Manjani: Përpara se të jeni gjyqtarë jeni qytetarë të këtij vendi dhe ky vend ka nevojë për ju

I pranishëm në takimin e organizuar nga OSBE mbi nevojën për aplikimin e dënimeve alternative, Ministri Manjani ka dhënë një paralajmërim të drejtëpërdrejtë ndaj të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, se për askënd dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë mbrojtje nga politika.

Ministri Manjani bëri apel që trupa gjyqësore të distancohet nga çdo fenomen negativ dhe të jetë në shërbim të zbatimit të ligjit në mënyrë të përpiktë dhe unike. “Janë mijëra metra katrorë tokë publike, e grabitur në të gjithë bregdetin shqiptar, e vërtetuar me të gjitha dokumentat e nevojshme, e grabitur me falsifikime të bëra në vite nga Komisionet e Kthimit të Pronave dhe gjykatat heshtin në rastin më të mirë, ose legalizojnë në rastin më të keq.

Kjo është situatë e papranueshme dhe ne të gjithë, në mënyrë të veçantë, gjykatat e bregut duke filluar nga Vlora deri në Shkodër janë totalisht në një jurisprudencë të tyren, s’kanë lidhje fare me jurisprudencën e shtetit”, ka theksuar gjatë fjalës së tij Ministri Manjani. Për ministrin respektimi i pavarësisë së çdo vendimi gjykate pa as më të voglin diskutim, respekti për çdo gjykatës që vendos në mënyrë të pavarur dhe të ligjshme është diçka shumë e rëndësishme, por toleranca zero për ata gjykatësit që prekin pronën publike.

“Asnjë tolerancë nuk kam ndërmend të lejoj për aq sa më takon mua për cilëndo gjykatë apo gjykatës që del në drejtim të paditur. Grabitja e pronës publike me dokumenta të falsifikuara qofshin këto me vendime gjykate quhen falsifikim në jetë të jetëve dhe nëse prokuroria dhe gjykata në raste të caktuara e konfirmojnë falsifikimin dhe nuk përcaktohet statusi i pronës që është grabitur, brenda gjykimit penal apo qoftë në gjykim më vete kjo është një histori e cila nuk tregon shtet por tregon maskarallëk. Kjo tregon që gjykata bëhet pjesë e një krimi vazhdues pavarësisht se falsifikimi është i provuar.”

“Sigurisht që për mua është një privilegj i veçantë që të jem përsëri në krah të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Prezencës së OSBE në Shqipëri. E dini që unë jam një mik dhe një dashamirës i vjetër i kësaj Organizate dhe unë e di shumë mirë se si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Prezenca e saj në Shqipëri, punon në vendin tonë.

Është ndër të paktat organizata që punon në terren, që e njeh mjaft mirë situatën, që i kupton shumë mirë problemet tona dhe unë i jam shumë mirënjohës si Ministër Drejtësie, si jurist por edhe si qytetar i këtij vendi.

Me të vërtetë i jam mirënjohës Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim sepse realisht punojnë në nivel shumë bazik dhe të përditshëm, kuptohemi shumë mirë dhe unë besoj se kjo seri aktivitetesh do të pasohet edhe nga të tjera.

Me Ambasadorin Raunig kemi biseduar në këto ditë të nxehta për Reformën në Drejtësi. Unë i jam mirënjohës Ambasadorit Raunig dhe stafit të tij për projektet e zhvilluar ndër vite dhe që vazhdojnë ende me mjaft sukses. “Një drejtësi pa vonesë”, është një projekt mjaft interesant sepse një anë është të flasësh për reformën në drejtësi, për ndryshime kushtetuese, për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë etj, informacione që janë hedhur me shumicë për konsumin mediatik, por pak, për të mos thënë aspak është menduar apo është folur siç ka berë OSBE në terren konkret, në çështje konkrete, në gjykata konkrete për të ndihmuar gjykatat por edhe përdoruesit e gjykatave që të përfitojnë nga gjykimi pa vonesa. Kjo është një gjë konkrete, një punë shumë e lavdërueshme për të cilën sigurisht si Ministër Drejtësie i jam mirënjohës dhe mjaft mbështetës edhe për aktivitetet në vijim.

