Nora Malaj: Garantimi i të ardhmes për një viktimë të dhunës, është sfida aktuale

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Nora Malaj në seancën e sotme plenare, fjalën e saj ka preferuar ta nisë me një mesazh që i kishte ardhur nga një qytetare së cilës i ishte dëmtuar gjithçka nga reshjet e dendura të shiut që pushtuan vendin ditët e fundit duke i bërë thirrje organeve përkatëse që të veprojnë më shpejt me ndihma për familjet e prekura. Ajo e vazhdoi fjalën e saj në lidhje me dhunën në familje, duke theksuar se garantimi i të ardhmes për një viktimë të dhunës, është sfida aktuale e qeverisë.
Më poshtë keni fjalën e plotë të znj. Malaj:

I nderuar kryetari i seancës,

Të nderuar kolegë.

Në fillim të fjalës sime, lejomëni të falënderoj dhe t’i uroj shumë suksese sportistes Romela Bega, e cila u shpall kampione e botës në peshëngritje, duke na dhënë një lajm shumë të mirë, në këto ditë të vështira dhe shumë të dhimbshme që po kalon vendi ynë, si rezultat i përmbytjeve dhe dëmeve kolosale që i janë shkaktuar banorëve të zonave të përmbytura, duke filluar nga zona e Fushë-Krujës dhe të gjitha pjesët e jugut të Shqipërisë. Përpara se të flas për tematiken e sotme, më lejoni të ndaj me ju një mesazh që më ka ardhur mbrëmë, pas vizitës së bërë te zonat e Fushë-Krujës. “Mirëmbrëma zysh Nora, uroj të jeni mirë, po të mos kisha një arsye të fortë nuk do t’ju shqetësoja në këtë orë të vonë”. I kemi premtuar këtij populli, në fushatë edhe pse tani në opozitë, që do të jemi zëri juaj, kur i kemi trokitur në derë, dhe që nuk do t’jua kthejmë kurrizin kur të kenë nevojë. Dhe ato sot kërkojnë fare pak nga ju, nga ne si gra, t’ju dëgjohen vetëm hallet e tyre. Unë kam dëgjuar shumë prej kolegëve, bashkëqytetareve të mia që janë përmbytur, se shteti s’po i sheh e aq më tepër, që kryetari i bashkisë (për kryetarin e Krujës), thotë se ai ka problem, pasi i është përmbytur zona e vet dhe s’po i bie ndërmend për ne. Asnjë motopompë thithëse për t’i ndihmuar për të hequr llucën nga oborret nuk po ua çon, e jo më tepër, që do t’i diferencojë edhe në listat e dëmshpërblimeve, këtë nuk e diskutoj (në qoftë se keni mundësi ndiqeni nga afër kur t’i vijë koha), por kjo e fundit nuk hahet fare. Më mori në telefon një nënë që kishte parë ministren e Arsimit në TV për prononcimin e fillimit të mësimit dhe më tha t’ju dërgoja juve një mesazh, pasi nuk kishte kontakte të tjera. “Ju lutem ju ta shihni dhe t’ia bëni me dije ministres, se Fushë- Kruja që ju e patë, është e përmbytur e tëra në llucë, me të vërtetë nuk janë përmbytur shkolla (Fakt: shkolla e re u përmbyt), po familjet po. Shkollat janë bërë strehë për të përmbyturit për 3-4 ditë. 90 për qind e nxënësve janë larguar nga shtëpia, s’kanë rroba për të veshur, s’kanë çanta dhe librat ju janë lagur e nuk kanë ku të shkojnë. Dhe jo vetëm nga anët tona Fushë-Krujë, Bubqit, Habilaj, po edhe banorët e Derventi, Niklës, Larushkut, s’kanë mundësi për të çuar fëmijët në shkollë. Fëmijët i kanë shpërndarë ku kanë mundur te të afërmit, dhe ndaj kërkojmë që të bisedohet me ministren, që në qoftë se nuk i ka inspektuar ashtu siç duhet shkollat, të informohet ndaj drejtuesit e DAR dhe ZA”. Unë i premtova që jo vetëm do ta bëja prezent para jush, po do t’i kërkoj ministres që jo vetëm shkollat, po të shihen dhe të bëhet një statistikë për të gjitha familjet e fëmijëve që kanë problem me bazën materiale, të identifikohen për të gjetur zgjidhjet sa më emergjente, që fëmijët jo vetëm të shkojnë thjesht në shkollë, po edhe të ndihmohen nga të gjithë, me bukë, më veshmbathje dhe me asistencë dhe bazë materiale, për të gjitha zonat e përmbytura. Le të bëjmë një aksion me të gjitha shkollat dhe subjektet e ndryshme për të ndihmuar konkretisht fëmijët e këtyre zonave.

