Luan Rama i përgjigjet Fugës: Është prishur kontrata e besimit me arsimin e lartë!

Deputeti i LSI-së, z. Luan Rama me anë të një shkrimi drejtuar botuesit të gazetës “Tema”, z. Mero Baze i ka kthyer përgjigje akademikut Artan Fuga dhe ka shpjeguar edhe njëherë qëndrimin e tij kundër “Ligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Universitete”, të shpallur në sallën e Kuvendit.

Gazeta “Tema” ka publikuar përsëri fjalën e z. Luan Rama. Më poshtë keni shkrimin e plotë:

I nderuar zoti Mero Baze, 
Në cilësinë e botuesit të “Temës”, pa dashur aspak të sjell në faqet e saj pjesën e shëmtuar të zënkave e sherreve banale, por në respekt të diversitetit të mendimeve e larmisë së qëndrimeve që nuk mund të jenë njesoj dhe as e marrin vlerën prej titujve e ofiqeve të marra diku me meritë e më shumë prej flirtve me zyrat e pushtetit të atyre që zgjedhin të bëhen protagonistë; meqenëse Artan Fuga, njëri prej akademikëve të emëruar prej Sali Berishës e jo i zgjedhur me votim të fshehtë prej trupës akademike siç e kërkon rregullorja e Akademisë është rrekur të polemizojë me mua në lidhje me një opinion timin për heshtjen e të gjithëve, edhe te qeverise, edhe te opozites në 45-vjetorin e themelimit te Akademise, për të mos ushqyer një polemikë shterpë që nuk i vlen askujt e aq më pak Akademisë e reformimit të saj, por edhe ne respekt të emrit të nderuar të Myqerem Fugës me të cilin edhe personalisht kam patur një marrëdhënie shumë kofidente, po ju dërgoj të ribotoni qëndrimin tim kundër “Ligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Universitete”, të shpallur në sallën e Kuvendit.
 
Për asgjë tjetër, po vetëm për koherencë më lejoni t’ju sjell në vëmendje ju dhe lexuesve tuaj se në atë kohë partia ku unë bëj pjesë ishte në përbërje të maxhorancës qeverisëse, ç’ka as më imponoi e as më kompleksoi të shpallem kundër atij ligji.
 
Shpresoj paskëtaj që zoti Fuga të paktën të tërheqë akuzën që bën ndaj meje teksa më grupon me ata që kanë qenë pro ligjit të sipërcituar.
 
Ndërsa, lidhur me Akademinë, pavarësisht se çfarë mendoj unë pa tituj e grada shkencore apo akademiku Fuga, asgjë nuk ka ndryshuar në cilësimin e Kryeministrit për Akademinë si agjensi funerali që përcjen të vdekurit! Ky është problemi!…
 
Duke ju falenderuar paraprakisht për mirëkuptimin, po ju dërgoj të plotë diskutimin tim në Kuvendin e Shqipërisë.
Luan Rama
 
Diskutimi i deputetit Luan Rama për “Ligjin për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Universitete”
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, zonja ministre, kolegë deputetë.
Të nderuar studentë, pedagogë, profesorë, punonjës shkencorë të këtij vendi.
 
Do të duhej që në fakt diskutimi i sotëm të kishte në fokus tërësinë e reformës në sistemin arsimor, pasi arsimi i lartë është vetëm një hallkë, padyshim shumë e rëndësishme, e tërësisë së këtij sistemi, ashtu sikundër do të duhej të kishim një paketë të plotë me disa ligje që përfshin jo vetëm sistemin arsimor prej edukimit parashkollor, por edhe çfarë do të bëhet me veprimtarinë dhe kërkimin shkencor në këtë vend. Ashtu sikundër ua theksoj që një ligj, në cilëndo fushë, por sidomos këtë që ka të bëjë me arsimin, nuk miratohet për të na treguar se deri ku ka shkuar e keqja, por për të na projektuar se deri ku do të shkojë e mira. Ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në universitete është në qendër të debateve që prej dy vjetësh. Hartimi i projekt-ligjit u parapri me një varg masash administrative për disiplinimin formal të veprimtarisë universitare, që përfshijnë ndalimin e institucioneve arsimore të palicensuara, ndërprerjen e specialiteteve dhe të programeve të pa akredituar, përgjithësisht filtrimin e diplomave që lëshohen në sistemin arsimor në Shqipëri. Në tërësi këto masa patën për qëllim mbrojtjen e veprimtarisë universitare prej informalitetit dhe nxjerrjen e saj nga anarkia. Këto masa, megjithëse penalizuan një varg institucionesh të arsimit të lartë, janë mirëpritur, pavarësisht karakterit të tyre ndalues. Sikurse dihet, kjo vënie rregulli, megjithëse u shoqërua me pezullimin e përkohshëm tërësor të dy shkallëve të formimit universitar, së paku në arsimin publik, të shkallës master e doktoraturë, pati në përgjithësi efekte pozitive dhe vetë subjektet e ligjit u pajtuan në heshtje me të. Këto masa kanë pasur një efekt pozitiv, por nuk e kanë zgjidhur problemin.
 
