Ministrja Gjosha: Integrimi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor i shërben edhe vetë Europës

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha  po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari e ftuar nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë në Hungari, z. Péter Szijjártó.

Ministrja e Integrimit Europian e falenderoi  z. Szijjártó në emër të qeverisë shqiptare, për pritjen dhe mbështetjen që Hungaria i jep Shqipërisë, veçanërisht me procesin e integrimit.

Pas takimit, Ministrja Gjosha dhe Ministri Szijjártó mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Ministrja Gjosha vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira  dhe bashkëpunimin mes 2 vendeve.

Ministrja Gjosha e vuri theksin te intensifikimi i bashkëpunimit  në fusha si menaxhimi i ujërave, mjedisi dhe industria ushqimore, ku Hungaria ka eksperiencë të madhe.

Duke theksuar se numri i turistëve hungarezë në Shqipëri ka ardhur në rritje vitet e fundit, Ministrja Gjosha u shpreh se turizmi është një tjetër fushë me potencial ku mund të thellohet bashkëpunimi mes vendeve.

Duke paraqitur momentin e rëndësishëm të Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian dhe marrjen e një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave nga Komisioni Europian, Ministrja Gjosha theksoi se mbështetja e vendeve mike si Hungaria, ka vlerë jashtëzakonisht të madhe.

“Shqipëria nuk mund të përmbushë e vetme, aspiratën e saj për të qenë anëtare e Bashkimit Europian me të drejta të plota, pa ndihmën e vendeve mike. Për ne dhe gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, procesi i integrimit është një rrugë pa kthim pas. Ky proces i shërben vendeve tona, por i shërben gjithashtu vetë Europës, e cila e bashkuar mund të kapërcejë sfidat e vështira që ka përpara”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja e Integrimit Europian,  theksoi se përmes zbatimit të reformës në drejtësi, duke nisur nga rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve,  do të rikthehet besimi i qytetarëve shqiptarë  tek sistemi i drejtësisë.

“Vetëm kështu do kemi një besim edhe më të madh nga partnerët tanë europianë, duke thithur më shumë investime të huaja, që do të ndihmojnë zhvillimin e Shqipërisë”, tha Ministrja Gjosha.

Ministri Szijjártó, në fjalën e tij u shpreh  se Hungaria do të vijojë të mbështesë Shqipërinë me procesin e integrimit. Ministri i Jashtëm Hungarez, gjithashtu vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria me reformat e ndërmarra vitet e fundit.

 

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al