Luan Rama: Për shkak të një kupole kriminale nuk mund të inkriminojmë gjithë Policinë e Shtetit.

Fjala në Kuvend e Zëvendëskryetarit të LSI Luan Rama

I nderuar Z.Ministër,

Të nderuar kolegë deputetë,

Ngjan si paradoks që në këtë sallë sot po diskutojmë, dhe natyrisht, edhe do të vendosim për atë që është quajtur veting, thënë ndryshe, për pastërtinë e policisë së shtetit, kur shkaktariapo përgjegjësi kryesor për atë situatë që është krijuar edhe në Policinë e Shtetit,është ky parlament dhe politika.

Dua të ndaj fillimisht Policinë e Shtetit, si institucion, si trupë, dhe të gjithë punonjësit e policisë së shtetit në detyrë që zbatojnë ligjin, me korrektesë edhe me sakrificë, sepse është trupa përfaqësuese e shtetit më e sulmuar dhe që ka paguar kostot më të larta me sakrificën e jetëvë të punonjësve të saj, në mbrojtje të rendit dhe të sigurisë publike në shërbim të qytetareve.

Ndaj unë, nuk ia lejoj vetes të flas këtu më etiketime mbi Policinë e Shtetit, sepse nuk është Policia e Shtetit as strukturë kriminale, as bandë kriminale.

Për analogji nuk dua të përdor retorikën që është përdorur nga kryeministri, i cili kur fliste për gjyqtarët dhe prokurorët I quante ata të gjithë korporata e krimit. Jo, Policia e Shtetit është institucion në zbatim të ligjit. Por çfarë ndodh? Ka patur për fat të keq në mënyrë të veçantë gjatë 4-5 viteve të fundit një kupolë kriminale që ka përdorur pjesën për të inkriminuar të tërën. Ka patur dhe ka drejtues policie që janë vënë në detyra drejtuese, në mënyrë të pamerituar dhe në kundërshtim me ligjin. Dhe kanë bërë karrierë në kundërshtim me ligjin e karrierës dhe të gradave në Policinë e Shtetit. Të cilët të stimuluar dhe të shpërblyer politikisht kanë qenë dhe për fat të keq kanë rezultuar edhe ligjërisht të provuar, instrumenta në duart e krimit.

Prandaj jemi sot këtu për të iniciuar një proces të vettingut të policisë, që në fakt do duhej të ishte procesi i pastrimit të policisë nga disa drejtues të papërgjegjshëm që kanë qenë apo janë nën pushtetin dhe bëjnë lojën e  strukturave kriminale në vend.

Mjafton të shohësh relacionin që shoqëron projektligjin, për të kuptuar arsyet se pse jemi këtu. Mjafton të shohësh relacionin edhe nuk lind nevoja për të bërë diskutime të mëtejshme. Sepse edhe në relacion konfirmohet qartë që jemi përpara një situate të inkriminuar, të korruptuar dhe ku shfaqet kultura, që në fakt duhet thënë antikultura e pandëshkueshmërisë.

Në sallë ka dëshmitarë okularë apo njerëz që kanë punuar në strukturën e policisë. Nuk ka qenë kjo, e them me përgjegjësi të plotë prej ‘97-’98 dhe sot që jemi në 2018, nuk ka qenë kjo struktura e policisë së shtetit. Asnjëherë nuk ka qenë më e kriminalizuar kupola drejtuese nga çka rezultuar sot.

Nuk dua të bëj retorikë, por nuk mund të mos i referohem retorikës së tepsisë apo të kusisë që me emra individësh te veçantë, pavarësisht nivelit të përgjegjësisë që ata kishin në administratën shtetërore, është përpjekur Kryeministri vetë dhe një pjesë e mazhorancës dhe ende vazhdojnë të përpiqen për të identifikuar elementë kriminal apo të dyshuar, të predispozuar si të tillë, me Lëvizjen Socialiste për Integrim për shkak të  dy, tre apo pesë, apo ç’rëndësi ka, drejtorëve.

Zoti Ministër i Brendshëm, ku i keni Drejtuesit e Ministrisë dhe të Policisë së Shtetit prej 2013-ës dhe deri sot?!

Ku janë sot 12 drejtuesit e policisë së qarqeve? Ku janë sot drejtues të nivelit të lartë të policisë të shpallur në kërkim nga policia? Këta garantët e ligjit?! Ata janë përfaqësues të Partisë Socialiste, për të thënë që ja, kjo është Partia Socialiste? Partia e drejtorëve të krimit që me uniformën e Policisë ishin instrument në duar të grupeve kriminale?!