Sistemi arsimor në Shqipëri është edhe sot i deformuar rëndë. Janë komprometuar në thelbin e tyre gjërat më të rëndësishme të veprimtarisë universitare. Anarkia dhe vullnetarizmi kanë prekur jo vetëm arsimin e lartë privat, por dhe atë publik. Është prishur kontrata e besimit për programet, për profesoratin, për notën, për gradat dhe titujt shkencorë. Sot numri i atyre që diplomohen është dhjetëra herë më e lartë se dikur. Praktikisht të gjithë ata që duan të shkojnë në universitete, shkojnë pa ndonjë filtrim. Ky masivizim i universiteteve nuk është shoqëruar me mbrojtjen e garancive të formimit të brezave të rinj. Njerëzit po arkivojnë diploma njëra pas tjetrës për të dalë në tregun e punës, por tregu i punës është i pakënaqur me ta. Sepse pedagogu shet notën, administratori shet diplomën, universiteti privat licencon e akrediton vetveten dhe kështu është shkelur parimi themelor rregullues i jetës universitare, karakteri unik i arsimit kombëtar. Kjo gjendje është e padurueshme dhe kërkon zgjidhje ligjore të menjëhershme. Prandaj dhe unë e përshëndes nismën e marrë nga qeveria sado që ajo është e pjesshme për të miratuar Ligjin për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në universitete. Nuk mund të vazhdohet më me një sistem arsimor të shthurur dhe të dyshimtë fund e krye. Gjendja është e tillë që e bën të detyrueshme vënien dorë përmes ligjit.
 
Kush i ka ndjekur debatet paraprirëse për projekt-ligjin, e di mirë se kundërshtimet ndaj tij kanë ardhur në vijimësi nga brenda institucionit ligjvënës, pra nga Parlamenti, nga shumica dhe nga pakica; po aq sa dhe nga profesorati e përgjithësisht trupat mësimore-akademike të universiteteve. Është për t’u vënë në pah se kundërshtimet dhe qortimet kanë ardhur kryesisht nga institucionet e arsimit publik. Kurse prej universiteteve jopublike nuk ka pasur asnjë kundërshtim. Dhe kjo nuk ndodhi në fazën fillestare, kur u morën masat kufizuese administrative mbi ushtrimin e veprimtarisë universitare. Fakti që universitetet jopublike kanë qenë jo pjesëmarrëse në debat nënkupton se ligji i ri për arsimin e lartë u shkon sipas interesit, ndërkohë që universitetet publike duken krejt të pakënaqur. Dihet se pakënaqësia e tyre është shprehur përmes reagimeve të panumërta në shtyp, përmes peticioneve dhe formave të tjera. Sa është përfillur reagimi i institucioneve subjekt të ligjit? Fakti që tri herë ky projekt-ligj ka ndërruar edhe titullin, pa hyrë më në thellësi, na jep të kuptojmë se një zonë ndërkomunikimi ka funksionuar. Se në ç’thellësi është dëgjuar zëri i profesoratit, kjo nuk është e qartë as për ne sot që po diskutojmë, sepse asnjëherë nuk na është paraqitur një vështrim krahasues midis kërkesave dhe propozimeve nga njëra anë dhe reflektimeve në ligj nga ana tjetër. Më ka bërë përshtypje se gjatë procesit të diskutimit Karta e Bolonjës si një dokument referencial për rregullimin ligjor evropian të veprimtarisë universitare, nuk është përmendur as nga hartuesit e ligjit, as nga kundërshtuesit e tyre. Kjo është një pikëpyetje e madhe. Nëse sistemi arsimor në Shqipëri do të funksionojë kështu, duke mitizuar një dokument një herë në pesë vjet, e ardhmja e tij do të jetë rastësore, ndërkohë që dihet se universitetet janë nga vetë karakteri i tyre institucione konservative. Shkolla nuk ndjek modën. Natyrisht që projekt-ligji shënjon disa progrese dhe ofron mundësi për reformim. Është një përpjekje për t’u vlerësuar për krijimin e një sistemi unik arsimor edhe në nivelin universitar, siç është në traditën e vendit dhe në të drejtën kushtetuese; për të krijuar kushte juridike për konkurrencë dhe për të mbrojtur vlefshmërinë e diplomave, gradave dhe titujve shkencorë. Nga ana tjetër, nuk mund të jemi indiferentë ndaj disa vërejtjeve themelore që i janë projekt-ligjit dhe që, për çudi, nuk kanë të bëjnë me konceptin e sotëm shtetëror për arsimin e lartë, por me raportet e institucioneve arsimore me buxhetin e shtetit dhe me njëri-tjetrin, pra, me administrimin e arsimit dhe jo me standardet e tij.
 
