Kryetari i LSI-së, Ilir Meta organizoi një bashkëbisedim me gazetarët

Kryetari i kuvendit, Ilir Meta ka mbajtur ditën e sotme një konferencë ku diskutoi për prioritetet e LSI-së e më tej iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me shkarkimin e ministrit të drejtësisë, Ylli Manjani.
Fjala e plotë e kreut të LSI-së, Ilir Meta

Është kënaqësi të bëjmë një bisedë të parë në këtë fillim viti pak të vonuar, duke marrë në konsideratë disa nga çështjet më të rëndësishme, për të cilat duhen zgjidhje sa më të shpejta, që do të ndikojnë për ecurinë e reformave dhe të vendit, për stabilitetin e tij, por edhe për vetë procesin e pritshëm të çeljes së negociatave për anëtarësim pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian.
Së pari, do të theksoja rëndësinë e përfundimit të reformës zgjedhore, që është çështja më shqetësuese dhe alarmante, që duhet të ishte mbyllur me kohë, për të cilën, edhe unë, si Kryetar i Kuvendit, kam apeluar dhe insistuar në mënyrë të përsëritur.
Për fat të keq, edhe pse jemi gati 26 vjet në demokraci, sërish nuk po shkëputemi dot nga tradita e mosdhënies së konsensusit dhe mirëbesimit të plotë, jo thjesht ndaj njëri-tjetrit si forca politike, por, në radhë të parë, ndaj qytetarëve shqiptarë për t’u garantuar standardet më të larta të zgjedhjeve dhe klimën më konstruktive, në mënyrë që ata të votojnë të qetë për atë alternativë që besojnë se do ta çojë vendin më përpara dhe më mirë.
Sigurisht, çështja e zgjedhjeve është shumë serioze, e cila nuk pret më, dhe në emër të LSI-së, sikurse është konfirmuar më parë edhe nga drejtues të tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ne jemi të gatshëm ditën dhe natën, në çdo moment të mbyllemi diku dhe t’u japim zgjidhje përfundimisht të gjitha rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2013 dhe vitit 2015, por edhe për çështjet e ngritura nga partitë, për çdo kërkesë realiste dhe të mundshme, që garanton transparencën dhe legjitimitetin e padiskutueshëm të zgjedhjeve që do të vijnë. Kjo është çështja më e rëndësishme.
Së dyti, dua të vlerësoj edhe një herë hedhjen e shortit për anëtarët e Komisionit të Emërimeve në Drejtësi, si një proces tepër transparent i fillimit të krijimit të institucioneve të reja. Unë dua të shpreh angazhimin e LSI-së për vazhdimin transparent të zbatimit të kësaj reforme dhe të krijimit të të gjitha institucioneve të reja larg çdo ndikimi jotransparent apo klientelist, të brendshëm apo të huaj, që mund të cenojë deformimin e institucioneve të reja të drejtësisë, besueshmërinë e tyre, por edhe qëllimet e kësaj reforme madhore për vendin për dekadat që do të vijnë.
Në këtë drejtim, është shumë i rëndësishëm zbatimi transparent dhe i paanshëm i kësaj reforme, i krijimit të institucioneve të reja, njëkohësisht edhe miratimi i vëmendshëm dhe i përgjegjshëm i 27 ligjeve të tjera, që janë në proces, në mënyrë që të mos vendosemi para situatave të papritura në të ardhmen për shkak të çdo lloj spontaniteti.
Njëkohësisht, dua të theksoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ka vazhdimi i procesit të dekriminalizimit, si një proces jetik për standardin e zgjedhjeve të ardhshme, si një detyrim i të gjitha forcave politike për të garantuar integritetin e përfaqësuesve që do t’u propozohen qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 18 qershorit dhe jo vetëm të atyre, por në çdo institucion dhe post publik, njëkohësisht edhe si një proces shumë i rëndësishëm, që do t’i japë kredibilitet edhe angazhimit të të gjithë aktorëve për reformën në drejtësi në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.
Natyrisht, është e rëndësishme të mbajnë në vëmendje të jashtëzakonshme këshillimin ekonomik dhe social të vendit, për më tepër kur jemi në marrëdhënie të reja me FMN-në; duhet një punë shumë të rëndësishme që të garantohet edhe më tej besueshmëria e ekonomisë sonë, qëndrueshmëria e saj, përmirësimi i mëtejshëm i parametrave makroekonomikë, përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit, si një domosdoshmëri për një rritje më të madhe ekonomike, por edhe për një përfshirje sa më të madhe sociale, sidomos të shtresave që kanë më shumë nevojë, në drejtim të rritjes së punësimit dhe të vendeve të reja të mirëpaguara të punës, në interes të rinjve tanë.
Në këtë drejtim, LSI-ja shumë shpejt do të fillojë dhe do të institucionalizojë punën për këtë program të ri ekonomik dhe social. Këto ishin disa nga prioritetet e LSI-së.
Tani jam i hapur për pyetje, pasi ju jeni lodhur duke dëgjuar fjalime nga ne, kështu që unë nuk do të lodhem duke dëgjuar pyetje nga ju.

