Majlind Lazimi: Paradoksi i rritjes ekonomike që ushqen varfërinë

Sekretari  i LSI-së për Çështjet Ekonomike, Majlind Lazimi, në një shkrim për Gazetën Integrimi, është shprehur se fatkeqësisht në më shumë se dy dekada rritja ekonomike e vendit nuk është shoqëruar me rritje të punësimit apo ulje të varfërisë, por së shumti ka “shpërblyer”  thellimin e  pabarazisë dhe pasurimin  e 1% -it në kurriz të 99% -it të popullatës.Ministri i Financave dhe i Ekonomisë nuk ka pse e shet “dështimin si sukses” për uljen e shifrës zyrtare të papunësisë nga rreth 17% ne 2015, në rreth 14% ne 3-mujorin e dytë të 2017, kur në këto vite kemi shpopullimin me të frikshëm dhe “eksportin” më masiv të krahut të punës qysh në fillim të viteve 90’ , me mbi 300 mijë shqiptarë të papunë, të cilët me kursimet e tyre të fundit blenë bileta avioni pa kthim me destinacion Gjermaninë dhe Europën.

Më poshtë shkrimi i plotë:

Po trumbetohet me të madhe nga qeveria se ekonomia shqiptare po rilind me një rritje ekonomike gati 4 herë më të madhe se ne 2013 dhe shpesh në media Kryeministri dhe ministrat e tij shprehin habinë e tyre se pse shqiptarët nuk po e ndjejnë që janë më të pasur dhe  më të lumtur se 4  vite më parë?!

Rritja ekonomike në vetvete në asnjë rast nuk është “çelësi magjik i suksesit” për të luftuar varfërinë, për të rritur punësimin apo mirëqenien e qytetarëve. Ajo është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për të zhvilluar një ekonomi që përkthehet në reduktim të varfërisë, ulje të papunësisë apo në rritje të të ardhurave për të gjithë.

Fatkeqësisht në më shumë se dy dekada rritja ekonomike e vendit nuk është shoqëruar me rritje të punësimit apo ulje të varfërisë, por së shumti ka “shpërblyer”  thellimin e  pabarazisë dhe pasurimin  e 1% -it në kurriz të 99% -it të popullatës.

Prandaj edhe sot për shqiptarët e thjeshtë nuk mjafton të dëgjojnë “retorikën  e lugës bosh” sesa mirë jetojnë, kur në fakt çmimet janë rritur të paktën me 12% në këto 4 vite, ndërkohë që pagat reale janë ulur me të paktën 6% mesatarisht për sektorin  publik dhe privat. Këtë nuk ka nevojë ta thonë ekonomistët e pavarur apo INSTAT-i  varur, sepse këtë e dëshmojnë me shifra të gjitha raportet ndërkombëtare (BB, FMN, UNDP etj) dhe për më tepër edhe shumica e heshtur e shqiptarëve, të cilët shtrëngojnë rripin sa herë që shkojnë në marketin e lagjes për të blerë ushqimet bazike.

Për të mos thënë se “taksa-mania” si filozofi e qeverisë po konkurron denjësisht me vendet Skandinave dhe mos të çuditemi një ditë që jo vetëm uji i pisët i pusit të taksohet, por edhe ajri i ndotur që thithim çdo ditë. Ministri i Financave dhe i Ekonomisë nuk ka pse e shet “dështimin si sukses” për uljen e shifrës zyrtare të papunësisë nga rreth 17% ne 2015, në rreth 14% ne 3-mujorin e dytë të 2017, kur në këto vite kemi shpopullimin me të frikshëm dhe “eksportin” më masiv të krahut të punës qysh në fillim të viteve 90’ , me mbi 300 mijë shqiptarë të papunë, të cilët me kursimet e tyre të fundit blenë bileta avioni pa kthim me destinacion Gjermaninë dhe Europën.

Sikurse në llogaritjen e re për numrin e të punësuarve rishtaz përfshihen dhe mijëra punonjës të fasonerisë apo kamarierë që ishin në fakt të punësuar informal pa siguracione dhe merrnin një rrogë rreth 200 mijë leke të vjetra në dorë, ndërsa sot duhet të ndihen me “fat” sepse janë të formalizuar dhe marrin rreth 180 mijë lekë të vjetra në dorë.

Nuk ka dyshim se rritje ekonomike kanë dhe vendet afrikane, madje dhe dyshifore po të doni, por kjo nuk do të thotë se ata kanë më pak të varfër dhe më shumë të pasur. Aktualisht, e kundërta është e vërtetë në shumë vende të botës që kanë rritje ekonomike, ku 1% i te pasurve po pasurohet frikshëm, ku klasa e mesme nga një “hamburger big mac” po kthehet në një “tost dietik” dhe ku të varfërit po krijojnë “ushtrinë” e tyre çdo ditë dhe më të madhe në numër.

Për të kuptuar realitetin ekonomik ku jetojnë sot shqiptarët nuk ka nevojë të bëjmë një parade shifrash të “gatuara” nga mjeshtrat e guzhinës propagandistike dhe mediatike, por mjafton të dilni pak jashtë bllokut apo unazës së Tiranës, për të parë polarizimin social, papunësinë, varfërinë dhe mungesën e shpresës së të rinjve që rrokullisin orët e panumërta në kafenetë e qyteteve dhe fshatrave tona.

Është hipokrizi  të mburremi për rritje ekonomike, ku mbi 80 mijë familje shqiptare, pra rreth 11% e popullsisë jeton me vetëm 30 dollar në ditë si ndihmë ekonomike nga shteti, pra mbijetojnë me 1 dollar në ditë për familje.  Vetëm guximi i verbër i sistemeve diktatoriale mund të burgosë mijëra të vobektë dhe të varfër për pamundësinë e pagesës së faturës së energjisë elektrike deri dje, apo ndoshta për faturën e ujit nesër.

Në fakt rritje ekonomike edhe 3.8%, siç pretendon qeveria, është mëse e realizueshme nëse vetëm 1% e të “privilegjuarve të saj” pasurohen me fitime përrallore 2-shifrore, ndërkohë që 99% e popullsisë varfërohet me tej. Kjo është si ajo historia e dy miqve që drekuan në një restorant dhe kur dolën jashtë i pyetën “Cfarë hëngrët?” Njëri prej tyre i tha: hëngrëm një pulë të pjekur”. Në fakt ai që e pyeti mendoj se të dy kishin ngrënë gjysëm pule secili, por në të vërtetë një pulë kishte ngrënë vetëm ai që ktheu përgjigjen. Kështu dhe qeveria nuk ka faj kur mendon se “1 pulë plus” e kanë ndarë mes njeri-tjetrit të gjithë shqiptarët.

Burimi:(Gazeta Integrimi/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al