Natyrisht përdorimi i Shërbimit të Provës ka qenë gjithashtu një aktivitet i promovuar edhe nga OSBE dhe përsëri i jam mirënjohës që vazhdon të jetë në të njëtin ritëm sepse Shërbimi i Provës ka patur rritje në shifra, në kuptimin që është përdorur gjithnjë e më shumë nga sistemi gjyqësor dhe unë jam këtu për ta nxitur sistemin gjyqësor që ta vazhdojë ta përdorë, veçanërisht për kategori të caktuara, si të rinj, të mitur, gra, njerëz të cilët kriminalizohen krejt pa kuptim për shkak të politikës së ashpër penale, njerëz të cilët nuk e kanë parë burgun as në ëndërr, atëherë alternativa sigurisht është Shërbimi i Provës dhe ne ju nxisim ta përdorni këtë pa as më të voglin diskutim. Një i mitur që futet në burg qoftë edhe me një masë arresti siç vlerësohet nga gjykata sigurisht që ka një predispozitë për të shtuar aktivitetin e tij kriminal dhe ky është fakt.

Imagjinoni një të ri në moshën e shkollës, të universitetit që duhet të ishte në një shkollë, një formim profesional dhe jo në burg, alternativa të cilat sigurisht Shërbimi i Provës i jep. Apo gratë të cilat realisht mund të mos jenë të izoluara në burg, sepse sado e rrezikshme të jetë një grua , unë, të paktën besoj se nuk është me rrezikshmëri aq të lartë shoqërore sa të vërë në diskutim sigurinë publike, kështu që Shërbimi i Provës është një mjet shumë interesant.

Kemi një ligj në parlament për këtë shërbim, pasi duam ta rregullojmë edhe me ligj tashmë për të mos e lënë thjesht objekt apo pjesë të subjektivitetit të vendimmarrjes politike por për ta lënë në një mekanizëm të rregulluar tashmë me ligj për të cilën besoj që parlamenti tashmë do reagojë shpejt.

Por unë jam sot këtu, të nderuar gjyqtarë dhe prokurorë edhe për të dhënë një mesazh tjetër. Jam betuar para 4 muajsh mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë se nuk kam ndërmend të komentoj asnjë vendim tuajin dhe nuk do e bëj, jam betuar për këtë gjë, kam vënë dorën në Kushtetutë. Por jam betuar në të njëjtin betim mbi Kushtetutën e vendit tim se nuk kam ndërmend të toleroj asnjë fenomen. Pas 4 muajsh më lejoni të ndaj me ju disa konsiderata jo fort të këndshme, të cilat më duhet t’i bëj të ditura edhe për hir të opinionit publik, i cili vazhdon shkruan dhe ankohet për ju dhe kur ankohet për ju patjetër që edhe ne nuk jemi të përjashtuar.

Kur kam vënë dorën në Kushtetutë dhe jam betuar se do të jem anëtar i Qeverisë Shqiptare, e cila ka përgjegjësi kushtetuese për të menaxhuar jetën politike të vendit dhe për të administruar zbatueshmërinë e ligjit. Por jam gjithashtu i bindur që nuk ka qeverisje të mirë pa drejtësi, nuk ka, është e pamundur. Drejtësia është ajo që i vë pikat mbi “i”, i vë kapakun çdo lloj tenxhereje që qeveris mirë apo keq. Unë jam nga ata që e kam pranuar dhe e pranoj që në çdo rast qeveria mbetet problemi, por problemi dhe zullumi i qeverisë thellohet më shumë nëse drejtësia është në drejtim të paditur dhe ky është problemi ku jemi ulur të gjithë këmbëkryq. Nuk kam asgjë personale me askënd, me asnjë individ por fenomenet qëndrojnë.