Pyetje nga gazetarët

Meta, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, dje, pas shkarkimit, artikuloi akuza shumë të forta, që flisnin për lidhjet e pushtetit me krimin e organizuar, me korrupsionin. A ishit vënë ju më parë në dijeni nga vetë Manjani për të gjitha këto, që ai i quajti fakte, dhe a i besoni ju ato?

Së dyti, që prej fillimit të koalicionit me z. Rama është parë nga të gjithë si një betejë force midis jush dhe PS-së. Pranimi i kërkesës së z. Rama për të shkarkuar z. Manjani, a ishte në të vërtetë një dorëzim i Ilir Metës përballë tij?

Po e filloj nga dorëzimi.

Ilir Meta, në vitet 2008-2009 dhe LSI-ja, edhe pse forcë shumë e re, kur dy kolegët e mi, z. Rama dhe z. Berisha u bashkuan si asnjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë, për të bërë ndryshimet kushtetuese, të cilat në thelb synonin eliminimin e LSI-së dhe të çdo alternative tjetër politike në vend (dhe aty duhet ta shohim edhe të keqen e vonesave të deritanishme të reformës zgjedhore), Ilir Meta nuk u dorëzua ndaj të dyja partive së bashku, të cilat ishin shumë të mëdha atëherë.

Jo vetëm kaq, por pas 2009-s u bë faktor stabiliteti në vend dhe faktor që Shqipëria të ecte përpara në procesin e integrimit, edhe pse në një koalicion mjaft të vështirë, të paparashikueshëm dhe të padëshirueshëm nga ne para vitit 2009, sepse u përjashtuam nga koalicioni me Partinë Socialiste, për shkak të saj. Nuk e di se si do të kishin shkuar gjërat në Shqipëri nëse LSI-ja nuk do të kishte bërë atë zgjidhje të përgjegjshme dhe të mençur, pavarësisht se jo të gjithëve u ka pëlqyer kjo gjë.

Liberalizimi i vizave ishte një arritje madhore, por të mos harrojmë edhe diçka tjetër, që edhe statusi i vendit kandidat do të ishte marrë gjatë atyre katër vjetëve, në rast se nuk do të ishin bllokuar me kokëfortësi 3 ligjet e integrimit europian të vendit. Kështu që Ilir Meta nuk dorëzohet para asnjë lloj presioni, as nga z. Rama, as nga z. Berisha, nga z. Basha, sigurisht që jo, dhe as nga vetë brenda LSI-së.

Për çështjen e ndryshimit të ministrit, mendoj se LSI-ja ka folur shumë për këtë çështje dje, ka folur 2 herë. Ka folur një herë znj. Erisa Xhixho në orën 12: 30, në mënyrë shumë të qartë dhe pas konferencës për shtyp të ministrit të liruar nga detyra, më duket se ka folur shumë qartë edhe z. Luan Rama, kështu që unë këtu jam për çështje shumë më të rëndësishme se aq.

Unë besoj se është e domosdoshme për të gjithë ne të përqendrohemi në problemet më të rëndësishme që ka vendi, në problemet që kërkojnë zgjidhje dhe të gjithë së bashku të hedhim sa më pak shashka, sepse njerëzit janë të lodhur prej tyre.

Ndërkohë që çdo ministër, çdo ish-ministër, çdo ish-kryeministër, çdo deputet dhe çdo ish-deputet dhe çdo qytetar shqiptar që ka fakte për implikimin e cilitdo zyrtari, politikani apo qytetari me krimin e organizuar, me korrupsionin duhet të ndjekë rrugën e drejtësisë.

Unë kam qenë dhe jam gjithmonë për rrugët institucionale, aq më tepër, kur secili prej nesh përfaqëson një institucion qeveritar, një institucion shtetëror apo një institucion politik dhe publik. Kjo është rruga e zgjidhjes së problemeve, përndryshe vendi do të vazhdojë edhe 26 vjet të tjera me retorika shfajësuese, pa asnjë lloj përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje me gërdufje reciproke, duke mos e konsoliduar shtetin ligjor dhe duke mos pasur nivelin e duhur të ndëshkueshmërisë, sepse tymi e bën të pamundur këtë gjë. Prandaj, unë kam qenë dhe jam për rrugën institucionale në luftimin e të gjitha këtyre fenomeneve negative me të cilat ndeshet vendi dhe shoqëria jonë. Vetëm këto do të forcojnë institucionet e shtetit shqiptar.

Natyrisht, jam për bashkëpunim midis institucioneve, jo për luftë kundër institucioneve, në mënyrë që askush të mos mbajë përgjegjësi. Meritat duan t’i marrin të gjithë, por përgjegjësinë nuk dëshiron ta marrë askush, prandaj kemi edhe këtë situatë jo të duhur dhe shpresoj të përqendrohemi te problemet, te reformat dhe të vëmë para përgjegjësisë ata që nuk duan dhe nuk janë për zgjidhjen e tyre.

Ky është vizioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ky është mesazhi i saj. Kush del jashtë këtij mesazhi institucional, jashtë këtij mesazhi parimor, jashtë këtij mesazhi konstruktiv sigurisht që ka përgjegjësinë e tij.

