Zbardhen detaje të reja nga masakra që ndodhi dje pasdite në Mat, ku u vranë dy punonjës të bashkisë dhe një banor i zonës, ndërsa njëri mbeti i plagosur nga breshëria e automatikut që zbrazi autori Kujtim Koxha.

I plagosuri ka deklaruar para grupit hetimor se ‘Në momentin që autori i kësaj ngjarjeje Kujtim Koxha ka zbrazur karikatorin e automatikut brenda në lokal kanë qenë 13 persona, punonjës të bashkisë Mat dhe banorë të zonës. Sapo Koxha ka nisur të shtënat drejt tavolinës së tre viktimave, djali i pronarit të lokalit i ka kapur armën duke shmangur tragjedinë’.

Koxha ka konsumuar kafe me njërin nga viktimat rreth orës 10: 30 të paradites e më pas është larguar për tu rikthyer rreth orës 13: 30 minuta në qendër të fshatit.

Mësohet se në këtë moment, autori ka debatuar me njërin nga punonjësit duke i kërkuar të largoheshin nga fshati. Kolegët kanë ndërhyrë për t’i ndarë dhe të dy palët janë larguar, punonjësit për në lokal e autori për në banesën e tij.

Por Koxha është rikthyer me armën e krimit duke gjuajtur drejt tyre në momentin që ata po hanin drekë, ndërsa të vdekur mbetën punonjësit e Bashkisë Mat, Mentor Hoxha 35 vjeç, Erzen Aliaj 49 vjeç si dhe Hamit Buci 38 vjeç, banorë i fshatit Shëlli.

Ndërsa i plagosuri Astrit Hani sipas burimeve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori Kujtim Koxha i njohur njihet si tip problematik në fshat, nuk ka pranuar që të flasë para grupit hetimor, pa praninë e një avokati ndërsa pritet që nesër të dalë para gjykatës. Tre viktimat janë përcjellë për në banesën e fundit mesditën e sotme.