Monika Kryemadhi: Heqja e imunitetit nuk i jep më siguri dhe mbrojtje bandave dhe krimit të organizuar!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në një intervistë të dhënë në televizionin ‘Fax News’, është shprehur se në Shqipëri është një situatë shumë e rrezikshme, pasi është instaluar një sistem i krimit, që ka kapur pothuajse të gjitha hallkat e shtetit. Sipas saj, kjo mazhorancë ka vetëm një zgjidhje: të largohet sa më parë.

 Më poshtë intervista e plotë:

Nesër pritet të votohet në Kuvendi për imunitetin e deputetit Tahiri. Çfarë parashikohet të ndodhë?

Nesër ne votojmë kërkesën e prokurorisë. Opozita e bashkuar është pro kësaj kërkese. Jo vetëm për faktin se çfarë mendojmë ne, apo për faktet që kanë ardhur nga antimafia italiane apo nga shumë përgjime të tjera apo indicie që mund të ketë prokuroria, por mendojmë se kjo është një gjë shumë normale. Duke pasur parasysh edhe raportin që ka sjellë Komisioni i Venecias në prill të 2014, ku thotë që Komisioni i Mandateve dhe Rregullores nuk është gjykatë politike. Pra prokuroria ka bërë një kërkesë dhe kërkon që të hetojë. Unë mendoj që edhe me atë votim, ne krijojmë një filozofi dhe japim një mesazh. Po të shikojmë ne kemi një moment, ku po fillon që banda dhe kriminaliteti ka filluar të ndihet jashtëzakonisht i sigurt dhe i mbrojtur. LSI ka qenë gjithmonë propozuese për heqjen fare të imunitetit të deputetëve. Kjo është shumë e rëndësishme. Përderisa politika arriti deri aty sa krimin ta bëjë pjesë të vendimmarrjes atëherë e vetmja mënyrë për ta pastruar është që ne politikanët të mos kemi imunitet dhe të jemi të hapur ndaj institucioneve të drejtësisë.

A nuk mendoni se është e tepërt kërkesa e prokurorisë për arrestimin e z. Tahiri?

Përveç rastit të imunitetit të z. Ruli, në të gjitha rastet deputetët e kanë lënë vetë imunitetin. Dhe ne këtu kemi të bëjmë me një dosje që vjen nga antimafia italiane dhe çfarëdolloj vendimi të marrë nesër PS të gjithë shqiptarët janë më të qartë se kurrë. Shqiptarëve u janë zaptuar tokat për të mbjellë kanabis, fëmijët e tyre kanë qenë argatë në plantacionet e kanabisit.

Është Saimir Tahiri më kryesori në këtë çështje?

Saimir Tahiri është vetëm një nga hallkat. Është një nga pagatorët e kupolës që drejton këtë sistem. Dhe e gjitha vjen me bekimin atëror të Edi Ramës.

A ka një politizim të skajshëm të kësaj çështjeje?

Vetë Partia Socialiste po e politizon.

Pse e hoqi z. Rama nga ministër z. Tahiri? Disa thonë që ka qenë këmbëngulje e LSI-së.

Jo, absolutisht. Të ishte për LSI-në, nuk do ta kishte vënë fare ministër, ai dhe do ta kishte hequr me kohë. Por nëse ai nuk do të hiqte Saimir Tahirin raporti i DASH do të ishte i tmerrshëm për qeverisjen shqiptare.

 Tahiri i konsideron z. Meta si armik personal. Pse ndodh kjo?

Për këtë mund të pyesni z. Meta. Megjithatë, unë mund të them që z. Tahiri ka qenë një nga skenaristët e çështjes “Doshi”. Së bashku me Edi Ramën kanë qenë regjisorët e krijimit të asaj skeme monstruoze. Pastaj edhe çështje të tjera. Ata fokusonin LSI-në në probleme tjera dhe ndërkohë krijonin dhe zgjeronin falangat e krimit të organizuar në çdo cep të Shqipërisë. Ajo çfarë të bën përshtypje është fakti se, po të kthehemi pas në kohë dhe të shohim gjithë historikun e pas zgjedhjeve të 2013-s, në atë kohë do të fillonte mbjellja e kanabisit dhe fuqizimi i bandave të vogla, të cilat filluan të zgjeroheshin dhe të bëheshin shumë të mëdha, duke filluar të kontrollonin territore të caktuara.