Meta, ju mendoni se Ylli Manjani ka dalë jashtë këtij mesazhi?

Më duket ua thashë që znj. Xhixho dhe z. Rama kanë folur mjaft për këtë çështje.

A ka pasur momente vështirësie gjatë muajve të fundit në komunikimin mes dy partive më të mëdha të koalicionit? A është rrezikuar në momente të caktuara koalicioni? Duke pasur parasysh se pati një tension të konsiderueshëm të deklaratave në distancë, kam parasysh edhe deklaratat e z. Koka, Ministër i Mjedisit, dhe derisa ishte kjo klimë, pse e vazhdon LSI-ja koalicionin me Partinë Socialiste, sepse duket sikur në momente të caktuara mbizotërojnë më shumë deklaratat publike në distancë sesa fryma e bashkëpunimit të koalicionit?

Sepse fryma e bashkëpunimit të koalicionit nuk është një lajm për ju dhe mediet, aq më tepër nuk është shumë e mirëpritur nga opozita. Kjo është normale dhe e kuptueshme. Unë nuk jam këtu për t’u bërë jehonë qëndrimeve të çdo përfaqësuesi të LSI-së ose PS-së ose të partive të tjera, kjo është një e drejtë e tyre.

Ne jemi një vend demokratik, pavarësisht nga mangësitë që kemi në kulturën politike dhe demokratike, paktet tona, pavarësisht nga problemet që kanë sa i përket nivelit të brendshëm demokratik, pra përbëhen jo vetëm nga forumet, por edhe nga individë dhe individualitete të ndryshme me temperamente të ndryshme.

Unë nuk mendoj se z. Koka nuk ka pasur arsye për të ngritur disa shqetësime, të cilat, me sa jam i informuar, i ka ngritur edhe më parë në rrugë institucionale. Megjithatë, mendoj se këmbëngulja për t’i zgjidhur problemet në rrugë institucionale është e vetmja rrugëzgjidhje pozitive dhe që i shërben jo thjesht çështjeve të mbarëvajtjes së një komisioni, por edhe komunikimit me opinionin publik.

Për sa u takon raporteve të LSI-së me PS-në dhe pse LSI- vazhdon të rrijë në koalicion me PS-në, apo pse LSI-ja nuk del nga koalicioni me PS-në, e kështu me radhë për shkak se qenkan disa probleme, ju them se probleme ka edhe brenda një force politike. Unë nuk dua t’ju lodh kokën me problemet e mia me deputetin Përparim Spahiu, madje as kolegët e mi të Partisë Socialiste nuk janë pa probleme, ose të mos harrojmë që edhe opozita që është në opozitë ka mjaft debate dhe ide të ndryshme. Nuk është kjo detyra ime. Ju thashë se jemi në demokraci, kemi disa forca të ndryshme politike dhe brenda çdo partie kemi edhe individualitete, por për çështjen e koalicionit dëshiroj të jap një përgjigje shteruese.

Çështja e koalicionit me Partinë Socialiste është çështje përgjegjësie, që buron nga detyrimi ynë për koalicion parazgjedhor dhe për votat që kemi marrë në qershor të vitit 2013 për të bashkëqeverisur me Partinë Socialiste, në bazë të një marrëveshjeje dhe të një platforme, marrëveshja e Shkodrës e quaj unë, ju e quani të 1 prillit, puna juaj.

Ajo që mund të them është që LSI-ja, e para dhe e dyta kryetari i LSI-së Ilir Meta, i kanë qëndruar pikë për pikë në germë dhe në frymë kësaj marrëveshjeje dhe kur ka pasur raste që përfaqësues të LSI-së nuk kanë qëndruar në mesazhin e asaj marrëveshjeje, kuptohet që LSI ka reflektuar.

Tani, e di unë, keni një merak tjetër ju. Është një pyetje që e bëni ju patjetër, por që e kam me shumë qejf, “Naimi i reformës në arsim”.

Pse nuk ikën LSI-ja nga qeveria kur LSI-ja ka kaq mospajtime, siç është rasti edhe te zbatimi i reformës në arsim edhe te reforma të tjera? Do t’ju them për Naimin dhe për të gjithë “sorrat” anti-LSI se LSI nuk është një parti klienteliste dhe nuk është shtojca e askujt, as ka qenë, as ka për t’u bërë.

Nëse Partia Demokratike në vitin 2009 do të kishte 71 mandate LSI-ja kurrë nuk do të kishte hyrë në koalicion me Partinë Demokratike. Nëse sot Kryeministri Edi Rama konfirmon 71 mandate në mënyrë legjitime apo jo, se i ka për të qeverisur Shqipërinë, LSI-ja del në opozitë që tani. Nëse më 19 qershor, Edi Rama apo Lulzim Basha konfirmojnë me koalicionet e tyre 71 mandate, LSI-ja do të jetë në opozitë, sepse vendi nuk ka nevojë për një LSI shtojcë të asnjë lloj maxhorance.

