Miratohet Amnistia / Ministri Manjani: Nuk duhet trajtuar si teatër populist

manjani-1Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani ishte sot i pranishëm në Komisionin për Sigurinë Kombëtare dhe atë për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ku u shqyrtua dhe u miratua ligji “Për Amnistinë”.

Gjatë fjalës së tij si dhe argumentave të përcjella në përgjigje të interesit të shfaqur nga ana e deputetëve të komisionit, Ministri Manjani sqaroi sikurse edhe një ditë më parë kur ishte i pranishëm në Komisionin e Ligjeve, se është tërësisht në në varësi të parlamenenti për të çmuar se kush amnistohet ose jo.

Manjani tërhoqi vëmendjen që kjo amnisti të mos kthehet në një “teatër populist” si dhe njëkohësisht duhet vlerësuar si një akt kolektiv dhe jo individual.

Njëkohësisht duke e konsideruar politikën aktuale të ndjekjes penale si një kulturë sovjetike, Ministri Manjani bëri me dije se shumë shpejt në Parlament do të vijnë ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, një proces ky që duhet të eci paralelisht me zbatimin e reformës në drejtësi.

Më poshtë diskutimi i plotë i Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:

 “Kjo amnisti mbetet thjeshtë propozim dhe nuk është as në pronësinë e Ministrit të Drejtësisë, as në pronësinë e Qeverisë. Dhënia e amnistisë është detyrë ekskluzive e parlamentit, e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Dua ta bëj këtë saktësim sepse në mjediset parlamentare dhe jo vetëm ekziston një debat i pafrytshëm. E theksoj  kjo është një nisëm e Këshillit të Ministrave dhe si e tillë si gjithë nismat e tjera ajo mban firmën e Kryeministrit dhe të Ministrit propozues për efekte të propozimit kushtetues por dua të them që është parlamenti, jeni ju ata që do të çmoni kush kategori, kush person apo kush vepër penale meriton ose jo të amnistohet. Desha ta sqaroj këtë gjë për të qënë i qartë me opinionin publik, unë vetë nuk kam zgjedhur të bëj reklamin me këtë çështje, nuk kam zgjedhur të dalë në publik apo të krenohem se po bëj hatanë, se nuk është detyra ime të nxjerr njeri nga burgu, detyra ime është të shërbej në burg. Nisma besoj që ju ndihmon  juve për  të kuptuar situatën në sistemin tonë penitenciar nga njëra anë dhe nga ana tjetër për të kuptuar se sa efiçente është ndjekja penale në Republikën e Shqipërisë dhe për të dalë në një konkluzion nëse realisht ja vlen të humanizohet disi ndëshkimi penal i deri sotëm apo jo dhe nëse po në çfarë kategorish.

Çfarë sugjeron qeveria për ju të nderuar deputetë?

Qeveria sugjeron që të ndërmeret një amnisti për kategori të caktuar veprash penale dhe personash dhe duhet të jemi të qartë që qëndrimi i qeverisë pas diskutimeve shumë të gjata, me shumë kolegë përfshi këtu edhe me institucione jashtë qeverisë siç është Prokuroria e Përgjithshme, kemi arritur në konkluzion që kjo amnisti duhet të shtrihet ndaj të dënuarve për kundravajtje penale, pra kundravatja penale nga krimi ju e dini që dallon nga mënyra sesa dënohet nga Kodi Penal, çdo dënim deri në 2 vjet quhet kundravatje penale, mbi dy vjet quhet krim. Pra, ne kemi propozuar, kemi arsyetuar që kjo amnisti të shtrihet tek kundravajtja penale jo tek krimi. Pra, 2 vjet e një ditë sipas Kodit Penal quhet krim.

