Manjani: Reforma në Drejtësi proces konsensual i të gjitha palëve

Aktualiteti politik me shkarkimet e ministrave dhe emrimet e tyre brënda ditës, pranimet e shkarkimeve dhe mos dekretimet. Vizirta zyrtare e Kerryt në Tiranë mesazhet e tij për reformën, Byroja e hetimit dhe dakortësia e munguar, mardhënjet e tij me politikën dhe me Kryeministrin e vëndit, Reforma në Drejtësi, Shkolla e Magjistraturës dhe gjithcka që lidhet me funksionimin e shtetit ligjorë dhe respektimin e të drejtave të qytetareve. Asgjë nuk -mund të shpëtojë, pa u vënë re nga optika e numrit një të Drejtësisë.

Intervista e ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani, dhënë në televizionin “Report”

Manjani, mediat kanë folur sot për një përplasje të re të shumicës dhe Presidentit të Republikës për mosdekretim e ministrave të rinj. Cili është komenti juaj?

Nuk ka një mosdekretim. Ka një ushtrim të kompetencave kushtetuese nga ana e Presidentit. Ashtu siç ka dhe një ushtrim të përgjegjësive kushtetuese nga ana e Kryeministrit, i cili ka për detyre substanciale marrjen me detyrat e qeverisjes dhe të përbërjes së qeverisë. Kështu që është herët të themi që ka një përplasje. Brenda 7 ditësh Presidenti i Republikës i duhet të dekretojë propozimet e Kryeministrit. Kjo është Kushtetuta dhe nuk kemi çfarë të diskutojmë më. Kjo është një procedurë kushtetuese që është zbatuar prej vitesh dhe ne nuk kemi arsye pse të paragjykojmë apo të krijojmë insinuata, të cilat mund të prishin punë më shumë se sa të ndreqin.

Edhe pas asaj që ndodhi me vizitën e z. Kerry, a ka një përplasje mes Presidencës dhe Kryeministrisë?

Duke sikur ka pasur një përplasje protokollare për vizitën e z. Kerry. Unë nuk jam zyrtari që merret me protokollin e shteti. Unë kam qenë i pranishëm në takimet me z. Kerry. Ka qenë një takim shumë i frytshëm, një takim shumë i drejtpërdrejtë, shumë i sinqertë nga të dyja palët. Është folur hapur, është folur rreth atyre çështjeve që është thënë edhe publikisht ashtu siç nuk është folur për disa çështje të tjera që pretendohet. Besoj se ka qenë një vizitë shumë e suksesshme për sa na takon neve dhe besoj që është diçka për tu përgëzuar.

U diskutua në takim me z. Kerry për çështjen e muxhahedinëve?

Në takim nuk është diskutuar për këtë çështje.

Si e gjykoni që kanë ardhur dhe pritet të vijnë 2000 muxhahedinë pa një bazë ligjore, pa një marrëveshje?

Kjo është temë tjetër. Ju më pyetët nëse është diskutuar në atë takim dhe unë ju thashë që nuk është diskutuara. Pastaj, nëse vërtet është kjo çështje atë Departamenti amerikan i Shtetit në marrëdhëniet bilaterale që ka me shtetin shqiptar ka shumë mënyra për ta diskutuar dhe pastaj shteti shqiptar reagon në bazë të kërkesave apo negociatave që bëhen. Unë nuk jam në dijeni të kësaj çështjeje.

Po çështja e Byrosë Kombëtare të Hetimit është diskutuar?

Jo në atë tryezë nuk është diskutuar për çështjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kemi biseduar për rëndësinë e reformës në drejtësi në tërësi. Z. Kerry qartazi e theksoi në mënyrë të përsëritur nevojën për një reformë në drejtësi të thellë, transparente, bashkëpunuese dhe si një sfidë të shtetit shqiptar në mënyrë të veçantë për të thithur investimet e huaja. Kjo ka qenë mesazhi i qartë me tekst të drejtpërdrejt i z. Kerry për ne. Pra, e konsideroi reformën në drejtësi si një pjesë të së ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe si një pjesë të përmirësimit të klimës së investimeve të huaja në Shqipëri.

