Meta: LSI vë interesin kombëtar dhe interesin publik mbi çdo interes tjetër

Lëvizja Socialiste për Integrim e Tiranës zhvilloi mbledhjen e konstituimit të Komitetit Drejtues ku i pranishëm ishte edhe Kryetari i LSI-së z. Ilir Meta.

Në fjalën e tij në këtë aktivitet, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta uroi Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, z. Endrit Braimllari, pas zgjedhjes së tij si Kryetar i Degës së LSI-së së Tiranës, në Konventën Zgjedhore të organizuar më 11 shkurt.

Krahas kësaj, z. Meta në fjalën e tij u ndal edhe tek aktualiteti politik në vend duke kërkuar nga të gjithë aktorët politik një klimë sa më të qetë në mënyrë që të bëhet implementimi i plotë i reformës në drejtësi dhe miratimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 18 qershorit 2017.

“Ndërkohë që përgatitjet për 18 qershorin në të gjitha drejtimet si organizative, ashtu edhe programore, nuk duhet të na shpërqendrojnë nga angazhimi ynë për të mos humbur fokusin nga disa nga reformat më të domosdoshme që ka vendi, dhe që kanë të bëjnë edhe me vetë klimën përpara zgjedhjeve. Sikurse është vazhdimi në mënyrë transparente të reformës në drejtësi, për zbatimin e saj, pasi është edhe një kërkesë dhe një kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Por njëkohësisht është shumë e rëndësishme për gjithë klimën politike para-zgjedhore, që të jetë sa më konstruktive, sepse vëmë re që nuk mungojnë përpjekjet për të tensionuar artificialisht situatën paraelektorale. Ashtu sikurse dua të nënvizoj rëndësinë e përfundimit të sa më shpejtë të reformës zgjedhore, që duhet të kishte përfunduar me kohë duke reflektuar kërkesat dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR”, – tha z. Meta.

Kryetari i LSI-së në fjalën e tij u ndal edhe tek rëndësia e standardit të zgjedhjeve të 18 qershorit 2017. Në fjalën e tij, z. Meta, theksoi se për të arritur standardet më të larta në zgjedhje, të gjithë aktorët politik duhet të investohen fuqishëm në implementimin e plotë të dekriminalizimit.

“Padyshim vazhdimi i pandalshëm i procesit të dekriminalizimit që është një tjetër detyrim, por edhe standard për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit dhe seriozitetin e çdo force politike për të kontribuar për një nivel të lartë të integritetit të përfaqësuesve publik të qytetarëve shqiptar”, – u shpreh z. Meta duke shtuar se: “Në të gjitha këto aspekte, dua të shpreh edhe një herë angazhimin tonë si LSI për të gjeneruar gjithnjë një klimë sa më konstruktive, sa më racionale, që ndihmon ecurinë e suksesshme të këtyre reformave që do të kenë një impakt afatgjatë për të ardhmen e vendit, stabilitetin e tij, funksionimin e institucioneve dhe integrimin evropian, dhe njëkohësisht dua të shpreh vendosmërinë tonë për t’i shërbyer në radhë të parë standardit më të lartë të zgjedhjeve të ardhshme të 18 qershorit sepse rezultati i këtij standardi, pra i një standardi të zgjedhjeve për vendin është më i rëndësishëm se rezultati i çdo force politike të caktuar”.

Kryetari i LSI-së theksoi në mbledhjen e KD-së së Tiranës se shumë shpejt do të nisi puna për hartimin e programit të Lëvizjes Socialiste për Integrim ku nënvizoi faktin se pjesë e hartimit të tij do të jenë edhe profesor dhe akademik të shumë. Z. Meta gjithashtu i bëri thirrje çdo qytetari që të bëhet pjesë e hartimit të programit të LSI-së.

“Në një moment të rëndësishëm, në prag edhe të zgjedhjeve të 18 qershorit që po afrojnë. Javën e ardhshme do të konstituohen komisionet pranë LSI-së sipas të gjithë fushave konkrete, ku i ftoj të gjithë të cilët ndiejnë dhe kanë dëshirë dhe pasion të kontribuojnë, të bëhen pjesë e këtyre komisioneve dhe këtyre debateve ku padyshim që do të ftojmë edhe shumë personalitete që janë paparti, ekspert të provuar, të shquar sipas fushave të ndryshme, dhe sidomos atyre më prioritare për zhvillimin e vendit”, – tha Kryetari i LSI-së.

Ndërsa, Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, z. Endrit Braimllari, duke folur për procesin e riorganizimit të strukturave të partisë u shpreh se ky ekip i ri dalë nga një proces zgjedhor transparent do të përgatisë LSI-në për t’u përballuar me sfidën e ardhshme zgjedhore.

“Kjo sfidë vlerëson rolin tonë në shërbim të qytetarëve dhe vlerëson rolin tonë si një forcë serioze politike koherente transparente, por mbi të gjitha si një forcë politike e një shansi për të gjithë. Jo pa qëllim LSI është rritur dhe jo pa qëllim LSI do të rritet në zgjedhjet e 18 qershorit. LSI beson te qytetarët, LSI beson te bashkimi i energjive tona të përbashkëta për të çuar vendin përpara. Dhe në një forcë politike që ka kolegjialitet në vendimmarrje, në një forcë politike që është transparente, në një forcë politike që i qëndron koherent shërbimit qytetar, të jeni të bindur që kjo është dhe do të jetë pasqyra më e mirë e përfaqësimit në qeverisjen e vendit”, – deklaroi ndër të tjera z. Braimllari gjatë fjalës së tij.

Gjithashtu, anëtarët e Komitetit Drejtues të LSI-së votuan në mënyrë elektronike për anëtarët e Kryesisë së LSI Tiranë dhe forumeve drejtuese të kësaj dege.

Fjala e plotë e Kryetarit të LSI, z. Ilir Meta në mbledhjen e KD-së të Tiranës

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al