E ndiej të nevojshme të ndaj me ju një shqetësim shumë të rëndësishëm që ka lidhje me projekt-ligjin dhe që duhet të miratojmë sot. Siç e dini, në krye të herës projekt-ligji titullohej “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”. Në gjendjen përfundimtare titullohet “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në universitete”. Këtu nuk kemi të bëjmë me një ndërrim emri, por me një ngushtim të qartë të fushës së veprimit. Praktikisht, me miratimin e këtij projekt-ligji dhe me abrogimin e ligjit të vjetër nuk ka më mbulesë ligjore për kërkimin shkencor në institucione që funksionojnë për të, si Akademia e Shkencave dhe Qendra e Studimeve Albanologjike. Kjo e fundit, deri sot, e zhvillonte veprimtarinë e saj brenda ligjit ekzistues të arsimit të lartë. Por, me miratimin e ligjit të ri, në të cilin nuk ka asnjë referencë për të, ky institucion formalisht do të rezultojë i paligjshëm, deri sa të ketë një zgjidhje tjetër juridike, për të cilën është thënë gjatë debatit se do të vijë, por që praktikisht nuk ka ende asnjë hap konkret për të. Kjo e rrezikon shumë statusin e Studimeve Albanologjike, ashtu siç rrezikon dhe statusin e Akademisë së Shkencave, e cila, megjithatë, një statut të brendshëm gjithsesi e ka. Është arbitrare kjo sjellje nga hartuesit e ligjit. Nuk mund të lihet një institucion kombëtar dhe unikal si Qendra e Studimeve Albanologjike pa çati ligjore, qoftë dhe përkohësisht. Është thënë se po përgatitet një ligj për shkencën, dhe do të ishte mirë të kishim një ligj të tillë, por ai ligj duhej të ishte tashmë në procedurë për miratim, pjesë përbërëse e së njëjtës paketë, paralelisht me ligjin për arsimin e lartë. Nuk mund t’ia lëmë rastësisë fatin e institucioneve që kanë të bëjnë me shkencat e identitetit, siç janë shkencat albanologjike. Le të kujtojmë këtu se konkurrenca në mendimin shkencor albanologjik është shtuar jashtëzakonisht, jo vetëm në qendrat tradicionale të albanologjisë, si Gjermania, Austria, Italia, Franca; por dhe në shtete të tjera si Rusia, Polonia, Kroacia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Turqia, deri dhe Kina e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Numri i katedrave të albanologjisë po shtohet dhe i albanologëve gjithashtu. Dy vjet më parë katedra e albanologjisë në Universitetin e Beogradit festoi 50-vjetorin e saj me një konferencë shkencore ndërkombëtare albanologjike me pjesëmarrje nga të gjitha këto qendra, me përjashtim të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo katedër ka gati trefishin e numrit të punonjësve shkencorë më shumë krahasuar me qendrën e studimeve albanologjike në Tiranë. Në kushtet për fatin e mirë të albanologjisë rrethi i studiuesve të saj në botë po zgjerohet; në kushtet kur botimet dhe konferencat shkencore për çështje themelore të saj janë shtuar dukshëm; po dhe në kushtet kur paradigma tradicionale e albanologjisë është tronditur, lënia e institucioneve të kërkimit elitar të saj në Shqipëri, qoftë dhe, siç thashë, për një farë kohe, pa mbulesë dhe mbrojtje ligjore është një pabesi e madhe ndaj shkencës kombëtare.
 
