Meta: LSI ka për detyrë dhe për mision t’i shërbejë interesit të gjerë publik dhe të përfshijë të gjithë ata të cilët duan një Shqipëri pozitive, një Shqipëri që i jep qetësi, që u jep të ardhme

struktura-1Kryetari i Lëvizjes Socialiste, z. Ilir Meta zhvilloi një takim me strukturat në Korçë në kuadër të zgjedhjeve për Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim që do të mbahen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ditën e diel në 6 nëntor 2016.

Në këtë takim, z. Meta shoqërohej nga Ministrja për Integrimin znj. Klajda Gjosha, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, Nënkryetari i LSI-së, z. Endrit Braimllari dhe deputeti i qarkut të Korçës, z. Piro Kapurani.

Gjatë bashkëbisedimit, z. Ilir Meta e cilësoi të rëndësishme garën për të ardhmen e LSI-së, por edhe si një demonstrim i përgjegjshmërisë për të ardhmen e vendit.

“Besoj që kemi të bëjmë me një garë të rëndësishme sepse kjo është gara për të ardhmen, nuk është thjesht gara për kryetarin. Pra është gara për të ardhmen e LSI-së, e cila njëkohësish është një demonstrim, i përgjegjshmërisë për të ardhmen e vendit. E ardhmja e LSI-së është shumë e rëndësishme që të reflektojmë mbi të gjitha arritjet që LSI-ja ka deri më sot, por njëkohësisht edhe t’i përgjigjet sfidave të mëdha që kërkon drejtimi dhe menaxhimi i një force politike që sot është shumë herë më e madhe se sa vite më parë”, tha z. Meta duke shtuar se LSI është një forcë politike drejt së cilës çdo ditë vijnë të rinj, të reja dhe qytetarë për t’u përfshirë, për t’u dëgjuar, për t’u anëtarësuar, për të dhënë kontributin e tyre.

Ilir Meta u shpreh se momenti i zgjedhjeve në LSI në këto 2-3 muaj është i rëndësishëm edhe për të rishikuar të gjithë organizimin, veprimtarinë, për të parë edhe programin politik dhe për të reflektuar edhe për shumë sfida me të cilat është ndeshur qeverisja dhe me shumë shqetësime prej të cilave dëgjohen nga qytetarët.

Kryetari i LSI-së vlerësoi rolin që kjo forcë ka dhënë në stabilitetin e vendit.

“Unë besoj se ne të gjithë jemi krenar për kontributin që Lëvizja Socialiste për Integrim ka dhënë në mënyrë të veçantë për stabilitetin e vendit dhe për një klimë politike sa më konstruktive.  Natyrisht ne nuk jemi i vetmi aktor dhe faktor në vend. Dhe skena politike ka dhe aktorë dhe faktorë të tjerë. Por jam i bindur që të gjithë jemi krenarë që kemi dhënë shembullin e një politike pozitive, e një politike bashkëpunuese, e një politike konstruktive, të një politike koherente, të një politike konkrete, të prekshme, e cila synon që të ndryshojë gjithçka që i intereson vendit, që i intereson komunitetit, që i intereson qytetarëve”, tha z. Meta.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, z. Meta tha se kjo nismë është reforma më e rëndësishme dhe më e madhe, e cila duhet të kthehet në një shpresë të madhe për të gjithë qytetarët në vendin tonë që Shqipëria do të jetë një shtet më i drejtë, më i besueshëm, më garantues për liritë dhe të drejtat e tyre dhe njëkohësisht një shtet shumë më efektiv në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe kundër shumë fenomeneve të tjera.

“LSI u dallua që në fillim për vazhdimësinë, për qartësi, për koherencë dhe për konstruktivitet sepse në fakt kjo nuk ishte një kërkesë e LSI, ishte reflektim i asaj që kërkonin shumica e shqiptarëve, një reformë në drejtësi dhe natyrisht shumica e shqiptarëve e kërkonin atë me konsensus në mënyrë që kjo të ishte një reformë plotësisht legjitime, nga pikëpamja kushtetuese, por edhe politike, edhe morale, sepse çështja e institucioneve nuk është vetëm një çështje ligjore, formale, por është edhe një çështje besimi. Dhe në këtë drejtim ne jemi krenar që dhamë një kontribut pozitiv  dhe do të vazhdojmë ta japim atë në këtë në këtë drejtim sepse kjo është kërkesë e të gjithë shqiptarëve”, tha z. Meta.

Duke nënvizuar se konfliktualiteti politik ka qenë e vetmja normë e politikës shqiptare për një kohë të gjatë, z. Meta tha se konfliktualiteti ndan artificialisht shoqërinë.