Qeveria nuk ka menduar, nuk ka sugjeruar që të amnistojë krimet por kundravajtjet. Ky është kriteri i parë. Kriteri i dytë që mendon qeveria është që të fokusohemi në disa grupe të margjinalizuara siç janë gratë, të miturit ose persona me sëmundje të rënda, në fazë terminatore të sëmundjes së tyre, mbatja e të cilëve në burg nuk ka më asnjë efekt, përkundrazi tregohet një gjest human që vitet e fundit të jetës ti kalojnë pranë familjes. E gjitha kjo duhet zhvilluar edhe në një kontekst tjetër. Ka dhe një debat juridik dhe kushtetues për amnistinë.

Ky është viti i 3 rreshtë që ne propozojmë amnisti. Nuk them që këmi bërë keq por arsyeja që vijmë herën e tretë ka dhe një specifikë. Të gjithë e dinë që pushteti gjyqëor është tashmë “i akuzuari” më i madh publik, për fat të keq edhe politik, si më i pabesueshmi, si më i korruptuari, i demonizuar në ekstrem dhe nga ky pushtet i demonizuar apo qoftë dhe i korruptuar secili është i lirë ta besoj, nuk është kjo detyra ime,

dalin vendime gjyqësore, preket të drejtat e njeriut, të cilat nuk besohen nga opinioni publik dhe si të tillë politika do të vazhdojë të ketë instrumenta ligjvënëse për të balancuar disi këtë efekt jo pozitiv që ka krijuar dhe krijon pushteti gjyqësor. E përsëris, nuk jam unë që akuzoj pushtetin gjyqësor, nuk kam vendosur ta bëj këtë gjë, por kushdo që e beson, ne jetojmë në një shoqëri publike, ku perceprimi është shumë i fort dhe nuk mund të mos reagojmë ndaj saj.

E dyta, legjislacioni penal dhe ndjekja penale në tre vitet e fundit ka pësuar ndryshime të jashtëzakonshme, kemi patur diskutime për shumë kategori veprash penale në këto 3 vitet e fundit, këtu në parlament, disa janë forcuar, disa janë lehtësuar. Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë siç është rasti i armëmbajtjes pa leje, ku u konstatua një dëmim jo propocional dhe gjysma e parë e vitit që po mbyllim ishte në një farë mënyre pa ligj penal për armëmbatje pa leje, gjysma e dytë u bë me ligj.

Por, ndërkohë kemi persona të akuzuar për këtë vepër penale, të kapur në gjysmën e parë të vitit dhe të akuzuar në gjysmën e dytë, e kështu me radhë. Parimi i barzisë përpara ligjit është në një diskutim shumë të madh dhe duke patur parasysh këtë lloj atmosfere, këtë lloj mjedisi, qeveria mendoi dhe propozoj që ta marri këtë nisëm, ekzakt për t’i dhënë mundësinë qytetarëve të Shqipërisë, që të shijojnë apo të gëzojnë parimin e barazisë përpara ligjit, sigurisht duke konsideruar disa ndalesa të cilat janë të domosdoshme.

Ndalesa të tipit vrasje, ne nuk propozojmë t’i amnistojmë, dhunën në familje në tërësi nuk propozojmë ta amnistojmë. Recidivistët gjithashtu nuk propozojmë t’i amnistojmë se nuk ka kuptim të lirojmë hajdutët sikurse bëmë vitin e kaluar dhe gjysma e tyre na janë kthyer në burg prap. Nuk propozojmë të amnistojmë kultivuesit e drogës dhe dua ta theksoj me forcë, nuk propozojmë dhe nuk është qëllimi i kësaj amnistie, të amnistojmë zyrtarët publik të çdo niveli, çfarëdo që të kenë kryer,  çdarëdo krimi apo kundravajtje që të kenë kryer, nësë nuk është thënë qartë në këtë projektligj është krejtësisht i hapur ky diskutim për t’u rregulluar dhe për t’u fiksuar në këtë parlament.