Znj. Kryemadhi, kur e patë dhe e konstatuat këtë proces, që e quani si kanabizimi i vendit, përse nuk u larguat nga qeveria?

Këtu dua të ndalem. Besoj se keni dëgjuar për reformën në drejtësi. Ka qenë një kambanë, ku filluan të bërtisnin fort, kush bërtiste më shumë, shanin prokurorët dhe gjyqtarët. Nuk themi që s’ka. Nuk mund të themi që ne jemi një shoqëri e pastër. Ne jemi një shoqëri që vazhdojmë të jemi në tranzicion. Po të shikoni edhe pasqyrimin që i është bërë në media, Lëvizja Socialiste për Integrim shquhej si partia e cila ishte kundër reformës, nuk e donte atë, ambasadorët që vinin dhe thoshin e doni apo nuk e doni reformën, kur ndërkohë ne kishim dhënë fjalën tonë në Uashington dhe në Bruksel, dhe të 20 votat e LSI-së ishin hipotekuar në Departamentin e Shtetit, tek ambasadori Brawnfield dhe në Bruksel, te z. Hahn. Pra, këtu krijohej një perceptim i gabuar ndaj LSI-së në mënyrë të tillë që të hiqej vëmendja nga ajo që po ndodhte realisht. Në momentin që ne do donim të denonconim apo të thoshim diçka, ato do të na ktheheshin, duke na thënë që ne e bëjmë këtë, sepse nuk duam reformën në drejtësi. Ky ka qenë dyzimi që ka vendosur gjithmonë në pozitë LSI-në përbsa i takon mandatit. Më pas vijmë në një problem tjetër. Në momentin që Edi Rama shkarkoi nga detyra z. Manjani, LSI-a aty duhet të kishte mbajtur qëndrimin e saj radikal për këtë shkarkim.

Po në vitin 2015, kur kulmoi edhe kriza politike midis LSI-së dhe PS-së, a është konsideruar mundësia e daljes nga koalicioni?

Në 2015-n, kishte të bënte me një marrëveshje që kishte bërë Ilir Meta me Edi Ramën, në emër të LSI-së dhe PS-së, sepse ishte kryetari i LSI-së së asaj kohe, tjetër gjë që Partia Socialiste shquhet për mos mbajtjen e fjalës dhe për mungesë korrektese, në të gjitha bashkitë që kishte Lëvizja Socialiste për Integrim, ata nuk qëndruan korrekt, madje duke çuar votat e tyre në favor të kandidatëve të Partisë Demokratike. Nga eksperienca ime e Bashkisë së Lezhës, është një eksperiencë, e cila lë shumë për të dëshiruar, por na shërben si një eksperiencë në të ardhmen, ku gjithmonë marrëveshjet që bëjnë partitë politike duhet të jenë marrëveshje transparente në radhë të parë dhe mbi të gjitha të komunikuara me bazën e partisë.

Znj. Kryemadhi, ne ju kemi ndjekur hap pas hapi në të gjitha deklaratat, që ju keni bërë për dosjen ‘Habilaj’, ku akuzohet edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Keni thënë që me arrestimin e z. Tahiri bie qeveria. Si mund të ndodhë kjo? 

