Meta: Mbështetje të plotë për realizimin sa më shpejt të marrëveshjes së demarkacionit midis Kosovës dhe Malit të Zi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta priti sot Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe diskutuan mbi intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Z. Meta theksoi gjatë takimit se avancimi i Kosovës në drejtim të shtimit të njohjeve ndërkombëtare, të forcimit demokratik institucional dhe të avancimit në axhendën e sigurt euro-atlantike – është një qëllim i përbashkët i yni.

Kryetari Meta shoti se “Shqipëria, dhe në veçanti Kuvendi i Shqipërisë do të jenë gjithnjë përkrah Kosovës në këto procese të rëndësishme që i shërbejnë mbi të gjitha cilësisë së jetesës të të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Kadri Veseli dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta

Ishte një kënaqësi e veçantë që vetëm pak ditë, pas ditës historike për Kosovën dhe të gjithë Shqiptarët të 17 shkurtit, të kemi sot këtu në Tiranë për një vizitë zyrtare, Kryetarin e Parlamentit të Kosovës, z. Kadri Veseli, së bashku dhe me kolegët e mi Nënkryetaren e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj, Nënkryetarin e Kuvendit, z. Shpëtim Idrizi, Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, z. Gramoz Ruçi dhe Nënkryetaren e Grupit Parlamentar të LSI-së, znj. Kejdi Mehmetaj të diskutojmë për nivelin e ri të marrëdhënieve midis dy Kuvendeve tona, që gëzojnë një shkëmbim të jashtëzakonshëm në të gjitha nivelet.

Në mënyrë të veçantë në nivel të komisioneve, përkatëse, përmes axhendave konkrete në të gjitha fushat, por njëkohësisht edhe të administratave dhe shërbimeve të dy Kuvendeve.

Me këtë rast e kemi siguruar edhe njëherë Kryetarin Veseli për mbështetjen e vendosur nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, për Republikën e Kosovës, për Parlamentin e Kosovës dhe të gjithë institucionet e Kosovës, për ecurinë e mëtejshme në procesin e Integrimit Europian dhe Euro-Atlantik. Të konsolidimit të Pavarësisë, të rritjes së njohjeve ndërkombëtare, duke diskutuar edhe për disa objektiva për të cilat do të bashkërendojmë edhe më ngushtë në një plan afatshkurtër dhe afatmesëm.

Njëkohësisht kemi vlerësuar bashkëpunim midis dy qeverive tona dhe po kështu ngritjen e Sekretariatit të Përbashkët të Bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë me besimin që do të ndihmojë për të sjellë rezultate më konkrete në të gjithë bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe kulturor midis dy vendeve tona.

Po kështu kemi diskutuar për të vazhduar shkëmbimin e eksperiencës lidhur me proceset integruese evropiane, por njëkohësisht edhe për të synuar integrimin e mëtejshëm të Kosovës në të gjitha organizatat e rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, si në ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vlerave kulturore, si edhe në organizatat mjaft të rëndësishme për sigurinë e Kosovës, të rajonit tonë, por edhe ndërkombëtare, përmes integrimit në të gjithë organizatat e sigurisë ndërkombëtare.

Me këtë rast dua të theksoj mbështetjen tonë të plotë dhe të pa ekuivok për realizimin sa më shpejt të marrëveshjes së demarkacionit midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi. Kjo është jetike dhe vendimtare, jo vetëm për të përfituar liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për t’i dhënë fund një lloj stanjacioni dhe për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian të Kosovës, ashtu sikurse do të ishte edhe një kontribut tjetër për të përfunduar me sukses anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Me këtë rast i kam shprehur Kryetarit Veseli gatishmërinë tonë dhe të gjithë përfaqësuesve tanë në të gjithë institucionet ndërparlamentare për të vazhduar së bashku të rrisim bashkëpunimin tonë, por edhe të mbështesim integrimin e Kosovës, por edhe axhendën kryesore të saj në të gjithë planin ndërkombëtar.

Kemi vlerësuar mjaft sjelljen tepër të përgjegjshme dhe të urtë të udhëheqjes së Kosovës, të institucioneve të Kosovës, për të mos rënë pre e tentativave provokuese dhe zjarrndezëse, siç ishin ato të murit të Mitrovicës apo incidenti i provokuar i trenit. Me këtë rast kemi vlerësuar edhe pjekurinë e liderëve serbë në Kosovë, për të evituar këto konflikte të panevojshme, që nuk i shërbejnë, jo vetëm bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë, por as integrimit të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësitë etnike. Jemi të bindur që një ripërtëritje e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, për të avancuar më tej normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duhet patjetër të mbështetet nga të gjithë, pasi kjo është e domosdoshme për të forcuar më tej stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë.

