Meta: Të gjithë forcat politike në 2017-n të gjejnë forca e mundësi për t’u përfaqësuar me sa më shumë intelektualë, akademikë, profesorë, pedagogë

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, vuri në dukje në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Universitetit të Tiranës, nevojën që ka vendi dhe politika për përfaqësimin më të madh të intelektualëve dhe profesorëve në zgjedhjet e ardhshme.

“Do të dëshiroja që të gjithë forcat politike në zgjedhjet e vitit 2017 të gjejnë forca dhe mundësi për t’u përfaqësuar me sa më shumë intelektualë, akademikë, profesorë, pedagogë. Që fuqia e mendimit të tyre të mos vijë thjesht përmes ekspertizës, përmes këshillave, apo përmes dhe këtij bashkëpunimi, që ne do të nënshkruajmë sot dhe që do të mbetet për një kohë të gjatë, por të vijë edhe përmes një pjesëmarrje më aktive në vendimmarrje, pasi vendi ka nevojë, Kuvendi ka nevojë për këtë gjë. Ne e ndjejmë këtë, por natyrisht që mbi të gjitha vendi ka nevojë një përfaqësim cilësor të gjithë politikëbërjes dhe nga të gjithë forcat politike pa asnjë përjashtim,” theksoi ai.

Zoti Meta theksoi gjithashtu bashkëpunimin në reformën në drejtësi ku shumë përfaqësues të shkencës së të drejtës që janë angazhuar në këtë reformë, që janë pjesë e këtij universiteti dhe janë mjaft aktivë. Zoti Meta theksoi gjithashtu se dyert e Kuvendit kanë qenë të hapura, por do të jenë akoma më shumë në të ardhmen për të gjithë studentët që dëshirojnë të bëjnë praktikat pranë Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit nënvizoi se kemi nevojë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe për politika sa më të mençura.

“Për të përfituar sa më shumë dhe për të patur kosto sa më të menaxhueshme, pasi dihet që shpeshherë vendimmarrjet kanë qenë edhe të nxituara, jo vetëm për shkak ndoshta ndonjëherë të vullnetit politik jo shumë të përgjegjshëm dhe të përmbajtur, por edhe për shkak të mungesës së njohurive të duhura në fusha të caktuara”, nënvizoi ai.

Ndërsa, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni theksoi faktin se “Universiteti i Tiranës ka një ndikim esencial në shumë aspekte të jetës në vend dhe bashkëpunimi të tilla me institucione të rëndësishme, me këtë rast Kuvendin e Shqipërisë, do të ndikojnë pozitivisht në të dyja anët”.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al