Moralisht qeveria ka rënë. Edhe shteti shqiptar ka rënë, sepse këtu nuk është thjesht dhe vetëm çështja e dosjes ‘Habilaj’, pasi kjo dosje është thjesht një hallkë e zinxhirit, një fragment i atij romani që ne do të lexojmë shumë shpejt dhe që do t’i bashkëngjiten edhe shumë dosje të tjera. Institucionet shqiptare kanë rënë që në momentin që u mor vesh që një trafikant ndez dhe fik radarët e NATO-s. Sistemi ka rënë që në momentin kur ne dëgjojmë nga përgjimet e bëra që Guardia di Finanzia dhe antimafia italiane ka njoftuar z. Tahiri që në janar, ku i ka thënë që ka katër parcela me kanabis të deklaruara dhe jo vetëm që nuk u prishën, por u lejuan të rriten, vaditen, shumohen, dhe në korrik policia shkon i korr dhe i lë aty. Pra, jo vetëm që nuk i asgjëson, por i bën edhe punën e argatit. Kemi një polici të inkriminuar totalisht. Pra, nuk e di kush është i yti dhe kush është i krimit. Ke një institucion të kriminalizuar totalisht. Ky është një alarm i ngritur edhe nga ndërkombëtarët, sepse të mendosh që krimi i organizuar administron radarët e kontrollit të detit, është një nga skandalet më të mëdha. E ç’mund të themi pastaj për radarët e ajrit, sepse ne e dimë shumë mirë se si kanë fluturuar avionët e vegjël që merreshin me monitorimin nga ajri të sipërfaqes së vendit. Vetëm në Vlorë kemi 4 pista avionësh të vegjël, të cilët ulen dhe ngrihen sa herë të duan. Po ku e marrin lejen këto avionë? Situata është aq problematike saqë jo vetëm që të heq çdo lloj shkëlqimi të syve dhe çdolloj pasioni në shpirt, por të fut në një makth, e cila pyetja e radhës është: Mirë sot, por nesër çfarë do ndodhë? Kjo është një nga problemet më të mëdha, sepse ne sot flasim për policinë, institucionet shtetërore, Kryeministrinë, që mos u çudisni se po të shikojmë listën e të punësuarve në Kryeministri dhe të shikojmë lidhjen e atyre personave, të jeni të bindur që pjesa më e madhe e tyre do jenë të dashurat e tyre. Mos u çudisni se mund të kemi edhe në organet e vetingut që janë të prezantuara nga partitë politike.

Do i denonconi këto emra znj. Kryemadhi?

Gjërat janë shumë të rënda dhe do vijnë hap pas hapi. Ajo çfarë na shqetëson dhe e presim është ajo se çfarë do ndodhë nesër. Ne vetëm shpresojmë që të ketë një ndërgjegjësim të Partisë Socialiste që t’i krijojë mundësinë Prokurorisë të vazhdojë hapin e saj, por ajo që do të ndodhë do tregojë çdo veprim që bën Partia Socialiste, e cila është një veprim për të kapur sistemin e Drejtësisë. Në fakt pothuajse ajo e ka kapur sistemin e Drejtësisë.

Nëse nesër mazhoranca me forcën e kartonit dhe mundësinë që ajo ka në parlament vendosë të mbajë dhe të mbështesë raportin e deputetëve të mazhorancës në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores, që parashikon kontroll personal dhe banese për z. Tahiri dhe drejt asaj do shkojë, ç’do ndodhë?

Mos të bëhemi qesharakë. Kontrolli i banesës ka mbaruar të jemi të sinqertë. Pas 3 javësh dihet se çfarë do të ndodhë. Mos të them që z. Rama e ka ditur qëkur ka shkuar në Itali në vizitën e tij zyrtare. Tani që të thuash se do shkosh te shtëpia e Saimir Tahirit e do gjesh byzylykët e gjëra të tjera që i kanë bërë dhuratë Habilajt, kjo është qesharake. Nuk dua të ngarkojë as opinion publik se ndonjëherë publiku është më inteligjent se ne. Z. Rama i pagoi nja 80 milionë euro për fushatën elektorale. Historikisht në Shqipëri, GDP-ia është rritur gjithnjë në fushatat elektorale ndërkohë në çdo vend të botës GDP bie gjatë fushatave elektorale. Unë nuk jam eksperte e sistemit fiskal, por po të pyesësh ndonjë bankier do të thoni se pse nuk po stabilizohet çmimi i euros sepse u thye kursi i saj në periudhën e qershorit.