Sigurisht që, nuk mund të rrinim pa shprehur keqardhjen tonë për ndalimin e papranueshëm të ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë, që për fat të keq ilustron edhe mungesën e një vullneti nga lidershipi i Serbisë për normalizimin e plotë të këtyre marrëdhënieve dhe për të evituar çdo tensionim të tepërt dhe të panevojshëm.

Sikurse të gjithë e dini, Shqipëria prej kohësh ka synuar dhe punon për të zhvilluar marrëdhënie sa më konstruktive me Serbinë dhe ne e vlerësojmë këtë si mjaft të rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit tonë dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim dhe besojmë e shpresojmë që edhe bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Serbisë i ka shërbyer dhe i shërben në të gjitha mënyrat dhe format edhe inkurajimit të mëtejshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, për një të ardhme të paqtë për të gjithë rajonin tonë.

E falënderoj edhe një herë z. Veseli që na nderoi në këtë vizitë të parë pas 17 shkurtit në Tiranë dhe besojmë që ky vit i ri kalendarik i pavarësisë së Kosovës të sjellë arritje të reja për Kosovën në planin e brendshëm, por edhe në planin ndërkombëtar.

Dua të theksoj se në planin ndërkombëtar ratifikimi me sukses i marrëveshjes së Parlamentit të Kosovës me Malin e Zi do të ishte një sinjal mjaft i fuqishëm për të zhvilluar një proces më shpresëdhënës për integrimin evropian të Kosovës, por njëkohësisht edhe për t’u dhënë qytetarëve të Kosovës atë që u është privuar padrejtësisht deri tani: lëvizjen e lirë. Faleminderit!

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli

Faleminderit shumë Kryetar Meta. Në fakt kjo është vizita ime e dytë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Kam ardhur pikërisht 3 ditë pas përvjetorit të nëntë të Pavarësisë të shtetit tonë të pavarur dhe sovran.

Kam ardhur pikërisht për të shprehur falënderimet për institucionet e Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga organi më i lartë i shtetit shqiptar, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, do të vazhdoj takimet me Presidentin e Republikës, me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, por edhe me kryetarin e Opozitës, por edhe me kolegë të tjerë liderë të partive politike në Shqipëri.

Shqipëria dhe Kosova kanë perspektivë të qartë euroatlantike. Ne kemi qëndrime të qarta në rrugëtimin tonë drejt integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shqipëria është përkrahëse në çdo proces të integrimit të Kosovës dhe rrugëtimin e vet euroatlantik. Ne jemi shumë mirënjohës për këtë përkrahje dhe të njëjtën kohë ne përpiqemi në çdo aspekt të marrim përvojat pozitive, të cilat shteti shqiptar i kaluar gjatë proceseve të integrimit, sfida të cilat janë edhe përpara Republikës së Kosovës. Të marrim ato përvoja që janë pozitive, në të njëjtën kohë të mësojmë edhe nga pjesa e atyre gabimeve që kanë qenë pjesë e procesit të rrugëtimit të Republikës së Shqipërisë në drejtim të integrimeve.

I jemi mirënjohës kolegëve tanë në Shqipëri, që të gjithë i kanë dhënë përkrahje të fuqishme Kosovës. Ndërsa, Kosova në të njëjtën kohë është duke punuar fuqishëm që t’i ti krijojë perspektivë qytetarëve të saj pa dallim etnike, që të kenë perspektivë në Kosovë, në një shtet të garantuar me të drejta ligjore dhe kushtetuese, dhe në të njëjtën kohë me perspektivë të fuqishme ekonomike, ku liritë e të drejtave të njeriut janë bazë themeltare e jona, në të njëjtën kohë promovimi i të drejtave të komunitete.

