Policia britanike ka zbuluar detaje nga sulmi terrorist që la në Londër 2 të vrarë dhe 3 të plagosur me thikë.

Autori është 28-vjeçari, Usman Khan, i cili u qëllua për vdekje të premten nga forcat e rendit. Khan mësohet se ishte liruar nga burgu dhjetorin e kaluar dhe mbahej nën monitorim elektronik.

Ai ishte dënuar në vitin 2012 për planifikim sulmi me bombë në bursën e Londrës dhe për ngritjen e një kampi xhihadistësh në Pakistan. Ekstremisti ishte pjesë e grupit me 9 persona që vepronin në urdhrat e “Al-Kaedës”.

Kryeministri, Boris Johnson theksoi se politika e lirimit para kohe të terroristëve duhet rishikuar.

Prej kohësh besoj se është e gabuar që t’i nxjerrim shpejt nga burgu kriminelët e rrezikshëm dhe të dhunshëm. Duhet ta lëmë këtë zakon dhe të zbatojmë dënimet e duhura, sidomos për terroristët. Këtë e pret edhe publiku,” tha Jonhson pas takimit me organet e sigurisë kombëtare.

Sulmi i të premtes u regjistrua rreth orës 2 të mesditës përgjatë urës së Londrës. Autori 28-vjeçar po merrte pjesë në një event universitar mbi kriminologjinë, kur nxori dy thika dhe nisi të godasë për vdekje të pranishmit.

Rëndimi i bilancit tragjik arriti të shmangej me ndërhyrjen e disa qytetarëve dhe të policisë. Ndërkohë në mbrëmje, një tjetër sulm me thikë u raportua kryeqytetin holandez në Hagë. Autori është shpallur në kërkim për plagosjen e tre të rinjve, por sulmi nuk është cilësuar ende terrorist.