Të nderuar miq, gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë,
Janë mijëra metra katrorë tokë publike, e grabitur në të gjithë bregdetin shqiptar, e vërtetuar me të gjitha dokumentat e nevojshme, e grabitur me falsifikime të bëra në vite nga Komisionet e Kthimit të Pronave dhe gjykatat heshtin në rastin më të mirë, ose legalizojnë në rastin më të keq. Kjo është situatë e papranueshme dhe ne të gjithë, në mënyrë të veçantë, gjykatat e bregut duke filluar nga Vlora deri në Shkodër janë totalisht në një jurisprudencë të tyren, s’kanë lidhje fare me jurisprudencën e shtetit.

Jam këtu për të respektuar pavarësinë e çdo vendimi gjykate pa as më të voglin diskutim. Respekt për çdo gjykatës që vendos në mënyrë të pavarur dhe të ligjshme. Por asnjë tolerancë nuk kam ndërmend të lejoj për aq sa më takon mua për cilëndo gjykatë apo gjykatës që del në drejtim të paditur.

Grabitja e pronës publike me dokumenta të falsifikuara qofshin këto me vendime gjykate quhen falsifikim në jetë të jetëve dhe nëse prokuroria dhe gjykata në raste të caktuara e konfirmojnë falsifikimin dhe nuk përcaktohet statusi i pronës që është grabitur, brenda gjykimit penal apo qoftë në gjykim më vete kjo është një histori e cila nuk tregon shtet por tregon maskarallëk.

Kjo tregon që gjykata bëhet pjesë e një krimi vazhdues pavarësisht se falsifikimi është i provuar. Natyrisht me Prokurorin e Përgjithshëm do ta gjejmë një zgjidhje, patjetër që po, por i bëj thirrje gjyqtarëve të Republikës, në mënyrë të veçantë Gjykatës së Vlorës e cila për mua sot është në drejtim të paditur. Kam ndërmend të inicioj një inspektim të përgjithshëm në atë gjykatë për ta sqaruar njëherë e mirë këtë punë sepse nuk mund të shkojë kështu.

Ka edhe raste sporadike në Durrës dhe deri diku gjykata e Shkodrës dhe meqë jemi të kjo e fundit, precedenti i “Sokol Mjacaj” vazhdon të zbatohet me të njëjtën përpikmëri nga të njëjtat gjykata dhe pastaj çuditemi pse na ndodhin ngjarje kriminale.

E theksoj nuk kam ndërmend të merrem në këtë rast me asnjë gjykatës konkret. Jam betuar që nuk merrem me çështje konkrete, nuk merrem as me përmbajtjen e vendimeve të gjykatës. Ua them këtë, më besoni, ua them këtë të gjithë qytetarëve që ankohen në celularin tim, në email-in tim apo edhe në informacionin zyrtar. Ua them jo pa dhimbje këtë.

Nuk ka fuqi Ministri i Drejtësisë të ndryshojë përmbajtjen e asnjë vendimi gjykatësi apo prokurori. Jo! Nuk na e kanë dhënë këtë fuqi. Nuk e kemi këtë fuqi dhe mos na e dhënçin kurrë, sepse ky do të ishte fundi i Republikës. Por si Ministër Drejtësie në emër të publikut jam i detyruar të ndaj me ju këto konsiderata. Pavarësia është gjëja më e shenjtë e gjyqësorit, por pavarësi nga shteti nuk ka. E kundërta duhet të ishte në të vërtetë, ju duhet të na drejtonit neve , gjykata duhet të na drejtonte neve. Vendimet e gjykatave duhet ta drejtonin qeverisjen dhe jo të ishte e kundërta siç po ndodh. Po kërkojmë një standard krejt tjetër dhe në fakt nuk po arrijmë të realizojmë standardin minimal, të unifikojmë zbatimin e ligjit. Por si është e mundur që precedenti negativ u përhapka me kaq lehtësi në sistemin gjyqësor nga një gjykatë tek një tjetër, dhe nuk arrin të zbatohet vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë. Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë përhapet me shumë vonesë, ndërkohë vendimi i precedentit për të liruar njerëz nga burgu të cilët dokumentohen nga prokuroria si fajtorë apo ka prova të mjaftueshme për t’i izoluar, gjykata i liron me lehtësinë më të madhe.