Qëllimi nuk ishte dhe nuk është që të përfitojnë zyrtarët publik dhe kjo është një gjë e prerë dhe për këtë çështje ne kemi debatuar edhe në Këshillin e Ministrave gjerë e gjatë. Amnistia është një akt kolektiv dhe nuk mund të konsiderohet kurrë si një akt individual, unë e kuptoj që në shumë raste ne na lidhen element apo personazhe apo figura të veçanta, njerëz të veçantë, konkret me çështjen e amnistisë, por amnistia nuk është nisur për individë. Në qoftë se individë të caktuar që nuk duhet të përfitojnë, përfitojnë, jeni krejtësisht të lirë ta ndaloni këtë punë dhe ne nuk kemi asnjë pengesë, por duhet ta bëjmë qartë ndarjen që aktet individuale, janë akte individuale dhe individët i trajton gjykata jo parlamenti.

Në qoftë se dikush është në burg duhet të dali nga burgu sipas kritereve ligjore të Kodit Penal, është gjykata që i vlerëson nëse i ka plotësuar kushtet për lirim me kusht apo jo dhe nuk është parlamenti. Parlamenti përcakton kritere për kategori veprash penale, përcakton kritere për grup të dënuarish në tërësi. Por qëllimi është që ne të vendosim vetëm kritere të tipit parimor. Ka një diskutim nëse 2 vjetëshi i propozuar si kriter është i mjaftueshëm apo duhet rritur. Kjo është një temë e parlamentit. Unë ju shpjegoj logjikën e qeverisë jo të Ministrisë së Drejtësisë, e cila është se kjo amnisti të shihet vetëm për kundravajtjet penale.

E përsëris, 2 vjet e një ditë nuk quhet më kundravatje penale, quhet krim. Nëse parlamenti do të amnistojë krimet është krejtësishtë detyrë e parlamentit dhe përgjegjësia e parlamentit dhe llogaridhënia e parlamentit. Këshilla ime është kjo, në qoftë se ne e konsiderojmë amnistinë si aktivitet elektoral ju ftoj ta mendoni që e keni gabim sepse kjo nuk është botë votash, është një histori që nuk ka funksionuar, as teatër populist nuk mund të jetë. Amnistia është një çështje humane ku përfitojnë njerëz të cilët vuajnë dënimin dhe në këtë humanizëm jam i bindur që ka votues të majtë, të djathtë ka dhe nga ata që nuk votojnë fare dhe që me shumë gjasë janë njerëz që nuk angazhohen fare me këtë aktivitet.

Ky është informacioni që unë kam dhe dua ta ndaj me shumë sinqeritet me ju sepse nuk mund të jetë kjo çështje e protagonizmit elektoral, çfarë mendoj unë apo çfarë mendon dikush tjetër, këtu është çështje për të nxjerrë të gjithë sëbashku një produkt që ja vlen, të paktën kështu është qëndrimi i qeverisë. Ndërkohë janë dy vepra penale të diskutueshme, ndërtimet pa leje dhe vjedhja e energjisë elektrike. Nisma e qeverisë i amniston këto dy vepra penale, pra të gjithë ata persona që janë dënuar, i amniston, ata që janë në ndjekje penale nuk amnistohen. Unë dua ta shpjegoj në parim këtë qështje sepse të dyja janë kategori veprash penale të forcuara vitet e fundit në Kodin Penal dhe në qoftë se mendoni që zgjidhja është te amnistia e keni gabim.

