Monika Kryemadhi: “Edi Rama buratini i krimit të organizuar”!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka folur në një intervistë për “Report TV” në lidhje me aktualitetin politik dhe zhvillimet e fundit të skandalit ku i përfshirë është emri i Ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ajo është shprehur se  Edi Rama,është koka e gjithë kësaj gjëje dhe për të hequr vëmendjen hedh në gojën e medias Saimir Tahirin.

Më poshtë intervista e plotë:

 Znj. Kryemadhi, besoj ju jeni befasuar nga zhvillimet e sotme, apo i prisnit?

Sigurisht që ne i prisnim. Z. Vasili e ka paralajmëruar në seancën maratonë që u bë për ligjin e Vetingut, nëse e mbani mend, që u shpreh se do të ketë veprime nga ndërkombëtarët dhe mjaft fakte të tjera. Por, këtu problemi nuk qëndron tek ajo çfarë presim ne, sepse kjo nuk është gjë e mirë, kjo nuk është ndonjë lumturi e madhe.

Megjithatë ju mund ta cilësoni si një fitore tuajën gjithë këtë që po ndodh, sepse ju jeni në një front tashmë me Partinë Demokratike…

E kam thënë dhe e them gjithmonë, kjo nuk është çështje lumturie apo fitoreje. Nuk është problemi Saimir Tahiri. Këtu është problemi ku është Shqipëria. Dhe një nga problemet që ka media shqiptare sot është që merren me Saimir Tahirin. Nuk është problemi Saimir Tahiri, problemi këtu është Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që është koka e gjithë kësaj gjëje dhe për të hequr vëmendjen hedh në gojën e medias Saimir Tahirin.

Po pse, ç’doni të thoni, që kjo është një lëvizje e Ramës?

Absolutisht.

Po çfarë interesi do të kishte Rama të njolloste qeverisjen e tij?

Sepse është Rama pas gjithë kësaj. Sepse do të vazhdojë procesi dhe mendon që duke i dhënë diçka njerëzve apo medias për të ngrënë, do të harrojnë dhe do të largojnë vëmendjen nga Edi Rama, nga problemi i vërtetë që kemi ne sot. Sepse të gjithë ne e shikojmë sikur është ndonjë lumturi e madhe, por në fakt kjo është një fatkeqësi e madhe që po na ndodh. Ne bëmë luftë për dekriminalizimin e Parlament dhe ne fillojmë arrestojmë deputetët. Kjo është ajo çfarë ka ndodhur. Ne nesër mund të kemi deputetë të tjerë, të cilët kanë marrë para nga bandat dhe krimi i organizuar, të cilat i kanë hedhur në fushatë për deformimin, blerjen dhe ushtrimin e presionit të votës. Të tjerë deputetë do të arrestohen. Sepse nuk është e thënë që të jesh kriminel se ka vrarë njeri. Kriminel je edhe kur përdor paratë e krimit për të blerë votën. Dhe kjo ka ndodhur faktikisht, në të 12 qarqet e Shqipërisë. Ne këtë e kemi denoncuar në fushatë, e kemi denoncuar edhe pas fushate, dhe në fakt fjalët tona ja ku dolën sot.

Megjithatë le të ndalemi pak tek Saimir Tahiri, ka qenë një nga ministrat, të cilin ju e keni sulmuar më ashpër nga të gjithë ministrat e tjerë…

Po, është e vërtetë. Edhe pse kemi qenë në koalicion bashkë, është e vërtetë, jemi përplasur, kemi debatuar.

A kishit fakte, apo le të themi Saimir Tahiri ishte ministri që ju sulmonte më shumë?

