Majlind Lazimi: Programi ynë me fokus të mirëfilltë për ekonominë dhe zhvillimin e saj

Fjala e anëtarit të hartimit të programit në prezantimin e programit elektoral

Ndryshe nga programet e tjera elektorale, këtë herë besojmë që kemi punuar me fokus të mirë- filltë, sidomos për ekonominë dhe zhvillimin e saj. Konkretisht, një nga propozimet tona që nuk është thjesht një devizë politike, por është konkret që tregon qartazi ambicien tonë për ta kthyer ekonominë në një fokus të ri, është propozomini për Paktin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik që me dy fjalë do të thotë, një model ekonomik, ku shinat e zhvillimit janë të përcaktuara, sektorët vitalë me prioritet punësimin janë të përcaktuara. E vetmja gjë që mbetet është pikërisht për të gjetur një dakordësi të plotë të të gjithë klasës politike për ta vendosur ekonominë, si një nga reformat kryesore të këtij vendi. Kjo është diçka që ne si LSI e kemi pasur devizë tonën kohët e fundit. Një gjë tjetër, që doja të theksoja, është fakti i reformës fiskale, që me të drejtë kryetari i përmendi në mënyrë shumë të detajuar. Nuk kemi dashur të bëjmë një listë dëshirash. Kemi dashur pikërisht të flasim për dy elementë kryesorë. Elementi bazë ka të bëjë me tatimin mbi fitimin. Ajo çfarë vëmë re në ekonominë shqiptare është fakti që ka një barrë të lartë fiskale. Pra, sot një qytetari të thjeshtë, një biznesi të ndershëm i kushton më tepër të qenit formal sesa të qenit informal dhe kjo është arsyeja se përse ekonomia shqiptare akoma vuan nga një papunësi dhe nga një informalitet i lartë rreth 35-40 përqind, sipas të gjitha statistikave botërore. Ajo çfarë duam të bëjmë me këtë program është fakti që do duhet të ulen taksat dhe tatimet në tërësi, gati me 60 për qind, si të vetmen mënyrë për të formalizuar ekonominë, si të vetmen mënyrë për të injektuar kapitalin e fjetur nëpër banka, që sot është rreth 7 miliardë euro. Si të vetmen mënyrë për të pasur realisht më shumë para në xhepat e shqiptarëve, në mënyrë që të rritet konsumi, të rriten investimet dhe praktikisht të kemi një rritje ekonomike që prodhon punësim. Kështu që konkretisht ne kemi dashur të prekim vetëm dy blloqe të forta të paketës fiskale. E para është ajo për biznesin dhe nëse sot një biznes që është mbi 8 milionë lekë të reja me xhiro vjetore paguan 15 për qind, me propozimin tonë do të paguajë vetëm 5 për qind. Këtu janë rreth 90 për qind të të gjithë bizneseve në Shqipëri. Nga ana tjetër, çdo biznes që ka një xhiro vjetore 20-100 milionë lekë të reja, do ketë një tatim fitimi vetëm 8 për qind. Kjo do të bënte të mundur për ta parë Shqipërinë si potencial jo vetëm lokal, por edhe rajonal për kompanitë e mëdha, të cilat realisht sjellin kapitale dhe punësojnë me mijëra njerëz. Një element tjetër është që një biznes që ka një xhiro vjetore mbi 100 milion lekë të reja, do të ketë një përqindje tatimi vetëm 10 për qind. Dhe kështu që kemi krijuar një fashëzim të taksës, të tatim-fitimit, në mënyrë që secili të paguajë sipas mundësisë, por pa dyshim që gjithë ekonomia do të paguajë më pak, në mënyrë që të kemi më shumë vende pune, më shumë konsum dhe më shumë kreditim. Një tjetër çështje është tatimi mbi të ardhurat personale që unë besoj që këtu jemi më agresivë se çdo forcë tjetër politike. Konkretisht pagat deri në 35 mijë lekë të reja do të ketë 0 tatim mbi të ardhurat personale. Pagat nga 35- 200 mijë lekë të reja do të kenë vetëm 8 për qind tatimin mbi të ardhura personale dhe kushdo që fiton mbi 200 mijë lekë të reja në muaj, do tatohet 10 për qind. Kjo nuk do të thotë që do të kemi më pak të ardhura buxhetore, përkundrazi. Përmes uljes së taksave në tërësi do rrisim bazën e tatimpaguesve. Kështu që unë mendoj që me këtë program ne jo vetëm do arrijmë të ulim barrën fiskale për qytetarët dhe bizneset, por nga ana tjetër të rrisim investimet, konsumin dhe rritjen ekonomike. Programi ynë është shumë integral, prek shumë fusha, por ekonomia do të jetë në krye të axhendës sonë politike për javët në vazhdim gjatë fushatës elektorale.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al