Meta: Matura Shtetërore të bazohet në transparencë dhe meritokraci

Kryetari i lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, mori pjesë në Konventën e Gjimnazistëve të LRI-së së Elbasanit. Të pranishëm ishin edhe Sekretari për Programin në LSI, z. Edmond Haxhinasto, Kryetarja e LRI-së, znj. Floida Kërpaçi, deputetja e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi, etj.
Në fjalën e tij gjatë aktivitetit, z. Meta, duke folur për Maturën shtetërore, tha se duhet një administrim më transparent në mënyrë që procesi të bazohet në meritokraci e gjithëpërfshirje. Kryetari i LSI-së theksoi se Shqipëria kë nevojë për energji pozitive dhe për një edukim më të mirë e cilësor për të rinjtë.
“Unë mbështes plotësisht të gjitha propozimet e LRI-së për një administrim më transparent të maturës shtetërore dhe të aplikimeve për universitet në mënyrë që ky proces të jetë i pagabueshëm, dhe të bazohet fuqimisht dhe vetëm në transparencë, në gjithëpërfshirje dhe në meritokraci. Ajo që na duhet është energjia pozitive, është bashkëpunimi, është një edukim më i mirë dhe më cilësor për të rinjtë tanë, është një formim profesional, dhe është mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik në çdo vendim të rëndësishëm që politikanët marrin në Tiranë dhe në Elbasan”, – tha z. Meta.
Duke folur para gjimnazistëve, z. Meta shprehu keqardhjen që politika shqiptare vë në diskutim ende zgjedhjet dhe standardet e zgjedhjeve pas 26 vjetësh në një vend anëtar të NATO-s, kandidat për në BE.
“Në një politikë që për fat keq mbush parlamentin dhe shumë institucione të tjera ku duhet të ketë njerëz me integritet dhe jo njerëz me probleme me të kaluarën kriminale e kështu me radhë. Ndaj e vetmja zgjidhje është të gjithë të rinjtë e të rejat e Elbasanit të bëhen bashkë për t’i rikthyer traditat më të shkëlqyera këtij qyteti, në radhë të parë qytetarin, dashurinë dhe përkushtimin për dijen, për arsimin dhe njëkohësisht për të rritur kapacitetet tuaja për ta ndryshuar të ardhmen”, – deklaroi Kryetari i LSI-së.
Ndërsa, deputetja e LRI-së, znj. Monika Kryemadhi, tha në fjalën e saj se me këta të rinj dhe të reja, që ka Elbasani dhe Shqipëria, të cilët kanë dëshirë për të ecur përpara dhe për të zhvilluar vendin e tyre, çdo gjë është e mundur.
“Slogani i LSI-së është ‘Një Shans për të gjithë’, por me këta të rinj dhe të reja është një shans për Elbasanin, sepse të kesh këto djem e këto vajza kaq energjikë, kaq të mençur dhe kaq produktivë, vërtetë Elbasani e ka një shans. Me këta të rinj dhe të reja, të cilët kanë dëshirë për të ecur përpara, kanë dëshirë për të zhvilluar vendin e tyre, unë e jam e bindur se çdo gjë është e mundur”, – u shpreh znj. Kryemadhi.
Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi në fjalën e saj theksoi se LRI ka marrë angazhimin për të përmirësuar procedurën e maturës shtetërore për të garantuar një edukim sa më të mirë për të rinjtë.
“Të jesh pjesë e LRI-së do të thotë të jesh në një familje të madhe ku mbizotëron solidariteti, çiltërsia, thjeshtësia, pasioni dhe dëshira për të bërë më të mirën për këtë vend. Të jesh pjesë e LRI-së do të thotë të kesh një shans për të një edukim më të mirë për çdo gjimnazist të qytetit të Elbasanit. Një shans për një punë të paguar më mirë. Ne si LRI kemi marrë angazhimin maksimal që do ta ndjekim këtë çështje deri sa ti gjendet zgjidhe këtij ngërçi që vit pas viti krijon pasiguri pasi një herë e përgjithmonë kjo reformë do të mbarojë dhe për këtë do të punojmë për një edukim më të mirë”, – tha kryetarja e LRI-së.
Në fjalën e tij, Sekretari për Programin, z. Edmond Haxhinasto theksoi se rinia është e ardhmja e vendit dhe për këtë ajo meriton të angazhohet më shumë politikisht në mënyrë që aspiratat e tyre të bëhen realitet. “Një sfidë e jashtëzakonshme që ka sot Shqipëria, është çështja e besimi dhe e shpresës tek e ardhmja e Shqipërisë. Është e vërtetë që shumë nga ju mund të mendojnë edhe emigracionin, por nuk është rruga e duhur. Rruga e duhur është të angazhohemi politikisht, të angazhohemi fuqishëm me qëllim që ëndrrat që kemi, objektivat që kemi t’i realizojmë pikërisht këtu në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë”, – tha z. Haxhinasto.

Burimi:(integrimi.al/E.S)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al