Dhe gjithmonë, kur LSI-ja të jetë në opozitë, siç ka qenë në opozitë edhe para vitit 2009, do të votojë gjithmonë çdo ligj që kërkon integrimi europian dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian apo çdo ligj që është detyrim i NATO-s, siç ka bërë gjithmonë, asnjëherë nuk ka vënë kushte, nuk ka sjellë pengesa për proceset integruese të Shqipërisë, edhe kur ka qenë në opozitë, edhe kur ka qenë apo është në maxhorancë.

Tri tabu kam unë si politikan, për të tjerat jam si të doni ju, pragmatist, si të dëshironi ju.

E para, është stabiliteti i Shqipërisë dhe për stabilitetin e Shqipërisë i kundërvihem me forcë çdo force të brendshme, çdo force të huaj që kërkon destabililizimin e Shqipërisë, siç e kam bërë këtë gjë.

E dyta, kam integrimin e Shqipërisë dhe forcimin e dimensionit euroatlantik të Shqipërisë.

E treta, kam stabilitetin e rajonit dhe marrëdhëniet me fqinjët, sepse pa këtë kërcënohet stabiliteti i vendit tonë dhe cenohet integrimi europian i Shqipërisë. Për çështjet e tjera jemi të hapur.

Meta, ju po paralajmëroni me faktin që do të prisni rezultatin e 19 qershorit, se do të dilni vetëm në zgjedhje, nuk do të ketë koalicion parazgjedhor?

Pyetja e dytë. Dje pse ishit te Presidenti? Nuk është një procedurë e zakonshme kjo, që pa u betuar ministri të vizitojë zyrën e kreut të shtetit?

Unë nuk thashë atë që keqkuptuat ju pa dashje, sepse se çfarë koalicioni do të bëjë LSI-ja e vendos LSI-ja. LSI-ja është në një koalicion dhe i qëndron atij koalicioni, për të ardhmen i takon forumit të LSI-së të marrë vendime.

Unë dhashë një përgjigje të qartë për çdo gazetar, edhe për çdo ngatërrestar, që LSI-ja është në qeveri, sepse ndjen detyrim për legjitimitetin e qeverisjes së vendit, pavarësisht nga problemet që ka dhe kërkon t’i përmbushë ato me përgjegjshmëri maksimale, pa qenë e bindur që është një forcë perfekte, por e vendosur për të reflektuar dhe për të përmirësuar vetveten dhe për kontribuar në përmirësimin e qeverisjes së vendit.

LSI-ja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë shtojcë e asnjë force politike dhe e asnjë maxhorance që i ka 71 vota për të qeverisur vendin pa LSI-në, që i ka 71 vota në mënyrë legjitime apo që e merr përgjegjësinë t’i shpall këto vota se i ka edhe në mënyra të tjera, absolutisht. Por ne nuk mund të mbajmë asnjëherë përgjegjësi që për një mospajtim të caktuar, për një debat të caktuar, të çojmë vendin në një vakuum qeverisjeje, legjitimiteti, që mund të cenojë reformat dhe besueshmërinë e vendit. Këtë gjë ne nuk e marrim përsipër.

Në qoftë se dikush tjetër merr përsipër vazhdimin e qeverisë pa LSI-në, ne jemi të hapur për të bërë rolin tonë më të mirë në opozitë dhe gjithmonë pa bllokuar asnjëherë asnjë ligj që i duhet Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian apo për të përmbushur detyrimet ndaj NATO-s. Është shumë shteruese, apo jo?

Unë kam një komunikim shumë të mirë institucional me Presidentin e Republikës, sepse është President i Republikës, dhe jo vetëm kaq, por kam pasur edhe kënaqësinë ta votoj, madje në momentin që u hoq me ligj fotografia e Presidentit, unë e vendosa në zyrën time. Ndërkohë që kur ishte me ligj, nuk ishte në zyrën e Kryetarit të Kuvendit.

Unë shkoj vazhdimisht te Presidenti i Republikës, ato janë takime të vazhdueshme, diskutime dhe konsultime të ndryshme dhe komunikoj me të gjithë institucionin në mënyrën më bashkëpunuese.

Meta, ju thatë që koalicionin do ta vendosin forumet e LSI-së, gjithashtu thatë që po zbatoni në frymë dhe në germë marrëveshjen e Shkodrës, ndërkohë që për marrëveshjen e Shkodrës sanksionon një bashkëpunim 8-vjeçar me Partinë Socialiste. Nuk e di, a do të merret parasysh kjo në forumet tuaja?

Thatë gjithashtu se LSI-ja ka filluar punën për programin ekonomik dhe social për 4-vjeçarin e ardhshëm. Ky program do të jetë i veçuar nga ai i Partisë Socialiste apo do të jetë bashkë?

Besoj se në kohën e duhur, forumet e LSI-së do të japin përgjigjet e duhura. Kishim shumë çështje të tjera më të rëndësishme sot që kërkojnë angazhimin dhe përqendrimin tonë.

