Manjani: Drejtësia Sociale do marr vëmëndjen e duhur nga sistemi i Drejtësisë

Në kuadër të Ditës Botërore të Drejtësisë Sociale, Alumni i programit “LeadAlbania”me mbështetjen e Ministrit të Drejtësisë organizoi një Auditorium me temë “Drejtësia Sociale dhe Reforma në Sistemin e Drejtësisë”.

Në takimin e ekspertëve morën pjesë z. David Muniz, I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-ve, z. Ylli Manjani, Ministri i Drejtësisë dhe ekspertët përfaqësues të Alumni Lead Albania, z. Bledar Dervishaj, znj. Elona Bano, z. Ledio Braho, z. Endri Mykaj, z. Admir Malaj dhe znj. Besjona Dede.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Manjani u shpreh entuziast për këtë brez të ri ekspertësh të fushave të ndryshme, por kryesisht të fushës ligjore, të cilët sipas tij duhet të kenë më shumë rol vendimarrës.

“E kam për krenari sot, por do ta kem edhe në të ardhmen, që t’ju mbëshëtes të gjithë juve që dëshironi të kaloni nga Lidershipi Teknik në Lidershipin Politik. Shqipërisë vetëm mirë i bëhet që të kemi sa më shumë projekte të kësaj natyre si projekti “Lead Albania”.

Një falenderim i veçantë i shkon qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila në mënyrë konkrete, pa fjalë, është në këtë iniciativë, që na ndihmon ne në mënyrë të jashtëzakonshme për t’u orientuar sa më mirë në pjesën e menaxhimit të politikave (jo të politikës) shtetërore dhe qeveritare në sektorë të ndryshëm.

Më besoni, në këto 4 muaj që jam Ministër Drejtësie, por edhe në 4 vitet e shkuara si Zëvendës Ministër, si një zyrtar i lartë i këtij shteti, them se gjithçka ka të bëjë me menaxhimin e mirë të burimeve njerëzore. Sepse ne mund të bëjmë ligje, por ajo që nuk po e ndreq Shqipërinë është mungesa e burimeve njerëzore. Të gjithë ankohemi që s’ka, por në fakt ka shumë.

Dua të them të vërtetën, nuk e fsheh, që nëqoftëse ky program i juaji do të mund të bënte edhe administrimin e DAP-it, do isha shumë i lumtur, megjithëse jam kundra konçensioneve, por do isha gati ta bëja këtë tolerancë. Sepse unë besoj se jo gjithcka është një provim, test me alternativa. Është koha që fatin e politikave në këtë vend ta marrin profesionistët.”- u shpreh Ministri mbi programin “Lead Albania” dhe perspektivën e organizimit të projekteve të pavarura, që përzgjedhin profesionistët më të mirë dhe i lançojnë ata në nivele të ndryshme të qeverisjes.

Më tej, Ministri i Drejtësisë u ndal në analizimin e disa faktorëve pengues në bërjen e drejtësisë sociale në Shqipëri, një ngërç pesimist ky që bazohet në kontekstin e zhvillimeve të 25 viteve të demokracisë sonë, siç u shpreh ai.

“Për të thënë të vërtetën, diskutimi që ne po bëjmë sot është një joshje akademike, por edhe praktike, sepse nuk dihet si mund ta ndash individin nga shoqëria. Për fat të keq ne jemi mësuar që individin dhe shoqërinë, këto kohët e fundit, t’i shohim në një marrëdhënie pak ‘perverse’, sepse interesi publik me atë privat ndeshen në mënyrë të pandershme. Dhe kjo është arsyeja pse në Shqipëri interesi privat është nganjëherë sundues, që do të thotë se kur interesi privat arrin të devijojë interesin publik, qartësisht ky është korrupsion dhe nuk ka asnjë diskutim më tej. Pra, ta përdorësh autoritetin publik në funksion të interesit privat, sigurisht që është korrupsion. Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi tashmë të vendosur, pa asnjë mënyrë kthimi mbrapa, që ta reformojmë këtë gjë. Dhe thelbi i reformës nuk është që të zëvendësojmë disa institucione me të tjera dhe as të heqim disa gjykatës dhe të vendosim disa të tjerë.

Thelbi është se si ta bëjmë interesin privat të menaxhueshëm brenda hapësirës së të drejtës publike, brenda hapësirës së interesit publik. Si do ta bëjmë që të triumfojë interesi publik? Sepse nuk ka drejtësi sociale pa barazi të qytetarëve përpara ligjit. U duhet dhënë një mesazh ‘të fortëve’ në këtë vend, që nuk mund të funksionojë më kështu. E kemi hartuar dhe miratuar Ligjin Për Dekriminalizimin për të mposhtur të fortët. Po, është e vërtetë. Por nuk është vetëm ligj kjo gjë, është mentalitet.