Të nderuar gjyqtarë të Republikës,
Përpara se të jeni gjyqtarë jeni qytetarë të këtij vendi dhe ky vend ka nevojë për ju. Nuk ka shtet pa gjykatë, mund të ketë shtet edhe pa qeveri por jo pa gjykatë. Ky është roli i gjykatës që duam t’i japim. Ju lutem na ndihmoni t’ia japim këtë rol. Po çfarë gjykate flasim nëse opinion publik nuk beson tek ju?! Si është e mundur që u besoka qeveria më shume se sa gjykatat?! Sepse gjykata është në drejtim të paditur.

Sepse gjykata nuk është unike sepse gjykata nuk është qytetare dhe kjo është arsyeja, sepse një gjykatë i bien gozhdës dhe tjetra patkoit dhe kali mbetet i pambathur. Kjo është situata, sepse pronat ikën, sepse edhe gjyqet e dëshmisë së trashëgimive kanë filluar të çelin precedentë më vehte. Po na del një jurisprudencë e re. Në gjykatë del një ligj krejtësisht i ri në familje. Raste që vijnë nga praktika.

Mos t’i hyj pastaj historisë së gjykatës administrative e cila u krijua për të shërbyer shpejt, por në fakt është krijuar një qeveri paralele, sepse gjykata administrative në kundërshtim me çdo normë në raste të caktuara i jep vetes të drejtë të bëjë edhe punën e qeverisë, madje të bëjë edhe vlerësim të nëpunësve civilë. Po si e vlerëson kjo gjykatë nëpunësin civil kur nuk e njeh fare, si e vlerëson? Mund të ma thotë kush si bëhet kjo? Nuk jam dakord thotë ai me vlerësimet që i ka bërë punëdhënësi dhe e vlerëson gjyqtari.

Po si e vlerëson gjyqtari? Për çfarë e vlerësoi, me çfarë kriteri? S’kam lekë thotë qeveria që të bëhet një tender, ta bëj thotë gjykata se dua unë. Po ku t’i marri lekët? Çfarë gjykate është kjo? Dhe ja ku na krijohet një jurisprudencë e re. Po çfarë lloj jurisprudence mund të krijojmë ne nëse lekët e shtetit ikin në drejtim të paditur?

Kam qenë dhe mbetem përkrahës i pikëpamjes që çdo nëpunës shteti i ekzekutivit të Republikës së Shqipërisë që shkel ligjet e shtetit për shkak të detyrës ose të palidhur me detyrën, ta gjykoni dhe ta dënoni në rrethana rënduese, absolutisht po. Sepse një nëpunës shteti ka detyrë të zbatojë ligjin dhe kur e shkel ligjin është në rrethana rënduese automatikisht. Por po me të njëjtën thirrje dhe po me të njëjtin pasion kam ndërmend t’iu bëj thirrje që shifni edhe radhët tuaja. Është mënyra më e mirë për të bërë reforma. Distancohuni nga kolegët tuaj të cilët dështojnë të provojnë pasurinë e tyre. Distancohuni, se nuk jeni të gjithë njësoj. Mbrojtja më e mirë në këtë rast nuk është sulmi, por është distancimi nga e keqja, është zbatimi i ligjit në mënyrë të përpiktë dhe unike.

Por kam edhe një lajm për ju, e gjithë politika në kor nga “a” tek “zh” ka një dakordësi. Ne mund të kemi shumë debate me njëri tjetrin, por për një gjë kemi rënë të gjithë dakord dhe atë vendim do ta bëjmë dhe do ta bëjmë se nuk ka rrugë tjetër, por vendim më të mirë sesa t’ia bëni ju vetes unë nuk besoj se do të ketë. Nuk besoj se ka politikë që do ta bëjë më mirë sesa ju. Jeni ende në kohë, jepini drejtim në bazë të ligjit, natyrisht edhe në zbatim të ligjit.

