Luan Rama: Vendosshmëria dhe rezistenca ndaj së keqes, detyra jonë patriotike dhe atdhetare

Zv/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka mbajtur fjalën e tij sot në takimin e zhvilluar me kryetarët e LSI-së në rrethe. Z. Rama ka folur mbi gjendjen e vendit pas përmbytjeve si dhe për atë politike duke theksuar se vendosshmëria dhe rezistenca ndaj së keqes është detyrë patriotike dhe atdhetare.

Më poshtë keni fjalën e plotë:

Bashkë me kryesinë ekzekutive menduam të bëjmë këtë takim me drejtuesit kryesorë të partisë në të gjitha bashkitë e vendit, për të bërë një vlerësim të punës së bërë nga të gjitha strukturat në të gjithë hierarkinë e organizimit të partisë, dhe për të ndarë me ju disa qëndrime që kanë të bëjnë me vlerësimin e Kryesisë së partisë dhe Grupit Parlamentar mbi zhvillimet politike në vend.

Ditët e fundit vendi është përballuar me një situatë shumë të rëndë për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet që ranë në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit dhe unë dua të vlerësoj në emër të të gjithë Kryesisë së partisë, angazhimin tuaj, të të gjithë këshilltarëve, të zgjedhurve lokalë, të strukturave të partisë në të gjithë vendin. Me përkushtim dhe me shumë seriozitet shfaqët edhe njëherë atë që është vlera më e qenësishme, dhe që na bën të jemi bashkë ne të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së, që është solidariteti. Solidariteti ndaj njerëzve në nevojë, të gjendur befasisht nën dhunën e forcave të natyrës por edhe të gjendur pabesisht përballë papërgjegjshmërisë së qeverisë, e cila edhe në këtë rast u gjend e papërgatitur për ta administruar si duhet. Pikë së pari në parandalimin e situatave të tilla dhe pastaj në administrimin e pasojave.

Natyrisht e kemi dëgjuar të gjithë, dhe përfaqësuesit e qeverisë e kanë thënë shpesh madje në këtë kohë, që forcat e natyrës janë të tilla, janë forca madhore, nuk kemi ç’t’i bëjmë etj. Natyrisht, edhe ne e dimë që forcat e natyrës kanë trillet e tyre dhe tekat e tyre por është evidente që papërgjegjshmëria në përcaktimin e prioriteteve të qeverisjes, në parandalimin dhe në marrjen e masave për të evituar pasoja të tilla u shfaq dhe qe evidente dhe njëherë dhe në këtë rast.

Natyrisht ne duhet të jemi si gjithnjë pranë njerëzve. Unë dua të veçoj në mënyrë të veçantë punën shumë të mirë nga kryetarët e bashkisë të LSI në të gjitha bashkitë ku jemi në drejtim, për organizmin, për masat e marra, për seriozitetin dhe përkushtimin e shfaqur. Gjithashtu edhe të të gjitha strukturave të partisë që kanë qenë në mbështetje dhe pranë njerëzve.

Nuk është i vetmi rasti i Arben Çukos në Qarkun e Fierit, i cili qe në këto ditë padyshim shembulli më domethënës i përgjegjshmërisë në detyrë të njerëzve të LSI-së. Ishte referenca e vlerave që ne përfaqësojmë, i cili megjithëse i shkarkuar padrejtësisht, pa asnjë motiv ligjor nga detyra, nuk e braktisi detyrën, por edhe i shkarkuar nga arbitrariteti i qeverisë qëndroi në krye të detyrës me shumë përkushtim, me shumë përgjegjësi. Na bëri të gjithëve ne të ndjejmë krenari dhe respekt për vlerat që përfaqësojnë të gjithë njerëzit tanë.

Kështu që nga kjo pikëpamje ne do të duhet të vazhdojmë t’i konsolidojmë më shumë këto vlera pranë edhe me njëri-tjetrin, sepse edhe njëherë e theksoj, solidariteti është një nga vlerat tona më të qenësishme.

Vihet re një neglizhencë tani, një indiferencë, meqë ka dalë dielli dhe nuk ka reshje këto ditë, edhe qeveria po nxiton të ngrohet në diellin e dhjetorit. Pasi mbaroi spektaklin televiziv duke u shfaqur me çizme në pellgjet me ujë është tërhequr pranë zyrave të veta dhe në vend që qeveria të kishte më shumë angazhim madje dhe më shumë përgjegjësi në administrimin e situatës, në masat radikale që duhen marrë për të mos lejuar përsëritjen e fenomenit të përmbytjes. Mesa duket është kthyer dhe pret serinë tjetër të reshjeve që të shkojë prapë edhe të bëjë spektaklin e radhës.

