Meta-Khelifa: Marrëdhëniet shumë miqësore mes dy popujve

Në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut që po zhvillohet këtë javë në Tiranë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta priti Kryetarin e Asamblesë Popullore Kombëtare të Republikës Demokratike Popullore të Algjerisë z. Mohamed Larbi Ould Khelifa.

Z. Meta e falënderoi z. Ould Khelifa për pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut dhe shprehu vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për të thelluar marrëdhëniet me Algjerinë, jo vetëm në planin mesdhetar por edhe në drejtim të shkëmbimeve dypalëshe.
Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria dhe Algjeria duhet të intensifikojnë shkëmbimet dypalëshe, si në planin politik, ashtu edhe në planin ekonomik e tregtar duke vënë në dukje marrëdhëniet shumë miqësore mes dy popujve. Në këtë drejtim, u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe avancimi me plotësimin e kuadrit ligjor, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve.

Kryetari i Asamblesë Popullore Kombëtare të Republikës Demokratike Popullore të Algjerisë z. Mohamed Larbi Ould Khelifa shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në punimet jubilare të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj asambleje si një platformë dialogu dhe bashkëpunimi për adresimin e sfidave me të cilat përballen vendet mesdhetare, veçanërisht në drejtim të sigurisë dhe forcimit të stabilitetit.

Në përfundim, dy kryeparlamentarët ranë dakord për krijimin e grupeve respektive parlamentare të miqësisë dhe për nxitjen e qeverive respektive në intensifikimin e përpjekjeve të tyre në interes të shtimit të kontakteve dhe marrëdhënieve dypalëshe.

Z. Meta dhe Z. Ould Khelifa dhanë edhe një prononcim për shtyp pas takimit:

Prononcimi i Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta:

Ishte kënaqësi e veçantë që të prisja sot në Kuvendin e Shqipërisë, Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Algjerisë, Doktor Mohamed Larbi Ould Khelifa, i cili po viziton vendin tonë edhe në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut.

Ishte një nder i veçantë për t’u takuar me Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Algjerisë, Doktor Mohamed Larbi Ould Khelifa dhe njëkohësisht për të vendosur së bashku, për t’i dhënë një dinamikë të re marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Algjerisë të cilat kanë qenë mjaft të ngushta në të kaluarën, por të cilat mund të ripërtërihen shumë shpejt në kuadër edhe të zhvillimeve të reja dhe sfidave të reja me të cilat ndeshen edhe të dyja vendet tona.

Kemi potencial të rëndësishëm jo vetëm njerëzor, por edhe mundësish për të rritur bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Shumë të rinj nga Shqipëria kanë studiuar në Algjeri në të kaluarën.

Njëkohësisht jam i bindur se sfidat me të cilat ndeshet edhe rajoni ynë i përbashkët i Mesdheut i afrojnë të dy vendet akoma më shumë, dhe në këtë drejtim, besoj se shumë shpejt do të kemi zhvillime të reja në marrëdhëniet tona.

Kemi rënë dakord për të krijuar së shpejti në ditët në vijim grupet e miqësisë në të dy parlamentet tona, të forcojmë kontaktet midis përfaqësuesve tanë parlamentarë në të gjithë organizatat parlamentare ndërkombëtare dhe rajonale, të çojmë përpara, të nxisim disa marrëveshje në proces midis dy qeverive dhe vendeve tona.

Prononcimi i Kryetarit të Kuvendit z. Mohamed Larbi Ould Khelifa

Ishte kënaqësi e imja të takoja sot Kryetarin e Kuvendit dhe ishte gjithashtu një kënaqësi të vija këtu në Shqipëri për të marrë pjesë në 10-vjetorin e PAM.

Algjeria dhe Shqipëria janë dy vende mike që kurrë nuk kanë pasur probleme gjatë gjithë historisë. Është hera e parë që Algjeria merr pjesë në takimet e PAM dhe ne erdhëm këtu, sepse ajo u organizua në Shqipëri. Për shkak të historisë së marrëdhënieve njerëzore dhe gjithashtu për shkak të një numri shqiptarësh që studiojnë në Algjeri, shpresojnë se marrëdhëniet tona diplomatike do të forcohen më tej dhe ne do të koordinojnë pozicionet tona në mënyrë që të përballojmë ato që po ndodhin në Mesdhe, sfidat e kërcënimet.

Perspektivat e bashkëpunimit midis të dy vendeve për sa i përket përballimit të sfidave si ato të sigurisë apo terrorizmit janë të mëdha dhe të dy vendet ndajnë të njëjtat ide në lidhje me këto çështje. Është e vërtetë se është duke u krijuar një grup miqësie midis Algjerisë dhe Shqipërisë që do të jetë një mjet tjetër për të rivitalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe se këto grupe dhe diplomacia parlamentare do të konsolidojnë marrëdhëniet diplomatike tradicionale midis dy vendeve.

Shpresojmë se Kryetari i Kuvendit do të zhvillojë një vizitë në Algjeri në Parlamentin Algjerian dhe kjo do të jetë një shenjë e marrëdhënieve tona tradicionale dhe urojmë prosperitet dhe siguri për të gjithë shqiptarët.

Burimi:(integrimionline\ E C)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al