Ne si shoqëri shqiptare kemi një problem shumë të madh që informacionin që shpërndajmë tek njerëzit e kemi disi të manipuluar. Ne ju krijojmë njerëzve percepsion të paguar. Ka ndodhur që gjatë gjithë kësaj kohe, ne e hoqëm vëmendjen nga krimi, nga droga dhe u fokusuam në gjëra të tjera, të cilat ishin shumë më të rëndësishme, shumë parësore për jetën dhe zhvillimin e shoqërisë, por nga ana tjetër lamë të lulëzonte një gjë e tmerrshme, e cila fillon pak nga e pak, por më pas fillon e bëhet varësi. Këtë gjë bëri qeveria shqiptare. Ne e kemi ngritur zërin herë pas here, sepse po të vëmë re, formula e zgjedhjeve të 25 qershorit u provua dhe u testua me formulën e zgjedhjeve në Bashkinë e Dibrës. Dhe kjo formulë u mor dhe u zbatua në 25 qershor në të 12 qarqet e vendit. Pra, në Dibër u lanë parcelat e hashashit të mbusheshin plot. Në momentin që i thuhej kryeplakut të fshatit që në qoftë se nuk fiton kandidati ynë për kryetar bashkie, parcela jote do të shkulet. Pra, ata e kuptuan që kjo gjë funksiononte shumë mirë nëpër fshatra dhe në zonat e thella. Më tej funksionoi blerja e votës me paratë e krimit të cilat pas tre viteve lulëzim të kanabisit, dhe pas fuqizimit të bandave nga ana ekonomike, u futën në ekonominë shqiptare, dhe nëpërmjet saj filluan të shpërndaheshin në xhepat e shqiptarëve duke i kërcënuar, ose votën, ose paranë, ose do hash plumbin. Këtë ne e dimë shumë mirë sepse e kemi provuar dhe i kemi pasur mbi kurriz në fushatën e 25 qershorit dhe kjo ka qenë një nga arsyet që ne e kemi ngritur zërin herë pas here.

Ju e konsumuat plotësisht mandatin me PS-në, pavarësisht se ish-ministri juaj, z. Manjani, hodhi një lloj alarmi. Ju e keni shprehur herë pas here që mbani përgjegjësi për qeverisjen e kaluar. Cila është kjo përgjegjësi? Çfarë mund të bënit ndryshe?

Së pari mendoj se LSI nuk duhet ta lejonte kryeministrin Rama të kishte një dominancë të drejtpërdrejtë mbi Ministrinë e Brendshme.

Megjithatë ju i çuat një zv.ministër, që të kontrollonte ministrin Tahiri…

Sepse njerëzit mendojnë që zv/ministri është pozicion politik, duhet ta dini që zv/ministri është një rrogë në institucion. Duhet të kemi parasysh që marrëveshja që patën nënshkruar dikur Ilir Meta me z. Rama ka pasur problemet e veta. Nuk jemi këtu për të folur për këtë sot. Kjo është inekzistente përballë asaj çfarë po ndodh sot në Shqipëri. Por di të them këtë që, reforma në drejtësi ishte një nga arsyet që kushtëzoi bashkëjetesën e PS me LSI. E riartikuloj këtë për të disatën herë, sepse ju e dini shumë mirë fushatën sensibilizuese që u bë nga PS apo dhe nga segmente të saj, nga analistë, nga media të paguara apo të sponsorizuara me paratë nëpërmjet PS që vinin nga bandat, që u morën vesh se si vinin paratë te PS dhe nga PS vinin te gazetarët, analistët, mediat, etj, për të krijuar perceptimin sikur LSI ishte kundër reformës për drejtësi. Ndërkohë që LSI fjalën e saj për reformën në drejtësi e kishte dhënë në Washington dhe në Bruksel dhe nuk i lëvizte pikave të saj. Dhe me ndihmën, me forcën apo këmbënguljen e kryetarit të LSI të asaj kohe, ne miratuam një reformë në drejtësi me 140 vota në Parlament. Kjo e kushtëzoi. E keni dëgjuar se sa herë ngrinte akuza LSI për PS, dilnin deputetë apo ministra të PS dhe thoshin, ata që s’duan të kalojnë reformën në drejtësi. Se dhe ne njerëz pa njerëz nuk jemi, se ne vërtet mund të jemi një parti e tretë por dhe ne miq kemi, të huaj kemi, ndërkombëtarë kemi, shokë kemi. Por PS bëri një investim të jashtëzakonshëm në komunitetin ndërkombëtar dhe në institucionet ndërkombëtare për të krijuar idenë sikur LSI ishte kundër reformës në drejtësi. Dhe kjo ka qenë një investim i jashtëzakonshëm. Dhe të gjithë këtë e bënte në një mënyrë të tillë që ne të hiqnim vëmendjen dhe fokusin nga krimi që po instalohej çdo ditë e më shumë në polici, nga institucione të sigurisë kombëtare të cilat kapeshin çdo ditë e më shumë nga krimi i organizuar dhe nga kanabizimi çdo ditë e më shumë.