Në rrugëtimin tonë integrues, e thashë edhe më parë, procesi euroatlantik është prioritet i yni. Ne do të vazhdojmë pa mëdyshje dhe pa lëkundje në përmbushjen e çdo obligimi që mund t’i dalë Republikës së Kosovës në këtë rrugëtim, përfshirë siç e tha edhe Kryetari Meta, çështjen e demarkacionit. Ne do të vazhdojmë që t’i përmbushin obligimet tona. Në të njëjtën kohë shpresojmë dhe besojmë se edhe partnerët tanë, veçanërisht evropianë do bëjmë fakt rrugëtimin tonë të drejtë dhe aty ku na takon, në Bashkimin Evropian, më të lirë dhe pa pengesa të cilat shpeshherë janë edhe burokratike, apo janë edhe të natyrës politike që kanë të bëjnë me disa shtete anëtare të BE me mosnjohjen e Republikës së Kosovës.

Faleminderit z. Kryetar për çdo përkrahje. Do të vazhdojmë bashkarisht procesin e integrimit drejt BE. Në të njëjtën kohë shpresojmë që shumë shpejt ta kemi edhe Kolegun tonë nga partia opozitare, z. Ramush Haradinaj të liruar dhe të vijë e të marrë obligimet e veta në institucionet, të cilat i ka përkatësisht si lider i një nga partive kryesore opozitare në Republikën e Kosovës.

Pyetje nga gazetarët

Ju përmendët objektiva që i përkasin objektivave afatshkurtër ose afat mesme. Supozojmë se është vazhdimi i reformës në drejtësi në Shqipëri si edhe çështja e demarkacionit në Kosovë, por mungon konsensusi ndërmjet palëve. Cilat janë arsyet e mungesës së konsensusit? Si mund të tejkalohet kjo problematikë?

Ilir Meta: Për rastin e Kosovës nuk mund të flas unë. Unë mund të them këtë gjë, që ne mbështesim fuqimisht integrimin evropian të Kosovës. Kjo sepse kemi për detyrë dhe ky është interesi i yni edhe si Shqipëri, por mendoj edhe si komb, ky është interesi i të gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Kemi edhe një argument tjetër, nuk është aspak thelbësor.

Ne pa Kosovën nuk do të kishim shkuar kurrë në Evropianin e Francës. Kështu që është edhe një detyrim tjetër. Dhe dua të nënvizojë rëndësinë e madhe për ta forcuar stabilitetin në Kosovë dhe për t’i dhënë fund një lloj stanjacioni atje, sidomos në raport me proceset integruese, që mendoj që do të marrë fund ky lloj stanjacioni shpresojmë me miratimin, ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Kjo është shumë e rëndësishme për të zgjidhur një problem për të cilën Kosova është angazhuar ndërkombëtarisht. Dhe e dyta për të zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave dhe për të vijuar më tej me axhendën evropiane të Kosovës.

Po kështu kemi diskutuar për çështje të tjera, të cilat janë përpjekja jonë e përbashkët që Kosova të anëtarësohet në UNESCO, dhe mendoj e besoj që ky është një interes edhe i vetë komunitetit serb që jeton në Kosovë. Dhe pse jo edhe i vetë Serbisë po të kemi parasysh se disa nga monumentet historike me shumë vlera, jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për serbët e Kosovës, por edhe për të gjithë njerëzimin ndodhen në Kosovë dhe kanë nevojë që të jenë në listën e trashëgimisë së UNESCO-s dhe në kujdesin e saj. Ashtu sikurse kemi theksuar edhe rëndësinë për integrimin në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar si Europol, Interpol. Natyrisht jemi shumë të lumtur që Kosova është në FIFA dhe UEFA, por natyrisht që kaq nuk mjafton. Pra jemi të qartë në bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Përsa i takon konsensusit këtu, ne do ta mbrojmë konsensusin e reformës në drejtësi dhe do ta çojmë përpara drejt implementimit në mënyrën më transparente, më konsensuale dhe më të ndershme.

Kadri Veseli: Historia e lirisë dhe e shtetbërjes së Kosovës, ju të gjithë e dini, është një histori që ndërlidhet me parnerët tanë ndërkombëtar. Roli i jashtëzakonshëm i SHBA-ve në lirinë tonë dhe krijimin e shtetit dhe partnerëve tanë perëndimorë nga Bashkimi Evropian, ka qenë shumë domethënës dhe është edhe sot domethënës në rrugëtimin tonë drejt integrimeve euroatlantike.