“Këto nuk janë politika që çojnë vendin përpara, që çojnë shoqërinë përpara, aq më tepër në një vend modest siç jemi ne, i cili edhe në një politikë në bashkëpunim, se fjala unitet mund të ishte pak e madhe, prapë është një vend modest. Aq më tepër një vend që prezantohet i ndarë dhe që përjeton çdo ditë një konflikt artificial, që është larg marrëdhënieve që qytetarët kanë këtu dhe kudo tjetër në Shqipëri nuk e ndihmon vendin të ecë më shpejt dhe nuk e ndihmon politikën të përqendrohet në çështjet që ajo duhet të zgjidhë për të përmirësuar jetën e korçarëve dhe të shqiptarëve kudo ku jetojnë. Unë besoj shumë se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të fuqizohet edhe më tej si një faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në vendin tonë”, tha z. Meta.

Kryetari i LSI-së theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë konstruktive, ndërsa evidentoi edhe tre parime të rëndësishme.

struktura-1“E para stabiliteti i vendit dhe stabiliteti i vendit ka të bëjë me legjitimitetin institucioneve, dhe në radhë të parë me vetë funksionimin demokracisë, me zgjedhjet e lira dhe gjithë institucionet që krijohen prej saj. Së dyti, është integrimi evropian i vendit. Nuk ka ndodhur asnjëherë që nga 6 shtatori i 2004-s kur është krijuar që LSI të ketë vonuar edhe për një sekondë të vetme një ligj apo një mundësi që vendi ka patur për të ecur më shpejt drejt integrimit evropian. Përkundrazi ka qenë nxitja dhe mbështetja kryesore e të gjitha reformave për integrimin e evropian të Shqipërisë. Do të vazhdojë që të jetë e tillë edhe në të ardhmen, jo se anëtarësimi në BE do të na zgjidhë problemet. Por për ne integrimi  evropian është një projekt që konsolidon paqen, dhe sigurinë në radhë të parë jo vetëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por për të gjithë rajonin sepse paqja dhe siguria këtu kanë qenë problemi më i madh në shekuj dhe pengesa më e madhe e një prapambetjeje historike të gjithë rajonit dhe në mënyrë të veçantë të vendit tonë”, tha z. Meta duke shtuar se integrimi evropian duhet parë edhe si një projekt reformash që në radhë të parë duhet bërë për shqiptarët dhe në interes të tyre.

Parimi i tretë të cilin theksoi z. Meta janë marrëdhëniet e mira dhe të ngushta me fqinjët, jo vetëm si një kusht për integrimin evropian, por një kusht për paqen, për bashkëpunimin dhe për besueshmërinë ndërkombëtare të vendit tonë.

“Nuk mundet ne të përballojmë efektet dhe impaktet e procesit të globalizimit si Shqipëri pa bashkëpunuar ngushtë me Maqedoninë, me Greqinë, me Kosovën, me Malin e  Zi, por edhe me gjithë vendet e tjera të këtij rajoni, pa krijuar imazhin e një rajoni të stabilizuar, pa krijuar një hapësirë mundësisht të përbashkët, ekonomike, që ta bëjë këtë rajon interesant dhe tërheqës për investitorët e rëndësishëm, jo vetëm europianë, por edhe amerikanë dhe botërorë. Sepse ky është një rajon që ende ka një prapambetje infrastrukturore të madhe, e cila nuk mund të kapërcehet me investime të vogla. Ne e kemi të domosdoshme t’i afrojmë marrëdhëniet me fqinjët në mënyrë të vazhdueshme. A ka probleme? Ka probleme, por problemet duhen ngritur në mënyrë që të zgjidhen. Jo në mënyrë që të shtojmë probleme të tjera sepse interesi është shumë i madh për bashkëpunim. Dhe ne duhet të jemi të orientuar në këtë drejtim. Dhe vetë Korça si një qark fqinj edhe me Greqinë, fqinj edhe me Maqedoninë, e kupton dhe e ndjen edhe më shumë këtë prioritet”, tha z. Meta.

Në vijim të fjalës së tij, z. Meta vlerësoi rolin e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe vlerat që ajo ka treguar gjatë gjithë kësaj kohe. “Objektivi im është që LSI-ja në gjithë Shqipërinë të bëhet nesër siç është LRI-ja sot. Sepse në fakt, LSI-ja e vërtetë është LRI-ja që është sot.  Pse e them këtë gjë?! Sepse pa dyshim që edhe LRI-ja që është sot një produkt i LSI-së, i vëmendjes, i kujdesit, i mbështetjes së jashtëzakonshme, i prioritetit që ne i kemi dhënë të rinjve e të rejave, pjesëmarrjes së tyre në politike, përfshirjes së vazhdueshme, edukimit, trajnimeve, përfaqësimit, e kështu me radhë. Nuk ka një forcë politike, transformuese dhe me vendosmëri për të sjellë ndryshime pozitive në interes të vendit, në interes të publikut të gjerë pa garantuar në radhë të parë një fuqi të brendshme solidariteti, kohezioni siç në fakt e ka Lëvizja Rinore për Integrim. Pa këtë idealizëm që kanë gjithë këto të rinj dhe të reja të cilin e zhvillojnë së bashku ne emër të disa qëllimeve të përbashkëta, pa këtë shpirt sakrifice, dhe unë ju them që ata sakrifikojmë shumë, dhe ne të gjithë drejtuesit e LRI-së i kemi patur dhe i kemi edhe studentë nga më të mirët, të shkëlqyer”, tha z. Meta, ndërsa shtoi se angazhimi i të rinjve të LRI-së që bëjnë me rininë, me LSI-në, me bashkëmoshatarët e tyre, e bëjnë për shkak të pasionit dhe për shkak të frymëzimit që kanë për një Shqipëri më të mirë nesër.