Natyrisht përsa kemi fuqinë që na jep ligji i sotëm dhe Kushtetuta e sotme, unë do të bëj ç’është e mundur në bashkëpunim me KLD, që të verifikohet puna e secilit, patjetër që po. Bashkëpunimi dhe me Këshillin e Prokurorisë në Prokurorinë e Përgjithshme, për pjesën e prokurorisë, patjetër që po. Sepse kam qenë dhe mbetem përkrahës i largimit nga praktika jonë e punës së “pingpongut jo e ka fajin ky, jo e ka fajin ai.

Jo jo, s’ka faj këtu, s’ka faj të papërgjegjshëm, faji ka përgjegjshmëri, ka emër, ka dhe mbiemër. Do t’i bëjmë të gjitha sa kemi mundësi. Por thirrja ime për ju është të zbatoni ligjin, kthehuni në rrugën ligjore, kthehuni në rrugën normale. Do të dënoni kush është për tu dënuar, sigurisht do të jepni edhe pafajësi. Kush nuk e meriton të dënohet, nuk diskutohet. Kjo është detyra e gjykatës. Por e kam të pamundur sot që unë të bie dakord me gjykatën e cila shqyrton çështje nga jurisprudenca italiane, nga jurisprudence franceze, nga jurisprudenca gjermane, me persona të dënuar atje nga gjykata me përvojë të jashtëzakonshme dhe gjykata jonë i nxjerr nga burgu.

Tamam në çastin kur vendosim ekstradimin, ikin njerëzit nga burgu, persona të dënuar. Si mund ta pranojmë këtë? Për çfarë integrimi flasim ne? Doni të hyjmë në Europë apo s’do të hyjmë në Europë. Tek cila Europë do të hyjmë ne? Tek Europa që nuk i njohim vendimet e gjykatës? Më falni, mos duhet që vetëm qeveria të hyjë në Europë dhe gjykatat të rrinë në Shqipëri? Si ta bëjmë këtë ne tani? Jo pra, e duam të gjithë Europën, dhe Europën e duam kur ja njohim vendimet dhe ia zbatojmë vendimet e gjykatës. Kjo është historia dhe vendoseni pastaj në vështirësi, pse na kritikojnë… Për t’u kritikuar jemi, për të ulëritur jemi. Nuk njohim vendimet e gjykatës italiane, ne, jurisprudenca e famshme… Unë e di se ndoshta as nuk duhet t’i hyj arsyeve pse ndodhin këto gjëra. Sigurisht e kam një arsye, mund ta dyshoj një arsye siç mund ta dyshojë kushdo. Thashë që nuk kam ndërmend të akuzoj askënd, por problematika është e ulur këmbëkryq midis nesh.

Ju lutem shumë merrni komandën e situatës, drejtoni proceset gjyqësore, gjykoni shpejt. Masat e jashtëzakonshme funksionojnë në gjëra të jashtëzakonshme dhe situata e jashtëzakonshme ka ardhur për shkak të sjelljes së gabuar. Këtë duhet ta pranojmë.
Filloni të kuptoni që secili tashmë e ka kokën mbi shpatullat e veta. Askush nuk ju merr më në mbrojtje, askush. Juve jeni zyrtarë që monitoroheni në jetë të jetëve. Jeni zyrtarë që Prodhoni dokumente me firmë dhe me vulë dhe jeni të verifikueshëm.
Edhe një herë faleminderit për vëmendjen. Ndjesë që ju shmanga pak nga tema, por e çmova të arsyeshme për t’i kombinuar gjërat.
Patjetër në burg kush ta meritojë, por shihni edhe variantet alternative.

Burimi:(integrimionline\E S)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al