Është folur për domosdoshmërinë e një kompromisi me opozitën për reformën në drejtësi?

Është folur për gjithëpërfshirje dhe për një reformë të thellë dhe transparente.

Rama tha pas takimit se kjo reformë përfundon në mars. Nga e ka këtë garanci kryeministri?

Është një angazhim zyrtar, politik, publik i Kryeministrit të vendit. Është normale që Kryeministri të flasë me axhenda, të flasë me gjëra konkrete. Unë besoj se në qoftë se ne hyjmë sa më parë të jetë e mundur në një proces konsultimi politik, të domosdoshëm për të siguruar hapësirën konsensuale për këtë çështje, është plotësisht i mundur miratimi i ndryshimeve kushtetuese brenda muajit mars.

A keni sinjale nga opozita që është dakord me këtë gjë?

Sinjalet janë të qarta. Të gjithë janë dakord me faktin e domosdoshmërisë së reformës. Kemi shpallur një dakordësi për t’iu referuar rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe besoj që me ardhjen përfundimtare të këtyre rekomandimeve, ndoshta edhe më shpejt, mund të fillohet kjo puna. Është krejtësisht e mundshme që me vullnet të mirë të mbarojë. Ka sigurisht disa shqetësime që duhen trajtuar, ka sigurisht disa elementë që ia vlen t’i analizojmë mirë dhe të marrim vendime të pjekura. Reforma të thella me vendime të papjekura ne kemi bërë edhe në të shkuarën dhe na kanë rezultuar jo shumë efektive. Sot fjala kryesore është sigurisht konsensusi por jo konsensus për të bllokuar punën por konsensus për të ndërtuar një sistem gjyqësor realisht të pavarur, që t’i shërbejë njerëzve dhe t’i japë fund një herë e mirë të fortëve, parellinjve, politikanëve dhe atyre që abuzojnë me pushtetin.

Pritet që në javën e parë të marsit të vijë drafti paraprak në mos gaboj. Dhe dy çështjet që ende palët mbeten të distancuara mbetet çështja e votimit 2/3 apo 3/5 dhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm. Ku jeni me këto çështje?

Sikur të ishin kaq pak do ishim shumë të lumtur. Nuk është kjo tema. Tema është që nga Komisioni i Venecias ne presim një vlerësim përfundimtar mbi standardet. Kush është minimumi i pranueshëm dhe kush është maksimumi i lejueshëm. Këtë të thotë Venecia. Venecia nuk të thotë që ky drafti është më i mirë se ky tjetri.

Që do të thotë me pak fjalë, që kushdo pjesëmarrës politik në Parlament, sepse unë nuk besoj se ka palë në këtë diskutim, është i lirë të japë opinionin e tij, pozicionet publike, pozicione të cilat arrijnë të na vendosin në një dokument kushtetues, që t’i hapi rrugën një reforme të thellë, por të mos harrojmë edhe një gjë tjetër: ne duhet të ndërtojmë skema më të përgjegjshme, duhet të ndërtojmë skema llogaridhënie, zyrtarët e shtetit, zyrtarët e drejtësisë, pushteti, prokurorë, por llogari duhet të japin. Duhet të marrë fund njëherë e mirë historia që askush nuk jep llogari te askush në emër të pavarësisë.

