Luan Rama: Jam i bindur që qarku i Durrësit do të votojë që të fitojë qytetaria

Deklarata për median e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama nga Durrësi

Incidentet meritojnë jo vetëm ndëshkimin ligjor për të cilat ne kemi bërë të gjitha denoncimet, por më drejtpërdrejtë dhe ndëshkimi i qytetarëve me votën që ata po japin me shumë përgjegjshmëri. Durrësi, qytetaria e Durrësit por jo vetëm kaq e gjithë kjo hapësirë, edhe Shijaku gjithashtu, Kruja dhe çfarë përmban qarkun i Durrësit, jam i bindur që do të votojnë që të fitojë qytetaria. Kjo është e rëndësishme.

PS-LSI ka pasur përplasje të forta gjatë ditës, përse këto përplasje?

S’kemi pasur asnjë përplasje me PS. Edhe njëherë dua ta theksoj. Lëvizja Socialiste për Integrim është në bashkëpunim të plotë me bazën, anëtarët e militantët e ndershëm të Partisë Socialiste.

Pra, nuk ka përplasje PS-LSI, por ka veprime të grupeve kriminale të Rilindjes në dëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në dëm të aktivistëve tanë. Janë goditur, qëlluar e dhunuar disa prej tyre. Rasti më i fundit është ai që ndodhi në Shëngjin në qarkun e Lezhës ku militantë të Rilindjes goditën një aktivist të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Janë raste të cilat ne i kemi paralajmëruar në fakt, i kemi denoncuar më parë. Kemi denoncuar mosveprimin e strukturave të policisë dhe ky mosveprim sot në ditën e zgjedhjeve merr dimensione kriminale, sepse ka krijuar terren që grupet kriminale të veprojnë. Njerëz të armatosur siç ka ndodhur edhe në Shijak ku makina të blinduara, të autorizuara nga policia me njerëz të armatosur qarkullojnë për të terrorizuar njerëzit, por sado të përpiqen askush nuk do t’ia dalë sepse qytetaria është padyshim forca më e madhe dhe kjo forcë duhet përkthyer në votë për Shqipërinë e së nesërmes e evropiane.

Gjithashtu nga LSI-a ka pasur edhe shkelje të heshtjes zgjedhore z. Rama…

Nuk ka shkelje të heshtjes zgjedhore të mbrosh jetën e qytetarëve, nuk është shkelje e heshtjes zgjedhore të mbrosh lirinë e fshehtësinë votës dhe integritetin e procesit zgjedhor. I gjithë mesazhi i LSI-së sot ka qenë denoncim i akteve kriminale, mosveprimit policisë dhe inkurajimit të qytetarëve për tu bërë bashkë në mbrojtje të votës, të lirisë dhe integritetit të zgjedhjeve, kjo është e rëndësishme.

Nëse ndokush këtë e quan thyerje të heshtjes elektorale, kjo është papërgjegjshmëri ashtu sikundër dua të denoncoj publikisht edhe qëndrimet që mbajnë një pjesë e mediave, që flasin me arsyetimin absurd që media të mos raportojë. Misioni i parë i gazetarit të përgjegjshëm dhe qytetar është raportimi për gjithçka ndodh në vend. Të gjitha të tjerat pastaj janë spekulime.

Natyrisht unë edhe këtu po e theksoj, ftoj qytetarët me maturi me përgjegjësi me qytetari të marrin pjesë në votim dhe të votojnë për atë që ua do zemra atyre, por ama të votojnë me integritet dhe jo nën presionin e dhunës dhe nën joshjen e parave të pista të krimit dhe të drogës që po qarkullon gjithandej.

Meqenëse jemi në Durrës a ka ndonjë denoncim nga ana juaj për targat e makinave të blinduara ose emra personash që kanë qarkulluar me këto makina?

Nuk kemi raste të kësaj natyre në Durrës, kemi disa raste në Shijak, kemi evidentuar me emra konkretë dhe ia kemi relatuar ato organeve të posaçme dhe më konkretisht Policisë së Shtetit. Por inekzistenca e Policisë është një inkurajim që këto grupe të dalin dhe të bëjnë ligjin rrugëve apo rrugicave të qyteteve. Ashtu sikundër, dhe kjo nuk është politikë, po e theksoj, inkurajimi i të gjithë kësaj veprimtarie kriminale dhe mosveprimit të policisë buron nga thirrja e papërgjegjshme e Kryeministrit, i cili deklaroi në një miting në Kuçovë që policia të mbledhë vota për Partinë Socialiste.

Këtë ai e ka thënë edhe më përpara në Mallakastër dhe është kjo thirrje, kjo papërgjegjshmëri që inkurajon veprimin e grupeve kriminale dhe mosveprimin e strukturave të Policisë në rastin më të mirë, por ka raste edhe të implikimit të drejtpërdrejtë të strukturave të policisë. E si mund të ndodhë që Drejtori i Policisë në Durrës të bëjë ligjin me korrektesë, të zbatojë ligjin me korrektesë kur ka njeriun e vet që kandidon në listën e kandidatëve për deputetë. Kjo është absurde.

Të paktën moralisht është i kompromentuar dhe moralisht është i paragjykuar për shkak të raporteve familjare që ai ka me person që kandidon në listën e kandidatëve për deputet të PS-së në Durrës. Në rastin më të mirë dhe më etik, do të duhej të jepte dorëheqjen të paktën për këtë periudhë të zgjedhjeve që të mos ishte pjesë e skemës së manipulimit dhe trukimit. Këtu kemi të bëjmë me një bashkëveprim të qëllimshëm për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhje.

Çfarë rezultatesh pret Lëvizja Socialiste për Integrim nga këto zgjedhje?

Padyshim rezultatin më të mirë, atë rezultat që popull i Durrësit e demonstroi në mitingun madhështor që u zhvillua këtu, miting që nuk është parë ndonjëherë në qytetin e Durrësit. Dhe ky miting ka qenë njëra nga arsyet që u alarmuan bandat dhe grupet kriminale për t’ vënë në lëvizje dhe për të frenuar vullnetin e qytetarëve në mbështetje të LSI-së.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al