Nëse mbetet në fuqi raporti që mbështetet nga mazhoranca në Këshillin e Mandatit dhe Rregullores, cili do jetë aksioni opozitës për këtë?

Ne do shikojmë se çfarë do ndodhë. Në qoftë se ne jemi 95% të bindur që Partia Socialiste nuk ndryshon, kemi dhe një 5% shpresë që mund të ndryshojë për shkak të thirrjes së ndërgjegjes së tyre që në fakt është shumë e rëndësishme. E rëndësishme është që të bëhet një veprim i denjë dhe të krijohet një precedent normal sepse unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të hapur. Nesër mund të vini dhe ju dhe mund të më thoni që arrestohesh, por jam e qetë se s’kam pasur asnjëherë të drejtë firme. Por duhet ta marrësh parasysh se kjo është politika dhe sidomos në një vend që vazhdon të jetë në tranzicion.

Përflitet për dosje të tjera por edhe media po gëlon gjatë këtyre ditëve, duke dhënë identikite të ministrave, që mund të preken nga këto dosje. Ju vetë keni mundësi të na jepni një identikit se për çfarë bëhet fjalë konkretisht? Do prisni organet ligj-zbatuese? Denoncimin e parë për z. Tahiri e bëri z. Basha. Tani e keni lënë me fjalë që denoncimin tjetër ta bëni ju si LSI?

Nuk e bëri z. Basha denoncimin, por e bëri antimafia italiane, të cilën e nxorën në një portal siç bëjnë gjithnjë dhe që andej z. Basha e artikuloi politikisht, sepse është normale. Ajo kishte dalë në portal, por sot e kanë të gjitha mediat.

Ndërkohë për dosjet që po flitet?

Ne vet jemi dëshmitarë të shumë problematikave të mëdha që ndodhin sot në Shqipëri. Përgjimet e Habilajve të dëshpërojnë jashtëzakonisht shumë dhe më bindin akoma dhe më shumë në kapjen e shtetit. Sepse kur ata pretendonin t’i jepnin 20 milionë euro Saimir Tahirit për 11 njësitë administrative, unë e kam provuar vet në Elbasan se çfarë ka ndodhur, ashtu siç e ka provuar Petrit Vasili në Fier, Nasip Naço në Berat, Vangjel Tavo në Gjirokastër, kemi qenë prezentë jo vetëm nën dhunën e bandave dhe krimit por dhe të parasë. Ka pasur nga ato raste që kanë paguar edhe pesë herë të njëjtën votë. Nja katër, pesë ditë para zgjedhjeve u arrestua një drejtor i një institucioni shtetëror, i cili shkëmbente para në këmbim të votës për PS. Personi që e ka regjistruar sot është në burg, personi që shpërndante paratë sot është kthyer në punë.

Herë pas here flisni për gabimet e Ilir Metës, kujt i referoheni për këto gabime?

I referohem tolerancës që ka pasur z. Meta ndaj z. Rama. Po të kishte qenë ndoshta më i qëndrueshëm dhe më i fortë ndaj tij, sot ne nuk do të kishim këtë situatë. E them këtë, sepse Ilir Meta ka shërbyer gjithnjë si mburojë ndaj z. Rama, për shumë problematika, ashtu dhe LSI. Të jeni të bindur, po të kishim qenë ne në koalicion me Edi Ramën do thoshte e ka fajin LSI, policia gri etj. Do dilte që do ishim ne kushërinjtë e dhjetë të Habilajve. Kjo është një nga arsyet që dhe LSI vetë i imponohej z. Meta në atë kohë, për të mos qenë pjesë e një bashkëpunimi me z. Rama.

Cili është raporti i Kryetares së LSI me Presidentin e Republikës?

