Luan Rama:LSI, një zë shprese dhe mbrojtëse e interesit të më shumë se 75% të qytetarëve

Deklarata për mediat e Zëvendëskryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Luan Rama pas mbledhjes së Kryesisë së LSI-së

Siç jeni në dijeni, ne sot zhvilluam mbledhjen e parë të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim pas Konventës së fundit me zgjedhjen e kryetares së LSI-së. Bëmë një vlerësim politik, në mënyrë institucionale, të situatës politike në vend, duke e vënë theksin te domosdoshmëria e krijimit të një fronti kombëtar opozitar përballë një pushteti i cili që me nisjen e procesit zgjedhor e madje edhe më parë se të niste ky proces, gjatë gjithë procesit dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, dëshmoi jo thjesht papërgjegjshmëri por edhe atë që LSI në fakt e ka denoncuar me kohë që ishte një proces i kriminalizuar, një proces ku paratë e pista të krimit dhe të drogës dominuan mbi alternativat, mbi ballafaqimin e tyre dhe mbi domosdoshmërinë e një dialogu konstruktiv dhe transparent me qytetarët.

Lëvizja Socialiste për Integrim, si një forcë që në themelin e vet ka dhe do të ketë gjithmonë vlerat e patjetërsueshme të humanizmit dhe të solidaritetit, do të vazhdojë të jetë gjithnjë në anën e qytetarëve dhe bashkë me qytetarët në mbrojtje të interesit të tyre, në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të interesit të vendit, për të qenë realisht zëdhënëse shprese dhe mbrojtëse e interesit të më shumë se 75% të qytetarëve të këtij vendit. Pra të të gjithë atyre që kanë votuar kundër rilindjes apo që me mospjesëmarrjen e tyre kanë shprehur padyshim abstenimin ndaj mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet, ashtu sikundër edhe abstenimin ndaj mënyrës se si është qeverisur vendi.

Ndërkaq, ne me shumë seriozitet po ristrukturojmë të gjithë skemën tonë të organizimit dhe Kryesia përcaktoi disa detyra të qarta për mënyrën e organizimit të strukturës së partisë, për mënyrën e funksionimit të të gjithë të zgjedhurve në të gjitha nivelet e drejtimit të partisë, duke përcaktuar detyra rigorozisht të qarta për secilin në funksion të këtij realiteti politik që është krijuar në reflektim të zgjedhjeve të 25 qershorit.

Është për të ardhur keq në fakt që ajo që ne paralajmëruam po konfirmohet edhe me sjelljen më të fundit në raportin e subjekteve politikë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Siç e dini janë shfaqur të dokumentuara, në mënyrë shumë korrekte, raste konkrete të vjedhjes së votës, të tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve.

E gjitha kjo padyshim që është një njollë e madhe turpi për procesin, është një njollë e madhe turpi edhe për ata të verbër që nuk kanë sy të shohin edhe pas dokumentimit me pamje filmike të rasteve skandaloze të vjedhjes së votës në funksion të tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve.

Gjithësisë ne do të vazhdojmë të jemi në anën e qytetarëve dhe do të vazhdojmë me të njëjtin seriozitet, me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtën vendosmëri të mbrojmë interesin publik dhe interesin qytetar sepse kjo është në fund të fundit vetë ADN-ja e ekzistencës dhe gjithë veprimit politik dhe elektoral të LSI-së.

Kryesia gjithashtu emëroi në detyrën e Kryetarit të Grupit Parlamentar z. Petrit Vasili duke përcaktuar edhe raportin e funksionimit dhe të bashkëveprimit midis strukturave të partisë dhe grupit të ri parlamentar që do të ketë LSI në Kuvendin e Shqipërisë.

Sa kaq, ne do të vazhdojmë me të njëjtin angazhim dhe seriozit përmbushjen e të gjitha veprimtarive të përcaktuara në planin e veprimit politik dhe organizativ të partisë që në fillim të vitit.

Duke e patur si prioritet të parë zhvillimin në ditët e ardhshme të kampingut të Jalës, të kësaj veprimtarie tashmë të kthyer në një institucion të formimit politik dhe të krijimi të shkollës së debatit dhe ballafaqimi të alternativave midis të rinjve çka është në fakt dhe një prej vlerave më thelbësore të LSI-së.

Në fund të kësaj jave për herë të parë në Shqipëri, në Jalë konkretisht, do të zhvillohet një kamping i organizuar nga YUSI, Internacionalja e të Rinjve Socialist, me Lëvizjen Rinore për Integrim çka është një ridimensionim tjetër i rolit dhe i veprimtarisë shumë efikase dhe si një protagoniste me rekorde shumë pozitive në përbërje të organizimeve ndërkombëtare të rinisë, nga ana e Lëvizjes Rinore për Integrim.

Në konkluzion të gjithë kësaj janë krijuar edhe grupe të posaçme pune në përbërje të kryesisë për të cilat do të ketë padyshim projekte që do të diskutohen dhe do të miratohen në mbledhjet e ardhshme të kryesisë së LSI-së.

(Integrimi.al/ Xh.N)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al