Një nga mekanizmat që i vë në pozitë të vështirë zyrtarët e lartë do të jetë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, ku duket se ju brenda mazhorancës duket se nuk jeni shumë të qartë, pale të shkojmë tek opozita…

Në kuptimin politik nuk besoj se ka ndonjë paqartësi. Pozicionet janë të qarta, janë shprehur në Parlament. Nuk kam çfarë t’i shtoj atij pozicioni politik. Në kuptimin zyrtar unë jam ministër, unë nuk jam propozuesi për Byronë e Hetimit. Nga ana tjetër nuk bëj dot as zëdhënësin e qeverisë sepse qeveria sipas Kushtetutës nuk miratimin ligje por propozon. Pra, nga kjo pikëpamje mos më kërkoni që unë të bëj çfarë doni ju të bëj.

Byroja do të jetë në varësi të Ministrit të Brendshëm apo të Prokurorisë?

Është një çështje që i takon krejtësisht, dhe në mënyrë sovrane Parlamentit të Shqipërisë të bëjë zgjedhjet e duhura. Ka vendime të Gjykatës së Kushtetuese, ka përvoja në Ballkan që funksionojnë në Ballkan edhe më gjerë edhe ata janë ndërtuar me ekspertizë ndërkombëtare gjithashtu. Unë mund t’iu them këtë gjë që ne na duhet, pra shtetit shqiptar i duhet një reformë e thellë në fushën e ndjekjes penale.

Sepse, si Ministër Drejtësie mund t’iu raportoj, siç kam thënë edhe herë të tjera, kemi më shumë sesa gjysmën e personave të izoluar në sistemin tonë peniteciar, pra në burgje dhe në paraburgim, pra më shumë sesa gjysma e personave janë persona të padënuar ende. Dhe kjo nuk është drejtësi penale. Burgu është bërë më së pari për ata që dënohen. Dhe në qoftë se në burg qëndrojnë sot njerëz të padënuar se të dënuar, atëherë këtu kemi një problem shumë të madhe me efeciencën e hetimit, kemi një problem shumë të madh me afatet e hetimit, kemi një problem shumë të madh me pingpongun e përgjegjësive, se kush mban përgjegjësi, dhe kjo është një histori e përsëritur në jetën publike shqiptare, ku askush nuk mban përgjegjësi për asgjë.

Dikush duhet të japë llogari sepse është e pamundur që kjo histori të vazhdojë kështu në jetë të jetëve. Dhe mos harroni, në fund fare, u kushton xhepit të njerëzve sepse për faj të një njeriu duhen 800 euro në muaj. Dhe kjo është diçka e papranueshme. Duke shtuar këtu koston e shkeljes së të drejtave të njeriut eventualisht apo koston e pafajësisë që mund të marrin këta njerëz në kushtet e mungesës së provave, gjykimit të pandershëm dhe plus kostoja që marrin gjykatat shqiptare kur japin vendime, ndoshta edhe në bazë të ligjit, për shkak të mungesës së provave, vendime pafajësie, dhe që njerëzit pastaj ju tregojnë gishtin që nuk ju besojnë.

Dhe kjo është një histori që përsëritet dhe mua kjo më shqetëson: çfarë reforme do bëjmë mbi hetimin penal? Po zgjidhëm këtë, të gjitha të tjerat janë të zgjidhura. Vëreni ku të doni Byronë pastaj, nuk është kjo tema. Tema është që çfarë do bëjmë për njerëzit që hetohen, mbi njerëzit që arrestohen, mbi njerëzit që pa u futur ende në burg u del lajmi që janë fajtor dhe ky është kulmi i standardeve demokratike. E kam thënë dhe vazhdoj të jem i bindur në këtë që ne nuk jemi në kushtet e drejtësisë popullore, që të gjykojë media, gjykon lagja. Provat dhe faktet i çon prokurori, i çon shteti.

Shteti kundër individit është standard demokratik. Pse si erdhi problemi te gjykatat, si u krijua? E krijuam me këtë skemë pra, duke ik nga prokurori nga akuza dhe duke u marrë kot askush nuk shkon te dera e gjyqit ku palët janë të qarta si në të gjithë botën demokratike. Prokurori dhe shteti përballë individit. Ne duhet të besojmë gjykatën. Nuk them detyrimisht këtë gjykatë sepse ajo duhet pastruar por të renë që do ndërtojmë ta ndërtojmë mbi shina demokratike, mbi shina kushtetuese. Pra ne duhet të ndërtojmë një sistem të tillë që hetimi penal në këtë vend të jetë i provuar.