Nuk kemi asnjë lloj kontakti për sa i përket politikës. Nuk dua ta përfshijë, sepse ai është një ndër njerëzit më të survejuar sot për shkak të pozicionit që ka, dhe për shkak të pozicionit tim. Unë kam marrë përsipër për të mos u ndalur në betejën time, luftën time. Sepse nuk dua që asnjë e re apo i ri, qoftë dhe fëmijët e mi të thonë nesër pasnesër që, ti nuk bëre asgjë për të ndryshuar këtë realitet të hidhur. Unë do jap maksimumin tim. Do dëshiroja të kisha dhe shumë të tjerë pranë vetes, sepse do e bënte shumë më të lehtë këtë mision. Z. Meta zgjodhi të ishte President, për të qenë në një pozicion më të distancuar ndaj politikës. Kjo është zgjedhja e tij personale.

A dërgon Presidenti Meta te Kryetarja e LSI mesazhe të tipit, Mona me qetësi?

Njëherë më ka thënë që, duhet të kesh parasysh që luftën aty e ke, paqen mezi e bën. Ma ka thënë si bashkëshort, jo si President. Shqiptarët janë të lodhur nga konflikti. Kjo është një ndër arsyet që ne jemi shumë të kujdesshëm në deklaratat tona. Duam që njerëzve t’iu japim sa më shumë siguri. Trishtimin më të madh e kam ndjerë sot kur një miku im më tha: Monika, ti mund të thuash sa të duash që njerëzit duhet të jenë të qetë, por në Vlorë nuk lëviz njeri pa kallashnikov në makinë. Në Tiranë – tha – kanë filluar bandat t’iu vendosin gjoba bizneseve pafundësisht.

Çfarë do bëj fronti opozitar për këtë situatë që thoni?

Sigurisht që ne kemi filluar po ndërtojmë një axhendë, po rakordojmë sa i përket hapave dhe lëvizjeve tona. Nesër është testi i parë. Raporti është firmosur nga të dyja partitë politike kështu që nuk ka më çështje testi.

Keni ju një marrëveshje të shkruar me z. Basha për atë se çfarë do bëni?

Ne kemi një marrëveshje kundër krimit të organizuar. Është dhe një rezolutë që është bërë me paket të opozitës, e cila do vazhdojë dhe me tryeza të tjera. Do ngrihet një grup pune. Mos të kujtojmë se është e lehtë, sepse është si të krijosh një institucion, sepse njerëzit kanë qasje të ndryshme ndaj problemeve të ndryshme, kanë ndasi, sepse nuk mund të ulësh një komunist me një legalist me një ballist në një tryezë. Pra dhe do t’i ulësh por që t’i bashkosh në gjëra të përbashkëta.

Por që të ulet një socialist me një demokrat, për të bërë opozitë….

Mos u bëj merak, ka ndryshuar tashmë përbërja e partive politike. Partitë politike tashmë janë kthyer në një formacion, po themi politik për sa i përket lidhjeve sepse ne jemi një vend shumë i vogël dhe nuk mund të themi ne tani me parimet e së djathtës dhe së majtës. Tani e majta nuk ekziston më në Evropë. Po shikojmë që po fuqizohet një ekstrem i djathtë, për shkak të një liberalizimi ekstrem dhe të prishjes së çdo norme familjare dhe të çdo norme morale në politikë. Kështu që është një situatë, ne kemi një popull që quhet i majtë sepse janë të varfër edhe njerëzit që mendojmë ne se janë më të pasurit janë me qindra miliona euro borxh nëpër banka.

E keni shoshitur ju si Lëvizja Socialiste për Integrim me z.Basha. Kujtojmë zoti Basha ka qenë shumë i ashpër gjatë fushatës së 25 qershorit.

Edhe ne kemi qenë të ashpër. Për mua ka shumë rëndësi të ecim përpara. Në çdo gabim që bëj, qoftë unë, qoftë Z.Basha apo qoftë dhe ju do të thotë që unë nuk do e bëj më gabim nesër. Nëse unë do bëj gabim herën e dytë, hera e dytë është faji im.

Pra ju jeni në herën e parë akoma me z.Basha?