Kryetari i LSI-së u shpreh se LSI ka për detyrë dhe për mision që t’i shërbejë interesit të gjerë publik dhe të përfshijë të gjithë ata të cilët duan një Shqipëri pozitive, një Shqipëri që i jep qetësi, që u jep të ardhme, por natyrisht që u jep edhe punë edhe siguri.

“Të privilegjuarit nuk kanë nevojë për LSI-në dhe LSI nuk mund të kthehet kurrë në një strehë për të privilegjuarit. LSI ka për detyrë dhe ka për mision t’i shërbejë interesit të gjerë publik dhe të përfshijë të gjithë ata të cilët duan një Shqipëri pozitive, një Shqipëri që i jep qetësi, që u jep të ardhme, por natyrisht që u jep edhe punë edhe siguri. Duke përforcuar mesazhin tonë pozitiv për politikat, për reformat, për qytetarët në mënyrë të veçantë, ne duhet të vazhdojmë dhe të jemi edhe më të fokusuar tek ato probleme konkrete që do të sjellin ndryshime më të mëdha ekonomike dhe sociale, që do të ndihmojnë më shumë shqiptarët që të lënë pas varfërinë, që do të ndihmojnë për të zgjeruar dhe konsoliduar një shtresë të mesme në vend si faktor të rëndësishëm të stabilitetit social, sepse ekuilibri social është shtylla kurrizore i një sistemit të tërë demokratik”, tha z. Meta.

Duke theksuar se çdo vend me një polarizim të fortë social dhe ekonomik, nuk është një vend aq demokratik sa mund të quhet, z. Meta theksoi se rritja ekonomike është e rëndësishme të përmirësohet akoma më tej.

“Është gjithashtu akoma më e rëndësishme që nga kjo rritje të përfitojnë sa më shumë qytetarë, sidomos ata që kanë nevojë për sa më shumë përfshirje sociale dhe ekonomike. Këto shtresa dhe grupime sociale do të jenë në fokus të punës të LSI-së në të ardhmen dhe në këtë drejtim dhe unë do të angazhohem në të ardhmen në rast se do të zgjidhem përsëri kryetari i LSI-së”, u shpreh z. Ilir Meta në takimin me strukturat e LSI-së në Korçë në kuadër të zgjedhjeve për Kryetar.

struktura-korceMinistrja për Integrimin znj. Klajda Gjosha, njëherësh edhe anëtare e Kryesisë së LSI-së tha se Shqipëria është në një etapë shumë të rëndësishme të procesit të integrimit dhe një kontribut të madh ka dhënë edhe LSI.

“Shqipëria është në një etapë shumë kryesore të procesit të integrimit dhe kjo është falë punës jo vetëm të qeverisë, por është fal punës të çdo qytetari. Dhe në këtë këndvështrim ne duhet të kontribuojmë çdo ditë për t’i ardhur në ndihmë këtij procesi. Por një mbështetje e jashtëzakonshme ka qenë dhe fryma dhe klima politika që ka krijuar LSI dhe ne e kemi dhënë me një shembull të jashtëzakonshëm të Kryetarit tonë i cili në 21 korrik ka kaluar me konsensus të plotë reformën në drejtësi për t’i dhënë vendit një imazh edhe më të mirë tek ndërkombëtarët, duke i dhënë vendit një mundësi për t’u zhvilluar, një mundësi që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit dhe para shtetit të së drejtës, dhe mbi të gjitha do t’i jap vendit një mundësi, pse jo, për një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave”, u shpreh znj. Gjosha.

 struktura-2Edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, deklaroi se LSI është një forcë politike e cila e mat veten jo vetëm me rezultatin elektoral, por edhe nëpërmjet politikave të zhvillimit në të mirë të qytetarëve.

“Ne po futemi në një fazë shumë intensive, dhe shumë ambicioze të LSI. Janë zgjedhjet, zgjedhjet që janë një proces normal në një parti politike, por njëkohësisht dhe një moment reflektimi dhe shpalosjes së alternativave të reja për t’u zhvilluar, për t’u rritur, ashtu siç po rritemi përditë në mënyrë të pandalshme. Ne jemi një parti që e masim veten tonë me rezultatin. Dhe jo thjesht me rezultatin elektoral, por me atë që arrijmë që nëpërmjet politikave tona të zhvillimit të japin për njerëzit, të japim për qytetarin, të japim për fermerin”, u shpreh ndër të tjera z. Panariti.

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al