Monika Kryemadhi: Buxheti i bujqësisë më pak se një nga koncesionet që kryeministri ka bërë qoka për miqtë e tij

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi mbasditen e sotme një tryezë diskutimi lidhur me buxhetin për bujqësinë. Në këtë takim merrte pjesë Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, deputetët e LSI-së Edmond Panariti, Robert Bitri, Endrit Braimllari, si dhe akademikë, specialistë dhe ekspertë të fushës së bujqësisë, pjesëtarë të grupeve të interesit etj.

Në fjalën e saj në këtë takim, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se bujqësia është paradoksi më i madh i këtij buxheti. Kryemadhi tha se propozimi i LSI-së është rritja e buxhetit të bujqësisë deri në 2.4 % të PBB, pra me rreth 250 milionë euro në vit. “Propozimi ynë si LSI është rritja e buxhetit të bujqësisë deri në 2.4 % të PBB, pra me rreth 250 milionë euro në vit, në mënyrë që bujqësia të rrisë kapacitetet prodhuese, të investohet në modernizimin dhe teknologjinë e saj, të garantohet zinxhiri nga fermeri prodhues te grumbulluesi, te tregu bujqësor dhe deri te siguria ushqimore që është po kaq e rëndësishme tek tryeza e ushqimit të qytetarëve, për ushqimin e përditshëm që ne hamë”, tha kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Jemi në tryezën e bashkëbisedimeve me specialistë dhe grupet e interesit. Sot, ne e lamë për sa i përket çështjes së buxhetit që prek bujqësinë duke pasur parasysh që bujqësia vazhdon të jetë paradoksi më i madh i këtij buxheti. Bujqësia është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare me kontributin e saj rreth 21% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe nga ana tjetër merr fonde më pak se 0.3% të këtij prodhimi. Duke pasur parasysh që bujqësia kontribuon me mbi 2 miliard euro në buxhetin shqiptar, ajo merr vetëm një lëmoshë nga qeveria shqiptare në 90 milionë euro. Kjo është një tallje në fakt që bëhet me djersën dhe mundin e pronarëve, të cilët kontribuojnë pafundësisht dhe janë përfshirë në çdo cep të Shqipërisë, ku ndihen totalisht të braktisur nga shteti dhe qeverisja. Besoj se çdo vit është kërkuar një buxhet më i madh për sa i përket bujqësisë. Kjo, jo vetëm në funksion të institucionit ku 4 vitet e kaluara ky institucion është drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Për sa i përket kësaj gjëje, ne nuk e kemi lidhur drejtpërdrejtë me administrimin e këtij institucioni, por ka të bëjë me rritjen e subvencionit por edhe investimit në bujqësi.

Pra sektori i bujqësisë të mos shikohet më si një bukë goje, por duhet thënë që ajo është e rëndësishme për gjysmën e popullsisë shqiptare. Fatkeqësisht, kërkesat tona nuk janë marrë asnjëherë parasysh në miratimin apo rregullimin e buxhetit, por ka qenë një mundësi për çdo komunikim njerëzor që ka të bëjë midis qeverisë dhe bujqësisë ku duhet pasur parasysh se 50% e shqiptarëve janë të punësuar në këtë sektor. 90 milionë euro që ka buxheti i shtetit sot, është më pak se një nga koncesionet që kryeministri ka bërë qoka për miqtë e tij. Pra, vetëm në sektorin e Shëndetësisë, kryeministri ynë ka dhënë 3 koncesione, ku një është ajo e analizave që është rreth 120 milionë euro, laboratorët që është rreth 100 milionë euro dhe për instrumentet e sterilizimit. Pra, buxheti i bujqësisë është më pak se një nga koncesionet e tij. Kjo është jo vetëm qesharake, është diskriminuese, është e shëmtuar dhe është e neveritshme sa i përket vlerësimit që kjo qeveri ka ndaj bujqësisë shqiptare.

Çfarë mund të shpresojnë fermerët shqiptarë për të rritur prodhimin e tyre dhe për të shitur prodhimin e tyre, kur në vendin e tyre fqinj, vetëm Maqedonia siguracionin e ka 150 milionë euro. Pra, 60 milionë euro më shumë se gjithë buxheti i ministrisë tonë. Pra llogaritni se ça buxheti ka Ministria e Bujqësisë në Maqedoni. Si mund të konkurrojmë ne me ta për të pasur dhe më tepër ambicie për rritjen e eksporteve kur prodhimet më të lira të importit po mbysin prodhimin vendas. Që patjetër, importuesve të mëdhenj kjo u ka shërbyer jashtëzakonisht shumë, sepse duke qenë dhe klient të qeverisë tonë, duke krijuar dhe një buxhet lëmoshë për bujqësinë, u jep shanse shumë të mëdha atyre për të rritur fitimet e tyre dhe ndërkohë për të vrarë bujqësinë shqiptare. Çfarë reforme bujqësore apo çfarë zhvillimi rural pretendojmë ne kur fermerët shqiptarë akoma punojmë me mekanikën dhe teknologjinë e 30 viteve më parë? Ku është dora e shtetit për të zgjidhur çështjen e pronësisë së tokës apo më pak akoma, për të mbështetur fermerin qoftë dhe me një traktor.

Propozimi ynë si LSI është rritja e buxhetit të bujqësisë deri në 2.4 % të PBB, pra me rreth 250 milionë euro në vit, në mënyrë që bujqësia të rrisë kapacitetet prodhuese, të investohet në modernizimin dhe teknologjinë e saj, të garantohet zinxhiri nga fermeri prodhues te grumbulluesi, te tregu bujqësor dhe deri te siguria ushqimore që është po kaq e rëndësishme tek tryeza e ushqimit të qytetarëve, për ushqimin e përditshëm që ne hamë. Unë nuk dua të zgjatem shumë se do doja që ta merrte fjalën profesor Panariti, ta vazhdonte më tej bisedën duke qenë se ka drejtuar dhe institucionin e Ministrisë së Bujqësisë. Është një nga mundësitë më të mira që ka pasur LSI dhe shpresojmë që dhe në pozicionin e opozitës ne nuk do të distancohemi, ose nuk do t’i qëndrojmë larg bujqësisë duke pasur parasysh që dhe përkrahjen më të madhe ne si LSI e kemi pasur nga ky komunitet ose nga kjo pjesë e ekonomisë shqiptare.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al