Jo unë nuk kam asnjë problem, unë jam shumë e hapur në gjërat që them. Jam shumë korrekte dhe i qëndroj gjërave që them dhe që marrim vendimin. Mendoj që futja e një gruaje në tryezën e partive politike, mund të sjellë një lloj, e themi gjithmonë gratë janë më solide edhe për instinktin e nënës që kanë, janë më protektive. Unë gjithmonë nga eksperiencat që kam me burrat në politikë, hajde se flasim më vonë, jo, jo ç’do bëjmë, cili është hapi tjetër, të mërkurën është kjo, ç’do bëjmë të enjten, të premten, të shtunën, të dielën.

Ju i keni shkuar dy herë z.Basha në zyrë…

Po i kam vajtur se të gjithë njerëzit thonë pse i shkova, po ça të keqe ka që i shkoj unë në zyrë. E rëndësishme është që të rakordojmë të ecim përpara. Unë mendoj që sot nuk është shume e rëndësishme se kush është Monika apo z. Basha, apo z. Mediu apo z.Dule e kështu me radhë. Unë mendoj që sot është shumë e rëndësishme produkti që ne do të nxjerrim si front opozitar.

Produkti juaj është të rrëzoni qeverinë?

Produkti ynë është të rrëzojmë krimin.

Nëse z.Rama iu ofron një partneritet për ta bërë këtë luftë bashkë, ju do ta pranoni?

Sigurisht që do ulemi do ta pranojmë, por duke ikur z.Rama i pari, sepse nuk mund të jetë më ai i pari, z.Basha ja dha shansin për t’i bërë zgjedhjet në 2017. Unë jam e bindur që edhe z.Basha, por edhe të gjithë bashkë nuk mund ta pranojmë kurrë më që të jetë z.Rama në këtë qeveri sepse edhe socialistët janë të bindur që z.Basha ja dha shansin z.Rama për të qenë Kryeministër për të bërë një palë zgjedhje dhe nuk i bëri zgjedhjet. Pra këtu problem më i madh është prishja e procesit zgjedhor, intimidimi i shqiptarëve, blerja e votës, përdorja e parave të krimit dhe kthimi I policisë në bodyguard të krimit.

A ka shanse që në 2019 bashkë më zgjedhjet lokale të kemi dhe zgjedhje të parakohshme?

Unë them pse të mos ketë më shpejt dhe jam e bindur që pse mos të ketë më shpejt sepse jam e bindur që ndërkombëtarët do të lëvizin shumë shpejt, sepse ky parlament që ka 74 mandate të deformuara nuk mund të bëjë Reformë në Drejtësi.

Po realizohet skenari maqedonas në Shqipëri?

Nuk mund të them skenari maqedonas, ne mund të kemi skenarin tonë shqiptar. Po atje i nisi përgjimet po ishin në funksion të Sorosit. Kur ndërkohë po shohim që në të gjithë botën po radikalizohet dhe po duket që historia është e një shoqërie të hapur, ku çdo gjë është pa din e pa iman, pra pa fe, pa komb, pa atdhe. Unë mendoj që shqiptarët janë populli më i vjetër në Evropë dhe nuk mund ta pranojnë këtë gjë.

E sulmoni Sorosin shumë, nëse ju do të vini në qeveri bashkë me PD, ose vetëm, a do të ndërmerrni aksione ligjore ndaj shoqërisë së hapur dhe aktivitetit të Sorosit. A do të kërkoni largimin e Sorosit nga Shqipëria?

Unë nuk mendoj që është çështje largimi i individit sesa është çështje çlirimit të institucionit nga segmente, të cilat janë kthyer në institucione të rrezikshme, të cilat dëmtojnë sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Aktiviteti i Sorosit, dëmton sigurinë kombëtare të Shqipërisë?

Mund të shikoni shumë gjëra që kanë ndodhur.

Atëherë kur ju pretendoni këtë gjë do të kërkoni në rast se ju jepet mundësia që z.Soros të largohet nga Shqipëria bashkë me fondacionin e tij?

Ne kemi arritur në një lloj perceptimi që ka ndodhur faktikisht. Por në momentin që çdo gjë do të faktohet. Nuk e kam problem fare se më dhimbset e ardhmja e fëmijëve të mi, nuk më dhimbset e ardhmja e një plaku që është 90 vjeç.

Burimi:(Integrimi.al/E/P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al