Projektrezoluta e paraqitur me nismën e Grupit parlamentarë të Partisë Demokratikë: “Për dënimet e fenomenit të dhunës dhe marrjen e masave, në parandalimin e këtij fenomeni”, vjen në këtë parlament për t’u diskutuar në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, për vetë rëndësinë që ka ky fenomen sot në Shqipëri. Sipas statistikave të dhëna edhe nga Ministria e Brendshme, vetëm për vitin 2017 janë denoncuar 4000 raste dhune, ndërkohë që shifra e paraqitur është vetëm 9 për qind e rasteve të denoncuara. Nga një përllogaritje e thjeshtë del se rreth 40000 raste, dhuna nuk denoncohen. Në Fier një bashkëshort vret gruan, duke e hedhur nga kati i katërt i pallatit, edhe pse viktima kishte një urdhër-mbrojtje ndaj tij. Në Korçë, një baba vret dy fëmijët e tij të mitur e më pas veten, se nuk arrinte të mbante familjen të bashkuar, por as ta divorconte bashkëshorten. Në Vlorë, dy minoren tentojnë të dhunojnë seksualisht dy minoren më të vegjël në oborrin e shkollës. Këto janë vetëm një pjesë e këtij pazëlli të dhimbshëm.

Ja si do të shprehet në një intervistë një zonjë që vuan kalvarin e fenomeneve të dhunës. “Unë kam pasur probleme në familje shumë vite më parë, dhjetë vjet më parë. Kam hezituar të divorcohem, sepse kisha fëmijët e vegjël, por ndoshta i kam dëmtuar. Pjesëtarët e familjes sime, të cilën e kam respektuar gjithmonë, që më thoshin “Mos u ndaj!”, “Mos u ndaj!”…, dhe ja ku erdhi përfundimi. Nuk kishte më rrugëzgjidhje tjetër. Ma kërkuan edhe fëmijët një gjë të tillë. Kam kaluar një kalvarë të gjatë mundimesh. Dhunë fizike, psikologjike. Një papërgjegjësi nga i ati i fëmijëve, sepse luan bixhoz, dhe gjithë gjërat negative që mund t’i ketë një njeri. Unë rrija me mendimin se po ndryshon, duke i dhënë mundësi të tjera, duke i gjetur edhe punë, por ishte e pamundur, nuk bëhej më. As familja ime nuk më mbështeti. Gjykata nxori për mua një urdhër-mbrojtje. Urdhri i mbrojtjes është për një vit. Por edhe me këtë urdhër mbrojtje, mua vazhdimisht më kanë ardhur kërcënimet. Jam ankuar edhe në polici. Policia më ka thënë që prokuroria do të njoftohet, po unë kam dy javë që kam frikë të dal edhe nga shtëpia, sepse ai tani është edhe njeri depresiv dhe i rrezikshëm. Në këto kushte që jam, ndonëse ma dinin hallin që kisha, më hoqën edhe nga puna, dhe kjo e shton pasigurinë. Fëmijët janë shumë të frikësuar. Me ish-bashkëshortin jetojmë të ndarë, por kemi një objekt të përbashkët, e cila na e bënë më të vështirë jetesën”.