Kemi mesazhe shumë të qarta, të cilat ndërlidhen jo vetëm me çështjen e liberalizimit të vizave, që është një çështje shumë e rëndësishme për qytetarët tanë që të lëvizin lirshëm për arsye, sepse jemi qytetarët e vetëm që padrejtësisht mbahemi të izoluar. Por kemi të bëjmë edhe me proceset të tjera integruese, të cilat ne i bashkëbiseduam edhe me homologun tim ku Republika e Kosovës duhet të integrohet në organizmat ndërkombëtar deri në organizatën e OKB-së, të cilat kanë shumë rëndësi, përfshirë UNESCO. Kemi parasysh Interpolin, ku një nga kolegët tanë opozitarë, ende pothuajse dy muaj po mungon nga skena politike e Kosovës.

Të gjitha këto ndërlidhen me këtë proces që ne do të kryejmë obligimet tona ndërkombëtare si shtet i pavarur dhe sovran. Këtu lidhet edhe çështja e demarkacionit, ku duhet ta kemi konsensusin. Duhet të jemi bashkarisht dhe ta marrim këtë vendim. Republika e Malit të Zi është një partner i imi, ndër vendet e para që me dhimbje e ka njohur, me kërcënime në fakt e ka njohur shtetin tonë, Republikën e Kosovës, e cila ballafaqohet çdo ditë me presionet të tmerrshme në qarqet ruse dhe pro ruse, deri në kërcënime. Ky është ai konglomerat i situatave në të cilat ne duhet të veprojmë si shtet i pavarur dhe sovran. Duhet të marrin obligimet tona. Konsensus e kemi pasur, lirinë e kemi arritur. Përmes konsensusit kemi arritur edhe shtetbërjen.

Tani shtetndërtimi duhet të shkojë në proces konsensusi dhe unë i ftoj të gjithë kolegët, pavarësisht pozitë apo opozitë që të vazhdojmë me rrugëtimin tonë të marrjes së përgjegjësive dhe të kalojmë problem që janë të vogla për arsye se kufijtë për ne nuk kanë qenë shumë histori e bukur. Ne e kemi pësuar nga ndarja e kufijve dhe nuk duhet të jemi peng edhe fatkeqësi e jona.

Nuk e di a e kemi diskutuar me z. Veseli edhe për protestën e opozitës e cila ndodhet shumë afër me zyrën tuaj. A keni ju koment edhe në qoftë se nuk keni diskutuar me z. Veseli për protestën e opozitës, për kauzën që ajo ngre dhe a keni edhe një përgjigje për ftesën e z. Berisha për t’iu bashkuar dhe për të formuar një qeveri teknike së bashku dhe për të shkuar në zgjedhje?

Ilir Meta: Nuk dëshiroj të devijoj përmbajtjen e kësaj konference për çështje të mirëfillta të brendshme. Aq më tepër të përfshijë unë, por besojë edhe ju, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës në këto çështje tonat.

Megjithatë, unë mund të them që çdo protestë paqësore, demokratike, qytetare, është për t’u respektuar dhe çdo kërkesë që kërkon garantimin e standardeve më të larta të zgjedhjeve brenda të gjitha mundësive praktike që ekzistojnë, është një kërkesë që meriton vlerësim edhe dialog, larg ultimatumeve.

Z. Meta për të qenë më konkret. Ju keni folur për bllokimin e punës të komisionit reformës zgjedhore. Cilat janë hapat tuaja konkrete si Kryetar i Kuvendit ta zhbllokoni këtë proces? Dhe pyetja e dytë, për dy javë Avokati i Popullit do të sjellë në tryezën tuaj emrat për Komisionin e Vetting-ut, të cilat duhet të votohen me konsensus mes opozitës dhe pozitës. Opozita është matanë dritares suaj. Si do ta arrini ju që të merrni kompromisin?

Ilir Meta: Opozita nuk është matanë dritares, opozita është këtu, sepse ky është parlamenti i të gjithëve dhe në radhë të parë i opozitës. Kështu që mos u shqetësoni për këtë çështje. Do të kemi kohë në ditët që vijnë. Kjo nuk është konferenca e fundi për shtyp.

Z. Veseli a do t’i takoni protestuesit, do të shkoni tek çadrat ose z. Basha si kryetar të PD?

Ilir Meta: Atëherë unë ju falënderoj, ju e zbuluat axhendën edhe z. Basha do të takohet edhe z. Paloka. Pyetja e ka përgjigjen, sepse z. Basha është protestuesi kryesorë dhe ai do të takohet.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al