Zgjidhja e këtyre fenomeneve është tek Kodi Penal, jo tek amnistia. Ju kujtoj që është forcuar sanksioni penal për këto dy kategori. Në qoftë se luajmë këtë lojën e kungulleshkës që në fillim të vitit i arrestojmë dhe në fund të vitit i falim, më vjen keq por kjo është një gjë që nuk ja vlen ta diskutojmë pafundësisht. Në qoftë se kemi ndonjë shqetësim unë ju kujtoj nenin 27 të Kushtetutës. Ky nen është i qartë “Askush thotë Kushtetuta nuk mund të hyjë në burg për shkak se nuk ka mundësi të shlyej detyrimet kontraktore” dhe në dijeninë time, ndjekja e sotme penale ka zero persona në ndjekje apo të dënuar që nuk kanë arritur të shlyejnë detyrimet kontraktore. Flas për pjesën e energjisë, dikush që ka vënë kabullin për të marrë energji tek shtylla kjo është vjedhje, por dikush që nuk ka pasur mundësi të shlyej kontratën e energjisë elektrike nuk mund të jetë subjekt i ndjekjes penale sipas kritereve të nenit 27.

Nëse Kodi Penal, praktika e ndjekjes penale bien në kundërshtim me nenin 27, kjo është një histori që duhet ta sqarojë secili individ, secili grup por dhe secili deputet nëse e çmon të arsyeshme, por kjo është marrëdhënie jo me amnistinë, është një marrëdhënië me kodin penal dhe me ndjekjen penale. Këtë gjë ju lutem ta ndajmë mirë sepse janë dy momente krejt të ndryshme. Ndërsa përsa i takon pjesës së ndërtimeve pa leje edhe kjo në qoftë se kemi një shqetësim që duhet të ndihmojmë këtë kategori, shqetësimi duhet të ishte shprehur që në çastin kur ka filluar ndjekja penale, sepse ishte një alternativë gjithashtu ligjore që ndërtuesit pa leje mund t’i prishej ndërtimi, mund dhe të gjobitej dhe mund mos të çohej fare në ndjekje penale. Por tani nuk mund të bëjmë këtë lojën që në njërën anë i dënojmë, i kriminalizojmë dhe unë do të doja shumë që të ishte në periudhën time të të qënit në shërbimin si Ministër Drejtësie, që këto gjëra të fiksoheshin njëherë e mirë në kodin penal sepse ai nuk mund të prodhojë kriminel por duhet të ndëshkojë realisht më të rrezikshmit, duke lejuar përdorimin e dënimeve alternative në masë të madhe.

Kjo është arsyeja pse në këtë amnisti ne nuk i kemi amnistuar të dënuarit me mjete alternative sepse duam ta promovojmë. Qëndrimi im zyrtar, publik, si përfaqësues i qeverisë mbi politikën e ndjekjes penale, ka qenë dhe mbetet i qartë. Në burg hyjnë realisht personat e rrezikshëm, të gjithë të tjerët duhen të ndëshkohen me metoda alternative duhen promovuar, nuk mund të de-stimulohen. E reja e kësaj amnistie në raport me vitin e fundit është që kemi propozuar edhe amnistimin në fazën e ndjekjes penale gjithmonë për kundravajtjen penale.

Një projektligj nuk mund të gjykohet, një projektligj është thjesht një aktivizim. Ai mund të pranohet në parim dhe përmiresohet, ose të pranohet në parim dhe të votohet ose rrëzohet. Kjo është pikëpamja ime dhe besoj se është e çdo nisme të zakonshme që bëhet, pra unë e kuptoj dhe e mirëkuptoj që në parlament qeveria mund të kritikohet. Parlamenti që nuk kritikon qeverinë, nuk ka bërë detyrën Kushtetuese, por në rastin konkret nuk është se qeveria po i nxjerr nga burgu këta, sepse ky është thjesht një projektligj, është një nismë. Projekti nuk bën asgjë.

Projekti thjesht,e përsëris aktivizon vendimarrjen tuaj pozitive, negative, të plotë ose të pjesshme. Pra, në qoftë se ju e konsideroni që ne vijmë këtu për të na gjykuar se si e kemi ne idenë, padiskutim debatojmë dhe mbi idenë, por e përsëris është një projektligj. Në këtë projektligj nuk kemi bërë asgjë, askush nuk del nga burgu. Në qoftë se, në këtë projektligj ka shqetësime që figura të caktuara që nuk duhet të përfitojnë, ndërkohë përfitojnë, do ta mbështesim çdo ndryshim.