Të nderuar kolegë, fatkeqësisht jemi ende larg solidariteti njerëzor, që në fakt, është tipari ende i munguar në shoqërinë shqiptare. A është thjesht indiferencë, apo padije për të kuptuar se një dhunë që bëhet rutinë, do shkojë veç në përkeqësim, nuk do zhduket papritur, nëse nuk reagohet? Gra që durojnë dhunën brenda mureve, të detyruara nga mungesa e perspektivës ekonomike për mbijetesë, nga presioni primitivi i familjes së origjinës, për të mos ikur “nga shtëpia e burrit”, duke e lënë atë në mëshirë të bashkëshortit të dhunshëm. Por ka edhe më tepër. Fqinjë, që ndonëse asistojnë në mënyrë të përsëritur në zhurmën e sherreve, që i kalon muret e familjes, e që thjesht nuk veprojnë. Çfarë mund të bëhet? Së pari dhuna me bazë gjinore duhet identifikuar si emergjencë kombëtare, që kërkon një debat e reagim mbarëkombëtar e gjithëpërfshirës, pushtet qendror, vendor, organizatat e shoqërisë civile e komunitetit, të gjithë të mbështetur nga media. Mekanizmat referuese e mbrojtëse ekzistuese, duhet të jenë sfida e parë e shkundjes në këtë situatë, në çdo bashki ka polici, prokurori, zyra sociale, zyra përmbarimi, deri tek kryepleqtë nëpër lagje. Por ka edhe komunitet, pjesë e të cilit janë edhe shkollat, spitalet, ku këto raste identifikohen e raportohen. Të gjithë krijojnë atë që quhet opinion publik, që nëse do të jetë aktiv, do të luaj një rol, jo të vogël në parandalimin e këtyre rasteve. Shteti ende nuk i përgjigjet dot një viktime që ka vendosur ta denoncojë e të largohet nga dhuna. Ka ardhur koha që përtej sensibilizimeve, të ndërtojmë strategji veprimi me rezultate të matshme. Pra, të mos ketë thjesht bilance se sa gra u dhunuan, sa denoncuan, e sa morën urdhër-mbrojtje, por sa gra u shpëtuan nga dhuna e sa prej tyre iu mundësua një perspektivë e re. Historitë e grave të shpëtuara janë sensibilizimi më i mirë. Është e qartë se denoncimi nuk është më problem i kudo hasur, por garantimi i të ardhmes për një viktimë të dhunës, është sfida aktuale. Duhet të ketë një strategji konkrete, që nis me identifikimin e rasteve ekzistuese e atyre potenciale të dhunës, përllogaritjet financiare për reagim efikas, bashkëpunim me pushtetin qendror e vendor, e më pas me fushata sensibilizuese mbi të drejtat, përfitimet e zgjidhjet konkrete për një grua, që vendos të shkëputet nga dhuna në familje. Të krijohet regjistri kombëtar për dhunën në familje dhe të ketë nisma konkrete për ndryshimet ligjore, me fokus të posaçëm. Të përcaktohet autoriteti përgjegjës, pas shkrirjes së MPCSSH, të parashikohen fonde në buxhetin e shtetit për ngritjen e qendrave sociale dhe rehabilitimin për viktimat dhe dhunuesit, duke filluar nga buxheti i 2018. Në fund të fjalës time dhe në emër të grupit parlamentar që unë përfaqësoj, e mbështesim këtë projekt/rezolutë dhe të gjithë nismat ligjore për të fuqizuar familjen, shoqërinë dhe për ta bërë të zbatueshëm këtë rezolutë në të gjithë dimensionet e saj dhe për të parandaluar dhunën me bazë familjen në shoqëri.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al