Dy janë çështjet më të debatueshme ku dua të ndalem: ku do të shkojë buxheti shtetëror për arsimin dhe kush do ta kontrollojë zbatimin e këtij buxheti. Në diskutimet publike të dyja këto çështje janë parë si rreziqe që mund të cenojnë autonominë akademike-universitare. Kështu i kanë parë dhe universitetet vetë. Unë do ta pyetjen: a po bëjmë me këtë ligj padrejtësi ekonomike? Projekt-ligji e njeh të drejtën universiteteve private të përfitojnë nga buxheti publik nëse shndërrohen formalisht në subjekte jofitimprurëse, pra, nëse raportojnë një bilanc negativ, sipas parimit ku shkon studenti shkon buxheti. Barazia e shtetit me privatin është një parim themelor në një shtet ideal të së drejtës, që është dhe synimi i Evropës së Bashkuar. Në këtë kuptim, nëse dhe kjo pjesë e projektligjit bën pjesë në ato që zakonisht argumentohen thjesht kështu na e kërkon Evropa, është mirë të thuhet publikisht. Ne të gjithë e dimë se në legjislacionin tonë ka herë pas here nisma të tilla, që përmbajnë edhe propagandë dhe që hartohen për hatër të Evropës. Në anën tjetër, tabloja parashihet e rrezikshme, sepse ligji tenton një gjendje ideale, kundrejt një realiteti aspak garantues. Dalin një mori pyetjesh: Si do të garantohet që institucionet e arsimit jopublik të raportojnë balance të vërteta e të besueshme financiare, në kushtet kur edhe në veprimtaritë ekonomike e tregtare, ku mundësitë e fshehjes së të dhënave janë më të vogla, bilancet e dyfishta vazhdojnë të jenë dukuri e zakonshme? Nga përgjigjja e kësaj pyetjeje varet më tej dhe garancia nëse buxheti shtetëror do të shkojë tek institucioni i merituar apo tek ai i falsifikuar. Dhe kështu, nga diplomat false do të biem tek bilancet false, dhe prej këndej në padrejtësi ekonomike. Sot për sot, dihet mirë se veprimtaria universitare jopublike është mirëfilli vetëm biznes, domethënë çështje fitimi. Kush ka themeluar në Shqipëri universitet për qëllime iluministe, për ideal shkencor apo për filantropi? Askush. Parë në këtë vështrim, Kryeministri është i inkurajuar të pohojë se universitetet jopublike nuk do të jenë përfitues të buxhetit shtetëror. Por çfarë do të ndodhë kur shumica e universiteteve të sotme private të na dalin me bilance institucione që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre për bamirësi dhe pa fitim? Atëherë do të gjendemi para një problemi të madh. Unë mendoj se projektligji ynë nuk bën keq të mendojë dhe për atë që ka mundësi të paguajë doktoratën deri në 10 mijë euro, por kjo është e fundmja gjë për të cilën duhet të mendojë. Më së pari duhet të zgjidhë problemin e atij që e nis fëmijën në universitet me 10 mijë lekë të reja në muaj. Dhe kush mund t’ia japë mundësinë e shkollimit kësaj shtrese përveç universitetit publik? Na duhet të mendojmë seriozisht për këtë pikë, që garantët e shkollimit të atyre që rrojnë me pensione e paga modeste do të jenë dhe në të ardhmen universitetet publike. Shteti e ka për detyrë këtë. Pasi të ketë plotësuar këtë detyrë, do të kemi luksin të mendojmë si të mbështetet rrjeti i universiteteve private-publike dhe partneriteti mes tyre. Kam mendimin se duhet të ruhemi prej termave të dyfishtë dhe evazivë, sepse do të na hapin ndërlikime të mëdha në të ardhmen. Dhe duhet të jemi seriozisht të shqetësuar që universitetet publike gjithë vëmendjen e tyre kritike e kanë përqendruar jo tek aspektet profesional i arsimit të lartë në ligj, jo tek sistemi arsimor universitar si i tillë, por tek çështjet e administrimit të buxhetit për arsimin dhe vetëm tek ato, që janë jo të pakta, por unë u ndala vetëm tek njëri prej tyre, tek raporti midis universiteteve publike dhe atyre jopublike, tek pjesëmarrja e privatit agjent në arsim në rishpërndarjen e të ardhurave që krijon shteti prej taksapaguesve. Shteti, përmes politikave buxhetore, ka përgjegjësi edhe për mbrojtjen dhe rregullimin e konkurrencës brenda për brenda arsimit publik, jo vetëm midis arsimit publik dhe atij privat.
 