 Nëse nuk do të kishte qenë ajo reformë, ju do e kishit rrëzuar qeverinë Rama që në 2016?

Patjetër. Ke Lefter Kokën në mbledhjen e qeverisë ku ka thënë, është rritur me 20 % sipërfaqja e gjelbër e Shqipërisë në 28 mijë kilometra katrorë. Z. Kryeministër ka thënë kjo është rritur për shkak të kanabisit. Dhe z. Rama i ka thënë, të lutem shumë mos fol sepse jemi me regjistrim sepse mbledhjet e qeverisë ishin me regjistrim. Më pas z. Koka ka dalë në disa emisione të tjera, e më tej, i ndjeri Gjovalin Kadeli ka folur për këtë gjë. Po e kam përsëritur dhe e them gjithmonë këtë gjë, z. Manjani që ka kërkuar ndërhyrjen e ushtrisë etj. Dhe asgjë nuk ka qenë politike. Në të gjitha akuzat që ngre LSI, nuk ka asnjë akuzë me prapaskenë politike, që të ketë një përfitim politik, personal të saj. Akuzat që ka ngritur LSI historikisht edhe të kushtëzuara nga z. Meta në atë kohë, i cili thoshte se duhet të jeni të kujdesshëm, të qetë, me dashuri, mos i sulmoni, mos i provokoni. Sot qetësia dhe dashuria e Ilir Metës çfarë na solli? Vetëm se bëri një gjë shumë të mirë se sot ne kemi një reformë në drejtësi. Vetëm se është një problem, kjo reformë në drejtësi do vazhdojë apo jo?

Megjithatë ju sulmin e kishit ndaj Saimir Tahirit. Përse ndaj tij?

E para, për mua ky është nj gabim shumë i madh që bën media shqiptare, sepse këtu nuk është çështja arrestohet apo jo Saimir Tahiri. T’iu them një gjë? Nuk është problemi Saimir Tahiri. Sot nuk është Saimir Tahiri. Saimir Tahiri mbaroi. Saimir Tahiri ishte një nga pagatorët e Edi Ramës të cilin e përdori, për të pasur si ndërmjetësues midis tij dhe bandave. Më pas në momentin që filloi të cenohej e hoqi nga Ministër i Brendshëm, filloi të gënjente mediat, gazetarët duke iu thënë se, gjasme ja ka kërkuar Ilir Meta. Absolutisht jo. Edi Rama e di shumë mirë. I kanë thënë, nëse ti nuk e heq Saimir Tahirin, raporti i Departamentit te Shtetit do dalë me këtë, këtë fjali, ose me këtë gjë. Po të kesh parasysh ne kemi vetëm përgjimet e viteve 2013-2015. Ka akoma përgjime të tjera dhe nuk është vetëm Saimir Tahiri, ka dhe shumë të tjerë.

Kjo dosje ekziston prej kohësh për Saimir Tahirin apo ka dalë tani?

Unë nuk them se nuk është vetëm Saimir Tahiri ka dhe shumë të tjerë të përfshirë në këtë gjë. Kjo është vetëm në dy vite.

Vetëm trafik narkotikësh?

Në përdorimin dhe në futjen në ekonomi shqiptare të parave të drogës dhe të krimit.

