Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi: “13 vite LSI tradita vazhdon”

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, mori pjesë në një aktivitet social të strukturave të LSI-së dhe LRI-së të organizuar me rastin e 13-vjetorit të themelimit të LSI-së. Znj. Kryemadhi së bashku me përfaqësues të LSI-së dhe shumë të rinj e të reja mbollën pemë dhe pastruan një hapësirë publike në zonën e Fushës së Aviacionit, duke dhënë kështu një kontribut edhe për komunitetin.

Duke folur për mediat gjatë këtij aktiviteti, Kryetarja e LSI-së tha se rikujtimi i ditës së themelimit të LSI-së me aktivitete sociale është bërë traditë tashmë dhe se kjo forcë politike qysh në ditët e saj të para të krijimit e deri më ka qenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve.

“LSI u krijua më 6 shtator të 2004-ës si një forcë e re politike që solli risi në jetën politike shqiptare. Solli një ndryshim dhe një angazhim krejtësisht të ndryshëm, jo vetëm të klasës politike, por mbi të gjitha të rinisë shqiptare, sepse kjo forcë politike në thelb dhe në bazë të saj kishte rininë. Pas 13 viteve ne sot e rikujtojmë këtë ditë themelimi me një dashuri të madhe, një përgjegjësi sociale, ndryshe nga të gjithë festat apo përkujtimoret e tjera që bëhen nëpër takime me fjalime apo me trokitje gotash, e morën vendimin ta bëjmë si traditë që pas 10-vjetorit të themelimit të LSI-së në funksion dhe në shërbim të komunitetit. Sepse mendojmë që kjo është më e pakta që mund të bëjë një parti politike për t’iu përkushtuar dhe për të qenë pjesë e shërbimeve publike në ndihmë të qytetarëve”, – u shpreh znj. Kryemadhi, duke theksuar se në këto 13 vite LSI-ja është rritur vazhdimisht si forcë politike, si asnjë parti tjetër në skenën politikë shqiptare.

“U rrit me të mirat e saj, u rrit me të rinjtë, me të rejat, me gratë u rrit me anëtarët e partisë, por mbi të gjitha u rrit me sfida dhe me sakrificat e vështirësitë që ajo kaloi gjatë gjithë kësaj periudhe. Sigurisht që edhe kemi gabuar, por nga këto gabime ne kemi mësuar, jemi rritur dhe jemi forcuar më shumë dhe në pozicionet që ne do të marrim shumë shpejt do të jemi një forcë politike sa më pranë qytetarëve dhe për qytetarët. Sepse misioni ynë dhe misioni i LSI që në themelimin e saj ka qenë që t’u shërbejë qytetarëve dhe të jetë sa më pranë tyre”, – deklaroi Kryetarja e LSI-së.

E pyetur në lidhje me aktualitetin politik dhe rezultatin e dalë nga zgjedhjet e fundit, znj. Kryemadhi deklaroi se votuesit e LSI-së u përballën me një presion të jashtëzakonshëm kriminal, por kjo nuk e dobësoi këtë forcë politike, që njohu sërish rritje.

“Zgjedhjet e 25 qershorit, edhe pse ishin zgjedhje të deformuara, pavarësisht nga ajo çka ne kemi një rezultat në letër, duhet të them se mbi 225 mijë votues të LSI-së kanë qenë heronj, të cilët përballë represionit, jo vetëm kriminal por edhe të një policie të kriminalizuar, ata besuan dhe i qëndruan afër LSI-së, i dhanë votën e tyre për të ecur përpara. Sigurisht që LSI është e vetmja forcë politike që u rrit përballë një presioni të jashtëzakonshëm agresiv dhe kriminal, por përgjegjësia sociale ka qenë motoja e LSI-së qysh në themelimin e saj: në shërbim të qytetarëve”, – tha Kryetarja e LSI-së, duke shtuar se lufta politike në Parlament është shumë e rëndësishme dhe se opozita do të jetë konstruktive dhe me alternativa.

“Grupi parlamentar i LSI-së do të jetë jashtëzakonisht aktiv me iniciativa me nisma ligjore që do të jenë jo vetëm në shërbim të qytetarëve, por do t’i shërbejnë dhe qeverisë shqiptare, e cila me skemën e re të paraqitur nga Kryeministri, kemi një qeveri të vogël dhe jemi të bindur që do të ketë një korrupsion të madh. Lufta e LSI-së do të jetë jo vetëm frontale, por edhe konstruktive në parlament me alternativat e saj, jo vetëm duke evidentuar problematikat, por duke ofruar edhe zgjidhje për problemet. Shqiptarët janë të lodhur nga konflikti, janë lodhur nga lufta ambicioze dhe egoiste e klasës politike. Shqiptarët duan një jetë më të mirë, duan të zhvillojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në Shqipëri, duan të kenë një Shqipëri evropiane, një Shqipëri të integruar ndonëse qeveria e ardhshme e ka hequr si nocion integrimin evropian. Ne shpresojmë që të gjithë deputetët e PS-së shumë shpejt të ndërgjegjësohen se Shqipëria vjen e para, pastaj qeveria dhe Kryeministri”, – u shpreh ndër të tjera Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Burimi: (integrimi.al/G.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al