Prova është ajo që të fut në gjyq, nuk të fut deklarata politike, nuk të fut media, nuk të fut gënjeshtra, nuk të fut as lagja. Dhe ç’është më e keqja, janë ata që e kanë vuajtur drejtësinë popullore në kurriz sot kërkojnë drejtësinë popullore. Ne duhet të ndërtojmë një sistem prokurator, një sistem prokurorie dhe hetimi penal pa ping-pong dhe me përgjegjësi, që kur ti ngresh tjetrit gisht e akuzës në gjyq duhet ta kesh provuar, përndryshe do e vuash në kurriz. Dhe kjo është reforma që unë kam kërkuar që ditën e parë të punës sime si Ministër i Drejtësisë dhe kam ndërmend të rri deri ditën e fundit me këtë standard.

Pra, po kërkoni një rol më të rëndësishëm të organit të akuzës dhe Byronë e Hetimit e kërkoni tek organi i akuzës…?

Çështja e hetimit dhe gjykimit të korrupsionit në këtë është një çështje madhore gjithashtu. Është pjesë e skemës së madhe të ping-pong-ut të përgjegjësive. Në momentin që zgjidhet çështja e ping-pong-ut të përgjegjësive, çështja e hetimit të korrupsionit bëhet më e thjeshtë pastaj, sepse korrupsionin nuk kanë për ta hetuar nallbanët, as ata që janë pjesë e skemës.

Korrupsioni, në definicion, në përkufizim, gjendet në qeveri. Kjo është një pikëpamje. Ka edhe një pikëpamje tjetër që të pavarësojmë dhe ndërtojmë skema të tilla edhe brenda strukturave të qeverisë si garanci që të ndihmojmë Prokurorinë. Ka lloj-lloj skemash, të gjitha janë të pranueshme. Në kuptimin e standardit demokratik, të gjitha janë të pranueshme. Për mua, çështja e Byrosë është shumë e rëndësishme, por në radhë të parë është e rëndësishme hetimi penal.

Çfarë do të bëhet me hetimin penal? Si do merret akuza në gjyq? Si do bëjmë ne që prokurori shqiptar të shkojë në gjyq i furnizuar me prova dhe jo me deklarata publike? As me përgjime, sepse nuk shkohet në gjyq me përgjime. Përgjimi nuk është provë në kuptimin procedural, por është mjet për të çuar ty tek provat. Jemi në çështje konkrete tani. Duhet të jemi shumë konkret dhe shumë seriozë në këtë gjë.

Cili është qëndrimi juaj për Prokurorin e Përgjithshëm? Si ka qenë, sipas jush, puna e tij deri më sot, z. Manjani?

Puna e Prokurorisë së Përgjithshme sigurisht është e matshme. Në vitin që kaloi, mendoj që Prokuroria e Përgjithshme ka bërë goditje goxha të mira. Mos harroni që janë marrë në përgjegjësi penale, për herë të parë, tre deputetë. Ka marrë përgjegjësi penale një guvernator banke.

Të mos i harrojmë këto gjëra. Duhet të kuptojmë që, jetojmë në kushte të tilla që asnjëra nuk justifikohet, sjellja apo defektet e vëna re. Por, para se të bëjmë kritika, e mira është të njohim disa arritje, të shërbimit të Prokurorisë së shteti dhe jo të trupës së prokurorëve, apo një prokurori në mënyrë të veçantë. Unë si ministër drejtësie, bëj një vlerësim në total të punës së Prokurorisë dhe më rezulton që, brenda një trendi normal të funksionimit të saj, në kuptimin e çështjeve të fituara dhe të gjykuara, sigurisht ka edhe një analizë tjetër për të bërë. A jemi të lumtur? Sigurisht që nuk jemi të lumtur, në kuptimin që, do të donim shumë që të kishte më shumë çështje të paraqitura në gjykatë për gjykim. Do donim të kishim më shumë ndëshkueshmëri, veçanërisht për krime që kanë qenë të bujshme ndër vite dhe që kërkojnë sqarim të opinionit publik.