Nivel ministrash znj. Kryemadhi?

Ministrash, oligarkësh, miq të kryeministrit, familjarë të kryeministrit dhe shumë të tjerë me radhë.

Mund të na thoni një emër?

Unë nuk jam as prokurore, as gjyqtare, por nga informacionet që kemi.

Mund të na thoni një emër meqenëse jeni një përfaqësuese e opozitës?

Unë nuk jam as prokurore, as gjyqtare po nga informacionet tona që kemi, ne denoncojmë politikisht fenomenin. Por ama di të them këtë, situata në të cilën ne jetojmë sot është një situatë shumë e rrezikshme. Pse është shumë e rrezikshme? Po të dini, ka dalë një raport për 10 vendet që përdoret në përqindje popullsie kokaina më shumë, vendin e parë e dini kush e zë? Mos u habit fare. Është gazeta Telegraf thotë 20 vendet që konsumojnë më shumë kokainë janë: vendi i parë Shqipëria me 2.5 % e popullsisë shqiptare përdorin kokainë.  Kanabisi ka qenë i 2013 por tani kemi vajtur në droga të forta. Ke kaluar në trafik armësh, emigrantësh e trafiqe të tjera shumë problematikë. Vjen Skocia me 2.34. Amerika me 2.3, Uelsi me 2.25, Spanja me 2.2, Australia me 2.1, Uruguai me 1.8, Kili me 1.73, Hollanda me 1.6, Irlanda me 1.5 etj. Kush është problemi? Problemi nuk është këtu se nuk konsumon kokainë mamaja ime, as unë se ne jemi brez i vjetër dhe quhemi brez i mbaruar. Konsumon brezi i ri dhe kjo është fatkeqësia më e madhe. Një brez i ri që konsumon kokainën sot pafundësisht është një brez i plakur i cili nuk do të prodhojë asgjë nesër sepse do të hynë në këtë rrugë dhe nuk do dalin më. Nuk janë thjesht përdorues të cilët e përdorin nga qejfi, por janë përdorues të infiltruar në të gjithë trafikun e kokainës. Pra janë argatë, të cilët për punën që bëjnë shpërblehen me kokainë. Pra punojnë në trafik dhe shpërblehen me kokainë. Është kthyer një klering në brezin e ri. Një brez i ri i cili në momentin që shkëputet nga ky sistem, ose do vrasi ose do vjedhë për të pasur para për t’i blerë sepse sot shqiptarët janë dhe më të varfër seç kanë qenë edhe në ’90. Vërtet në numër parash i ke, por varfëria në konsum, përqindje apo në vlerë monetare pra të përkthyer në ushqim, shqiptarët janë më të varfër se sa që kur dolën nga komunizmi.

Kthehemi pak tek Saimir Tahiri. A do arrestohet dhe si do votojë LSI për kërkesën e prokurorisë?

Unë jam e bindur që ne nuk kemi asnjë lloj kompleksi. Besoj që edhe vetë z.Tahiri do kërkojë që të dalë përpara drejtësisë. Çdo zvarritje e tij i shton më shumë peshën dhe ngarkesën jo vetëm emocionale por edhe njerëzve që janë qoftë të mediave. Unë mendoj që ai është një nga hallkat ose pagatori i z. Rama. Nuk është problemi tek z. Saimiri, është pastaj zgjedhja që do marrë nëse do jetë mburoja e Ramës apo do të jetë një bashkëpunëtor i drejtësisë, apo thjesht një viktimë e radhës e krimit të organizuar, ajo është gjë që i përket vendimmarrjes së tij. Por ajo çka dua të them është që  ne si LSI kemi qenë gjithmonë pro çdo personi publik politik dhe do vazhdojmë të jemi. Për ne s’duhet të ketë imunitet fare për deputetët dhe politikanët sepse po dëgjojmë që gjithë të këqijat e këtij vendi po i bëjnë politikanët. Në momentin që gjithë të këqijat i bëjnë politikanët, t’i heqin imuniteti, nuk kanë pse të vijnë në parlament për t’u arrestuar deputetët, s’ka pse të vijë në parlament për të kontrolluar një deputet sepse ne na kanë kontrolluar dhe na përgjojnë. Unë mendoj që vetë z. Tahiri duhet ta lëshojë vetë mandatin. Unë jam për çdo gjë për drejtësinë që të jetë e hapur. Sot mund të më kërkojnë dhe mua heqjen e imunitetit dhe do shkoj të përballem me drejtësinë. Pse e them këtë? E them këtë se është rruga më e drejtë për t’u përballur me të vërtetën.

