Një kualifikim me goleadë për Interin në çerekfinale të Kupës së Italisë.

Skuadra zikaltër e ktheu në stërvitore përballjen me Beneventon në “San Siro”, që shërbeu edhe si kolaudim për takimin e fundjavës së ardhshme në Serinë A.

6-2 përfundoi ky takim, të cilit Interi i dha drejtimin e duhur ende pa u nxehur muskujt.

Mauro Icardi realizoi me 11-metërsh që në minutën e 3-të, ndërsa Candreva i çoi në 2-0 shifrat 4 minuta më vonë.

Në kohën shtesë të pjesës së parë realizoi të tretin Dalbert.

Lautaro Martinez shënoi dy gola të njëpasnjëshëm në fillim të pjesës së dytë dhe mes finalizimeve të tij Roberto Insigne realizoi një gol me vlerë statistikore për Beneventon.

Bandinelli i çoi përkohësisht në 5-2 shifrat, ndërsa në shtesë Candreva sigloi të dytin personal dhe atë të rezultatit përfundimtar 6-2.

Në fazën çerekfinale Interit i rezervohet një kundërshtar shumë i vështirë si Lazio.