbetet vendimtare për një përgatitje të suksesshme në tregun e punës, si kur përfundon shkollën e mesme, sidomos arsimin profesional, ashtu edhe kur përfundon shkollën e lartë.

Absolutisht është shumë e rëndësishme për ne, sidomos në kohët e sotme, në kohët e globalizimit, në kohët e teknologjive të reja të investojmë shumë më tepër sa i takon inovacionit dhe kërkimit shkencor që ka qenë një zë pothuajse tërësisht i nënvlerësuar. Sepse jam i bindur që në këtë drejtim Shqiëpria mund të bëhet, edhe për shkak të gjeneratës së re, një qendër shumë e rëndësishme edhe në zhvillimin e “Start-up”-eve, dhe hapjes të vendeve të reja të punës të mirëpaguara, por që kërkojnë padyshim edhe një nivel arsimor, sidomos në fushën e teknologjisë shumë më të avancuar dhe më të shpejtë, dhe të rinjtë tanë janë mjaft të pasionuar pas teknologjisë.

Gjithashtu, zhvillimi i nxënësve, zhvillimi i të rinjve me ndjenjën e mendimit alternativ dhe kritik është vendimtar për të rritur aftësitë e tyre krijuese në të ardhmen dhe në këtë drejtim shkolla jonë është mjaft e rëndësishme që t’i japi një prioritet në të gjithë sistemin arsimor kësaj lirie të zhvillimit të mendimit alternativ,te mendimit kritik nga fëmijët, nga nxënësit dhe nga studentët tanë.

Natyrisht, që sfidat janë shumë të mëdha, janë të jashtëzakonshme, vëmendja për arsimin duket padyshim edhe në mbështetjen, që i jepet këtij sektori prioritar për të gjithë shoqërinë, e për të gjithë kombin edhe nga buxheti i shtetit. Në këtë drejtim padyshim që vendi që duhet të zërë dhe pesha që duhet të zërë arsimi është shumë e lartë, sepse kjo është një peshë e cila do të kthehet shumëfish në të ardhmen në të gjithë ekonominë tonë kombëtare. Natyrisht dua të nënvizoj rëndësinë që Shqipëria, Tirana në mënyrë të veçantë, por edhe qendra të tjera këtu, mund të kthehen me një investim më të mençur dhe duke i kushtuar gjithnjë rëndësi cilësisë së arsimit në qendra rajonale, të paktën për të gjithë shqiptarët e rajonit, por jo vetëm për ata, të kolegjeve, të shkollave të mesme, të universiteteve, në mënyrë që të jetë një tjetër kontribut për rritjen e rolit të vendit tonë, por edhe për rritjen e kontributit që mund të japë zhvillimi i arsimit në të gjithë ekonominë e vendit tonë në të ardhmen.

Mendoj që do të kemi edhe shumë takime dhe tryeza të tjera për të patur një ide dhe një program akoma më konkret. Absolutisht ky është prioriteti kryesor i një shoqërie, që ka besim tek e ardhmja, dhe meqenëse e ardhmja është e plot sfida, vetëm duke u investuar në dije dhe te gjenerata më e re, ne mund të rrisim besimin në forcat tona, se ne do ta fitojmë këtë të ardhme në radhë të parë në interesin tuaj, të të rinjve, të fëmijëve të Shqipërisë që janë gjëja më e rëndësishme në çdo familje shqiptare.

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al