Prandaj ne duhet të jemi pranë njerëzve dhe tani duhet të jemi zëdhënës të interesit të tyre, të shqetësimit të tyre, por duhet të monitorojmë me shumë seriozitet sjelljen, qasjen e çdo punonjësi të administratës lokale, atje ku ne jemi në drejtim por edhe atje ku nuk jemi, por edhe të administratës qendrore në raport me angazhimin për të mos lejuar përmasat e përmbytjes që sjellin pasoja si ato që u shfaqën ditë më parë.

Ky është njëri element pa dyshim, duke qenë njerëzor është dhe prioritet i ynë, por nuk mund të mos ndaj me ju edhe vlerësimin dhe qëndrimet e kryesisë së partisë në lidhje me zhvillimet politike në vend. Siç e keni ndjekur, jemi nën një situatë absurde kur festat, duartrokitjet dhe përqafimet në sallën e parlamentit dhe në lozhat e parlamentit, ku ishin të vendosur përfaqësuesit diplomatik kur u miratua me konsensus të plotë paketa e ndryshimeve kushtetuese, që i çeli udhën reformës në drejtësi, është zëvendësuar nga hipokrizia, nga hiletë dhe nga përpjekjet tinëzare për ta korruptuar procesin e implementimit të reformës në drejtësi dhe për ta shndërruar atë në një instrument politik përmes kapjes politike të institucioneve të drejtësisë.

Edhe sot kemi pasur të njëjtën qasje nga ana e mazhorancës, në të dyja rastet, edhe në diskutimin dhe të ashtuquajturin short për të zgjedhur Komisionin e Emërimeve në Drejtësi, i cili u realizua në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me kriteret që përcakton ligji. Se ligji përcakton disa kritere se kush mund të kandidojë për të qenë anëtar i Komisionit të Emërimeve në Drejtësi. Jo çdo gjyqtar, jo çdo punonjës i sistemit mund të kandidojë, sepse kjo është trupa që do të vlerësojë, do të qeverisë, do të gjykojë, ata që do të kenë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Por edhe sot u vu re pra, e njëjta qasje, e njëjta sjellje, me arrogancë për ta manipuluar procesin dhe produkti i një procesi që nisi në një mënyrë të dështuar rezultoi i dështuar.

Për fat të keq, kam rastin të njoh disa nga ata që janë zgjedhur, dhe vura re që janë zgjedhur njerëz që nuk përfaqësojnë elitën e punonjësve në sistemin e drejtësisë, sepse ligji ka parasysh dhe parashikon që të zgjidhen midis më të mirëve më të mirët. Në fakt janë zgjedhur një kategori njerëzish që janë me penalitete, që nuk plotësojnë kriteret, thjesht dhe vetëm për të realizuar një fasadë, një proces, që thashë rezultoi i dështuar.

Ashtu sikundër me shumë tinëzarllëk dhe me hile, dëgjuat mbrëmë një përpjekje për të ashtuquajturin konsensus për të realizuar zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, përmes një bashkëpunimi, por që në fakt ishte hipokrizia e radhës sepse sot e vutë re, në mënyrë tinëzare u përpoqën ta ushqejnë opinionin sikur ne kemi hallin e zgjatjes së mandatit të prokurorit që është në detyrë. Jo, nuk kemi aspak asnjë shqetësim, as me ikjen e prokurorit që mbylli mandatin ligjërisht, dhe as me emrin e prokurorit që vjen. Ne jemi për institucione kredibël, për institucione që zbatojnë ligjin dhe që këto institucione duhet t’i zgjedhin drejtuesit e tyre ashtu siç përcakton ligji.

Përpjekja e qëllimtë për ta kapur drejtësinë, u shfaq edhe sot me mënyrën se si u servir çështja e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm. Dhe paradoksalisht, për herë të parë, mazhoranca kërkon ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me një shumicë të thjeshtë. Asnjëherë nuk është zgjedhur Prokurori i Përgjithshëm me shumicë të thjeshtë, që edhe sikur të marrin pjesë vetëm 70 dhe vetëm 36 prej tyre të votojnë, ata duan ta bëjnë të ligjshëm mandatin, kur kriteret dhe institucionet e drejtësisë në bazë të ligjeve për reformën në drejtësi e kanë detyrën të përcaktuar.

