Luan Rama: LSI e vendosur për të zbardhur të vërtetën e mosfunksionimit të radarëve!

Zv.Kryetari i LSI, Luan Rama në një prononcim për mediat është shprehur se  bëri propozim në komision që të përfshihet në rendin e ditës së punës së Komisionit, një cikël seancash dëgjimore me titullarët kryesorë të institucioneve përgjegjëse konkretisht me Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, meqënëse ai është i pari që e ka denoncuar këtë problem, me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, me Drejtorin e Shërbimit Informativ, me Prokurorin e Përgjithshëm dhe me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Më poshtë deklarata e plotë:

Lidhur me skandalin e mosfunksionimit të radarëve që monitorojnë hapësirën detare në Republikën e Shqipërisë, por edhe me vullnetin e mirë që gjithë Komisioni të ushtrojë përgjegjësinë kushtetuese të kontrollit civil dhe të garantimit të transparencës se si funksionojnë strukturat e sigurisë, bëra propozim në komision që të përfshihet në rendin e ditës së punës së Komisionit, një cikël seancash dëgjimore me titullarët kryesorë të institucioneve përgjegjëse konkretisht me Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, meqënëse ai është i pari që e ka denoncuar këtë problem, me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, me Drejtorin e Shërbimit Informativ, me Prokurorin e Përgjithshëm dhe me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Propozimi im u arsyetua mbi bazën e ndjeshmërisë që ka natyrisht kjo çështje jo vetëm për opinionin publik, por pikësëpari për rëndësinë që merr si çështje shumë e ndjeshme që lidhet me sigurinë kombëtare, pasi janë cenuar standardet e sigurisë kombëtare në monitorimin e hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë, por janë cenuar standardet e sigurisë edhe në këtë hapësirë të përgjegjësisë që ushtron Shqipëria si vend anëtar I NATO-s, në mënyrë paradoksale u gjet një preteks formalisht ligjor por që nuk qëndron as ky pretekst, që kërkesa referuar nenit 36 të Rregullores duhet përgatitur me shkrim dhe duhet paraqitur nga një grup deputetësh. Ndërkohë që neni 33 I Rregullores së Kuvendit thotë shprehimisht që: kur kryesia e komisionit është dakord, ose kur shumica e deputetëve në Komision janë dakord kjo çështje mund të përfshihet në rendin e ditës edhe pa e paraqitur atë me shkrim apo me 1/3 e anëtarëve të komisionit. Gjithsesi qëndrimi refraktar kundër propozimit tim për të garantuar edhe njëherë kontrollin civil mbi forcat e armatosura që është përgjegjësi e Kuvendit, për të garantuar transparencën se si janë administruar fondet publike me kontratat dhe procedurat e prokurimit që janë bërë, dhe mbi të gjitha për të vënë përballë përgjegjësisë në Kuvend apo gjithkund tjetër veprimet apo mosveprimet që kanë çuar në mosfunksionimin e sistemit të radarëve, që janë përdorur edhe nga trafikantët e drogës, siç komunikohet apo siç dëshmohet nga përgjimet më të fundit, në thelb dëshmon papërgjegjshmërinë më e pakta, mungesë vullneti dhe serioziteti për të ushtruar atributet kushtetuese të komisionit dhe të kuvendit nga ana e shumicës. Nuk mund të them sepse aty nuk u la kohë të shpreheshin deputetët e shumicës, midis të cilëve unë jam i bindur, ka nga ata që janë të interesuar për ushtrimin e kontrollit civil mbi Forcat e Armatosura apo mbi organet e sigurisë dhe për transparencën ndaj publikut, kështu që do të jem I detyruar të ndjek të gjithë rrugët e tjera institucionale që më krijon mundësinë rregullorja e kuvendit për këtë çështje. Në këto kushte natyrisht kur ka mungesë angazhimi për të garantuar më e pakta transparencën, ku ka mungesë vullneti për të ushtruar të gjitha përgjegjësitë, për diskutim institucional me funksionarët  shtetëror që janë përgjegjës dhe në kushtet kur mungesa e fleksibilitetit dhe vullnetit nga ana e shumicës është bërë evidente, të qëndruarit në atë komision ishte e pavlerë e panevojshme dhe e padobishme.

Do të jetë kjo një praktikë e vazhdueshme e braktisjes së komisioneve bashkë me PD siç ndodhi sot?

Unë personalisht, por dhe Lëvizja Socialiste për Integrim jemi të vendosur dhe do ta demonstrojmë këtë vendosmëri në çdo hap të angazhimit tonë parlamentar për të zbardhur deri në një, të vërtetën e mosfunksionimit të sistemit të kontrollit dhe të mos menaxhimit të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë, të mos funksionimit thënë më shqip të radarëve që janë fikur apo që janë komanduar nga grupet e trafikantëve të drogës.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al