Milani është skuadra e shtatë çerekfinaliste e Kupës së Italisë, pasi ia doli të mposhtë mbrëmjen e sotme Spalin në “San Siro” me rezultatin e pastër 3-0, ndërsa tani do të gjejë përballë Torinon.

Trajneri Pioli kishte lënë pushim një pjesë të mirë të titullarëve të ndeshjes me Cagliarin, ndërsa nga minuta e parë luante Piatek, i shoqëruar nga kroati Ante Rebic, që ka zbritur rrallë në fushë gjatë kësaj kohe.

Sfida u zhbllokua pikërisht nga polaku Piatek, që iu shmang në limite pozicionit jashtë loje dhe i vetëm përballë Etrit Berishës, nuk gaboi duke dërguar topin në rrjetë.

Në fundin e pjesës së parë ishte spanjolli Samu Castillejo që shënoi një gol spektakolar dhe çoi kuqezinjtë të qetë në dhomat e zhveshjes, ndërsa golin e tretë e shënoi francezi Theo Hernandez me një goditje nga distanca.