Pra, vetë i zvarritën dhe nuk i bënë funksionale trupat që duhet t’i zgjedhin organet e drejtësisë, i komprometuan pa i zgjedhur dhe tani po përpiqen të gjejnë mekanizma dhe makinacione për të instrumentalizuar dhe për të kapur edhe organin e Prokurorisë. Çfarë dua të them? Ata sot lexonin Kushtetutën, por harrojnë që Kushtetuta pikësëpari ka frymën e saj. Në frymën e Kushtetutës ekziston konsensusi, fryma e bashkëpunimit, dhe është i detyrueshëm në një proces transparent dhe ligjor me qëllim që qytetarët të kuptojnë dhe të vlerësojnë seriozitetin në implementimin apo në zbatimin e reformës në drejtësi.

Por u shmang Kushtetuta, u shkel ligji, nuk zbatohet kriteret, nuk zbatohet parimi i transparencës, cenohet fryma e bashkëpunimit, e luajalitetit dhe konsensusit e për pasojë shkojmë tek zgjedhje të deformuara, të komprometuara e të korruptuara për shkak të interesit që ka trusti i drogës, i cili për arsye që të mbulojë dhe t’i shmanget ndëshkimit të reformës në drejtësi po bën të gjitha përpjekjet për ta kapur drejtësinë me qëllim që qeverisja e drogës të transplantohet në qeverisje droge edhe në sistemin e drejtësisë.

Dhe pastaj gjendemi përballë një realiteti skandaloz, ku një pjesë e madhe e policisë ka shpallur në kërkim pjesën tjetër të policisë. Kemi drejtues policie që kërkojnë e gjurmojnë për të arrestuar drejtues të tjerë policie si të implikuar në grupet e veprimtarisë kriminale të trafikut të drogës. Fatmirësisht, Lëvizja Socialiste për Integrim në katër vite qeverisje me socialistët, nuk ka pasur asnjë hapësirë, asnjë angazhim apo autoritet në strukturat e policisë. Po të kishin pasur edhe një të vetme, imagjino se çfarë do bënin këngëtarët e kukuvajkës, atë që bën me tepsinë, kusinë, me shushunjat etj, si do ja faturonin LSI. Sikur të ishte vetëm një polic i vetëm të ishte rekomanduar nga ne, ata do bënin namin për t’ia faturuar të gjithë koston e kultivimit dhe të trafikimit të drogës LSI-së.

Tani që e kanë në derën e tyre, bëjnë të gjitha përpjekjet dhe makinacionet për ta shmangur përgjegjësinë dhe ndëshkimin e ligjit. Mirëpo, ka marrë fund pavarësisht përpjekjeve të tyre, mundësia për t’i shpëtuar ndëshkimit ligjor. Droga që mbyti Shqipërinë, patentat që iu humbasin rrugëve sa andej këndej, patentat e krimit dhe të drogës, nuk do të mund të gjejnë shpëtim nga asnjë lloj makinacioni dhe instrumentalizimi që kërkohet t’i bëhet reformës në drejtësi.

Prandaj LSI, ne si forcë opozitare, do të qëndrojmë fortë në parimet dhe frymën mbi të cilën është hartuar i gjithë korpusi ligjor i reformës në drejtësi, me qëllim që të bëjmë të mundur jetësimin e saj në shërbim të qytetarëve. Është një sfidë e vështirë sepse përballë kemi interesa kriminale dhe korruptive, që jo rrallë gjejnë mbështetje edhe në ndonjë zyrë ndërkombëtare. Të mos i shohim zyrat e ndërkombëtarëve si orakullin e shpëtimit sepse edhe ata njerëz janë dhe duke jetuar në një mjedis të kontaminuar nga droga dhe avujt e saj natyrisht nuk janë të imunizuar dhe shfaqen herë pas here si pjesë e të njëjtin klan, që interes të parë kanë mbrojtjen e krimit qeverisës dhe kupolën e drogës që qeveris vendin dhe jo interesat evropiane të Shqipërisë.

Prandaj, duke qenë të vendosur në luftën tonë sepse kemi me vete popullin shqiptar, kemi me vete shumicën e partnerëve ndërkombëtare, do vazhdojmë me vendosmëri duke përligjur besimin e shqiptarëve dhe forca jonë buron nga mbështetja dhe raporti që ne kemi me qytetarët. Ne duhet të jemi të qartë, të punojmë me të gjitha strukturat e partisë, të mos kenë asnjë iluzion. Vendosmëria dhe rezistenca ndaj së keqes është detyra jonë patriotike dhe atdhetare sot, për ta shpëtuar Shqipërinë nga kapja dhe korruptimi që kërkon t’i bëjë deri në palcë edhe reformës në drejtësi, struktura kriminale e qeverisjes së drogës.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al