T’ju bëj një pyetje subjektive. I besoni këtyre akuzave?

Po i besoj. Por Saimir Tahiri është një peshk shumë i vogël. Edi Rama është peshku i madh, e bindur.

Ju në fakt thatë që epoka e Saimir Tahirit mbaroi

Nuk e thashë që epoka e tij mbaroi. Saimir Tahiri është një nga pagatorët e Edi Ramës. E morën, e përdorën në fushatë, i thanë këto paratë që bëre hidhi pak atje sepse do nxjerr 18 deputetët e mi sepse ata do vijnë në parlament. Tani e flaku sepse nuk i duhet më. Por truri është kryeministri i vendit, i cili moralisht ka rënë por qëndron aty institucionalisht.

Duket se ju dhe PD tashmë e keni një front të përbashkët. Synimi është largimi i z. Rama?

Synimi është lufta kundër krimit. Këtu nuk është çështja për të hequr z. Rama si person. Çështja është për të hequr buratinin e krimit të organizuar që është z. Rama. Ai është koka, truri, që ka ndërtuar të gjithë këtë skemë që ka sjellë këtë situatë sot në Shqipëri. Këtu nuk bëhet fjalë as për kanabis dhe as për Sajmir Tahirin dhe as për byzylykët që bëjnë dhuratë trafikantët. Problemi është se këtu qëndron një person i cili e ka kthyer Shqipërinë në një ngrehinë të krimit të organizuar dhe në një kështjellë të këtij krimi që ka ngritur mure shumë të forta dhe të vështira për ta rrëzuar.

 

Ky njeri që ju thoni është i votuar dhe i mbështetur ndërkombëtarisht. Nuk i dinin ndërkombëtarët këto gjëra?

Ndërkombëtarët përfaqësojnë interesat e vendeve të tyre. Problemi është te ne. Të ndjenja e inferioritetit që ne kemi. Ne jemi një vend që nuk kemi strategji kombëtare. Strategji të lidhura me integritetin dhe identitetin e popullit shqiptar. Duhet strategji kombëtare për arsimin dhe jo ikën një ministër dhe vjen një tjetër dhe ndryshon gjithçka. Çdo katër vite bëjmë eksperiment me shkollat tona. Bëjmë eksperimente edhe me sistemin fiskal. Një herë e vëmë TVSH-në dhe një herë e heqim. Dikush hap biznesin me TVSH zero dhe shkon dikush e i thotë Edi Ramës që i kanë rënë xhirot në supermarkete vendosi TVSH-në këtyre të vegjëlve. Harrojnë ato se xhirot kanë rënë se janë varfëruar shqiptarët. Ne nuk kemi strategji kombëtare për sigurinë kombëtare. Radarët t’i kontrollonin krimi i organizuar. Janë radarë të NATO-s.

Sot Saimir Tahiri ka thënë që “nuk keni parë asgjë akoma”. Mos e ka për ju?

E ka për Edi Ramën dhe jo për ne. Po të kishte ndonjë gjë për Ilir Metën dhe për LSI-në nuk do të ishim këtu ku jemi. Miliona euro janë sponzorizuar nga Edi Rama për të krijuar perceptimin e gabuar për Ilir Metën. Të gjitha ishin stisje për të tërhequr vëmendjen nga mbjellja e kanabisit.

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al