Reformën zgjedhore që duhet të kishte përfunduar me kohë, sepse nuk duam që Shqipëria të ketë asnjë problem në zgjedhjet e 18 qershorit, sepse edhe problemi më i vogël në lidhje me zgjedhjet do të thotë probleme me institucionet që nga parlamenti, që nga qeveria e ardhshme, pavarësisht nga përbërja politike e tyre, por deri te vazhdimi i suksesshëm i reformës në drejtësi, dhe akoma më tepër për të ecur më tej drejt çeljes së negociatave për anëtarësimin. Prandaj kjo është shumë e rëndësishme dhe këtu duhet të përqendrohemi.

Së dyti, thashë se dekriminalizimi është një proces që duhet të vazhdojë dhe të ketë rezultate, ndaj partitë duhet të zbatojnë detyrimin dhe të jenë të vëmendshme në paraqitjen e listave për deputetë për zgjedhjet e ardhshme, sepse kjo ka të bëjë me cilësinë e zgjedhjeve dhe me cilësinë e përfaqësimit të qytetarëve shqiptarë dhe ky është një detyrim i të gjitha partive politike. Dekriminalizimi ka të bëjë edhe me vetë demonstrimin e seriozitetit tonë për reformën në drejtësi, sepse njerëz që kanë probleme me ligjin nuk mund të jenë mbështetës të zbatimit të një reforme mjaft të rëndësishme dhe etike për sundimin e ligjit në vendin tonë.

Së treti, që tani duhet të fillojë të koordinohet më mirë puna midis policisë, Shërbimit Informativ dhe gjithë agjencive ligjzbatuese për të parandaluar mbjelljen e kanabisit për sezonin e ardhshëm. Kjo është shumë e rëndësishme, dhe Luan Rama ka plotësisht të drejtë që nuk duhet të shohim më policë duke korrur kanabis, sepse nuk është kjo detyra e tyre. Policia, Shërbimi Informativ dhe të gjitha institucionet e tjera të përfshihen për të parandaluar grupet kriminale për të sjellë farën e kanabisit, aq më tepër që ky është një sezon që përkon me zgjedhjet e ardhshme dhe është mjaft e rëndësishme që të jepet një mesazh i fortë dhe parandalues. Kjo është fuqia e shtetit dhe këtë fuqi shteti duhet ta tregojë me seriozitetin maksimal tani pa u vonuar dhe pa vazhduar akuzat, fajësimet, shfajësimet dhe mburrjet nëpër televizione. Këto duhet të marrin fund.

Prokuroria gjithashtu ka një përgjegjësi të madhe, sepse duhet të çojë përpara të gjitha proceset, jo thjesht për të dënuar punëtorët e hashashit dhe të kanabisit, hallexhinjtë, por ata që kontrollojnë në mënyrë të organizuar sjelljen e farës së kanabisit dhe që realizojnë përfitimet më të mëdha nga ky fenomen kriminal që po dëmton imazhin e vendit. Ky nuk është një fenomen i ri, por është një fenomen që duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë dhe duhet të tregojmë vullnetin dhe seriozitetin tonë për zbatimin e shtetit ligjor në vend.

Meqë jemi te kanabisi, a keni ndonjë vlerësim, z. Meta, qoftë edhe në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, për punën e ministrit të Brendshëm?

Pyetja tjetër lidhet me çështjen e stabilitetit. Ekziston një letër që ju i keni dërguar Presidentit të Republikës, për sa i përket çështjes së Klement Balilit, që, sipas jush, është një çështje që cenon rëndë sigurinë kombëtare. Çfarë mesazhesh keni marrë gjatë vizitës suaj në SHBA? Kjo edhe referuar një deklarate të z. Vasili që keni pasur dhe nxitjen nga autoritetet amerikane për këtë çështje. Dhe tjetra, ku e shihni përgjegjësinë, pse nuk arrestohet Klement Balili?

Lidhur me çështjen e policisë unë kam qenë gjithnjë një përkrahës dhe mbështetës i fortë i Policisë së Shtetit dhe në momentet kur policia është sulmuar nga horra dhe banditë mes bulevardit. Ju e dini shumë mirë këtë gjë.

Kam qenë mbrojtës i flaktë i Policisë së Shtetit edhe kur është sulmuar me armë nga horra dhe banditë të tjerë. I kam dalë për zot gjithmonë në zbatimin e ligjit. Dhe vazhdoj të jem gjithmonë një përkrahës i Policisë së Shtetit, sepse polici është kontakti i parë i shtetit që përballet me krimin, me paligjshmërinë, por edhe me vetë garantimin e të drejtave të qytetarit.

Kështu që ky ka qenë edhe qëndrimi im, ashtu sikurse jam i bindur se të gjithë ata që nuk e meritojnë uniformën e Policisë së Shtetit duhet të ndëshkohen në mënyrë shembullore, siç duhet të ndëshkohen të gjithë të tjerët, politikanë, prokurorë, gjykatës, zyrtarë. Ky është qëndrimi im për Policinë e Shtetit.

Për problemin e stabilitetit dhe çështjen e Klement Balilit, ju besoj keni ndjekur para disa kohësh një shqetësim bërë publik nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara këtu në Tiranë lidhur me mosarrestimin e Klement Balilit, i kërkuar edhe nga agjencitë ligjzbatuese amerikane për trafik. Njëkohësisht dhe pikëpyetjet që ai vendosi publikisht për institucionet e ndryshme shqiptare, duke vënë në pikëpyetje aftësinë dhe vullnetin e tyre, por dhe politikës për të luftuar krimin e organizuar dhe për të qenë partnerë seriozë të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera partnere.