Do të ishim shumë më të lumtur nëse opinioni publik do të ishte më i sqaruar, sepse vërtet të dhënat hetimore nuk ekspozohen në media, por informacion publik mund të jepet për të sqaruar disa gjëra. Sepse në pozitën si ministër drejtësie kam jo pak vërejtje për punën e prokurorëve të veçantë. Sigurisht ankesat i bëjnë qytetarët, të cilat ne i verifikojmë. Jo gjithmonë na rezulton, për fat të keq, ashtu siç thuhet. Kur them për fat të keq përsa i takon qytetarëve, por, për fat të mirë na rezulton që nuk është edhe ai perceptim kaq i keq sa duket për Prokurorinë e Përgjithshme.

Ju keni ndërmarrë një nismë me faqen ‘Shkruaj ministrit’. A jeni i kënaqur?

Me sasinë e shkrimeve, po, jam më shumë se sa i kënaqur, por me mundësinë që kam në dorë për të reaguar me shpejtësinë që kërkohet dhe me nevojat që kanë njerëzit, me thënë të drejtën, jam i pakënaqur, sepse e tillë është pozita e ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë nuk jep drejtësi.

Pra, unë as nuk ndryshoj vendimin e gjykatës, as nuk çoj njeri në gjyq, as nuk e kontrolloj dot gjykatësin dhe prokurorin për shkak të vendimit që ka dhënë. Ajo që mund të bëjë ministri i Drejtësisë është një verifikim ankese, mund të bëjë edhe një procedim disiplinor, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në raste ekstreme kur gjykatësi realisht e shkel etikën apo në rastin kur cenon rëndë autoritetin apo figurën e gjykatësit, në rastin kur gjykatësi kapet me pasuri të padeklaruar apo të deklaruar keqas. Këtë bën pra ministri i Drejtësisë. Ai nuk ia ndryshon dot vendimin gjykatës.

Po për çështjen e Hipotekave ju mund të keni hapësira?

Edhe ZRPP-a funksionon si ndërmarrje në thelb. Ajo është ndërmarrje më vete, ka buxhetin e vet, ka borxhin e vet, ku sigurisht ministri i Drejtësisë ka një rol për të luajtur aty, në kuptimin e emërimeve – shkarkimeve, por në kuptimin e politikave në këtë sektor unë jam përgjegjës dhe ndihem absolutisht përgjegjës dhe gjithmonë përpiqem të kërkoj ndjesë në emër të shërbimit të munguar në këto zyra, sepse njerëzit nuk kanë asnjë hak dhe asnjë hile pse ne nuk gjejmë dot rrugën e duhur për të shërbyer shpejt. Kam disa sinjale pozitive.

Për shembull, vetëm për muajin janar kanë qenë 8 mijë kërkesa të regjistruara vetëm në Tiranë, si asnjëherë tjetër. Dhe kjo ka ardhur si rezultat i këtij presioni. Sigurisht që jam i vetëdijshëm që gjërat jo gjithmonë bëhen me presion. Kam bërë disa ndërhyrje të tipit strukturor që, disa shërbime t’i marrin tek zyra e noterit.

Kemi pasur disa defekte teknike, siç ndodh në çdo fillim, të cilat do të përpiqem që t’i rri vetë tek koka që të zhbllokohen sa më shpejt. Dhe nuk do të ndalem në këtë rrugë deri sa të arrijmë tek standardi që, prona që është në inventarin e një qytetari i takon atij dhe nuk ka burrë më përmbi kësaj toke që t’ia prekë atë.

