Meta: Reforma në drejtësi, për krijimin e një klime më të favorshme biznesi për thithjen e investitorëve të huaj

Gjatë një vizite pune në Kopenhagen, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit në Folketinget nga Kryetarja e Parlamentit të Danimarkës, znj. Pia Kjersgaard, me të cilën biseduan rreth
marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimeve në rajonin e Ballkanit dhe integrimit evropian të Shqipërisë dhe rajonit.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta e falënderoi znj. Kjersgaard për mbështetjen e Danimarkës në kuadër të axhendës së integrimit evropian të Shqipërisë dhe duke vlerësuar bashkëpunimin në të kaluarën, shprehu vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare. Në këtë kuadër z. Meta e ftoi znj. Kjersgaard për një vizite në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

Duke iu përgjigjur interesit danez mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian, z. Meta vlerësoi realizimin me sukses të reformës administrative-territoriale dhe vuri në dukje, që prioriteti kryesor i axhendës politike shqiptare është reformimi pa vonesa i sistemit të drejtësisë, si kryefjalë për forcimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar për krijimin e një klime më të favorshme biznesi për thithjen e investitorëve të huaj.

Në këtë kuadër, z. Meta shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të mirëpritur më shumë kompani daneze në vend, të cilat sjellin ekspertizë dhe një teknologji tepër të avancuar.
“Ne mbështetemi te Danimarka, si në zhvillimin institucional e demokratik, ashtu edhe për zhvillimin ekonomik të vendit”, – nënvizoi z. Meta. Fushat e turizmit, energjetikës dhe bujqësisë u vlerësuan si fusha prioritare të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar.

Kryetarja e Parlamentit të Danimarkës, znj. Pia Kjersgaard shprehu kënaqësinë për vizitën e z. Meta në Kopenhagen, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm dhe duke nënvizuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar si kyç në cilësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në këtë drejtim, u ra dakord për konkretizimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe veçanërisht administratave reciproke.

Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit, u vlerësua roli i Shqipërisë në mbarëvajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe u theksua rëndësia e avancimit të reformave të nevojshme në të gjitha vendet e Ballkanit.Duke diskutuar mbi zhvillimet e fundit në kontinentin evropian si pasojë e krizës emigratore, z. Meta theksoi se Shqipëria vlerëson se Bashkimi Evropian duhet ta trajtojë krizën e refugjatëve si një sfidë të përbashkët të vendeve anëtare, së bashku edhe me vendet e Ballkanit të cilat përdoren si vende tranziti.

Në këtë drejtim u nda bindja se sfidat e terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme janë sfida që kërcënojnë shoqëritë dhe kohezionin social të të gjitha vendeve të kontinentit evropian, dhe në këtë drejtim, Shqipëria mbetet e angazhuar maksimalisht së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, dhe është e gatshme ta intensifikojë bashkëpunimin e saj me Danimarkën.

Gjatë qëndrimit të tij në Kopenhagen, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate, z. Henrik Sass Larsen si dhe u prit nga Ombudsmani i Danimarkës z. Jorgen Steen Sorensen, të cilit i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe asistencën e vazhdueshme ndaj institucionit të Avokatit të Popullit, që prej themelimit të tij në Shqipëri, institucion që i shërben mirëqeverisjes dhe proceseve demokratizuse në vend.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al