Po kështu gjatë vizitës sime të fundit në SHBA, ku u prita në një takim të veçantë nga Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të drogës, njëkohësisht edhe për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, me të cilin pata një bisedë të shkëlqyer, në vijim të bisedës sonë, para reformës në drejtësi, ai më kërkoi 3 herë me insistim që të punoja për konsensus.

Përveç fjalëve shumë të mira që kam marrë prej tij, për punën shumë të mirë që është bërë për reformën në drejtësi, deri tani më ka dhënë vetëm një shqetësim konkret nga agjencitë amerikane dhe më ka kërkuar që t’u tërheq vëmendjen autoriteteve dhe institucioneve në vendin tonë për mosarrestimin e Klement Balilit si një problem dhe shqetësim edhe midis dy vendeve, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar. Nuk ka vend tjetër përveç Këshillit të Sigurisë Kombëtare sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku mblidhen të gjitha institucionet e vendit, jo vetëm ato qeveritare dhe mund të diskutojmë çështje të mprehta.

Nëse dikush mendon se kjo nuk është një çështje e mprehtë, ndërkohë që është një çështje e bërë publike nga partnerët, është një çështje që nuk e ndihmon reputacionin tonë në drejtim të këtij bashkëpunimi, unë mendoj që nuk e ka drejtë.

Ndaj e kam gjykuar këtë mbledhje si rrugën më të mirë, jo për t’u marrë me gjyqe ndaj asnjë institucioni, por për të kuptuar rëndësinë dhe përgjegjshmërinë e të gjitha institucioneve në funksionimin e tyre në bashkëpunim me njëri-tjetrin në vend dhe në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, aq më tepër kur pas 20 janarit kemi një partner të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Presidentin Donald Trump, i cili ka disa prioritete shumë të qarta, i cili kërkon nga vendet e NATO-s të rrisin kapacitetet e tyre dhe të përmbushin detyrimet e tyre, i cili natyrisht që ka disa prioritete të qarta që kanë të bëjnë me forcimin e kufijve, jo vetëm të vendit të tij, por të vendeve partnere në luftën kundër krimit të organizuar, por njëkohësisht ka prioritet edhe luftën kundër drogës.

Kështu që mendoj se kjo është rruga më e mirë, që në qoftë edhe një rast i vetëm, të nxjerrim mësime se si duhet të punojmë dhe të bashkëpunojmë në të ardhmen, sepse nuk mendoj se partnerët tanë në nivele kaq të larta mund të ngrenë rastësisht apo gabimisht një çështje të tillë që nuk ka të bëjë thjesht me një individ, por ka të bëjë me besueshmërinë e një bashkëpunimi për të ardhmen.

Unë gjeta të përbashkët në shqetësimin tuaj edhe shqetësimin që ngriti dje z. Manjani, i cili e çonte çështjen “Balili” te ministri Tahiri, në fakt, moskapjen e tij, për shkak se i përmendi Interpolin. A ka ndonjë kuptim mbledhja e Këshillit të Sigurimit pas kësaj dëshmie që ka dhënë ish-Ministri Manjani? Mbledhja e Këshillit të Sigurisë është të premten. Nuk e di nëse do të bëhet me z. Manjani apo me z. Vasili, do të jetë ndonjë ministër drejtësie atje, apo jo? Kjo është pyetja e parë.

Unë nuk kam asnjë koment dhe nuk kam asnjë akuzë, sepse nuk jam as prokuror dhe as gjykatës. Unë kam marrë një shqetësim në nivele të larta për t’ia përcjellë autoriteteve të vendit tim. Unë si Kryetar i Kuvendit, si anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk kam gjetur dhe nuk gjej dot në Kushtetutën e Shqipërisë një institucion tjetër përveç Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që i mbledh të gjithë aktorët shtetëror përgjegjës për sigurinë kombëtare.

Dikush tjetër mund të ketë një shqetësim tjetër për një çështje tjetër, mund ta kërkojë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për një çështje tjetër.

Ju pyetën edhe kolegët në fillim fare, a ua ka thënë z. Manjani shqetësimet e tij më herët?

Shqetësimet që unë mund të kem marrë, kam kërkuar që gjithmonë të zgjidhen në rrugë institucionale. Kjo është rruga më e mirë që zgjidh shqetësimet.

Pyetje për koalicionin: ju thatë se LSI-ja nuk do të jetë shtojcë e askujt…

As ka qenë, as është e as do të jetë.

Kjo do të thotë se Ilir Meta pret 19 qershorin, apo pret 2 prillin, për të vendosur se në cilin koalicion do të jetë?