Meqë përmendët pronat, është një ligj i ri, i cili është kontestuar shumë ndërkohë që, ka nisur zbatimi i tij, edhe pse çështja është në Gjykatë Kushtetuese…

Nuk ka nisur zbatimi i këtij ligji. Znj. Qato po bën gjithë fazën përgatitore për të hartuar aktet nënligjore që kërkon ligji i ri dhe unë besoj që shumë shpejt, ndoshta që javën e ardhshme, do t’i kemi në qeveri të miratuara. Ligji pritet të hyjë në fuqi dhe këtu s’ka asnjë temë tjetër për të diskutuar.

Si ministër i Drejtësisë, kam përgjegjësi ekzekutive dhe politike që ky proces të zhbllokohet një orë e më parë. Ligji është bërë sipas të gjitha standardeve të ministrave të Këshillit të Evropës, sipas të gjitha standardeve që na ka dhënë ne Gjykata e Strasburgut. Na është dhënë një detyrë konkrete, si asnjëherë tjetër, që të gjejmë një formulë të arsyeshme. Na është thënë që duhet të bëjmë një hartë unike për regjistrimin e pronave të pronarëve të Republikës së Shqipërisë.

Na është thënë që duhet të shkurtojmë afat procedurale të aplikimit të njerëzve dhe shkurtimit të procedurave. Na është thënë që duhet të planifikojmë më shumë buxhet dhe kemi planifikuar më shumë buxhet. 25 milionë dollarë vetëm në këtë fazë të parë. Në 10 vitet e ardhshme ne pretendojmë që angazhimi buxhetor të jetë e tillë që të zgjidhet një herë e mirë si problem. Ne sot për shkak të ping-pongut të papërgjegjshëm politik të të gjithë krahëve, kemi në fuqi ligje që nuk zbatohen, kemi ligje me nene pa kuptim që të japin të drejtë por nuk të japin pronën.

Kanë 20 vjet që sorollaten pronarët sa në Tiranë, në Strasburg. Fakti është që nuk prona nuk shkoi te i zoti por te më i zoti. Ndaj themi që ta ulim në realitet gjithë këtë histori dhe të heqim ligj për dëshira. Të ulemi me këmbë në tokë dhe të arsyetojmë. Ligji i ri thotë që do të “jap pronën që të kam marrë, por me vlerën e sotme”. Sepse e njëjta tokë e ’46 nuk ka të njëjtën vlerë sot. Këto janë paratë e taksapagueseve dhe kjo është një histori që ne duhet të jemi të drejtë.

 Si i gjykoni ndryshimet e fundit në qeveri dhe si janë marrëdhëniet tuaja me kryeministrin Rama?

Janë marrëdhënie normale. Janë marrëdhënie pune, siç punon një ministër me një kryeministër. Diskutojmë dhe bashkëpunojmë. Të gjitha reformat, jo vetëm atë në drejtësi por edhe në ekzekutiv gjithashtu, janë pjesë të diskutimit tonë të përditshëm. Diskutojmë jo pa temp, pa shqetësim, jo pa pasion.

Të dy jemi pasionant. Pasioni është një gjë njerëzore. Pavarësisht rregullave të PR-it që sugjerojnë që të jesh i ftohtë. Unë kam preferuar të jem vetvetja. Nuk e kam bërë asnjëherë këtë makijazhin politik për të fituar terren pa arsye.

A e kundërshtoni kryeministrin në raste të caktuara ?

Gjërat bëhen sipas një programi. Janë të programuara. Nuk janë në dëshirën as të ministrit dhe as kryeministrit. Kryeministri dhe ministrat zakonisht bien dakord mbi gjëra konkrete. Nuk ka diskutime se kush është njëri dhe kush është tjetri. Nuk ekzistojnë këto gjëra.

A prisnit që ministri Cani të largohej kaq rrufeshëm ?

