Luan Rama: Vija e demarkacionit midis nesh dhe të tjerëve është Integrimi Europian, Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore dhe interesi qytetar

Zv.Kryetari  i LSI-së Luan Rama në një deklaratë për shtyp u shpreh se Grupi Parlamentar i LSI vendosi të marrë pjesë në seancën e datës 15 janar në çelje të sesionit të ri të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për të ushtruar me vendosmëri të gjitha përgjegjësitë e përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë, për të ushtruar me vendosmëri dhe për të përmbushur rolin tonë si forcë opozitare konstruktive dhe e vendosur për të qenë mbrojtëse dhe zëdhënëse e interesit publik, e interesit qytetar.

Më poshtë deklarata e plotë:

Në vazhdën e traditës sonë shumë të mirë të komunikimit dhe të bashkëpunimit me ju për tju informuar për gjithçka ndodh në veprimtarinë e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim jam sot këtu në këtë konferencë për shtyp tju informoj mbi zhvillimet e mbledhjes së parë të Grupit parlamentar të LSI-së për vitin 2018. Natyrisht në fokusin e diskutimit dhe të debatit në mbledhjen e grupit parlamentar ishte i gjithë aksioni politik I vitit 2018, axhenda jonë politike me të gjithë elementët e saj përbërës, duke shprehur në këtë mënyrë mbështetjen e plotë të grupit për qëndrimin politik të LSI-së dhe gjithashtu mbështetjen e plotë të grupit për axhendën politike të LSI-së për vitin 2018. Grupi vendosi të marrë pjesë në seancën e datës 15 janar në çelje të sesionit të ri të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për të ushtruar me vendosmëri të gjitha përgjegjësitë e përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë, për të ushtruar me vendosmëri dhe për të përmbushur rolin tonë si forcë opozitare konstruktive dhe e vendosur për të qenë mbrojtëse dhe zëdhënëse e interesit publik, e interesit qytetar. Ashtu sikundër për të ridimensionuar të gjithë angazhimin, veprimin tonë politik në luftën parlamentare, në debatin parlamentar në diskutimin parlamentar, dhe e alternuar kjo sigurisht edhe me veprimtaritë masive. Grupi gjithashtu mbështeti plotësisht qëndrimin e mbajtur nga Kryesia e LSI-së për organizimin e protestës së madhe të 27 Janarit dhe është tërësisht i angazhuar për të sjellë në këtë protestë, jo vetëm revoltën qytetare, por edhe shqetësimin qytetar dhe problematikën e madhe me të cilën ballafaqohen qytetarët tanë në të gjithë vendin, me qëllim që viti 2018 të jetë viti i luftës së vendosur kundër varfërisë, viti i luftës së vendosur kundër korrupsionit shtetëror, kundër krimit shtetëror, kundër abuzivizmit shtetëror dhe kundër papërgjegjshmërisë shtetërore. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Grupi Parlamentar gjithashtu është në të njëjtën linjë, duke evidentuar si prioritetet apo si kredon politike të vitit 2018 për Lëvizjen Socialiste për Integrim, integrimin  europian të vendit, dhe ne jo vetëm do të ushtrojmë presion mbi qeverinë dhe të gjitha strukturat e saj, por do të jemi kontributorë aktiv dhe të vendosur që Shqipëria të çelë negociatat me Bashkimin Europian, si tregues i seriozitetit, I angazhimit dhe i përgjegjësisë që ne kemi përballë qytetarëve shqiptarë dhe interesave europiane të vendit. Gjithashtu Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë dhe do të rrisë presionin mbi papërgjegjshmërinë e qeverisë, në mënyrë që viti 2018 të jetë viti i realizimit, i implementimit, i zbatimit të Reformës në Drejtësi, si një kusht i rëndësishëm, jo thjesht në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit, por si një kusht i rëndësishëm për të kthyer, për të vendosur, për të instaluar, dhe konsoliduar legjitimitetin, kushtetuetshmërinë, dhe integritetin kushtetues të institucioneve ligjzbatuese, të institucioneve të drejtësisë dhe të gjitha institucioneve të këtij vendi, për ti mbrojtur ata nga kapja, nga abuzivizmi dhe nga shpërdorimi i pushtetit. Dhe natyrisht me të njëjtën peshë, me të njëjtën përgjegjësi dhe me të njëjtin angazhim sikundër për procesin e integrimit europian dhe realizimin e Reformës në Drejtësi, LSI do të ushtrojë angazhimin e vetë, presionin e vetë pozitiv mbi mazhorancën për të realizuar Reformën Zgjedhore. Janë këto 3 prioritetet tona, ndaj të cilave ne jemi maksimalisht të vendosur të investohemi me të gjitha kontributet tona. Për çdo gjë që ka të bëjë me integrimin europian, në funksion të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian, për çdo gjë që ka të bëjë për të realizuar Reformën në Drejtësi, sipas frymës me të cilën u realizuan ndryshimet kushtetuese dhe me të cilën u miratua paketa e ligjeve për Reformën në Drejtësi, pra mbi bazën e respektimit të Kushtetutës, në frymë, në përmbajtje, në gërmë dhe në gjithçka, duke respektuar frymën e bashkëpunimit dhe të konsensusit ne do të votojmë dhe do të kontribuojmë pozitivisht për të realizuar Reformën në Drejtësi. Ne jemi të vendosur të demonstrojmë përpara qytetarëve këtë vullnet tonin politik, këtë vullnet tonin qytetar, këtë vullnet tonin europianizues për vendin dhe le të jetë procesi i integrimit, le të jetë Reforma në Drejtësi, le të jetë Reforma Zgjedhore, le të jetë qëndrimi ndaj qytetarëve, testi i matjes se kush ka frikë dhe kush është me qytetarët, se kush e do integrimin dhe është kundër integrimit, se kush është për realizimin e Reformës në Drejtësi dhe kush është kundër Reformës në Drejtësi, se kush është për të realizuar Reformën Zgjedhore që Shqipëria të ketë më në fund standarde dhe realitet zgjedhor si çdo vend i Bashkimit Europian dhe kush është kundër. Vija e demarkacionit midis nesh dhe të tjerëve është Integrimi Europian, Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore, interesi qytetar, interesi publik, interesi kombëtar i Shqipërisë europiane.

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al