Ilir Meta nuk kushtëzohet nga afate dhe hamendësime që nuk i shërbejnë vendimmarrjes. Isha këtu për të tërhequr vëmendjen për çështjet më të rëndësishme, për të cilat ka nevojë vendi sot. Nuk është shqetësim i shqiptarëve se kur e shpall LSI-ja koalicionin dhe se si po e shpall. Shqetësimi i shqiptarëve është të mos dëgjojë më se u vodh vota, u ble vota, ndërhyri ky këtu, ndërhyri ai atje.

Shqiptarët duan të votojnë në mënyrë të qetë, në mënyrë të lirë, në mënyrë demokratike. Duhet ta kenë mendjen të dëgjojnë se ku dallojnë partitë, çfarë kanë bërë, çfarë s’kanë bërë, çfarë do të bëjnë më mirë.

Ky është shqetësimi i parë, prandaj duhet të përfundojë sa më shpejt reforma zgjedhore. LSI është e gatshme të kyçet në Kuvend dhe kudo tjetër, derisa të japim një zgjidhje sa më të shpejtë, sepse nuk duhet të shkojmë në një situatë, në një atmosferë kontestuese dhe t’i komprometojmë të gjitha, të komprometojmë rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave, të komprometojmë reformën në drejtësi, në një atmosferë konfliktuale, të ndezur e kështu me radhë. Kjo është shumë e rëndësishme, së bashku me shumë çështje të tjera, që duhet të vijojnë normalisht. Çdo ditë që kalon, çdo orë që kalon është një mundësi për të shtuar artificialisht një tension që nuk i duhet më Shqipërisë.

Meta, ju folët për policë që korrin kanabis, ndërkohë që edhe ministrat e tjerë të LSI-së kanë shprehur hapur shqetësimin se droga po përdoret për të blerë vota. Në këto kushte, duket qartë se LSI ka një mosbesim ndaj drejtuesve të rendit. Pyetja ime është: këtë mosbesim e keni personalisht ndaj ministrit të Brendshëm Tahiri, apo ndaj strukturave të tjera përgjegjëse për rendin në Shqipëri?

Pyetja e dytë, një tjetër shqetësim në këtë drejtim e ka shprehur tashmë edhe ministri i ri i Drejtësisë, z. Vasili. I referohem një deklarate të z. Vasili, ku rekomandonte zyrtarët e tjerë të LSI-së, që të bënin kujdes nga policë të ndryshëm, të cilët mund të fusnin drogë në makinë. Pyetja është: si e keni bindur z. Rama, që të pranonte ministër zotin Vasili, sidomos pas një deklarate kaq të fortë, që nuk është përgënjeshtruar nga z. Vasili?

Unë besoj se nuk jam këtu për të komentuar të gjitha lajmet e vërteta, lajmet e pavërteta apo gjysmë të vërteta. Z. Vasili është propozuar në këtë detyrë për shkak, jo vetëm të përvojës së tij shumë të çmuar politike dhe të faktit se i qëndron qartë mesazhit parimor institucional dhe konstruktiv të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por njëkohësisht edhe për shkak të punës së shkëlqyer që ka bërë për ecurinë e suksesshme të reformës në drejtësi, si një anëtar kyç i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Shpresoj shumë se me futjen e tij në qeveri të kemi një bashkëpunim edhe më të mirë institucional brenda qeverisë, si dhe mes qeverisë e Kuvendit, për të parandaluar sa më tepër debatet që ndodhin vazhdimisht edhe për çështje apo ligje të caktuara.

Ju në fakt, flisni për koalicionin me Partinë Socialiste, por nuk jepni një datë se kur do ta vendosni atë….

Unë po pres datën kur do të përfundojë punë Komisioni i Reformës Zgjedhore. Kjo është ajo që u duhet shqiptarëve, kjo është ajo që u duhet ndërkombëtarëve. Datat e tjera presin.

Duke iu referuar atyre çfarë ju keni deklaruar, keni përjashtuar kategorikisht një koalicion me Partinë Demokratike, dhe jeni shprehur hapur për këtë, që nuk do të jeni me Partinë Demokratike në koalicion.

Për të qenë fare të sinqertë, në fakt, nuk e kam përjashtuar unë në mënyrë kategorike koalicionin me Partinë Demokratike. Unë isha në studion e koleges suaj dhe jam habitur dhe kur ajo nxori një sinkron të kryetarit të opozitës, z. Basha, i cili çuditërisht, me mjaft nerv dhe ton të lartë, refuzoi tri herë me një “jo” të fortë koalicionin me LSI-në. Ajo që unë bëra, ishte që shpreha me një ton shumë të qetë konsensus të plotë me z. Basha për mosbërje koalicioni me Partinë Demokratike. Kjo është e vërteta.

Pse nuk keni një përgjigje të qartë edhe për koalicionin me Partinë Socialiste, sepse data 19 prill është afati i fundit. Z. Manjani, në një intervistë ka deklaruar që Partia Socialiste duhet të presë deri atëherë për të marrë një konfirmim nëse do të jetë ose jo në zgjedhje me Partinë Socialiste në koalicionin parazgjedhor…

Ne as kemi vendosur data dhe as nuk presim të na vendosë dikush data. Nëse Partia Socialiste do kishte thënë që nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, unë do të jepja të njëjtin konsensus siç kam bërë me z. Basha. Partia Socialiste nuk e ka bërë këtë gjë. Ne jemi në një proces normal dhe çdo vendim do të jetë i dyanshëm dhe çdo parti është sovrane për vendimin e vet.