Është një gjë të të akuzojë Prokuroria ose të dënojë Gjykata dhe është një gjë krejt tjetër akuza në foltoret e partive sipas interesit të ditës. Kjo është një gjë që duhet ta bëjmë njëherë e mirë të qartë. Përsa i takon pastaj pjesës tjetër të arsyetimeve teknike, e përsëris çdo gjë është e hapur, është krejtësisht detyrë e parlamentit. Nëse parlamenti do të amnistojë krimet është krejtësisht detyrë e parlamentit. Ne nuk e ndalojmë dot. Në fakt nuk mund të bëhet amnisti tre vjet rresht. Por duhet të kuptojmë që me situatën anormale kemi krijuar një demonizim në raport me drejtësinë dhe sot qytetarët e Republikës së Shqiperisë, për shkak të kësaj situate nuk e besojnë drejtësinë. Kjo është arsyeja pse vijmë me këtë ritëm më të shpejtë të amnistisë, ndërsa ndryshimet janë krejtësisht opinion dhe vendimmarrje e parlamentit.

Vendimi i gjykatës është ligj! Nuk kam shprehur asnjëherë në jetën time dyshime për vendimet e gjykatave. Unë fola për perceptim kur thashë që vendimet e gjykatave nuk besohen por e kam thënë edhe në raste të tjera dhe vazhdoj ta përsëris, ua them edhe njerëzve që vazhdojnë e ankohen edhe në Ministrisë e Drejtësisë për këtë çështje: se edhe sikur për një moment të caktuar të heqin dora nga ligjet e demokracisë dhe këto gjyqtarët që ne nuk i besojmë  ta zëmë se i varëm në mes të sheshit, vendimet e tyre do të zbatohen. Kjo është e pa diskutueshme! Kjo është kulturë e shtetit ligjor, nuk është aspak populiste.

Madje shteti ligjor nuk ka lidhje me populizmin. Këtë unë dua ta bëj të qartë për të shmangur çdo lloj keqkuptimi. Vendimet e gjykatave janë për t’u zbatuar dhe nuk diskutohet fare. Në qoftë se nuk pranojmë këtë, ka rënë Republika, ka rënë shteti, kanë rënë të gjitha. E thashë që në fillim dhe jam i bindur për këtë gjë, që nuk është sigurisht amnistia zgjidhja për politikën penale për asnjë shtet. Këtu në Parlament shumë shpejt do të vijnë ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës edhe për shkak dhe në kuadër të Reformës në drejtësi, por edhe për shkak se duhet të ndahemi një herë e mirë nga një kulturë sovjetike që gjendet në politikën e ndjekjes penale. Kush është kjo kulturë sovjetike?

Kultura është që personi arrestohet, pra masa më e parë që merret është arresti dhe kënaqet gjithë opinioni publik. Ky është sovjetizëm, është drejtësi popullore dhe është e papranueshme për standardet demokratike. Njeriu futet në burg vetëm me prova dhe ky do jetë ligji që do të propozojmë. E kemi shkruar dhe do ua sjellim, pastaj mund të ndahemi parimisht ose mund të bashkohemi parimisht. Por është momenti që ndjekja penale në Republikën e Shqipërisë të kalojë nga sovjetizmi te Europianizmi. që do të thotë edhe një herë e theksoj, burgu është mjeti i fundit, nuk është i pari në listën e ndëshkimeve. Dhe në qoftë se ne do e pranojmë këtë lloj reforme jam i bindur që kemi bërë reformën më të rëndësishme të ndjekjes penale në Republikën e Shqipërisë. Po ju ftoj ta ruajmë këtë diskutim për një temë të mëvonshme sepse do jetë jo pak e diskutueshme”, përfundoi Ministri Manjani

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

 

 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al