Luan Rama/ “Vota e 25 qershorit për LSI është votë besimi, është votë zemrash dhe prandaj ne jemi përsëri bashkë sot, më të bashkuar se kurrë”

Konventa Kombëtare Zgjedhore e Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodh sot në Tiranë për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë pas dorëheqjes së z. Petrit Vasili.

Në këtë Konventë ishin të pranishëm drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe delegatë nga të gjitha degët e LSI-së në të gjithë Shqipërisë.

Me votim unanim delegatët zgjodhën znj. Monika Kryemadhi si Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa z. Luan Rama u zgjodh në postin e Zv.Kryetarit të LSI-së dhe znj. Erisa Xhixho u zgjodh Nënkryetare e LSI-së.

Në hapje të punimeve të Konventës, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, u shpreh se LSI do jetë një opozitë e fortë në Kuvend dhe do përfaqësojë denjësisht qytetarët shqiptarë, të cilët në masën 75% refuzuan të votojnë Rilindjen.

Fjala në Konventë e Zëvendëskryetarit të ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama:

Të dashur delegate dhe delegatë, motra dhe vëllezër! Duke iu uruar të gjithëve mirëseardhjen në Konventën tonë, më lejoni që nga kjo sallë t’iu dërgoj një përshëndetje të zjarrtë dhe një falënderim zemre të gjithë atyre, rreth 230 mijë votuesve të LSI, që më 25 qershor, pa pyetur dhe pa u trembur prej dhunës së bandave të pushtetit dhe matrapazëve të votës, zgjodhën dhe votuan me zemër Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Motra dhe vëllezër, vota e 25 qershorit për LSI është votë besimi, është votë zemrash dhe prandaj ne jemi përsëri bashkë sot, më të bashkuar se kurrë. Ajo votë është votë dashurie dhe besimi, prandaj ne jemi më të fortë, më të vendosur dhe më të guximshëm për të vazhduar luftën tonë në mbrojtje të demokracisë me solidaritet dhe humanizëm.

Konventa jonë, institucioni më i rëndësishëm i LSI nuk është thirrur sot si një akt formal dhe thjesht për të respektuar Statutin, por si dëshmi e seriozitetit tonë dhe e funksionimit real të shprehur prej angazhimit të të gjithëve ju, me shumë përgjegjshmëri dhe përkushtim, në këtë moment të rëndësishëm për misionin dhe rolin e LSI në zhvillimet politike në vend. Lëvizja jonë, lëvizja për Shqipërinë evropiane, lëvizja e të rinjve shqiptarë që duan dhe votojnë LSI nuk ka lindur në zyrat e pushtetit dhe as është rritur dhe forcuar prej tyre, por ka lindur në zemrat tuaja dhe është rritur e forcuar prej vendosmërisë, prej dashurisë, prej përkushtimit tuaj atdhetar.

LSI ka lindur dhe është rritur si opozitë me të keqen e pushtetit, në luftë me arrogancën, me mendjemadhësinë dhe abuzivizmin dhe prandaj ne jemi edhe më të vendosur të vazhdojmë dhe ta fitojmë këtë luftë, si shërbim ndaj interesave të vendit, si detyrim ndaj qytetarëve dhe në mënyrë të veçantë si detyrim ndaj rinisë tonë të mrekullueshme.

Motra dhe vëllezër, Shqipëria ka nevojë për opozitë, dhe ne do t’i përgjigjemi interesit të saj si përligje e interesit të 75% të shqiptarëve, të atyre që votuan kundër Rilindjes, por dhe të gjithë atyre që refuzuan të bëhen pjesë e një procesi të intimiduar dhe të kriminalizuar që prej fillimit. Shqipëria ka nevojë për alternativë të re, të ndryshme nga alternativa e arrogancës dhe e shpërdorimit përmes koncesioneve dhe korrupsionit.

Ka nevojë për alternativën evropiane të qeverisjes së mirë në shërbim të qytetarëve dhe ne do ua ofrojmë këtë alternativë me durim, me qetësi dhe dashuri dhe me përkushtim dhe vendosmëri. Motra dhe vëllezër, meqenëse nga 2600 delegatët e konventës, 2437 delegatë janë të pranishëm, konventën e deklaroj të hapur.

Burimi:( integrimi.al / E.S )

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al