Por z. Rama ka bërë një ftesë të hapur për ju që të jeni pjesë e koalicionit. Edhe për këtë nuk i keni kthyer një përgjigje…

Si Studio e Hapur, pra.

Për t’u rikthyer në deklaratat e djeshme, në një konferencë, z. Manjani ka thënë se z. Rama ju ka mbajtur nën presion prej 6 muajsh. Me çfarë ju ka kërcënuar z. Rama këto 6 muaj për të arritur te dorëheqja e z. Manjani?

Të mos flasim për gjëra që na marrin kohë nga gjërat më të rëndësishme, sepse çështjen e presionit, besoj se e sqaruam që në fillim.

Meta, një ndër prioritetet tuaja, ju përmendët tre, ishte edhe stabiliteti i rajonit. Ne pamë që afati për të formuar qeverinë në Maqedoni skadoi dhe atje tani nuk ka një qeveri. Si e komentoni rolin e faktorit shqiptar atje dhe si e parashikoni gjendjen?

Dua të shpreh shqetësimin tim për situatën në Maqedoni, shqetësim që e kam shprehur prej vitesh edhe me partnerët ndërkombëtarë. Maqedonia është sot nyja më delikate e rajonit tonë. Prej disa vitesh, Maqedonia ka vuajtur nga një krizë politike, institucionale, por edhe zgjedhore, për fat të keq. Burimi i kësaj krize, në fakt, ka qenë lufta e ashpër apo konflikti midis dy partive kryesore maqedonase.

Për fat të mirë, zgjedhjet e fundit u pranuan nga të gjitha forcat politike. Kjo është gjë pozitive për Maqedoninë, për ne dhe për të gjithë rajonin tonë, në mënyrë që të mbyllet periudha e kontestimit të zgjedhjeve dhe institucioneve. Kam përshëndetur platformën e forcave politike shqiptare, që është një hap pozitiv, e cila rrit detyrimin e tyre për të bashkëpunuar më shumë me njëra-tjetrën në interes të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe jo thjesht raportit të njërës apo tjetrës forcë politike me pushtetin dhe qeverinë. Është shumë e rëndësishme që ato të vijojnë të bashkëpunojnë akoma më tej për realizimin e kësaj platforme në të ardhmen.

Është shumë e rëndësishme, gjithashtu, që konflikti i deridjeshëm, që ka ardhur kryesisht për shkak të luftës së ashpër me njëra-tjetrën të dy forcave politike maqedonase, të mos transferohet në të ardhmen në një konflikt midis maqedonasve dhe shqiptarëve.

Ndaj, është shumë e rëndësishme që forcat politike shqiptare, duke forcuar dhe duke rritur bashkëpunimin e tyre për të çuar përpara dhe për të realizuar konkretisht dhe jo vetëm në letër këtë platformë, njëkohësisht, me shumë përgjegjshmëri dhe mençuri të jenë një faktor kyç për stabilitetin e Maqedonisë, sepse janë dy elemente shumë të rëndësishme që mund të shkojnë përpara vetëm në mënyrë paralele: stabiliteti i Maqedonisë dhe të drejtat e shqiptarëve, dhe roli i shqiptarëve si faktor jo vetëm për stabilitetin, por edhe për integrimin evropian dhe euroatlantik të këtij vendi fqinj dhe tepër të rëndësishëm për ne dhe për të gjithë rajonin tonë.

Që të mos spekulojmë, ju përmendët 71 mandatet, “nëse e ka Edi Rama sot, unë sot dal në opozitë”. Kjo do të thotë që Edi Rama sot nuk i ka 71 votat, të paktën jo pa ju? A është spekulim ky? E kanë kuptuar mirë, e kanë kuptuar keq, në mënyrë që unë të bëj pyetje?

Sigurisht që pa dashje ju e keni keqkuptuar, sepse t’ju them jeni spekulante, më duket shumë e rëndë. Unë e thashë shumë qartë. Më thoni që dikush konfirmon se ka 71 vota për të qeverisur vendin sot, nesër, pasnesër apo edhe dje, LSI-ja nuk bëhet shtojcë e asnjë maxhorance që ka 71 vota pa LSI-në. Kjo është shumë e qartë, del në opozitë dhe voton çdo gjë që kërkon integrimi evropian dhe përmbushja e detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s. Kjo ishte shumë e qartë.

Luan Rama ka deklaruar mbrëmë në Top Story, i pyetur për marrëveshjen e 1 prillit, se është i mandatuar të thotë se LSI-ja nuk i prish kurrë marrëveshjet që ndërton vetë. A është e gatshme LSI-ja ta përsërisë këtë edhe për zgjedhjet e ardhshme?

Do të më duhet të konsultohem më tej me z. Rama, pra me Luanin, dhe me të gjitha forumet LSI-së për çdo vendim që do të marrë LSI-ja në të ardhmen, në respekt të forumeve të saj dhe në transparencë të plotë me ju.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al