Nuk është detyra ime. Unë ruaj një respekt për shkak të përvojës sime në ekzekutiv. Kushdo të jetë ministri i Financave unë kam treguar një respekt institucional sepse ministri i Financave është një njeri shumë i rëndësishëm.

Me z. Cani kemi pasur dhe kemi edhe marrëdhënie miqësore e shoqërore, bisedojmë. Është gjykimi dhe vlerësimi i kryeministrit për punën tonë. Unë jam anëtar qeverie nuk bëj dot vlerësim as pozitiv dhe as negativ për kolegët e mi. Përpiqem të kontribuoj ashtu siç ka kontribuar deri më sot z. Cani, ashtu siç kontribuojnë edhe kolegët e mi dhe ju siguroj që kontribuojnë jo pak, me gjithë energjinë dhe pasionin  e tyre.

Sipas jush, ishte një lëvizje e duhur kjo që bëri z. Rama?

Këtë e gjykon kryeministri. Po të ishim në marrëdhënie tjetër për të gjykuar atëherë mund të gjykonim.

Çfarë synon nisma mbi Shkollën e Magjistraturës dhe ajo mbi koncesionet?

Së pari, unë kam marrë një nismë, të cilën po e konsultoj, për të liberalizuar kuotat e pranimit në shkollat e Magjistraturës. Kam qenë dhe jam i bindur në këtë nismë,  për shkak të nevojë që ne kemi në reformën në drejtësi, pas procesit të hetimit, ne do të na duhen burime njerëzore të mjaftueshme.

Kam qenë dhe mbetem përkrahës i parimit që në sistemin gjyqësor nuk mund të hyjë më jurist pa shkollën e Magjistraturës. Pra, duhet të ketë shkollën e Magjistraturës dhe kjo e mbyll përfundimisht diskutimin e karrierës në sistem. Nga kjo pikëpamje na duhet që në Shkollën e Magjistraturës të kemi sa më shumë burime njerëzore dhe me përparësi e kam premtuar dhe e shkruar në ligj që duhet të drejtohen, të paktën një ose dy vitet e para pa konkurs studentë të cilët kalojnë testin e akreditimit të diplomave që kanë mbaruar jashtë dhe që mund të pranohen automatikisht në Shkollën e Magjistraturës.

Kjo nuk do të thotë që do të marrin provimet, por të paktën u japim shansin që ata të shkollohen. Së dyti, studentët e ekselencës, kjo është një gjë që ne duhet ta përkrahim dhe mbështesim fort, sepse realisht ne kemi nevojë për këtë. Ndërsa sa i përket çështjes së koncesioneve, është nismë e grupit parlamentar të LSI-së, ku ka një pyetje të madhe që ngrihet në gjithë këtë diskutim mbi koncesionet; a mundet që një qeveri që e ka jetën kushtetuese 4 vjet të vendosë apo drejtojë administrimin e pasurisë publike, apo të qoftë edhe shërbimeve publike për afate që e tejkalojnë këtë mandat. Logjika më e thjeshtë do të ishte që nëse nuk e ke mandatin atëherë mirë do të ishte të diskutohej në një plan politik në Parlament.

Në Parlament, është edhe opozita. Opozita duhet të ketë mënyrën dhe aksesin për t’u shprehur për diçka, që është me rëndësi kombëtare. Administrimi i pasurisë kombëtare nuk është brenda një mandati qeverie. Është me rëndësi kombëtare. Kjo ka qenë arsyeja, e para, dhe e dyta deputetët kanë propozuar disa ndërhyrje që të ketë sa më shumë studime fizibiliteti të pavarura nga aplikuesi me qëllim që shteti të jetë përgjegjës. Këto janë disa saktësime, për të cilat unë mendoj se janë shumë të arsyeshme dhe duhen pranuar edhe me rregullimet përkatëse legjilastive.

Burimi:(integrimionline\E C)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al