Jo, nuk e them këtë gjë. Sepse nuk kam papërgjegjshmërinë e askujt prej atyre që emra individësh i përdorin për të kontaminuar dhe për të njollosur një forcë të caktuar politike. Sepse në shtetin e së drejtës, çdo individ është përgjegjës për aktivitetin dhe veprimtarinë e vetë dhe përgjegjësia individuale duhet artikuluar si e tillë.

Ne nuk i trembemi sfidës për t’u ballafaquar edhe me individë që ligji mund t’i ndëshkojë, që mund të kenë qenë apo janë propozuar dhe që janë rekrutuar në zbatim të ligjit në strukturat e administratës publike dhe shtetërore, qofshin dhe këta 3-4 drejtorë apo policë burgjesh.

Mirëpo, atje ku ne nuk kemi qenë pjesë, ku tepsia ka qenë vetëm e juaja, tepsia na del e pastër, megjithëse vetëm nga rradhët e nivelit të lartë drejtues të policisë, rezultojnë sipas informacioneve të agjencive zyrtare 127 të tillë, të implikuar në veprimtari kriminale.

Për të mos thënë tjetrën, që ministri përpara jush,  por meqënëse ai ka qenë teknik dhe përfaqësues i opozitës në atë kohë, nuk po e konsideroj, por kryeministri e ka konfirmuar, që në tavolinën e ministrit dhe të kryeministrit gjendej një listë me 124 emra trafikantësh të lëndëve narkotike apo kultivues të lëndëve narkotike. Çfarë u bë me këtë listë prej shtatorit kur u tha, deri sot? Kush vajti nga kjo listë përpara ligjit? Është akoma kjo listë në zyrën tuaj z.Ministër apo në zyrën e Kryeministrit siç konfirmoi ai dhe përse mbahet kjo listë? Është çuar kjo listë në prokurori?

Ja pra kjo është edukata e zbatimit të ligjit, prej kësaj vjen pandëshkueshmëria. Dhe më lejoni të lë mënjanë modestinë.  Ka një raport midis vullnetit politik dhe veprimit konkret në zbatimin e ligjit. Në operacionin “Puna” të vitit 2002, ku unë dhe ju  zoti ministër kemi qenë në qeveri, në të njëjtën mazhorancë edhe me Kryetarin e Kuvendit, u bllokua veprimtaria më kriminale e asaj kohe, që ishte trafikimi i qënieve njerëzore dhe i lëndëve narkotike përmes skafeve dhe gomoneve.  Dhe pas bllokimit, nuk ndodhi ajo që ndodhi me Lazaratin, që pasi u bllokua Lazarati u bë Lazarat gjithë Shqipëria. Pas bllokimit nuk pati më asnjë gomone në det, deri sa në janarin e 2004-ës, për shkak të mosveprimit dhe papërgjegjshmërisë kriminale të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, u mbytën qytetarët që kërkonin ndihmë në det.

U bllokuan gomonet sepse pati vullnet politik për të zbatuar ligjin, ndërkohë që pas bllokimit të drogës në Lazarat u mboll me drogë e gjithë Shqipëria sepse vullneti i qeverisë ishte i tillë.

Përsa I përket çështjes së këtij projektligji, unë dhe LSI që në fillim kemi ofruar jo vetëm mbështetjen, por edhe bashkëpunimin konkret dhe konstruktiv. Sepse gjykojmë që në mbështetjen e policisë për të zbatuar ligjin nuk ka vend për të ndarë opozitën nga mazhoranca. Ndaj opozita është shprehur qartë pro vetingut, pro një ligji që e bën Vetingun institucion ligjor dhe jo instrument politik në qëndrimin e të gjithë klasës politike ndaj këtij procesi. Më vjen keq që të konfirmoj se konstruktivitetin tonë nuk e kemi gjetur me të njëjtën vlerë partneriteti në Komisionin e Sigurisë, ndaj shpresoj që seanca këtu të shfaq fleksibilitet dhe vullnet pozitiv për të reflektuar ato propozime që ne kemi bërë me shumë seriozitet dhe me profesionalizëm, për të qenë pjesë e një procesi që të krijojë Policinë e Ligjit në dallim nga “Policia e Çunave”, Policinë e Shtetit në dallim nga kupola e një pjese drejtuesish të policisë në shërbim të krimit.

Policia është e imja, është e jona, është e të gjithë qytetarëve të këtij vendi, dhe ne duhet ta mbështesim atë, duke e ndarë përfundimisht policinë nga politika, që e ftoi policinë të vidhte vota pasi të hidhte kapelen me qëllim që krimi nga strukturat kriminale të shkonte në strukturat e qeverisjes! Vetëm shprehja e vullnetit nuk mjafton. Duhet bashkëpunim dhe ndërveprim konstruktiv, partneritet dhe seriozitet me qëllim që të ruajmë integritetin dhe paanshmërinë e procesit!

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al