Ndërkohë që numri i viktimave nga virusi vdekjeprurës i Wuhanit ka shkuar mbi 1000, Kina ka shkarkuar disa zyrtarë të lartë të cilët po punojnë për trajtimin dhe zbulimin e shpërthimit të koronavirusit.

Midis zyrtarëve të larguar nga puna janë sekretari i partisë për Komisionin e Shëndetit në Hubei dhe kreu i komisionit, raporton BBC.

Ata janë zyrtarët më të vjetër në profesion që janë larguar nga puna. Nga puna u hoq edhe Zëvendësdrejtori i Kryqit të Kuq vendor.

Të dy zyrtarët e partisë Hubei do të zëvendësohen nga zv/drejtori i Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës, Wang Hesheng.

Shkarkimi  i tyre ka ardhur pas kritikave në rritje për mënyrën sesi autoritetet po merren me shpërthimin dhe parandalimin e koronavirusit vdekjeprurës.

Bilanci i personave që kanë humbur jetën apo që janë të infektuar nga koronavirusi kinez po rritet çdo ditë e më shumë.

Aktualisht numri i viktimave nga virusi vdekjeprurës i Wuhanit ka shkuar në 1013, ndërsa mbi 42 mijë persona raportohen të infektuar në rang globale.

Numri i përgjithshëm i atyre që mbahen nën vëzhgim që kanë paraqitur të paktën një simptomë të infeksionit ka shkuar në 188 000 kurse mbi 3000 konsiderohen të shëruar dhe kanë dalë nga spitalet.

Ndërkohë në internet qarkullojnë fotografi që tregojnë se si transportohen për në spitale apo qëndrat e karantinës të infektuarit me virusin e ri kinez.

Wuhani është duke u përballur me ‘kushte të kohës së luftës’, pasi qyteti duket tërësisht i izoluar, ndërkohë që autoritetet kanë filluar të shkojnë derë më derë duke kontrolluar temperaturën e qytetarëvë dhe duke izoluar personat që dyshohen si mbartës të koronavirusit.

Nga njerëzit e infektuar, shumica dërrmuese janë në Kinë kurse dy të tretat në Ëuhan. Shkencëtarët kinezë pohuan se burimi i këtij virusi mund të vijë nga kafshët, kjo bazuar në analizën gjenetike, megjithëse rezultatet ende nuk janë bërë zyrtare.