Unë përmenda në fillim se disa prej masave reformuese që i kanë paraprirë projektligjit kanë qenë të efektshme, sepse kanë kufizuar paligjshmërinë në këtë veprimtari dhe po u kthejnë autoritetin diplomave të arsimimit dhe të profesionalizimit. Por, ne po shohim ndërkaq që në sytë tanë po ndodh humbja e perspektivës për disa institucione të arsimit të lartë, që kanë traditë të gjatë universitare dhe janë pika reference për arsimin në Shqipëri. Duhet të shqetësohemi seriozisht që Universiteti i Gjirokastrës, që mban emrin e gjuhëtarit më të njohur shqiptar Eqrem Çabej, po shkon drejt pakësimit absolut të numrit të pranimeve, gjë që e ka errësuar shumë perspektivën e tij. Nuk është argument siç është thënë, prej specialistëve të ministrisë, se kjo lidhet me pakësimin absolut të popullsisë banuese në Gjirokastër e në rrethina. Kjo nuk është as gjysma e së vërtetës. Nuk mund të bëjmë sikur nuk e dimë, që ministria vitin e kaluar mbylli atje disa programe, duke përfshirë specialitetin e turizmit dhe disa degë të gjuhëve të huaja; nuk mund të bëjmë sikur s’e dimë që po ministria inkurajon me kuota rivalizuese për të njëjtat degë filialin e Universitetit të Tiranës diku aty pranë; nuk mund të bëjmë sikur nuk e dimë, po ashtu, që Universiteti i Gjirokastrës është i vetmi që ka një katedër të gjuhës greke në Shqipëri dhe kjo i njeh atij një rëndësi edhe gjeopolitike. Të gjitha këto janë për t’u menduar edhe për Universitetin e Shkodrës, edhe për të Elbasanit, edhe për të Korçës, për të përmendur vetëm universitetet me më shumë se një gjysmë shekulli jetë e veprimtari në Shqipëri. Këto janë çështje për t’u rimenduar e rivendosur jo vetëm me masa vepruese nga ana e ministrisë, por dhe me zgjidhje ligjore që duhet t’i paraprijnë çeljes së punimeve të sesionit të ardhshëm në vjeshtë. Në vitin 2008, qeveria Sarkozy me propozim të Ministrisë së Arsimit franceze tentoi rritjen e tarifave të shkollimit, në universitetet publike në emër të barazisë me universitetet private. Megjithëse ligji do të hynte në fuqi pas tri vitesh nga miratimi, studentët u ngritën në protestë dhe ligji nuk u miratua. Megjithëse brezi i regjistruar i atyre studentëve nuk prekej nga ligji sepse ishin përjashtuar që ligji të kishte efekt ndaj tyre, ai ligj nuk u miratua dhe ai ligj nuk është as sot në Francë.
Burimi: (integrimi.al/T.I)
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al