Nënshtrimi ndaj forcës dhe dhunës është fundi i shoqërisë, është e kotë të flasësh më për ligje. Shteti prandaj duhet që të bëjë reformë, sepse nuk ka zgjidhje apo rrugë tjetër. Nuk ka sesi të flasim për drejtësi sociale, nëse i pasuri e blen drejtësinë. Ajo do të quhej ‘drejtësia e lekëve’ apo ‘drejtësia e të pasurve’, por jo drejtësi sociale. Ky është një tjetër aspekt i reformës në drejtësi, të cilën ne kemi ndërmend ta marrin më thellë këtë herë. Nëse s’e bëjmë këtë, nuk kemi bërë dot asgjë. Ky është qëllimi.”- u shpreh ndër të tjera Ministri Manjani.

Më tej ai dha një mesazh domethënës për audiencën dhe mediat e pranishme, kur theksoi se kontributi për ta përmirësuar drejtësinë sociale në vend duhet të vijë nga të rinjtë ekspertë si ata të pranishëm në takim, nga e gjithë shoqëria që duhet të përmirësojë mentalitetin në konceptimin e së drejtës, por edhe nga politika që duhet të mos dalë mbi ligjin.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe z. David Muniz, I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-ve, i cili në fjalën e tij vërejti se SHBA ka kontribuar dhe nxitur miratimin e reformës në drejtësi dhe zbatimin e saj, në mënyrë që të sigurohet trajtimi me drejtësi i çdokujt në këtë vend. Ndërsa duke iu referuar temës së aktivitetit, ai u shpreh se drejtësia penale dhe drejtësia sociale nuk janë i njëjti koncept, porse duhet vendosur e para përpara se të ketë shpresë reale për arritjen e së dytës.

“Është domethënës fakti që sot është Dita Ndërkombëtare e Drejtësisë Sociale dhe Shqipëria është në mes të reformës më të rëndësishme që prej rënies së komunizmit: reformës në drejtësi. Sikurse e keni dëgjuar nga vetë Sekretari Kerry të dielën, lufta për qeverisje më llogaridhënëse kërkon mbështetjen e çdo shqiptari.

Jemi të mendimit, se Shqipëria po lëviz në drejtimin e duhur dhe ndihem i inkurajuar tek shoh gjithë këta të talentuar në këtë sallë. Kam lexuar kualifikimet tuaja, që janë të gjitha mbresëlënëse. Puna që ju po bëni si këshilltarë i sjell përfitime këtij vendi. Shoh këtu persona që punojnë në të gjithë qeverinë. Ju jeni udhëçelës dhe do të përballeni me sfida, por ju nxis që të ruani përkushtimin tuaj. Kam vetëm një ankesë: nuk ka mjaftueshëm persona si ju! Ne kemi nevojë të shohim më shumë kandidatë dhe persona që kanë përfunduar Programin LEAD në të gjithë qeverinë dhe shoqërinë.

Ky fokus është shumë i vërtetë dhe shumë intensiv, më besoni. Shiheni këtë si një shenjë që Shtetet e Bashkuara mbështesin ju dhe përpjekjet tuaja për reformën në drejtësi dhe kërkesën tuaj për drejtësi sociale, nga niveli më i lartë i qeverisë sonë. Vazhdoni të luftoni për reformën dhe vazhdoni të jeni udhëheqës në komunitet tuaja. Jam besimplotë se vite nga sot, kur të kthejmë kokën pas, do të na duhet t’ju falenderojmë që keni krijuar një Shqipëri më të mirë.”- theksoi në fjalën e tij z. Muniz.

Disa nga temat e tjera të trajtuara në takim nga ekspertët e panelit ishin: – Rëndësia e një Kodi për të Miturit si një domosdoshmëri për drejtësinë shqiptare, -Reforma në drejtësi, gur themeli për pavarësinë e pushteteve, – Cilësia dhe zbatimi i legjislacionit në forcimin e shtetit të së drejtës, – Administrimi i drejtësisë dhe drejtësia sociale nga parimi në zbatim.
Referimi i kuadrit ligjor ekzistues në vendin tonë apo edhe paralelizmat me sistemet e drejtësisë në rajon e më gjerë, ishin gjithashtu të bazuara në kontekstin e përmirësimit të drejtësisë sociale.

Temat e trajtuara nga ekspertët zgjuan interesin e auditorit, të cilët në përfundim të takimit adresuan pyetje dhe diskutime të lira, në të cilat u përfshi edhe vetë Ministri Manjani.

Burimi:(integrimionline\E C)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al